Basha dëboi Berishën e shkriu PD, por ‘ngjizi’ në vend të dytë një grupim anti-amerikan

Basha dëboi Berishën e shkriu PD, por ‘ngjizi’ në vend të dytë një grupim anti-amerikan

Lulzim Basha ka bërë atë që di më mirë në zgjedhjet e pjesshme për pushtetin vendor të ditës së dielë në 6 bashkitë e mbetura pa kryetar: Ka humbur në të gjitha këto njësi vendore.

Askush nuk kishte ndonjë pritshmëri që PD e drejtuar nga Basha të fitonte ndonjë bashki, pavarësisht “vetëshërbimit” gjatë tërë këtyre ditëve që demokratët zyrtarë i kanë bërë vetes përmes daljeve publike, panelistëve apo dhe ndonjë sondazhi të sajuar me korrespondencë nga Prishtina që “mbikqyri” Shqipërinë në këtë ballafaqim zgjedhor.

I mbajtur me “steroide” gjatë gjithë kësaj kohe nga mbështetës të hershëm e të vonë, dikush për për inat të Berishës, dikush se kështu ia “lezetonte” muhabetin rakia e cilësisë së ulët, Lulzim Basha përfundimisht nuk ka zhgënjyer asnjë palë: Ka humbur.

Madje ai i ka kaluar të gjitha pritshmëritë, teksa ka dalë në zgjedhje i treti pas “Shtëpisë së Lirisë” një “aliazh” mes kandidatëve të Sali Berishës dhe LSI të Ilir Metës, përjashtuar vetëm në Rrogozhinë ku për pak vota arriti të “kapë” vendin e dytë në zgjedhje. Kandidatët e PS kishin “fluturuar” shumë lart me vota, sa të gjithë bashkë nga këto dy formacione të dala nga PD nuk arrinin t’i afroheshin.

Ndërkohë që Berisha i përjashtuar nga PD, arriti që të mobilizonte elektoratin e djathtë dhe PD-në duke fituar bashkinë e Shkodrës me kandidatin Bardh Spahia, duke e lënë PD-në zyrtare të Bashës në vendin e tretë, pesëfish më pak vota se se fituesi i “Shtëpisë së Lirisë”, ndërsa në Durrës, Vorë, Lushnje diferenca ishte me shumëfish.

Një sfidë e plotë e një 80 vjeçari si Sali Berisha i cili ndonëse ka mbi kurriz vendimin e SHBA për shpalljen “non grata”, vitet e një pleqërie të thellë dhe konsumimin mbi 30 vite në politikë, shkoi në të 6 bashkitë e vendit ku bëheshin zgjedhje, disa herë duke kërkuar votën.

Ndërkohë që Basha jo vetëm që doli shumë pak nga selia dhe bashkë me të dhe drejtuesit e tjerë të PD zyrtare, të ngjashmit afrojnë të ngjashmit afër për të bashkëqeverisur, por dhe atëherë që doli më shumë shkoi në zonat ku nuk kishte zgjedhje se sa në njësitë vendore ku ballafaqohej me Berishën më 6 mars, në luftën për jetë a vdekje për lidershipin e së djathtës.

Dhe atëherë kur shkoi në takime, sidomos në Dibër, Durrës dhe Rrogozhinë, duke u marrë me trekëndëshin e “Bermudës”, teknicialitete dhe “cic mice” fëmijësh, nuk arriti asnjëherë të përcjellë frymë dhe mobilizim tek elektorati i djathtë sëpaku, sepse elektoratin gri ka kohë që nuk ia kërkon më njeri për ta thithur, për të zënë sëpaku objektivin real të tij: Vendin e dytë në politikën shqiptare.

Në fund të herës Lulzim Basha arriti që për herë të parë në 31 vite post-komunizëm të nxirrte Partinë Demokratike, parti të tretë në vend, madje me një përqindje njëshifrore në 6 bashkitë ku u zhvilluan zgjedhjet më 6 mars, “kampioni” perfekt dhe si i zgjedhur me dorë për të parë mbështetjen që gëzojnë partitë politike në Shqipëri, dhe në veçanti dy copat e ndara të PD, për shkak të luftës për lidership në këtë parti, mes Berishës dhe Bashës.

Praktikisht tashmë PD është parti e tretë politike, shumë herë më pak e mbështetur se sa grupimi i drejtuar nga ish kryeministri Berisha, një formacion bashkë me LSI-në i krijuar si emergjencë para zgjedhjeve, thjeshtë dhe vetëm për të futur 6 kandidatët e vet dhe matur forcat në ballafaqim elektoral me Bashën se kush e dominon elektoratin e partisë më të madhe opozitare.

Ndërkohë që nuk bëhet fjalë që të synohet vendi i parë e rrëzimi i PS të Edi Ramës nga pushteti, jo sepse fitoi thellë 5 bashkitë nga 6 që ishin në garë në zgjedhjet e ditës së dielë, por sepse po tregon qartë se ka një elektorat të konsoliduar dhe se në këto zgjedhje, pavarësisht angazhimit jo të madh të strukturave të PS, fitorja u arrit pa asnjë lëkundje dhe me shifra të larta.

Por Basha instaloi në Shqipëri një formacion politik, “aliazh” mund ta quajmë të Berishës dhe të Metës, në themel të të cilit nuk janë vetëm “non gratat” por anti-amerikanizmi i vërtetë në Shqipëri, që kap vendin e dytë në politikën shqiptare. Ky është krimi i Bashës!

