Ndërsa aleatët e tij kishin zbutur tonet, duke lënë të nëkuptuar mundësinë e një tryeze dialogu mes të gjitha palëve, edhe Lulzim Bashës dhe Edi Ramës, teksa ky i fundit mban postin e kryeministrit, lideri demokrat ka bërë një kthesë të fortë kundër këtij dialogu, duke thënë se nuk do të niste kurrë këtë proces, nëse më parë Rama nuk heq dorë nga posti i kreut të qeverisë.

Edhe pse largimi i Edi Ramës dhe krijimi më tej i një qeverie tranzitore, ishte qëllimi final, aleatët lanë të hapur mundësinë që dialogu të niste nën organizimin e një tryeze nga Presidenti Ilir Meta, për të diskutuar pikat që mund ta çojnë vendin në zgjedhje përmes një qeverie kujdestare me dakordësinë e të gjitha partive politike.

Por sot, teksa i shkoi në zyrë kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhit, pas 1 ore, në një prononcim për gazetarët, kryedemokrati Lulzim Basha u shpreh i vendosur: "Asgjë nuk ka ndryshuar në qëndrimin e opozitës dhe koalicionit politik, të mazhorancës së re, largimi i Edi Ramës, është kusht i panegociueshëm për të hapur rrugën e dialogut politik për një qeveri tranzitore që të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Asgjë nuk ka ndryshuar në qëndrimin tim, rivizitoni qëndrimet tuaja".

Takimi i Bashës me Kryemadhi vjen një ditë para protestës së opozitës jo parlamentare, që siç ka marrë vendim, çdo të enjte do të bllokojë rrugët në akset kryesore të vendit nga jugu në veri lidhëse me kryeqytetin. 

Në këtë linjë, Basha njoftoi se të enjten do të bllokohen akset kryesore rrugore në të 12 qarqet e vendit, dhe jo vetëm pikat kyçe lidhëse të veriut dhe jugut me Tiranën siç ndodhi protestën e shkuar, ndërsa më 11 maj tubimi do të zhvillohet përpara Kryeministrisë në orën 18:30.

"Siç u bë e qartë 24 orët e fundit, jemi në një krizë totale të procesit të integrimit. Shkaku i krizës është qeveria e lidhur me krimin, që ka asgjësuar zgjedhjet, demokracinë, votën e lirë. Ndaj ne do të vazhdojmë aksionin tonë në të gjitha planet. Nesër në 18:00 aksion në 12 qarqet e vendit për bllokimin e akseve kryesore si një përshkallëzim i mosbindjes civile",- tha Basha.

Po ashtu, lideri i opozitës jokuvendore tha se "paradite në 11:00 PD do të shpalosë detyrat e qeverisë tranzitore". Ai bëri të ditur se Partia Demokratike është duke punuar për një program elektorale për ofertën ndaj shqiptarëve.

Më herët aleatët e opozitës jokuvendore takuan presidentin Ilir Meta për t'i kërkuar atij të negociojë për një tryezë dialogu mes të gjitha forcave politike për zgjidhjen e krizës. 

Presidenti u shpreh i hapur dje pas takimit me aleatët, për të nisur bisedimet me përfaqësuesit policike, edhe me Lulzim Bashën dhe kryeministrin Edi Rama,si kryetar i Partisë Socialiste për të marrë dakordësinë e tyre për tryezën që bëhet nën organizimin e Presidentit. 

Vetë kryeministri Edi Rama, i cili i ka bërë apel të vazhdueshëm për dialog liderit demokrat Basha, ende nuk është prononcuar për këtë tryezë, ndërsa kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, ka thënë se data e zgjedhjeve është e panegociueshme: Ato do të mbahen më 30 qershor. 

Aleatët kërkojnë nisjen e bisedimeve mes të gjitha palëve për krijimin e një qeverie teknike, caktimin e një date të re për zgjedhjet lokale në të cilat të marrë pjesë edhe opozita, dhe një date për zgjedhje të parakohshme, të mbajtura nën kujdesin e qeverisë tranzitore.