Si do të kandidojnë Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë më 11 Maj, a ka negociata mes tyre dhe cili do të jetë pozicioni i grupimit Demokratët Euroatlantikë në zgjedhjet parlamentare, duke qenë se nuk kanë krijuar parti.
A u veprua mirë me listat e mbyllura dhe kujt i shërbyen ato. Këto dhe çështje të tjera të politikës së ditës ishin objekt analize dhe debati mbrëmjen e sotme (23 Janar) në emisionin “Studio Live” në Report TV.
Të ftuar të moderatorit Arbër Hitaj ishin Faik Basha, anëtar i kryesisë së Partisë së Lirisë, Sidi Hasanaj, i Demokratët Euroatlantikë dhe avokati Zaçe Islami.
Basha pohoi se PL është në negociata dhe bisedime aktive me aleatin e saj të PD-së, duke tentuar qëllimin e kandidimit me një listë të përbashkët në zgjedhje dhe jo me lista të ndara, për të maksimizuar votat. Basha ndau mendimin se Rama nuk i fitonte dot më shumë se 55 mandate dhe se Berisha dhe Meta po punojnë për bashkimin e opozitës në zgjedhje.
“Me PD kemi koalicionin më të mirë dhe më të mundshëm. Jemi në negociata palësh në proces. Jemi në bisedime për të qenë në një listë. Kemi qëllim çrrënjosjen e regjimit të Ramës. Opozita ka qenë në kushte të vështira. Ne do marrim pjesë dhe do e mundim Ramën. Ai nuk merr më shumë se 55 mandate”, u shpreh ai.
Kurse për ndryshimet në Kodin Zgjedhor nga partitë e mëdha ai tha se nuk ka qenë dakord për listat e mbyllura, por PL nuk kishte asgjë në dorë.
“Ne bëmë presion për listat e mbyllura, nuk jam dakord për listat e mbyllura. Nuk e bëri partia ime, PL. Pse ne e kishim në dorë që të hapeshin listat, shpjegojeni ligjërisht? Çfarë kishin me në dorë? Zoti Meta dhe zoti Berisha kanë bërë thirrje për bashkim të opozitës, të bëhen së bashku”, thekson Basha.
Avokati Zaçe Islami bëri përgjegjës dy partitë e mëdha PD dhe PS për listat e mbyllura, duke i cilësuar si votim në diktaturë. Ai ndau mendimin se nuk do të mbaheshin zgjedhje më 11 Maj dhe do ndryshonte krejtësisht politika shqiptare, sipas planit të Amerikës.
“Kujt i shërbejnë listat e mbyllura. Apo kastës së gangsterëve që mbahen nga partitë, me kryetarin në krye. Jeni dy pjesë të PPSH-së ju (PD dhe PL). Unë ju pyes pse pranuat listat e mbyllura si Parti e Lirisë (I drejtohet Faik Bashës). Unë mendoj se nuk do ketë zgjedhje. Unë mendoj se listat e mbyllura janë njëlloj si në diktaturë. Nuk do ketë zgjedhje më 11 Maj, do ketë Republikë Presidenciale, do ikin të gjithë politikanët që kanë pasur pushtet. Listat janë të mbyllura, sepse kryetarët vendosin kë duan aty dhe mbeten në krye të partisë me kupolën e tyre. Ndaj Shqipëria është në këtë gjendje dhe këtë ditë. Do hiqet kjo mënyrë votimi”, u shpreh avokati.
Përfaqësuesi i Demokratëve Euroatlantikë u shpreh se Berisha dhe Meta problemi kryesor i vendit, kurse partia e tij është e gatshme të hyjë në negociata dhe aleancë me PD dhe PL, por pa këta dy në krye.
“PD dhe PL kanë të njëjtat vlera, ideologji, program, bëjnë gabim që nuk shkrihen në një. Asnjë ndryshim nuk kanë Bardhi dhe Çollaku me Ilir Metën dhe Haxhinaston. Njëlloj janë Berisha dhe Meta, ata janë pjesë e problemit. Ata janë problemi kryesor i Shqipërisë. Një shërbim që po i bën demokracisë Berisha me listat. Duke thënë për njëri-tjetrin, që ‘ne këta jemi’. Duke akuzuar njëri-tjetrin dhe pastaj u bashkuan bashkë. Basha mban afër njerëz që nuk i rrinë për interes, njerëz me vlera dhe antikomunistë. Listat e mbyllura i shërbejnë Ramës, Berishës dhe Metës”, thotë Hasanaj.
Gjithashtu u shpreh pro bashkëpunimit paszgjedhor, me qëllim rrëzimin e qeverisë, nëse do jetë nevoja.
“Jam për bashkim me forcat e reja, edhe pse ato po tregojnë rezerva. Edhe për bashkëpunim me PD dhe PL, por jo me Berishën dhe Metën direkt. T’i këpusim degën Ramës dhe rrënjët, por jo t’i ndërrojmë xhepat. Bashkëpunim paszgjedhor për të rrëzuar qeverinë”, u shpreh ai ndër të tjera.