Arben Dedja, Kirurgu dhe
poeti shqiptar i Padovas

Arben Dedja, Kirurgu dhe<br />poeti shqiptar i Padovas
TIRANE- Kur punonte si kirurg në Repartin e Endokrinologjisë, në Spitalin e Tiranës, Arben Dedja mbahet mend nga kolegët për çantën plot me libra që merrte me vete, për t’i lexuar ato gjatë netëve që ishte mjek roje. Këtyre netëve shkruante edhe poezi ose tregime. Rrëfen se zakonin e të shkruarit në mënyrë jokomode vazhdon ta ruajë edhe në shtëpinë e tij në Padova të Italisë, kur bashkëshortja Silva dhe fëmijët Klesti dhe Sara flenë gjumë.

Arben Dedja ka mbaruar studimet për mjekësi dhe është specializuar për kirurgji në Shqipëri, ku ka punuar rreth 10 vjet si mjek. Niset drejt Italisë në vitin 1999, në moshën 35-vjeçare. Leximet, dëshira për të mësuar gjuhët e huaja, i hapën rrugën në Universitetin e Padovës, ku ai u angazhua në kërkimet shkencore, duke punuar pranë një qendre eksperimentale që provonte transplantimin e veshkave nga derri tek majmunët, e ku vijon të punojë edhe sot.

Gjatë intervistës me të kupton se të dhënave të tjera biografike nuk iu jep shumë rëndësi. Ato sipas tij nuk i hyjnë në punë askujt, mjafton që përjetimet personale në krijimtarinë e tij “treten në mesazhet universale”. Arben Dedja di dhe përkthen në mënyrë të ndërsjellët të dyja gjuhët, shqip e italisht. Shkruan poezi në gjuhën italiane, megjithatë nuk i shkruan domosdo për Shqipërinë. Atdheu, kirurgut-poet i mjafton që është në kujtesë, ndërsa poezinë e sheh ndryshe. Madje ai i bashkon metaforat e profesionit të kirurgjisë me poezinë e tij, dhe kjo gjë tashmë i duket e bukur. Me letërsinë, Arben Dedja është marrë që në moshë të vogël dhe ka botuar dhjetëra vëllime me poezi dhe tregime, por më shumë ka përkthyer letërsinë italiane në shqip dhe anasjelltas.

Dedja është kështu një urë e fortë komunikimi mes dy vendeve. Kirurgun-poet e përkthyes e takuam gjatë zhvillimeve të konferencës “Kujtesa, identiteti dhe integrimi” me autorët shqiptarë që kanë emigruar në Itali, që u zhvillua nën kujdesin e zonjës Fulvia Veneziani, drejtoresha e Institutit Italian të Kulturës. Konferenca do të vazhdojë edhe sot, por dje ne zgjodhëm mes tyre Arben Dedjan në intervistën për “Shqiptarja.com”, sepse ai është i ndryshëm nga të tjerët...dhe kjo, jo vetëm sepse është mjek-kirurg, por sepse duke ikur nga Shqipëria në Itali si një poet dhe mjek i talentuar, ai s’e ka personalizuar kurrë aktin e krijimit. Ai i shpëton këtij kurthi ku bie shpesh poezia moderne. Poezitë e tij kanë në qendër njeriun si qenie universale, pa dallim kombi e race. Kështu poeti ka disa arsye më shumë që të mendoj ndryshe nga të tjerët për temat shqiptare.
 
 
Zoti Dedja, puna e mjekut është shumë e vështirë dhe impenjative. Zakonisht edhe në shtëpinë tuaj ju jeni të detyruar të shkruani në korridor. Jemi kuriozë të dimë sesi arrini të jeni edhe kirurg edhe poet?
-Në fillimet e mia përpiqesha që t’i ndaja poezinë dhe mjekësinë, por pastaj fillova ta kuptojë se metaforat mjekësore janë shumë interesante kur nis t’i integrosh në jetën tënde. Dhe tani unë i integroj në letërsi edhe metaforat e mjekësisë. Tani unë merrem me fushën shkencore me qelizat e transplanteve ose qelizave staminale më shumë, dhe i bëj pjesë të krijimtarisë si metafora.
 
 
Konferenca “Kujtesa, identiteti dhe integrimi” sa e rëndësishme ishte për ju shqiptarët që shkruani në italisht?
-Shumë e rëndësishme, se në një farë mënyre ne njihemi dhe konfrontohemi me editorët shqiptarë, sepse kemi projekte të tjera për të botuar, si këtu, si në Shqipëri. Sigurisht për librat që botohen në Itali, lexuesi është italian dhe mirë do të eci të bëhet kjo gjë edhe në Itali, që librat e autorëve shqiptarë të mund t’i blej një lexues italian.
 
