Pas takimit me kryetarin e komunës së Dibrës së Madhe në Maqedoninë e Veriut, Hekuran Dukën, në një komunikim për mediat, kryedemokrati Basha vijon me të njëjtën retorikë ndaj qeverisë duke e akuzuar për keqmenaxhimin e situatës së koronavirusit në vend.

Ai përsëriti atë që më parë e kishte shkruar në profilin e tij në Twitter se qeveria atë që e thotë dje, nuk e thotë sot duke iu referuar vendimit për alternimin e mësimit në shkolla.

Sipas Bashës, këto deklarata dëshmojnë se qeveria shqiptare nuk ka një plan për menaxhimin e situatës së koronavirusit në vend. Ndërkohë që më parë kryedemokrati shprehej se duhen kryer mbi 2000 testime, tani që qeveria e ka arritur këtë numër, Basha thotë se duhen kryer 10 fishi i testimeve në raport me të infektuarit.

"Ditën e djeshme Rama deklaroi se shkollat nuk janë vatra infeksioni. Ndërsa deklaroi për mbylljen e pjesshme të tyre. Për këdo që i ka dëgjuar këto deklarata në më pak se 24 orë, është e qartë që Rama ka dështuar  me kontrollin ndaj pandemisë sepse tregon që nuk ka plan. Pa plan nuk e luftojmë dot pandeminë. Nuk mund të shpëtojmë jetë njerëzish me vendime kuturu. Një plan solid për luftën kundër pandemisë fillon me një numër serioz testimesh. Numri i testimeve duhet të jetë gjithëmonë 10 fishi i të infektuarve. Nëse ke 700 të infektuar, nesër duhet të kesh 7000 testime. Duhet të pajisen të gjitha spitalet me mjetet e nevojshme. Nuk ka zgjidhje tjetër përveçse asaj që të vendos në funksion spitalet rajonale. Nëse do të ishin dëgjuar mendimet tona përpara 6 muajsh nuk do të ishim në këtë gjendje kolapsi që ndodhemi sot. Për të fshehur dështimin kemi arritur deri në fshehjen e numrit të viktimave, kjo nuk e fsheh fatkeqësinë. Mjafton të ecësh rrugës, njerëzit janë bërë për të folur me vete për shkak të vështirësive ekonomike dhe për shkak të sëmundjes" - tha Basha.

Gjatë takimit me kryetarin e komunës së Dibrës së Madhe në Maqedoninë e Veriut, Hekuran Dukën, Basha deklaroi se prioritet është përfundimi i Rrugës së Arbërit për të afruar fizikisht Tiranën me Dibrën e Madhe.

Lideri i PD-së shqiptare shtoi se në axhendën e bisedës ishin edhe thellimi i zhvillimit ekonomik, por edhe kulturor të trevës shqiptare.

Më herët gjatë ditës së sotme, ministrja Ogerta Manastirliu deklaroi se Komiteti Teknik i Ekspertëve do t'i propozojë Ministrisë së Arsimit alternimin e mësimit në shkollat në vend. Sipas këtij plani, parashikohet mësimi online dhe në klasa, një javë për secilën metodë.