Pas dekadash pritjeje dhe kërkimesh nga familjarët e të zhdukurve të regjimit komunist, Autoriteti i Dosjeve ka dorëzuar në Prokurori prova për 6 vendvarrime të dyshuara, ku mendohet se ndodhen mbetje mortore të personave të ekzekutuar apo të zhdukur gjatë diktaturës.
Autoriteti shprehet se për vite me radhë informacionet e familjarëve apo denoncimet në prokurori dhe polici nuk kanë mjaftuar për të avancuar hetimet. Por ndryshimet ligjore të vitit 2022 i dhanë AIDSSH-së të drejtën për të kryer hetime administrative dhe verifikime në terren për rastet e personave të zhdukur.
Sipas Autoritetit tashmë janë dorëzuar prova dhe dokumente që mbështesin dyshimet për praninë e mbetjeve mortore në këto zona dhe për këtë arsye kërkon nga Prokuroria autorizimin për gërmime dhe zhvarrime të kontrolluara, me qëllim kërkimin, rikuperimin dhe identifikimin e eshtrave përmes analizave të ADN-së.
Referuar vendimit të organit kolegjial në dokumentacionin e përcjellë pranë organeve të drejtësisë, AIDSSH kërkon : “Shqyrtimin juridik të çështjeve dhe autorizimin e ndërmarrjes së veprimeve procedurale të nevojshme që lidhen me kryerjen e gërmimeve dhe zhvarrimeve të kontrolluara për qëllime kërkimi, rikuperimi dhe identifikimi të mbetjeve mortore, si edhe koordinimin ndërinstitucional për organizimin dhe ndjekjen e procesit të ndërhyrjeve në terren”.
Procesi vjen pas disa viteve hetime administrative, mbledhjeje dëshmish nga familjarët dhe verifikimesh arkivore, si edhe ekspertizash të realizuara përmes radarëve dhe metodave antropologjike, në bashkëpunim me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur.
Sipas Autoritetit, radarët dhe metodat antropologjike kanë evidentuar me probabilitet të lartë praninë e mbetjeve mortore në disa prej zonave të dyshuara.
Mes rasteve më të rëndësishme janë Varrezat e Rrmajit në Shkodër, ku dyshohet se ndodhen eshtrat e Jup Kazazit, Sait Kazazit, Gjon Shllakut dhe Dom Luigj Zojzit, të ekzekutuar në vitet 1948-1953.
Ndërkohë, në zonën e Shpalit pranë kishës, dyshohet se janë varrosur organizatorët e Revoltës së Spaçit të vitit 1973: Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.
Kërkime po zhvillohen edhe pranë ish-Burgut të Spaçit, në Mallkeq, në Shënvasil ku dyshohet për Hasan Hamzën, Fiqiri Marikën dhe Zyhdi Çitakun, si edhe në Shelegur të malit të Gramozit, ku dyshohet se ndodhen mbetjet mortore të Dhimitër Konos.
Për shumë familje shqiptare, kërkimi i eshtrave të të afërmve mbetet ende një plagë e hapur. Ndërsa AIDSSH thekson se zbardhja e fatit të personave të zhdukur është një detyrim human, ligjor dhe moral, duke u bërë thirrje qytetarëve dhe institucioneve të bashkëpunojnë me informacione për vendvarrime të tjera të dyshuara.
Komente











