Arvizu: Presidenti, ndoshta 
një emër që s'ta merr mendja

Arvizu: Presidenti, ndoshta  <br />një emër që s'ta merr mendja
TIRANE – Gara për Presidentin e Republikës mund të ketë ende surpriza të tjera. Ky është mendimi i ambasadorit amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, diskutoi edhe mbi këtë temë gjatë emisionit “A Show” të gazetarit Adi Krasta. “Ajo që kuptoj nga rastet e mëparshme – tha Arvizu – personi që del president nuk është dikush për të cilin flitet që në fillim”.

Në vijim intervista e tij e plotë:

Adi Krasta: Jam shumë i lumtur t’ju kem këtu më në fund. Si ndjeheni në televizion, në përgjithësi?

Ambasadori Arvizu: Në përgjithësi, më pëlqen shumë. Është fantastike të jem këtu, është një program fantastik.

Adi Krasta: Faleminderit shumë.

Ambasadori Arvizu: Kam një kollare speciale për këtë rast. Shpresoj t’ju pëlqejë.

Adi Krasta: Më pëlqen shumë kollarja. Do të tregohem diplomat.

Ambasadori Arvizu: Sa herë që pyes njerëzit për Adi Krastën, përgjigja që më japin është “çfarë prezantuesi!” Mendoj se ky është një nder shumë i madh për ju.

Adi Krasta: Nuk e di nëse duhet ta marr si kompliment...Ka një pjesë te prezantuesit që është gjithnjë mosbesuese. Nuk e di pse, por kjo është ndjenja ime.

Ambasadori Arvizu: Do të thotë që jeni shumë i talentuar dhe i respektuar.

Adi Krasta: Por ju keni respektuar dhe nderuar shumë nga kolegët e mi. Kjo është tipike për një ambasador në një farë mënyrë. Ta lëmë mënjanë këtë. Ju e njihni më mirë Shqipërinë tani, z. Ambasador, apo jo?

Ambasadori Arvizu: Mendoj se po mësoj shumë. Sot është data 8 maj, e vutë re këtë?

Adi Krasta: Sigurisht, kjo është arsyeja pse jeni këtu.

Ambasadori Arvizu: Po mësoj shumë, por ka ende shumë boshllëqe në njohuritë e mia. Më pëlqejnë kostumet shqiptare. Di që kostumet janë shumë të veçanta dhe të posaçme për secilin rajon, por, nëse dikush më thotë, z. Ambasador, ky kostum është nga Gjirokastra, ky nga Korça dhe ky nga Shkodra, nuk jam i sigurt se do i dalloja kur në fakt duhet të isha në gjendje ta bëja këtë. Pra, mendoj se një nga gjërat që po përpiqem të bëj është të kuptoj gjërat e rëndësishme si folklori, traditat dhe kultura. Kjo është e rëndësishme.

Adi Krasta: Mesa kuptoj unë elita jonë politike nuk do t’ju lejonte të shpenzonit kohë me folklorin e gjëra të tilla.

Ambasadori Arvizu: Duhet të më japin pak pushim në fakt.

Adi Krasta: Ju duan për vete, me shumë, shumë dëshirë. Ndoshta për shkak të rëndësisë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë për çështjet në botë. Para disa ditësh kishit bërë një shkrim shumë të mirë mbi rëndësinë e medias së shëndetshme. Do t’ju bëj një pyetje: përveç televizionit publik i cili ka halle të tjera, çfarë mendoni ju se janë hapat false apo gabimet e medias shqiptare?

