Avni Rustemi përballë gjyqit të Tiranës

Avni Rustemi përballë gjyqit të Tiranës

Avni Rustemi

Ai gjyqi i para 100 e ca vjetësh nuk paskej qenë gjë. 

Ky tjetri, sot, qenka lemeri! Këtë gjyq na e paskan ngritur dhe po ia bëjnë Avniut shqiptarët e tij. Përse?! Cila nevojë e lindi?

Pyes veten: përse vallë Tirana zhurmëmadhe iu kthye Avni Rustemit?! Përse po gjykojnë atë gjeneratë të ngritur në këmbë rreth Parisit për shpëtimin e djaloshit njëzetepesë vjeçar dhe fyejnë atë turmë të përzishme më pas, gjatë varrimit të tij që dëgjonte gojëhapur vlerësimet e Fishtës dhe të Nolit?!

Kemi vendosur të grisim të gjitha fotot e heronjve të së shkuarës, meqënëse para atyre fotove dikur ka qëndruar me nderim edhe Enver Hoxha?!

Bashkohem në mbrojtje të heroit libohovit edhe sepse vazhdoj ta konsideroj të tillë edhe sot, por edhe ngaqë kam derdhur frymëzim në rrugën time të artit për të. Sepse kam punuar një vepër mjaft të suksesëshme, në një nga faqet më të ndritura të Teatrit Bylis të Fierit, që zgjoi vëmendje dhe emocione të rralla publike dhe kërkohet me ashk edhe sot.

Kam kënaqësinë të them se në atë spektakël, rreshtuar pas krye aktorit Fatos Sela në rolin e heroit, pjesëtarët e trupës  së teatrit fierak shënojnë kryerolet e tyre të karrierës.

Po nuk dal të mbroj spektaklin. Jo, jo! Në djall të vejë drama dhe teatri! Ajo shfaqje mund të ishte dhe një krijim çfarëdo për një gjest të madh patriotik me emra të ndryshëm nga ata të Esat Toptanit dhe të Avni Rustemit. Unë po dal në mbrojtje të heroit kombëtar, që rastisi në një vepër të endur me dashuri dhe frymëzim.

Për herë të parë mospëlqimin për shfaqjen time, e ndesha nga një burrë i vjetër tiranas, daja i një shokut tim të ngushtë, i cili la të kuptohej se ne, në fushën tonë të skenës dhe ekranit  nuk bënim gjë tjetër, veçse përsërisnim artistikisht bindjet dhe idetë e diktatorit.

Aty dëgjova për herë të parë dikë që vlerësonte figurën e Toptanit. Ai linte mënjanë dëmet, sabotimet në rrugën e shtetformimit kombëtar, sabotimin e Princ Vidit, faktin që prehet në një varr mes luftëtarëve të rënë serbë. Dhe flakte tej heroizmin e Rustemit.

Nuk është kjo tema e këtij shkrimi, por duhet ta them se unë isha kalitur me këto verejtje averse, të cilat punëve të mia u hiqnin zemrën dhe u linin vetëm logjikën dhe interesin. Dhe atë ditë për herë të parë mua m’u desh të formuloja avokatinë e qendrimit tim. Këtë do ta përsëris edhe në fund të kësaj daljeje, teksa më duhet të them se skandalizohem nga ky zhurmërim i ri i ca studjuesve historianë, i ca deputetkave dhe i ca gazetarëve.

Kush në ekranet televizive ka patur rast të haset me një bashkim zërash, të filmuar nën titullin “Kronologjia e një vrasjeje me pagesë”, duhet të jetë neveritur me kakapërllëkun e disa tezave gjoja të guximshme historike nga gërmime të çaprashitura.

Është aty brenda një hallakatje e rrëmujshme, ku përplasen të hedhura tok, fakte historike si pafajësia e dekretuar nga gjykata pariziane, fajësia e një palo “kronologjie”, ku na i qënkan paguar 5000 lireta një studenti të varfër, por patriot gati fanatik, që nuk ka para të përballojë dot rrugën dhe të shpenzojë në hotelet e Parisit gjatë peshkimit të rastit për atentatin.