Le të ndalim pak tek lexuesi. A mund të na thoni se sa letrare janë temat që shkrimtarë nga Shqipëria i servirin për lexuesin italian në formë scoop-i, ose duke përsëritur plagët e mërgimit; prostitucionin ose përfshirjen e emigrantëve në rrjetet mafioze. Kjo “shitje” e Shqipërisë bashkë me veprën letrare, vlen vërtetë si letërsi?
-Unë nuk jam lexuesi i gjithë asaj letërsie që serviret në këtë mënyrë. Unë nuk e di se ç’natyrë kanë shumë nga këto libra. Unë kam lexuar librin e parë të Ornela Vorpsit dhe kaq. Nuk i kam lexuar të gjithë këta autorë që shkruajnë për tema të tilla. Edhe puna ime, por edhe vendi ku banoj më bën të mos jem shumë i lidhur me ta. Letërsinë që shkruaj e kam në dy lloje, tregime dhe vëllime me poezi.

Nëse lexohen sidomos poezitë e mia, edhe pse janë dygjuhëshe, mendoj se janë të tilla që një njeri që e merr për ta lexuar nuk e kupton nga jam, nga cili vend. Unë marr edhe një metaforë mjekësore dhe e përdor. Vetëm nga gjuha mund të njihem kur flas nga jam, kur flas në shqip, por në shkrime nuk besoj se njihem se cili vendi i përkas. Po kështu duhet të jetë edhe me tregimet, pavarësisht se letërsia e gjithë emigrantëve është letërsi e kujtesës, edhe imja është letërsi e kujtesës. Emigrantët, pasi ikin, zakonisht kanë më shumë kujtime. Letërsia në përgjithësi është letërsi e kujtesës. Janë të gjitha gjëra që të kujtohen kur je larg. Shkrimtari ka kujtesë shumë.

Kjo kujtesë del në vepër. Aty del edhe vendi apo ngjarjet. Por unë nuk kam asnjë lidhje me të tjerët, jo vetëm se mendoj ndryshe për mënyrën e të shkruarit, por edhe se në Padova ku jam unë nuk njoh miq shqiptarë. Pastaj unë kam mendimin se letërsia duhet bërë në izolim të plotë. Edhe vet lexuesi  i izoluar është, sepse ai e hap librin dhe e lexon dhe vendos ta ndjek me interes këtë libër apo ta lërë mënjanë pa kurrëfarë interesi. Pra, lexuesi futet në komunikim me shkrimtarin me një ndjesi individuale.
 
 
Është fakt apo jo, që shumica e shkrimtarëve që gjenden në mërgim shkruajnë për trafikantët, për anijet e emigrantëve, për rënien e komunizmit. Nuk jam kundër temave, por kundër klisheve dhe mendësisë së letërsisë së marketit, si mendoni ju?
-Unë nuk shkruaj kurrë gjëra që bëhen modë ose bestseller dhe unë nuk merrem me këtë punë. Unë letërsinë e quaj si një mision, Është një gjë që bëhet, pavarësisht nga ato që mund të ndodhin në jetë, pavarësisht nga vështirësitë e jetës dhe situatat që mund të krijohen. Duhet bërë më shumë sakrifica të jashtëzakonshme dhe me punë të vazhdueshme dhe letërsia mund të shërbejë si urë midis dy vendeve, si urë komunikimi, dhe për t’u bërë një urë e tillë s’është nevoja të shkruash çdo lloj gjëje që ke prekur. Fare mirë mund të lexosh, të përkthesh nga shqipja në italisht dhe anasjelltas letërsinë e shkrimtarëve më të mirë. Kjo mund të bëhet vërtet një urë më e fortë komunikimi. 
 
 
Duket se ka sot një brez të ri shkrimtarësh që lexojnë më pak se ç’shkruajnë, cili është opinioni juaj?
-E pyes veten për këtë, pse e bëjnë, por do të ishte ndoshta më mirë të përkthenin më parë përderisa janë biling. Do të ishte më mirë, por këto janë gjëra që ndodhin në letërsi...
 
 
Ju vetë keni përkthyer shumë vepra, cilët janë disa nga autorët italianë që keni sjellë në gjuhën shqipe?
-Unë kam përkthyer edhe nga anglishtja, por më shumë kam përkthyer  nga italishtja. Kam përkthyer poetët Bertoluçi, Uilliams, Triluza, Odeni, Silvia Plath, Holubin, etj, etj.
 
 
Cili ka qenë libri juaj i parë me poezi?
-Libri i parë me poezi të shkruara nga unë ka qenë “Shpella e trishtimeve të mia”, botuar në vitin 1994. ndërsa në vitin vitin 1912 unë kam ka botuar të parin libër timin me tregime në gjuhën shqipe, që është botuar nga Ombra GVG. Unë erdha në tiranë me rastin e daljes nga shtypi në gjuhën shqipe të librit tim “Amputazioni prolungate” 
 

Shkrimi u publikua sot (24.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane