TIRANE-Lulzim Basha refuzon ftesën e kryeministrit Edi Rama për t'u ulur dhe parë njëri tjetrin në sy online për të bashkuar forcat në mënyrë që të fitojnë luftën me koronavirusin sa më shpejt dhe pa pasoja të rënda. Në një lidhje me Skype në emisionin '5 Pyetjet nga Babaramo', kryetari i PD-së, Lulzim Basha tha se Edi Rama propozimet e opozitës i ka aty, pasi janë publike. Paketën e dytë të miratuar sonte, në parim, Basha e përshëndeti, por nuk e komentoi pasi më parë, tha se duhet të njihet në detaje kur të miratohet.

Megjithatë, vijoi më tej lideri i opozitës, ende nuk është zbatuar paketa e parë që u miratua në mars. Krahasuar me rajonin, paketat e qeverisë shqiptare për familjet në nevojë dhe biznesin, kryedemokrati i cilësoi si gjysmake dhe i ofroi formulën qeverisë se ku mund të gjejë 260 mln euro në buxhet. Pika kryesore që ndan dy palët, Lulzim Basha tha se është testimi, që PD-ja kërkon që të rritet, pasi vetëm kështu sipas tij mund të parandalohet përhapja. Referuar situatës në Shkodër, ai tha se nuk e kanë fajin qytetarët, por qeveria që u kujtua vonë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:36
Basha tjetër thirrje Ramës: Qeveria duhet të mbështesë median si vendet fqinje

Lideri demokrat ripërsëriti thirrjen për kryeministrin Edi Rama që të përfshijë në paketën ekonomike median sikur kanë bërë edhe vendet fqinje. "Po ashtu edhe media, vendet fqinje po i mbështesin pasi transparenca është kyçe. Nuk mund të kemi gazetarë dhe kameramanë që hiqen nga puna për shkak të paaftësisë së diktuar nga kriza, duhet që transparenca dhe media të kenë mbështetjen e nevojshme si aleatë në këtë betejë që Shqipëria dhe shqiptarët do ta fitojnë" tha Basha.

Ora 21:24
Basha: Shkodra problem jo prej qytetarëve, qeveria u zgjua vonë

Shkodra është në vendin e dytë përsa i përket numrit të të infektuarve në vend, por për këtë situatë Lulzim Basha nuk fajëson qytetarët, por qeverinë që sipas tij u zgjua me vonesë. "Masat duhen zbatuar kudo në Shqipëri, kjo jo vetëm ka qenë thirrja ime e përsëritur, por kemi bërë edhe spote. Kemi kërkuar masa prej dy javësh, i kemi treguar me vepra për këto masa.

Është gabim i madh të bësh lojëra politike dhe të veçosh kur askush nga qeveria nuk e kanë veçuar Shkodrën si problem pas një fundjave u zgjuan dhe thanë se Shkodra është problem. Shkodra është problem por jo prej qytetarëve. Shkodra ka tre pika kufitare.

Opozita u bën thirrjeve të gjithëve të zbatojnë masat, distancimi social shpëton jetë, ndihmon në frenimin e epidemisë, por duhet që gjithsecili po bën punën e vet. Duke mbështetur të gjitha masat për distancimin social dua të bëj thirrje që cdo kush të kryejë detyrën e vet dhe qeveria të përgjigjet me masa mbështetëse për njerëzit në nevojë, mjekët, dhe testime masive e mbështetje reale për ekonomikë. Biznes i mesëm apo i madh' tha Basha.

Ora 21:14
Basha: Paketat e qeverisë gjysmake! Akoma nuk është zbatuar e para

Lulzim Basha paketën e dytë ekonomike e cilësoi gjysmake. Ai tha se qeveria lekët i ka në buxhet, ndërsa tregoi edhe formulën si mund të gjenden 260 mln euro. "E dyta janë familjet në nevojë. Paketën po e marrim të mirëqenë që u shpall sot dhe ti shtojmë edhe paketën e para një muaji që akoma nuk është zbatuar, prapë janë sa 2/3 e paketës së Kosovës, që po bën gati të dytën. Po ecet me gjysmë pakete me gjysmë pakete, qeveria i ka mundësitë, po të dojë i gjen paratë. 120 mln euro koncesionet, 100 mln euro të investimeve publike, 40 mln të shpenzimeve operative, përbëjnë 260 mln euro. Akoma më dramatik është zbatimi i paketës.

E vlerësova kur kryeministri në 17 mars shkroi se ata që janë dëmtuar do të kenë lekët në kontot e tyre bankare. Por në fund të fundit qeveria shtyhet të veprojë më shpejt, ky është roli i opozitës, kur e ka bërë e kemi përshëndetur dhe këtë do ta bëjmë, por nëse dicka thuhet dhe dicka tjetër bëhet problemi është cfarë arrin te qytetari? Pasi nëse ndihma nuk arrin situata kushton shumë rëndë. Sot kemi paqartësi, nervozizëm dhe pamundësi. Duhet të veprohet në shëndetësi, shtresat në nevojë dhe ekonomia. Duke e përshëndetur në parim paketën e dytë, duke e quajtur edhe si presion nga opozita dhe biznesi, duhet ta shoh të zbardhur dhe i bëj thirrje të zbatojë paketën e parë" tha ai.