Ambasadori Arvizu: Pikë së pari, unë i qëndorj atyre që përmenda në editorialin me rastin e Ditës Botërorë të Lirisë së Shtypit, që u publikua në shumë gazeta dhe televizione, dhe jam shumë mirënjohës për këtë, por ka shumë gjëra pozitive. Unë takohem me shumë gazetarë. Mendoj se janë shumë të sinqertë dhe të hapur në opinionet e tyre, gjë që e vlerësoj. Kur kaloj nëpër duar gazetat apo shoh televizion, shoh një larmi opinionesh që shprehen, dhe kjo është gjë e mirë. Mendoj se informacioni thelbësor që u serviret shqiptarëve është diçka pozitive. Por mendoj, se një nga burimet më të mëdha të shqetësimit në Shqipëri është fakti se ka shumë shtrembërime. Ka më tepër shtrembërime se sa çensurë. Nuk është tamam një treg i hapur apo i lirë. Dimë se ka disa interesa biznesesh të fuqishme pas kësaj gazete apo atij stacioni, ose mbase ata janë të lidhur. Një parti ose një lëvizje politike mund të kenë lidhje por do të kesh gjëra të tilla pa kuptim si politikanë të një grupi që bojkotojnë, që shfaqen në një stacion televiziv por jo në një tjetër, ose një program fton nga një krah po nuk fton tjetrin. Ky është shtrembërimi për të cilin po flas.

Adi Krasta: A ndodh kjo për shkak të një mjedisi të pakontrolluar apo ju mendoni se ka të bëjë me zgjedhje personale apo është diçka e papërcaktuar?

Ambasadori Arvizu: Mendoj se ka të bëjë më tepër me këtë të fundit, dhe jo aq shumë me kuadrin ligjor. Ka disa probleme me strukturën ligjore gjithashtu. Mendoj se ligjet për shpifjen ose mjetet e përdoruara për të ndëshkuar njerëzit ndoshta duhet të rishihen pak më mirë. Mendoj se ndonjëherë ndëshkimi duket pak më i rreptë se sa duhet të ishte duke marrë parasysh rrethanat. Nuk dua të jem shumë kritik por për disa media, për disa gazetarë të caktuar, duket sikur janë shtojcë e një force politike. Në një demokraci, mendoj se duhet të kishte pak ndarje midis të dyjave. Në një demokraci të shëndetshme, duhet të kishte skepticizëm ndaj të gjithë politikanëve, siguright ndaj atyre që qeverisin vendin, por edhe ndaj opozitës.


Adi Krasta: Ne publiku perceptuam se ambasadori i ri i SHBA, në ditët e para të punës këtu, nuk ishte shumë i drejtpërdrejt me palët politike, por tani, një vit e gjys më pas, jo vetëm që e kuptoj çfarë po bëni këtu në emër të qeverisë dhe vendit tuaj, por për të qenë i sinqertë, e mbështes plotësisht, në kuptimin që ju nuk doni të bëheni pjesë e kësaj xhungle. Tani të shkojmë në Amerikë, lajmet se kryeministri dhe lideri i opozitës shkuan në SHBA, u takuan me zyrtarë amerikanë, kongresmenë, e të tjerë. Pati shumë spekulime këtu për atë që u tha dhe si u tha. Do t’ju pyes: a ishte Sekretarja e Shtetit Klinton shumë e drejtpërdrejtë, shumë e qartë me kryeminsitrin?

Ambasadori Arvizu: Pikë së pari, nëse mundem, për t’iu kthyer çështjes së mëparshme, i vlerësoj shumë fjalët tuaja të ngrohta. Do të doja të merrja mundësinë për t’u shpjeguar disi. Është e kuptueshme që njerëzit në Shqipëri kanë pikëpamje shumë të forta politike. Edhe në Amerikë njerëzit kanë pikëpamje të forta për politikën atje. Këtu, ndonjëherë kam përshtypjen se fituesi merr gjithçka, ose, nëse nuk je totalisht me mua, je kundër meje. Pra, nuk ka rrugë të mesme, dhe, mendova me veten time, si ta shpjegoj këtë? Të flasim për Kryeministrin, për shembull. Ai admirohet nga shumë njerëz, por jo nga të tjerë. Ka disa njerëz që vijnë e më thonë, shiko, ti mbështet Sali Berishën, ti do që Sali Berisha të jetë i suksesshëm. E di se cila është përgjigja ime, ke absolutisht të drejtë. Dua shumë që ai dhe qeveria të bëjnë një punë të mirë. Dua që ai dhe PD të ecin mirë. Po kaq i suksesshëm dua që të jetë edhe z. Rama dhe që socialistët të ecin mirë. Dua që të gjithë ata të japin më të mirën e tyre, të jenë në gjendje të artikulojnë politikat e tyre, çfarë do të bëjnë ata për popullin shqiptar. Pra, nëse akuzat janë se dua që z.Berisha, të jetë i sukseshëm, përgjigja ime është, e saktë. Ju doni që z.Rama të jetë i suksesshëm; po, kjo është absolutisht e saktë.

