Tirana u kthye në një pikë takimi për industrinë kinematografike shqiptare dhe italiane, ku producentë, institucione dhe profesionistë të filmit u mblodhën për të ndërtuar ura të reja bashkëpunimi. Për herë të parë, në kuadër të “Italian Screens-Kinemaja e re italiane”, në Tiranë, këtë të hënë u organizua edhe “Industry Day”, një hap konkret drejt zhvillimit të projekteve të përbashkëta mes dy vendeve.

“Është një ditë jashtëzakonisht e rëndësishme sepse më në fund, pas tre vitesh, realizuam edhe një ‘industry day’ dhe falenderoj me këtë rast Institutin Italian të Kulturës për punën e madhe që kanë bërë gjatë këtyre viteve. U zhvillua gjithashtu një takim i rëndësishëm në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë, për të forcuar bashkëpunimin institucional dhe për të krijuar më shumë mundësi konkrete për producentët.”, tha për “Report TV” Roberto Stabile, Drejtor i Ndërkombëtarizimit në Cinecittà, iniciator i kësaj nisme.

Ky aktivitet shënoi një moment të rëndësishëm për thellimin e marrëdhënieve në fushën e kinemasë, duke krijuar mundësi të reja në bashkëprodhim, shpërndarje dhe zhvillim projektesh filmike.

“Këtë herë jam shumë optimist, sepse institucionet italiane dhe shqiptare janë në të njëjtën linjë. Ekziston një klimë shumë e mirë bashkëpunimi dhe momenti është i favorshëm edhe nga pikëpamja krijuese. Më herët kemi bashkëpunuar me Balkan Film Market në vitet e para të themelimit të tij. Më pas bashkëpunimi u ndërpre disi, por tani po rifillojmë dialogun dhe shpresoj që edhe Balkan Film Market të bëhet një pikë edhe më e rëndësishme bashkëpunimi mes Italisë dhe Shqipërisë.”, vijoi Stabile.

Dita u nda në dy pjesë kryesore. Në sesionin institucional të mëngjesit, përfaqësues nga Italia dhe Shqipëria diskutuan mbi ndërtimin e një dialogu të strukturuar dhe harmonizimin e praktikave mes dy industrive. Ndërsa në pjesën e dytë, takimet bënë bashkë producentë italianë dhe shqiptarë për të eksploruar projekte konkrete bashkëpunimi.

“Për ne është e rëndësishme vizita e producentëve italianë në Shqipëri dhe e Roberto Stabiles, bashkëpunëtor i vjetër i kinemasë shqiptare. Shpresojmë që pas këtij takimi të pasojë një marrëveshje bashkëpunimi me fonde të përbashkëta për zhvillimin e projekteve mes Shqipërisë, vendeve të Ballkanit dhe Italisë. Njëkohësisht, synojmë edhe një bashkëpunim në fushën e promovimit të territorit dhe të produksioneve shqiptare në një arenë të gjerë ndërkombëtare.”, tha Jonid Jorgji, Drejtor i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë.

“Kemi këtu shtatë kompani të rëndësishme prodhimi italiane, të cilat kanë tashmë disa bashkëprodhime në zhvillim me Shqipërinë, kanë projekte të lidhura me Shqipërinë dhe e organizuam këtë takim për t’u dhënë mundësi të gjithë producentëve shqiptarë të takojnë kolegët italianë, në mënyrë që të zhvillojnë projekte të tjera së bashku. Në Itali ka shumë kureshtje dhe interes për Shqipërinë, ndaj shpresoj që kjo të përkthehet edhe në shumë mundësi dhe punë të realizuara me autorë shqiptarë në Itali, si dhe autorë italianë që punojnë në Shqipëri, për të forcuar bashkëpunimin mes të dy brigjeve të Adriatikut.”, tha Alessandro Ruggera, drejtor i Institutit Italian të Kulturës.

Ky aktivitet konsiderohet një hap cilësor përtej prezantimeve kulturore, duke kaluar në një nivel më të avancuar të bashkëpunimit industrial mes dy tregjeve.