/ATSH-Arbi Fortuzi/-. Ministri i Punëve të Brendshme Samir Tahiri mori pjesë në Ministerialin e Salzburgut, që po zhvillohet në datat 4 - 5 maj në Austri.
Në ministerial morën pjesë, vendet anëtare të Forumit të Salzburgut dhe vendet mike, mes tyre Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina. Në Forum u diskutuan çështja e migrimit të paligjshëm, bashkëpunimi policor me fokus luftën kundër terrorizmit dhe siguria kibernetike.

Në takimin që drejtohej nga Ministrja e Brendshme e Austrisë, morën pjesë edhe Komisioneri Europian për Zgjerimin, Drejtori i Përgjithshëm i FRONTEX, Sekretari i Përgjithshëm i INTERPOL-it etj.

Ministri Tahiri u shpreh gjatë fjalës në Forum, se çështja e azilit është një problem që nuk duhet parë si i tillë vetëm për vendet e Ballkanit, por për gjithë Europën, prej nga ku duhet të vijnë zgjidhje të përbashkëta. Ai kërkoi futjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në listën e vendeve të sigurta, si dhe shkurtimin e procedurave të përpunimit të kërkesave për azil.

Pas Furomit, pati një konferencë të përbashkët për media, ku morën pjesë Ministrja e Brendshme e Austrisë, Presidenca bullgare e Forumit, Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, Sekretari i Përgjithshëm i INTERPOLIT dhe Drejtori i UNHCR për Europën.