U mor i pandehur dhe për kallëzim të rremë në lidhje me atentatin e sajuar 3 vite më parë, fiton pafajësi në gjykatë deputeti Tom Doshi.

I pandehur së bashku me Doshin ishin dhe ish-deputeti Mark Frroku dhe shtetasi Durim Bami, për të cilët Prokuroria kërkoi nga 1 vit burg për akuzën e kallëzimit të rremë.

Por pas një odiseje 3-vjeçare gjyqësore sa në Gjykatën e Krimeve, në Gjykatën e  Lartë, në atë Kushtetuese dhe së fundmi në Dhomën Penale të Tiranës, këtë të mërkurë u dha vendimi.

Dënim u dha vetëm për Frrokun e Bamin, por asnjë prej tyre nuk do të qëndrojë në burg, pasi dënimi është konvertuar në shërbim prove.

Për këtë atentat të pretenduar në dyert e Prokurorisë përfunduan të gjithë zyrtarët e lartë të shtetit dhe politikanët e rëndësishëm nga kryeministri Edi Rama, ish-kryeministri Sali Berisha, Presidenti Ilir Meta asokohe kryetar i Parlamentit.

Në Gjykatën e Tiranës ky proces u zhvillua me gjykim të shkurtuar, ndërsa pas 5 seancash gjithçka përfundoi me pafajësinë e Doshit dhe dënimin e Frrokut e Bamit.