Adi Krasta: Kjo kuptohet tani nga publiku në përgjithësi. Po cili është një mesazh i qartë nga Departamenti i Shteti dhe institucionet e tjera?

Ambasadori Arvizu: Unë isha në takim. Kuptohet, nuk mund të futem në detaje, por mendova se Sekretarja Klinton e bëri shumë të qartë mbështetjen e plotë të SHBA për popullin shqiptar, këtë vend të mrekullueshëm dhe kontributin e sja për stabilitetin rajonal, për atë që po bën si vend anëtar i NATO-s, apo përparime që kanë ndodhur këtu në 21 vitet e fundit. Mendova gjithashtu se ajo ishte shumë e qartë në shprehjen e shpresës dhe disa nga shqetësimet tona për përparimin e ngecur në disa fusha si lufta kundër korrupsionit, shteti ligjor. Kështu pra, mendoj se mesazhet e SHBA ishin shumë të qarta.

Adi Krasta: Po e shijoj shumë këtë intervistë. E kuptoj që sjellja e një ambasadori duhet të jetë e kujdesshme dhe elegante, që disa detaje nuk mund të bëhen publike, por do t’ju bëj një pyetje shumë të drejtpërdrejtë, edhe pse mendoj se e di përgjigjen. E dini ju emrin e presidentit të ardhshëm të Shqipërisë?

Ambasadori Arvizu: Shiko, anglishtja është një gjuhë mjaft interesante. Mund ta interpretoni në dy mënyra këtë pyetje: a e di unë se kush do të jetë presidenti i ardhshëm i Shqipërisë? Ose, a ka të ngjarë që unë ta njoh personin që dotë jetë presidenti i Shqipërise, kushdo qoftë ai?

Adi Krasta: Më lejoni të jem i saktë në anglisht, dua të di të dytën.

Ambasadori Arvizu: Nuk e di. Ndoshta. Di për listën e Çanit. Nuk është vetëm lista e Çanit, por për sa i përket kësaj, shoh Kryetaren e Parlamentit Topalli, z. Nano, z. Meta është përmendur, Artur Zheji, Fatos Lubonja. E di se kush janë këta, pra, nëse është një nga këta, do të them, po, e njoh presidentin e ardhshëm. Por, duhet të jem i sinqertë. Disa nga emrat janë njerëz që s’i kam takuar kështu që pyes stafin tim në ambasadë. Kush është ky person për të cilin shkruhet në gazetë ose media?

Adi Krasta: Të pyesësh një shqiptar për një shqiptar tjetër se kush është ai, kjo nuk është ide shumë e mirë. Nuk flasim mirë për njëri-tjetrin në ambjente të tjera. Shaka…

Ambasadori Arvizu: Ajo që kuptoj nga rastet e mëparshme, personi që del president nuk është dikush për të cilin flitet që në fillim.

Adi Krasta: Pra del një as që nxirret nga mënga.

Ambasadori Arvizu: Nëse do të ishte një gar kuajsh do të ishte kali i zi, ose dikush që s’ta merr mendja, jo dikush për të cilin njerëzit flasin. Por ndoshta nuk do të jetë kështu. Mendoj se kjo është ajo që e bën interesante.

Adi Krasta: Dhe ju jeni shumë kurioz për të mësuar se kush është ai apo ajo!

