Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, njëherazi edhe Ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Arben Taravari ka paralajmëruar se kreu i BDI-së Ali Ahmeti do të japë llogari para drejtësisë.
Reagimi i tij vjen pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar të ish-zv.kryeministrit Artan Grubi, pasi u shpall non grata nga SHBA. Taravari shkruan se Grubi gjithçka e ka bërë me miratimin e shefit të tij, ndaj ka ardhur koha që Ahmeti të japë llogari para drejtësisë.
“I arratisuri thotë se e ka bërë çdo gjë me miratimin e “shefit”. Ka ardhur koha që “shefi” të japi llogari para drejtësisë!” ka shkruar Taravari.
Grubi u shpall në kërkim pasi sipas prokurorisë, ka urdhëruar në mënyrë të jashtëligjshme dhënien e licencave për disa kompani të lojërave të fatit dhe kazino dhe është përfshirë së bashku me ish-drejtorin e Lotarisë, Përparim Bajrami në prokurimin e manipuluar të paisjeve për Lotarinë. Dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit është mbi 8 milonë euro
Artan Grubi, u shpall non grata nga SHBA, më 9 dhjetor 2024. Në njoftimin e DASH thuhej se Grubi është përfshirë në korrupsion të madh duke pranuar ryshfet për t’i minuar proceset gjyqësore të lidhura me dënimin penal të Sasho Mijalkovit, ish-drejtorit të shërbimit sekret.