TIRANE- Në ceremoninë e hapjes së seminarit Ndërkombëtar për Shëndetin e Fëmijëve dhe të Rinjve, si dhe takimin e përvitshëm që organizon Rrjeti Ndërkombëtar i Studimeve Europiane të HBSC-së, në praninë e 80-100 ekspertëve të huaj, Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj theksoi se “rreth 1.3 milionë adoleshentë vdesin çdo vit dhe ajo çka është me të vërtetë tragjike, është fakti se pothuajse çdonjëra prej këtyre vdekjeve është e parandalueshme. Shifra këto duke iu referuar raportit të Majit 2014 të OBSH-së, “Shëndeti i Adoleshentëve në Botë”.
 
Në takim ishin të pranishëm, Dekani i Fakultetit të Shëndetit Publik Enver Roshi; zv.ministri i Arsimit dhe Sportit Rauf Dimraj; zv/koordinatorja Ndërkombëtare e HBSC-së Pernille Due; përfaqësuesja e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Manuela Bello.
 
Sipas Ministrit Beqaj, kjo është hera e parë që të dhënat e studimit do t’i bashkohen të dhënave të të gjithë vendeve që kanë aplikuar dhe kryer këtë studim, duke u bërë kështu edhe pjesë e raportit evropian të studimit të HBSC-së për vitin 2013-2014.
 
“Pra, falë këtij studimi, Shqipëria bëhet për herë të parë pjesë e rrjetit të HSBC-së më një anketë të denjë për t’u vendosur në hartën e vendeve evropiane që e kryejnë shkencërisht dhe rregullisht këtë studim”, nënvizoi ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
 
Ndërkaq, ai shtoi se “një në çdo gjashtë njerëz në botë është një adoleshent. Thënë ndryshe, sot në Botë ka më tepër se sa një miliard të rinj. E megjithatë, ne ende i kushtojmë shumë pak vëmendje shëndetit të 10-19-vjeçarëve, individualisht dhe kolektivisht”.
 
“Vendimi i marrë së fundmi nga qeveria shqiptare pasqyrohet në buxhetin e viti 2015, se që nga janari 750 mësues të rinj të edukimit fizik do të jenë pjesë e zbatimit të kurrikulave të reja që ne kemi për sportin në shkolla, për të reduktuar numrin e sëmundjeve”, tha Beqaj.
 
Për ministrin Beqaj, adoleshentët dhe të rinjtë meritojnë sot diçka që nuk e kanë pasur kurrë në politikat publike, një zë të tyre dhe vëmendjen e duhur.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)