Ambasadori Arvizu: Sigurisht, jam shumë kurioz. Përsëri, kjo është pjesë e procesit politik prandaj është interesante. Jam kurioz të shoh se si do të vazhdojë kjo sepse shumë njerëz janë të interesuar për këtë por edhe sepse kjo është shumë e rëndësishme për vendin.

Adi Krasta: Christianne Amanpour bëri një intervistë të shkëlqyer me ish-sekretaren e shtetit Madeleine Albright që shqiptarët e duan shumë, ne këtë vend, në Shqipëri por dhe në Kosovë. isha shumë i impresionuar nga një nocion që ajo përdori, se SHBA nuk u lejohet gjithnjë apo nuk janë gjithnjë në gjendje që të arrijnë një gjykim moral për çështje në gjithë botë, për shkak të traditës së vendeve, p.sh. Sirisë, Kosovës, Shqipërisë. Ajo foli për një zonë gri në gjykime e vendime. Janë ato momentet shumë mbresëlënëse kur Ambasadori Arvizu përveshi mëngët për t’u përfshirë në procesin e numërimit të votave. Pastaj, si ta them, i ulët prapë mëngët pa asnjë shpjegim?

Ambasadori Arvizu: Kjo është një mënyrë shumë interesante për të shpjeguar çfarë ndodhi një vit më parë. Dy pika. E para, në disa mënyra, politika dhe diplomacia janë dy anë të të njëjtës medalje, ku qëllimi është që të arrihet ajo që është e mundur, me disa parime morale, me disa udhëzime. Kjo nënkuopton se duhet të arrihen kompromise dhe njerëzit që nuk janë në gjendje të bëjën kompromise ndoshta nuk duhet të jenë në politikë dhe as të përfshihen në diplomaci. Së dyti, për sa i përket asaj që ndodhi vitin e kaluar, mbaj mend se në 8 maj pati një ndjenjë të madhe shprese dhe optimizmi dhe paksa ankth. Të gjithë e dimë çfarë ndodhi në ditët që pasuan. Më lejoni të eci para për të ardhur në ditët e sotme. Parlamenti ka bërë shumë përparim në reformën e kodit elektoral, rregullat e procedurës parlamentare, por tani duket se kanë ngecur paksa në çështjet që ne e dinim që do të ishin të vështira, kryesisht përbërja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dhe mekanizmi i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve. Domethënë, kur ka një mosmarrëveshje, apo kur duket se një kandidat kryeson me vetëm 10 vota, ose pasi një procedure gjyqësore tjetri kryeson me 86 vota, apo të tjera gjëra të tilla, kush do ta zgjidhë këtë mosmarrëveshje? Mendoj se procesi që pamë vitin e kaluar tregon se ky nuk është një proces tërësisht i kënaqshëm. Prandaj unë po shpresoj në asistencën e OSBE, ODIHR, Këshilli të Europës, Komisionit të Venecias, se do të ketë dëshirë për të gjetur një mënyrë për të përmirësuar funksionimin e KQZ-së, ndoshta duke ndryshuar përbërjen e KQZ-së ose mekanizmin e zgjedhjes së mosmarrëveshjeve. Ka vend për përmirësim.

Adi Krasta: Po, mendoj se kjo është shenjë e një ndjeshmërie të publikut dhe njerëzve në përgjithësi, shumë më tepër ndoshta nga ndjeshmëria që shohim brenda zyrave të izoluara apo tek disa politikanë që janë izoluar nga çfarëdo lloj gjëje që ndodh në vendin e tyre. Kjo ësht pyetja e fundit, z. Ambasador. Po, fjala jote është shumë e rëndësishme. Me apo pa diplomaci, me të mesme të artë apo jo, duke folur ose jo me diplomaci, ne mund të jemi duke iu drejtuar përsëri kohëve të zymta. Shpresoj që jo, por, nëse zgjedhja e presidentit dhe zgjedhjet e përgjithshme, nëse diçka ndodh përseri, nëse votat nuk administrohen siç duhet, nëse ndodh përsëri, a do t’i vërë Departamenti i Shtetit, Ambasadori Arvizu, gjërat në vendin e tyre? Jam i shqetësuar për vendin tim, prandaj ju pyes.

