Erion Veliaj ka urrejtësit e tij. Si çdo politikan, po ashtu ka dhe fansat e tij. Ky keqkuptim i madh që po përpiqet të shitet si fushatë poshtëruese ndaj një aktori të madh nuk ka lidhje me të, por me Erion Veliajn.

Urrejtësit e tij kanë gjetur një pre për të sulmuar, ngaqë me Veliajn e kanë nxjerrë dufin duke e parë në burg. Si gjithë linçuesit e tjerë.Ndaj nuk ia vlen të flasim për Robert Ndrenikën si aktor, por as për ata që thonë se ai ka shkuar aty si qytetar apo si dashamirës i Veliajt.

Në fakt, për të gjithë ata që kanë ndjekur me qetësi dhe paanshmëri procesin linçues ndaj Veliajt nga mllefi personal i një prokurori, i mbështetur dhe nga një zell politik nga të dy krahët e politikës, e ka viktimizuar atë me të drejtë, pasi më shumë se sa ndonjë histori korrupsioni, njerëzit që e kanë mbështetur shikojnë një histori linçimi për të cilën askush nuk flet.

Robert Ndrenikën dhe të tjerë e kanë çuar këmbët në atë sallë pikërisht nga ky proces dhe ka folur pikërisht për arsye se nuk flasin të tjerët, përfshirë dhe këta burracakët anonimë që shesin moral.

Së pari, nuk flasin socialistët, asnjë prej tyre, as miqtë e as armiqtë e tij në atë parti. Dhe kjo ia ka shtuar peshën kurajës së Ndrenikës në sallë, dhe atë që urrejtësit e Veliajt e quajnë akt servilizmi,.

Në fakt është akt guximi intelektual që tejkalon memecërinë e socialistëve dhe tërbimin e urrejtësve. Linçimi i tij juridik është aq flagrant sa e ka pranuar dhe udhëheqësi i urrejtësve të tij.

Së dyti, shumica e atyre që udhëheqin fushatën e baltosjes së Ndrenikës për këtë akt janë ata që çdo të hënë rreshtohen para SPAK për t'i dhënë dorën “martirit” të Dumanit, Sali Berisha. Ajo është e vetmja skenë publike poshtëruese kur një lider urdhëron mbështetësit e vet ta presin në oborr të SPAK. Veliaj s’e ka as këtë mundësi, as këtë mendësi.

Së fundmi, dimensioni njerëzor i Ndrenikës në këtë histori ka shkaktuar reaksion dhe nga ideja e urrejtësve se tanimë e kanë konsideruar të vrarë atë që është rrëmbyer nga zyra në qeli dhe që mbahet pa gjykuar aty, kundër çdo standardi të Evropës.

Nuk di se ç’do thonë kur Strasburgu ta quajë gjithë këtë fushatë linçuese të paligjshme, apo nëse do t'i kërkojnë falje Ndrenikës, por di që sot ata janë të irrituar pse preja e tyre nuk ka vdekur dhe pse një aktor i madh, më i madhi i të gjallëve të Shqipërisë, shprehu një simpati publike për të

Nuk është vetëm ai. Helena Kadare ka shkuar në sallë të gjyqit po ashtu. Dhe ajo, njësoj si Ndrenika, nuk ka nevojë për emrin e Veliajt, por një intelektual ndryshon nga të tjerët se bën një gjest kur të tjerët fusin kokën mes shalëve ose fshihen pas tastierës duke qenë anonimë.

Urrejtësit i vret dashuria më shumë se çdo armë tjetër dhe Ndrenika i ka vrarë duke përqafuar prenë e tyre që e duan të vdekur, por dhe duke i fyer të gjithë ata që nuk guxojnë të flasin për atë që po ndodh.