Përmendet pastaj porosia e ministrit të Brendshëm Ahmet Zogu për sigurinë e heroit të pritur si triumfator në hapësirën Durrës –Tiranë me esadistë të shumtë e tjera e tjera…

Dhe kjo gazetari e shpifur e një “kronologjie vrasjeje me pagesë” arrin majat, kur Avni Rustemi, deputet i kosovarëve në parlamentin shqiptar, i kthen shumën e parave huadhënësit, Rexhep Jellës, dhe e detyron Jellën ta rimarrë pagesën e atij qershori të vitit 1920! Nuk do të habitesha asfare në atë filmth po të mësoja se ajo vrasje e bujshme e pat nxjerrë Rustemin milioner!

Çfarë gazetarie mund të jetë kjo përveçse avantazhe të lirisë së sotme të shprehjes, në një demokraci të shpifur, ku jemi sypatrembur të vemë në dyshim staturat e Skëndërbeut, Nënë Terezës, Adem Jasharit dhe Avniut me shokë!

Pse marr unë anën e Avniut në këtë re pluhuri, që po ngrenë nëpër kanalet e shumtë televizivë të Tiranës këta aventurierë? Vetëm që të mbroj angazhimin tim në një sipërmarrje artistike? Edhe për këtë arsye mund të mobilzohesha, por më duhet të rrëfej se dashuria për këtë fatos kombëtar daton shumë-shumë më herët.

Isha afro shtatë vjeç, në fshatin tim të lindjes, kur mamaja ime e mirë këndonte teksa bënte punët e shtëpisë dhe ia kërkonin nëpër dasma këngën për këtë patriot të rrallë:

Libohova, shumë e mirë, djalë trim kishte Avninë/… Kush e vrau Esat Pashanë/ Unë e vrava satananë…

Dhe pas pyetjeve që i bënim ne fëmijët, mamaja na shpjegonte se cili ishte ai trim që i patën ngritur dhjetëra këngë…

Dyzet e ca vite më vonë pas atyre tingujve të magjishëm të zërit të nënës time, duke u përgatitur ta mishëroj në skenë aktin dhe triumfin e tij, mua m’u dha rasti të lexoj hartime të tij në gjuhën e përsosur italiane në kolegjin e San Demetrio Coronas…

Lexova shënime arkivale, nga procesi gjyqësor i Seine-s, shprehje të thëna para jurisë franceze që po e gjykonte, dhe që unë, tok me të ndjerin Sheri Mita, i përfshimë në trupin e dramës tonë. Ndër të gjitha shënimet rreth tij, çuditërisht ne nuk hasëm asnjë rresht kushtuar ndonjë vajze!

Ky njeri i rrallë që u vra në moshën 30 vjeçare figuronte i kushtuar vetëm një dashurie madhore: asaj për vendin e tij!

Më duhet të them se ne duhet vërtet të japim llogari nëse e kemi të sinqertë përkushtimin ndaj heronjve që, pas një frymëzimi të ndezur, ua ofrojmë lexuesve dhe spektatorëve. Apo jemi ushtarë të bindur të diktatorëve dhe shtetarëve të kohës kur jetojmë, sikurse vinte në dyshim një burrë i nderuar tiranas tridhjetepesë vjet më parë?

Jo, or zotëri i ndjerë! Jo, o zotërinj të ditëve tona të demokracisë!

Edhe sikur të mos isha endur nëpër shkrime, faqe historie dhe dokumenta, mund edhe të ngrija në skenë një vepër bazuar në anësira botkuptimore, në opinione dhe qëndrime të konsoliduara.

Por nuk ka gjykim më plebishitar, nuk ka bazë më solide, se sa kur bëhen të një mendjeje mamaja ime dhe burra me peshë në historinë e vendit, si Ahmet Zogu, Enver Hoxha, Mit’hat Frashëri, Fan Noli, At Gjergj Fishta, Asdreni, shqiptarët kurbetlinjtë përhapur mbi globin tokësor, apo zgjedhësit kosovarë që e votuan Rustemin si përfaqësues të tyre…

I bashkoj kësaj liste trupën gjyqësore franceze që e liroi heroin tonë legjendar aty, në sallën e gjyqit!

