Ka rënë në prangat e policisë pasditen e kësaj të mërkure, autori i një tentative për vrasje në vitin 2012. 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr 4, kanë kapur shtetasin e shpallur në kërkim Herger Çitaku, 28 vjeç, banues në Tiranë.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë më datë 07.12.2016, ka dërguar urdhërin për ekzekutimin e vendimit penal të datës 05.12.2016 të Gjykatës së Apelit Tiranë, e cila e ka dënuar me 12 vite burg, për veprat penale "Vrasja me dashje për shkak të cilësive të veçanta të viktimës" dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit", parashikuar nga Nenet 79 dhe 278/2 të Kodit Penal.

28-vjeçari lindur dhe banues në Babrru më 22 Maj të vitit 2012-të ka tentuar të vrasë dy vëllezër në rrugën që lidh Babrrunë me zonën e njohur si “Kafja e Rremës”, ndërsa si shkak i kësaj ngjarjeje dyshohet të ketë qenë një mosmarrëveshja për një borxh të pakthyer.
 
Sipas Policisë, dy vëllezërit, Armando dhe Jetnor Gjypi, kanë qenë duke pirë kafe me të dyshuarin Hergert Çitaku, të cilit i detyroheshin një shumë parash borxh, ku ka patur edhe një debat mes tyre në lidhje me paratë e pakthyera.

Pas debatit mes tyre, Çitaku është ngritur nga tavolina dhe ka qëlluar 4 herë në drejtim të dy vëllezërve, Armando dhe Jetnor Gjypi. Çitaku ka qenë disa herë më parë i proceduar edhe për vjedhje.

Herger Çitaku, njihet si mik i Robert Kullës, djali i Nehat Kullës, i dyshuar për grabitjen e bankës së nivelit të dytë në ish-bllok, gushtin e kaluar. 

Ndërkohë, policia ka publikuar edhe videon e momentit të arrestimit të Çitakut nga forcat e policisë, teksa ishte duke udhëtuar me një makinë. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com