Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u takua me shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Britani të Madhe me të cilët u ndal në propozimet e PD për votën e emigrantëve dhe listat e hapura. Kreu i PD bëri të ditur se të premten është depozituar propozimi për votën e diasporës i cili mundëson që emigrantët jo vetëm të votojnë por të ketë të njëjtën peshë të votës si shqiptarët.
“Arsyeja pse ne shohim një ngecje të procesit, që do të çonte në materializimin e votës për shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë, është se prej kohësh kjo qeveri ka vënë në punë mekanizma manipulimi të vullnetit popullor, mekanizma të cilat nuk pinë ujë kur bëhet fjalë për të influencuar votën e shqiptarëve jashtë Shqipërisë. Dhe për këtë arsye duan ta ngushtojnë, duan të kenë dy apo tre apo katër deputetë që përfaqësojnë diasporën. Kjo është e padrejtë. Ne duam që vota e shqiptarëve të jetë e barabartë, s’ka rëndësi nëse hidhet në Vlorë, apo në Kukës, apo në Tiranë, apo në Durrës, apo në Londër, apo në Manchester, apo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, apo në Itali, apo në Greqi, vota duhet të jetë e barabartë. Barazia e votës është një nga parimet themelore mbi të cilën ngrihet demokracia përfaqësuese bashkëkohore. Ndaj dhe një nga propozimet kryesore që janë çuar në parlament ditën e premte, ka të bëjë me barazinë e votës”, u shpreh Basha në takim.
Ai tha se nga 12 qarqe elektorale që parashikon Kodi Zgjedhor aktualisht, PD kërkon që Shqipëria të funksionojë si një zonë e vetme elektorale.
“Për t’i hapur rrugë votës së shqiptarëve jashtë Shqipërisë, votës së emigrantëve, votës së diasporës, hapi i parë që ne kemi propozuar është që Shqipëria të jetë një zonë elektorale. Hapi i dytë ka të bëjë me një tjetër mangësi e cila i ka penalizuar qytetarët shqiptarë që vjen nga ndryshimi i Kushtetutës”, tha Basha.
Sipas tij, edhe sot e kësaj dite, shumica e qytetarëve nuk e dinë se kush është deputeti që i përfaqëson.
“Në vend të një varësie të deputetit nga qytetarët, ka një vartësi të deputetit nga kryetari. Ky është centralizim, përqendrim pushteti. Është në thelb, antidemokratik dhe ka çuar në kthimin e parlamentit jo në një përfaqësues të interesit publik, jo në një përfaqësues dhe mbrojtës të interesave të qytetarëve shqiptarë, por në një noter gjakftohtë të vendimeve të kryeministrit”, u shpreh kreu i PD, Lulzim Basha.