Si mund ta trajtoni një figurë të tillë historike, si të ishte ai një killer banal, i sojit të atyre Dumanëve, që po gjykohen sot në Shqipëri?!

Qesharake, është pak! Tezat tuaja janë një turp i përmasave të mëdha, për të mos thënë më shumë…

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Atos: 15/07/2022 04:01

    Nese etaloni per te bere hero eshte vrasja, atehere gjithe ish byroja politike pse jo te shpallen heronj. Nuk i dime tamam sesi ka ndodhur sepse kemi perpara jo te gjithe faktet. Sot, e jo me ne kohen kur ngjarja ndodhi. Nese qe a jo Esati tradhetar se firmosi per Serbine, Italine apo shtete te tjera te huaja apo qe zyrtar otoman ne nuk i dime rrethanat. Ose fjala vjen pse te quajme Esatin tradhetar dhe jo fuqite evropiane si kriminale? Po pse nuk qenkesh njesoj fjala bie i ngjashmi baba i shtetit tone Ismail beu? Qe kishte firmosur me AustroHungarine dhe Kosova nuk qe ne ato plane? Avniu i shkrete mund te quhet hero per dashurine per idene e kombit dhe pasionin atdhedashes. Por qe si shume te tjere para dhe pas tij rane viktime dhe perdoren per koke turku nga maskarenj politiqene si nipi Esatit, Ahmet Zogu, apo skuthi i Ahmetit, Enver Hoxha, apo "kuadrot" e shokut Enver si Sali Berisha apo Fatos Nano, apo biri i denje neokomunist si Rama i sotem. Nuk ka virtut ne vrasje, kurre.

    Përgjigju
  • Balo Bënça: 14/07/2022 23:57

    Devolliu i nderuar! Kur ishe vetëm artist të respektonin,po se ç'tu desh pasi ra Diktatura dhe fillove të sharroje degën ku ishe ulur vetë...nejse e di më mirë ti edhe hunda jote ( egoja) këtë punë! Vepra jote artistike që na kujtonte patriotizmin kur nuk kishim ushqim ,sidoqoftë ka vlerë për ne " të atëhershmit",ama ka plot vepra artistike në botë ,shumë herë më të famshme sesa ajo jotja,që janë ndërtuar mbi fakte të pavërteta,të trilluara apo të ndryshuara! Nëse kujton " Popeye the Saylor" vërtetë Cartoon por me famë miliard herë mbi " pjesëzën" tënde u ndërtua mbi përqindjen e hekurit në spinaq,një fakt i pavërtetë ...dhe mos harro producentin e këtij kartoni kush pat qenë! Nëse kujton serialin e superfamshën jugosllav " Otpisani" mbi njësite komuniste serbe anti naziste,ishte i bazuar mbi gënjeshtër sepse asnjëherë nuk kish patur njësite komuniste në Beograd që të bënin veprime të tilla,por ish oficerë mbretërorë,që komunistët i kishin shpallur armiq aso kohe... Eqerem bej Vlora, bej i vërtetë jo fshatar i mesëm si yt gjysh që përcolli Zogun në arrati,ka shkruar qartë për Rustemin dhe Esadin,dhe Beu ishte i shkolluar! Tani meqë ke bërë një fixtion artistik ti,merr të drejtën të dalësh edhe si historian!??? Këpucar,merru me këpucët!

    Përgjigju
  • UKU MOMLIT: 14/07/2022 23:55

    O pellumb more pellumb/Vlersimin mos e humb! A mund te na thuash se KLIKA e kohes ishte ustallesha qe i mbushi mendjen dhe xhepin me para avniLibohoves.....??? Shko nje here jo me larg se ne arkivin e shtetit shqiptar dhe do gjesh "xhevahire"....dhe do skuqesh vertete pa te pare kush,per sa ke artikuluar me siper. Ti pellumb njihesh edhe si intelektual i perkore. Gjynah qe te ka mundur emocioni fallsifikator i ashtuquajtur patriotik e nacionalist. Historia nuk duhet te shkruhet me nga fitimtaret por vetem nga historianet.....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?