Ambasadori Arvizu: E vlerësoj pyetjen dhe shpresoj t’ju jap një përgjigje të drejtpërdrejtë që është gjithashtu diplomatike, por dua t’i përgjigjem pyetjes suaj sepse mendoj se është shumë e thellë. Pikë së pari, pritshmëria ime është që politikanët do t’i vënë veshin dëshirave, vullnetit të njerëzve dhe do të veprojnë më seriozitet në emër të njerëzve. Dhe ka mekanizma. Marrim zgjedhjen e presidentit për shembull. Do ta shohim se si do të zhvillohet, por, mënyra se si presidenti do të zgjidhet mendoj se do të ndikojë perceptimin e votuesve në vitin 2013, pavarësisht nëse ata mbështesin PS, PD apo një parti të tretë. Deri në një farë mase, përshtypjet e tyre do të ndikohen nga mënyra se si ky proces do të zhvillohet, në mënyrë që të jetë një lloj referendumi. Pra, unë si amerikan besoj në njerëzit që bëjnë korrigjime kur është e nevojshme. Por, sigurisht, këtu në Shqipëri, për shkak se mekanizmi institucional nuk është aq i fortë sa duhet të ishte, na duhet ende të punojmë për këtë. Përsa i përket çështjes së të qënit i drejtpërdrejtë, nga njëra anë mendoj se njerëzit hedhin sytë nga SHBA për udhëheqësi, dhe ne duhet t’i përgjigjemi kësaj. Pra, po, shpresoj dhe pres, që në rast se do të ketë probleme serioze, njerëzit të dëgjojnë atë që do të kem për të thënë dhe të thonë, ai po thotë të vërtetën, ai po flet drejtpërdrejt.

Nga ana tjetër, si kryediplomati amerikan në këtë vend, ajo që unë dua është ndryshimi pozitiv. Dua që nga një situatë e keqe të dalë diçka e mirë. Sinqerisht, jam i gatshëm të sakrifikoj reputacionin tim apo reputacionin e ambasadës nëse vërtet do ndryshonte diçka. Me fjalë të tjera, nuk do të them diçka vetëm sepse mendoj se do t’i kënaqë njerëzit ose sa për të marrë një duartrokitje. Gjëja e rëndësishme është që të përpiqemi të marrim një rezultat dhe, nëse arritja e këtij rezultati do të thotë që të punohet me qetësi, ndoshta dhe me ashpërsi, të qënit i drejtpërdrejtë në takime private, nëse e mendoj se kjo është mënyra më e mirë, atëherë kjo është ajo që do të bëj. Por, shpresoj se gjatë pjesës tjetër të detyrës time këtu, njerëzit të shohin se po tregohem i drejtpërdrejtë dhe i sinqertë.

Adi Krasta: Pyetjen e fundit e bëjmë këtu. A ju vjen ndonjëherë dëshira që ju dhe gruaja e vajza juaj të ecni rrugëve të Tiranës pa roje sigurie, në mënyrë të fshehtë, të pini një birrë, pa menduar për ambasadën apo kuriozitetin e njerëzve?

Ambasadori Arvizu: Është e vështirë që t’i kesh të dyja. Duke qënë ambasadori amerikan ka shumë njerëz që vijnë të shtrëngojnë duart me ty ose të bëjnë një foto; është diçka që të përkëdhel sedrën. E di që kjo ka të bëjë me vendin tim dhe jam tepër mirënjohës për këtë. Por, sigurisht ka raste kur do të doja të dilja me pantallona të shkurtra e të shkoja në parkun e Tiranës apo TEG, por e di se dikush do të qëllojë aty me kamera. Duhet të jem i sigurt që dukem mirë. Nuk është se mund të bëj ndonjë gjë për flokët, por duhet të jem gjithnjë i kujdeshshëm.

Adi Krasta: Faleminderi shumë, z. Ambasador.

Ambasadori Arvizu: Faleminderit.

(im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!