Republika Islamike e Iranit është mësuar me dhunën politike, që nga lindja e saj me revolucionin e deri te përplasjet e vazhdueshme brenda dhe jashtë vendit.

Pas rrëzimit të Shahut, regjimi goditi ashpër këdo që nuk ishte në një linjë me klerin. Më pas erdhën pengmarrjet, përplasjet e brendshme me zhdukje figurash të rëndësishme, terrorizmi i frymëzuar dhe i pësuar, lufta me Irakun në vitin 1980, lëvizjet separatiste të kurdëve, baluçëve dhe arabëve, si dhe përballjet e para me SHBA-në. Në vite janë shtuar edhe atentatet ndaj të arratisurve, mbështetja për milicitë në Lindjen e Mesme, sanksionet që e kanë mbytur ekonominë dhe përplasja me Izraelin, nga e fshehtë në të hapur. Në planin e brendshëm, protestat janë rikthyer vazhdimisht, të shoqëruara me presion ndërkombëtar në rritje.

Të gjitha këto kanë treguar rezistencën e regjimit dhe vendosmërinë për t’u përgjigjur, shpesh me dorë të fortë për të shtypur protestat, por edhe me lëvizje të kujdesshme për të balancuar reagimin.

Teherani ka ndërtuar një sistem të madh pushteti me struktura që shpesh mbivendosen dhe janë në konkurrencë mes tyre. Jo rrallë kanë pasur përplasje, që kanë dalë në sipërfaqe me larje hesapesh, rrjedhje informacioni dhe intriga.

Në krye qëndron lideri suprem. Nën të, Këshilli i Sigurisë Kombëtare i drejtuar nga Ali Larijani, i cili para vdekjes kishte theksuar se protestuesit do të trajtohen pa mëshirë.

Shtylla kryesore mbetet Garda Revolucionare, një ushtri paralele me flotë detare, njësi raketore dhe struktura të inteligjencës. Të armatosura mirë dhe me burime të mëdha, ato kanë krijuar një qendër të tyre pushteti edhe falë lidhjeve me ekonominë. Janë krahu i gjatë i ajatollahëve, por disa vëzhgues nuk përjashtojnë që një ditë mund të zëvendësojnë vetë klerin në drejtim.

Pasdaranët veprojnë brenda dhe jashtë kufijve, me rrjete aleatësh dhe pa kufij të qartë në veprim. Megjithatë, reputacioni i tyre u godit kur Izraeli arriti të eliminojë disa nga drejtuesit më të lartë në operacione të befasishme, edhe në shtëpi apo bunkerë.

Elementi i dytë, sidomos për përballjen me protestat, është Basij, një milici me dhjetëra mijëra njerëz, ndër më besnikët ndaj ideologjisë së regjimit. Ata bashkojnë vendosmërinë me besnikërinë dhe janë shpesh të parët që përballen me protestuesit, shpesh të organizuar në grupe me motorë.

Më në hije kanë qenë forcat e rregullta, Artesh, të mbajtura gjithmonë në plan të dytë. Por së fundmi kanë sinjalizuar se mund të përfshihen drejtpërdrejt, duke deklaruar se janë gati të mbrojnë vendin nga çdo kërcënim.

Rrethi mbyllet me shërbimet sekrete, të shumta dhe shpesh në konkurrencë mes tyre. Ato ndjekin kundërshtarët jashtë vendit, shtypin ata brenda dhe mbikëqyrin njëra-tjetrën. Nga Ministria e Inteligjencës te njësitë e pasdaranëve dhe strukturat kibernetike, të gjitha janë të angazhuara për të kontrolluar situatën, parandaluar infiltrime dhe për të mbështetur arrestimet.

Është një makineri e ndërlikuar pushteti, e ndërtuar për të mbijetuar në çdo kusht dhe për të reaguar fort ndaj çdo sfide./CorrieredellaSere