Por si duhet parë situata politike brenda PD nga shtatori i vitit të kaluar që kulmoi me zgjedhjet e 6 marsit, teksa kjo parti për herë të parë bie në kuotat më të ulta të mbështetjes, në vendin e tretë dhe me një diferencë të madhe votash.

Në krye të herës Lulzim Basha duhet parë si një politikan që ka realizuar dy “kryevepra” në këto 6-7 muajt e fundit në politikën shqiptare, një politikan që “goditjet standarde” i ka të vetat. Pra si një politikan të një lloji të veçantë.

Basha do të mbahet mend në politikën shqiptare si njeriu që e nxori përfundimisht nga PD Sali Berishën, dhe kjo është një meritë që nuk duhet t’ia mohojë askush. Me vendimin e tij për përjashtimin nga grupi parlamentar i PD, marrjen përsipër të përgjegjësisë së këtij vendimi duke pasur dhe mbështetjen e ambasadores së SHBA pas shpalljes “non grata’ nga SHBA të ish kryeministrit, dhe më pas përjashtimin nga partia që kishte krijuar, Lulzim Basha bëri atë që nuk e kishte bërë askush për 30 vite në PD: Dëboi Sali Berishën nga PD.

Nuk është pak kjo, kur mendon se PD konsiderohej si pronë nga Berisha, ndërkohë që vetë Basha ishte “krijesë” politike e “babait” Sali Berisha, një politikan i krijuar në “laboratorin” personal të Sali Berishës, duke i dhënë gjithçka, poste shtetërore, poste partiake dhe në fund dhe pronën e tij Partinë Demokratike. Kuptohet, e bëri dhe me lekë, këtë se mohon askush.

E përzuri nga PD pa i lëvizur asnjë muskul, madje herë duke qeshur siç e ka zakon dhe herë duke bërë si i fortë dhe duke guxuar të “shtrijë krahun” dhe kundër Ramës dhe Metës dhe përfshirë të tre në “Trekëndëshin e Bermudës”. Madje dhe guxoi të flasë në emër të SHBA duke u përcaktuar vendin, burgun, vitet e burgut, numrin e qelisë jo vetëm këtij “trekëndëshi” por kë mendonte se kishte kundërshtar.

Me përjashtimin e Berishës, është e drejtë të themi se Lulzim Basha bëri jashtëzakonisht mirë, pasi e shpëtoi PD-në nga presioni, trysnia dhe hija e rëndë e liderit historik, duke premtuar se do t’i jepte një dimension tjetër opozitarizmit në Shqipëri. Por duke qënë se “shkolla” politike e Bashës kishte qënë “laboratori” i Berishës ose “Berishizmi”, kreu zyrtar i PD nuk ia doli që të dimensiononte një strategji të veten, një kauzë të veten dhe për pasojë dhe një profil të ri politik, për të treguar tek qytetarët se PD me Bashën kryetar pa “tutorin” Berisha do ishte diçka ndryshe. Basha nuk e luftoi dot berishizmin me berishizëm, duke vertetuar dhe njëherë se teoria e “Shotëd” që “plumbi del me plumb” nuk funksionon.

Basha më shumë u mor me teknicialitet, vula, blindim zyrash dhe selie, brava duke rrëshqitur në një betejë banale ku e zhyti dalëngadalë Berisha, i cili rrugëve ishte pa seli dhe i dëbuar nga PD, ‘karrem” që Basha e kapi menjëherë dhe rezultati u pa më 6 mars, kur PD doli e treta në zgjedhje. Berisha sillej rrugëve por dhe bënte takime, ndërsa Basha vijon me idenë se ka një mision në tokë për t’u bërë kryeministër dhe këtë post do ta marrë “qyl”.

Por duke qënë se çdo e mirë e ka dhe një të keqe, pra e mira ishte se Basha dëboi Berishën, e keqja erdhi se Basha çdo gjë e kishte marrë “qyl” nga vetë Berisha dhe për pasojë priste një burim tjetër ku të përfitonte pa u lodhur.

Për pasojë Basha jo vetëm që dëboi Berishën, por me një “gur vrau dy zogj”, solli dhe shkrirjen e PD, e cila është në rënie të lirë tashmë dhe nuk dihet çfarë do ti rezervojë fati në zgjedhjet e ardhshme për pushtetin vendor, më 2023.

E kemi thënë shpesh se PD duhet të shkrihet, pasi dhe simotrat e saj në Europën Lindore janë shkrirë dhe ekzistojnë vetëm në arkivë. Basha po ia del me sukses, duke realizuar goditjen e dytë të tij për të cilën do të mbahet mend, pas përjashtimin e “babait” të tij politik, shkrirjen e PD.

Duke qënë se ëndrra e Bashës për kryeministër tashmë është me status utopie, është në vendin e tretë dhe po synon vendin e dytë, të parin e ka zënë PS dhe Rama dhe nuk e lëshojnë, Lulzim Basha duhet të realizojë dhe një risi tjetër: të largohet nga drejtimi i PD. Të përdorë dhe kanalet e nëndheshme politike të komunikimit me Berishën dhe të marrë konfermën prej tij se dhe ai nuk do të tentojë rikthimin në krye të PD, duke e lënë këtë parti që të provojë dhe një shans tjetër, më 22 mars sikurse e do Berisha apo në një datë tjetër, për rithemelim dhe bashkim. Ndryshe, PD është e shkrirë normalisht. Dhe kjo në të vërtetë nuk është e mirë!

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Vuçiç: Sa të jem unë president, nuk do ta njoh kurrë Kosovën

Vuçiç: Sa të jem unë president, nuk do ta njoh kurrë Kosovën