TIRANE-Në datë 24 qershor ora 09:30 Gjykata e Posaçme e Apelit do të japë vendimin për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Seanca e sotme maratonë, që zgjati 6 orë ishte e fundit para vendimit, ku palët shpalosën argumentet e tyre. Prokuroria e përfaqësuar nga Vladimir Mara dhe Dritan Prenci nuk u tërhoqën nga akuzat dhe dënimi 12 vite që kërkuan në Shkallën e Parë.

Saimir Tahiri dhe avokati i tij Maks Haxhia kishin përgatitur një mbrojtje prej 131 faqesh përballë trupës gjyqësore që përbëhej nga Albana Boksi, Nertina Kosova dhe Nure Dreni. Edhe në Apel, ashtu si te shkalla e parë nuk kanë munguar edhe detajet, ku Tahiri shpjegoi në një tabelë argumentet me data dhe vite se ku ka qenë për kohën që akuzohet dhe se përse pretendon pafajësi.

Në përfundim të seancës Saimir Tahiri deklaroi se në argumentet e tij për pafajësi dhe të prokurorisë që kërkon dënimin me burg nuk ka ndryshuar asgjë nga përballja në shkallën e parë. Ai tha se vendimin që do të jepet me 24 qershor do ta pranojë, por shtoi se pavarësisht se cfarë do të vendoset, 'është i pafajshëm'. Saimir Tahiri 'thumboi' edhe dy pasardhësit e tij në postin e ministrit të Brendshëm kur tha se detyrën e ka bërë më mirë jo vetëm në krahasim me ata që ishin, por edhe me ata që janë aktualisht, referuar Sandër Lleshajt. Por a do të rikthehet në politikë ish-ministri i Brendshëm pas vendimit të gjykatës së Apelit? Ai u përgjigj kështu "Saimir Tahiri nuk ka ikur".  

Në seancë të pranishëm ashtu si herët e kaluara ishin edhe përfaqësues të ambasadës së SHBA-së për të ndjekur procesin gjyqësor. Por si arriti Tahiri në Apel? Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u vu nën akuzë pas arrestimit të grupit “Habilaj” ndërsa që në fillim ai pretendoi pafajësi duke e quajtur një proces farsë me prova të montuara. Në shtator të vitit të kaluar ish-Prokuroria e Krimeve kërkoi dënimin e tij me 12 vite, ndërsa për shkak të gjykimit të shkurtuar shkonte 8 vite, por  gjykata e dënoi Tahirin me 3 vite burg me shërbim prove. Të dy palët nuk u kënaqën duke e apeluar vendimin, prokuroria që nuk tërhiqet nga kërkesa për dënimin e tij me 12 vite, ndërsa ish-ministri kërkon pafajësi të plotë. Në seancë për herë të parë pas vetëdorëzimit ishte i pranishëm edhe Jaeld Çela.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:55
Në 24 qershor flet Apeli, Tahiri: Vendimin do ta pranoj, gjyqi histori komike! Nuk kam ikur nga politika

Saimir Tahiri deklaroi pas seancës maratonë prej 6 orësh që u zhvillua sot në Apel se në argumentet e tij për pafajësi dhe të prokurorisë që kërkon dënimin me burg nuk ka ndryshuar asgjë nga përballja në shkallën e parë.

Ai tha se vendimin që do të jepet me 24 qershor do ta pranojë, por shtoi se pavarësisht se cfarë do të vendoset, 'është i pafajshëm'. Saimir Tahiri 'thumboi' edhe dy pasardhësit e tij në postin e ministrit të Brendshëm kur tha se detyrën e ka bërë më mirë jo vetëm në krahasim me ata që ishin, por edhe me ata që janë aktualisht, referuar Sandër Lleshajt.

"I keni dëgjuar dhe stërdëgjuar dhe nuk e besoj se ia vlen të zgjatem, ne folëm dhe kjo ishte e fundit, tani do të flasë gjykata. Ajo që dini, i keni parë, kështu që nuk ia vlen të zgjatem. Kursejani edhe njerëzve këtë historinë komike të gjyqit tim se është bërë qesharake, se besoj se ka njeri terezi ta dëgjojë këto gjëra. Nuk ka ndryshuar asgjë, ne dhe ata të njëjtat gjëra.