Ora 21:13
Basha te '5 Pyetjet': Kjo pikë na ndanë me qeverinë! Duhet të plotësojë këtë kërkesë

E ndërsa në parim përshëndet paketën ekonomike të qeverisë, kërkesa kryesore e Lulzim Bashës është rritja e numrit të testimeve. "Nuk e shoh në paketën që e ka shpallur Rama, shoh disa hapa që janë përputhje me atë që kemi kërkuar ne! Por është e pamjaftueshme. Duhet shtuar, duhet të ketë para për shëndetësinë, kostoja e mos testimit është shumë më e lartë sesa e blerjes së testeve. Kostoja që po paguajmë e  numrit të viktimave që do të rriten e zgjatjes së karantinës, agonisë ekonomisë do të jetë jo shumë fish por dhjetra fish.

Prandaj duhen më shumë testime për mjekët, policët, kamionistët, furnizuesit, administratë në cdo aspekt, për median. Për atë pjesë që është më e ekspozuara dhe hetim epidemiologjik. Nëse në një aksident personi i përfshirë është pozitiv apo në rastin e infermieres që ka pasur kontakt me katër pacientë që rezultojnë pozitiv a nuk është situata shumë larg asaj që konstatohet zyrtarisht? Dje në Durrës kishte vetëm katër testime të reja, këtu jemi të ndarë dhe larg njëri tjetrit fatkeqësisht. Kjo është thirrja e parë dhe kryesore, pasi cdo plan apo gjysmë plan na kthehet në një kurth".

Ora 21:11
Basha ripërsërit thirrjen për sa më shumë testime: Ja për çfarë iu luta Ramës në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka vënë theksin te kryerja në masë e testimeve, si forma e vetme për të ndalur zinxhirin e transmetimit të përhapjes së COVID-19. Ai ka zbuluar edhe një nga kërkesat e tij në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Sigurisë, lutje, siç e ka quajtur Basha, është mbyllja e fasonerive, apo bizneseve ku ka një grumbullim të madh njerëzish.

"Në Shkodër kemi marrë vesh për një infermiere që ka qenë e infektuar, trajtoi katër pacientë, njëri ndërroi jetë, por ai i takuan ata familjarët? Ja pse është i rëndësishëm testimi. Rasti i të aksidentuarit që u zbulua vetëm se ndodhi një aksident më pas te Trauma, sot kemi 10 mjekë në karanatinë, po nëse ua kanë përcjellë të tjerëve? Çfarë masash janë marrë? Pa bërë një testim të plotë, të vazhdueshëm e të vështirë do ta kemi të pamundur të hedhim këto hapa, se çdo hap që hidhet pa e ditur ku është virusi, na çon drejt katastrofës. Këtu kemi një dallim të qartë mes asaj që propozojmë ne, dhe asaj që nuk po ndodh nga ana e qeverisë. I jam lutur edhe gjatë mbledhjes, që ta shqyrojtë me përparësi mbylljen e fasonerive, sot ndodhemi para një fakti që infektimi i një punonjëse është një kambanë e madhe. Duhet veprim i menjëhershëm! Nuk bëhet fjalë për një grupi të vogël njerëzit", tha Basha te "5 pyetjet nga Babaramo" në Report Tv.

Ora 21:04
Rama e ftoi për të bashkuar forcat, Basha përgjigjet nga '5 Pyetjet': Propozimet e PD-së i ke aty

Kryetari i PD-së Lulzim Basha i ftuar në emisionin "5 Pyetjet nga Babaramo" në Report Tv nuk pranoi që të komentonte paketën e dytë ekonomike që kryeministri prezantoi sonte, pasi tha se nuk është njohur në detaje, ndërsa lidhur me ftesën e Edi Ramës për të bashkuar forcat me ekspertët dhe idetë, u shpreh se qeveria i ka aty propozimet e opozitës duke e refuzuar. 

"Unë nuk do të përfshihem në asnjë debat politik dhe do të shmang sikur kam bërë gjithë këtë kohë çdo retorikë me kryeministrin,  të cilit i bëj të njëjtën ftesë të shmangë retorikën politike dhe në veçanti gjuhën e dyfishtë ndaj opozitës, ku një ditë e sulmon, anatemon dhe ditën tjetër adopton propozimet tona dhe të fokusohet te prioriteti kryesor i shqiptarëve, shëndeti, jeta e tyre dhe ekonomia e vendit. Ky është prioriteti i vendit, ky është i imi dhe opozitës, uroj me gjithë zemër të jetë edhe i kryeministrit.

Në funksion të kësaj kemi vendosur të gjithë ekspertizën tonë, ekspertët tanë janë gati për të ofruar ekspertizën e tyre në cdo moment në shërbim të qytetarëve në fushën e shëndetësisë, ekonomisë, juridike, propozimet janë konkrete dhe publike. E vetmja gjë që njerëzit nuk vlerësojnë është që njëherë sulmohen dhe pastaj adoptohen. E gjithë energjia dhe vëmendja e opozitës janë në shërbim të njerëzve.

Paketa që shpalli presim të miratohet nga Këshilli i Ministrave dhe ta analizojmë. Ne kemi shqetësime në dy rrafshe, që të mos ketë hendek mes asaj që thuhet dhe bëhet dhe nevoja për të ndërtuar një plan, që jo vetëm të japë shpresë por edhe rrugë për të dalë, strategji për të cilën kyçe është testimi. Ne prej fillimit kemi adoptuar një qasje krejt ndryshe në raport me cdo opozitë të mëparshme. Ne kemi propozuar, kemi kërkuar në mënyrë të përsëritur, që qeveria të hedhë hapa të vendosur për t'u përballuar me situatën dhe të dalë nga kriza dhe për të dalë nga kriza" tha ai.