Unë nuk kam folur shumë gjatë kohës që kam qenë në gjyq dhe i akuzuar për të respektuar drejtësinë, e kam bërë sikur e konceptoj raportin tim me drejtësinë. Jam i vetmi që lash mandatin për t'u përballuar si qytetar i thjeshtë me drejtësinë jo si deputet.

Mund të vija si deputet dhe të enjten në Kuvend të bëja ndonjë rrëmujë, sikur kanë bërë të tjerët përpara meje. Besoj te drejtësia, por nuk ka rëndësi për mua nëse do të vijë drejtësia nga gjykata apo është drejtësia që besoj unë.

Para të gjithëve, para fëmijëve të mi, jam super i bindur që kam bërë në cdo hap të punës sime gjënë e duhur, jo më për akuzat e prokurorisë, por edhe për akuzën që më ngjiti gjykata, shpërdorimi i detyrës, të jeni të bindur e kam bërë detyrën më mirë se kushdo tjetër, nga ata që ishin dhe këta që janë" tha ai.

Por a do të rikthehet në politikë nëse merr pafajësinë ish-ministri i Brendshëm pas vendimit të gjykatës së Apelit? Ai u përgjigj kështu "Saimir Tahiri nuk ka ikur, kjo historia e politikës nuk më tundon sikur nuk më ka tunduar kur ika nga deputet për t'u përballuar me drejtësinë. Kështu që kur më tentuar detyra që bëja si deputet, sigurisht që nuk e bën dot ti.

Vendimin do ta pranoj pa asnjë diskutim, si një vendim gjykate, që është për t'u pranuar dhe zbatuar, sa të drejtë apo jo, të shoh vendimin dhe të flas. Unë di raportin tim me të drejtën dhe të drejtën dhe kjo nuk kalon as nga prokuroria dhe as nga gjykata. Çmimi i jetës sime nuk kalon nga çmimi i karrierës së tyre (prokurorëve dhe gjyqtarëve)" tha ai.

Ora 15:48
Tabela me data, prova dhe fakte! Si u mbrojt Saimir Tahiri në Apel

1591883324_PROVA.jpg
Sot në gjykatën e Apelit, ashtu si te shkalla e parë Saimir Tahiri ka shpjeguar në një tabelë argumentet me data se ku ka qenë kur akuzohet dhe përse pretendon pafajësi.

Ora 15:45
6 orë seancë, vendimi për Saimir Tahirin në 24 qershor

Përfundon seanca gjyqësore në Apel për Saimir Tahirin. Seanca maratonë zgjati për rreth 6 orë. Vendimi do të jepet në datë 24 qershor ora 09:30.

Ora 15:32
Fansja në derën e gjykatës: I gjithë Kombinati pret pafajësinë e Tahirit dhe rikthimin në politikë

Fansja e Saimir Tahirit, që ka qenë e pranishme në thuajse të gjitha seancat gjyqësore në Shkallën e Parë dhe tani në Apel, Miranda Muça në një prononcim për gazetarin e Report Tv Arsen Rusta nga dera e gjykatës u shpreh se ish-ministri i Brendshëm është 'gjiganti i saj' dhe se i gjithë Kombinati po pret pafajësinë dhe rikthimin e tij në politikë.  

Cfarë është kjo veshje, çfarë tregojnë?
Për Saimir Tahirin bëhet gjithçka, është njeriu më i mirë

Është gjigant ai, edhe pse me shtat është i shkurtër?
Për mua është gjigant

Çfarë prisni nga drejtësia?
Pres pafajësinë e Saimir Tahirit, vetëm drejtësi

Po akuzat për kultivim kanabisi?
Nuk janë të vërteta

Nëse merr pafajësi, a prisni angazhim të tij në politikë?
Normale, mezi po e presim, i gjithë Kombinati mezi po e pret

Ora 12:50
Fansja e Tahirit në gjykatë me maskë dhe bluzë të stampuar: Je gjigant (FOTO)

Në Apelin e Gjykatës së Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit po zhvillohet seanca për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Në mbështetje të tij në seancën e sotme, ashtu si në të kaluarat nuk kanë munguar fanset. Njëra prej tyre kishte veshur një bluzë me foton e tij me mbishkrimin 'gjigandi', ndërsa edhe maskën e kishte me mbishkrimin e ish-ministrit të Brendshëm.