Beqir Meta: Akuzat e Putos të pavend
kemi dy projekte për Luftën këtë vit

Beqir Meta: Akuzat e Putos të pavend<br />kemi dy projekte për Luftën këtë vit
TIRANE- Drejtori i Institutit të Historisë në Qendrën e Studimeve Albanologjike, Beqir Meta, thotë se akuzat e historianit Arben Puto janë të pavend dhe se asgjë të vërtetë nuk ka në to. “Kemi hartuar dy projekte për 70-vjetorin e Çlirimit: një konferencë shkencore dhe botimin e 4 vëllimeve me dokumente të arkivave britanike, të cilat janë deklasifikuar këto dy vitet e fundit”, thotë Meta ndërsa sqaron se këto projekte i kanë dërguar për financim në Minsitrinë e Arsimit por kanë marrë përgjigje negative.

E megjithë këtë drejtori i Institutit të Historisë Beqir Meta thotë se nuk tërhiqen dhe do të gjejnë mënyrën për ti realizuar edhe projektet për 100-vjetorin e principatës së Vidit, mjaft e rëndësishme si ngjarje historike sipas tij, pasi i siguroi Shqipërisë njohjen ndërkombëtare, por edhe për 70-vjetorin e Çlirimit. Historiani Beqir Meta i jep përgjigje Putos edhe për eklipsimin e qëllimshëm nga QSA që sipas Putos po i bëhet 28 nëntorit 1912 nga ajo që u quajt 6 muaj mbretëri e Vidit.  
 
 Në një intervistë në “Shqiptarja.com”, prof. Arben Puto ka trajtuar një çështje për rëndësinë që po i jepet Principatës së Princ Vidit dhe se si po lihet në hije 70-vjetori i Luftës. Është vërtetë që QSA e ka lënë pas dore këtë përvjetor të Luftës Nacionalçlirimtare?
 Absolutisht jo, dhe mua më vjen shumë keq që prof. Puto artikulon gjëra të tilla që s’kanë asnjë lloj baze. Nuk ka marrë as mundimin që të merrte një informacion se çfarë pune kemi bërë ne. Kemi përgatitur dy projekte madje, jo një, për 70-vjetorin e Çlirimit, një konferencë ndërkombëtare, që duhet bërë patjetër dhe një botim i një korpusi me katër vëllime me dokumente britanike të cilat i kemi marrë të plota nga arkivat britanike këto dy vitet e fundit, për vitin 1944.

Ia paraqitëm Ministrisë së Arsimit që vitin e kaluar dhe e riparaqitëm përsëri në janar të këtij viti që Ministria ta diskutonte kur të krijohej buxheti. Ata na kanë kthyer një përgjigje negative për arsye se siç thonë, nuk kanë mundësi financimi të këtyre projekteve duke na rekomanduar që t’i botojmë me fondet tona. Por ne fatkeqësisht nuk kemi asnjë lloj mundësie sepse sivjet na është ulur buxheti në masën 65%, dhe kemi para në buxhet sa për të paguar dritat, ujin, funksionimin më normal të institucionit, sigurisht edhe rojet sepse kemi arkiva të rëndësishme që jemi të detyruar t’i ruajmë me roje private etj.

Edhe këto madje nuk dalin por kemi përdorur një pjesë të të ardhurave që krijohen nga shkollat doktorale. Kështu që dëshira dhe angazhimi ynë ka qenë i madh për t’i përkujtuar të dyja ngjarjet. Edhe për vitin 1914 kemi përgatitur po ashtu dy projekte: një konferencë ndërkombëtare dhe një botim të dokumenteve austro-hungareze të kohës, të vitit 1914, të cilat sigurisht janë informacioni më i rëndësishëm, më bazik, për këtë periudhë. Synojmë ti realizojmë këto botime, duke u nisur edhe nga eksperienca e mirë e viteve të fundit që ne kemi botuar dokumentet austro-hungareze për vitin 1913 dhe para tij, dhe këto kanë gjetur një pritje shumë të mirë nga publiku.
 
A e ekslipson vërtet  qeverinë e Vlorës  principata e Vidit?
 Për sa i përket asaj që thotë prof. Puto që kjo ngajrje eklipson shpalljen e Pavarësisë, çuditem se si një profesor mund të shprehet në atë mënyrë. Principata e Vidit apo shteti shqiptar në 1914-ën, nuk e eklipson aspak Shpalljen e Pavarësisë, dhe ne këtë e kemi shumë të qartë, por duhet thënë është njohja ndërkombëtare e shtetit shqiptar, dhe aq më tepër për një vend të vogël njohja ndërkombëtare ka një peshë shumë të madhe dhe Princ Vidi sigurisht që ishte një konsensus ndërkombëtar që u vendos në krye të këtij shteti dhe pikëpamja e njohjes ndërkombëtare ka një rëndësi shumë të madhe për ne, sepse krijohej një shtet që ishte subjekt i njohjes ndërkombëtare për herë të parë.

Prof. Puto e di shumë mirë këtë, dhe që për ne ka një rëndësi shumë të madhe, pavarësisht nga vështirësitë, nga pengesat e mëdha që pati ky shtet, si kryengritja vorio-epirote, kryengritja e Shqipërisë së Mesme, ndërhyrja e agjenturave të huaja, të gjitha këto duhen trajtuar, duhen studiuar e ristudiuar vazhdimisht me qëllim që ne të gjejmë në dokumentet historike se si ka qenë e kaluara jonë, se sa me vështirësi na është dashur ta krijojmë këtë shtet dhe për ta afirmuar në skenën ndërkombëtare.
 
Kështu që ne fatmirësisht do ta bëjnë një konferencë për Vidin edhe pse Ministria dhe qeveria nuk ka financuar. Përfitoj nga ky rast që të falënderoj Universitetin e Durrësit i cili është bërë iniciatori i kësaj konference, Qendrën e Studimeve Albanologjike bashkë me Fakultetin e Historisë të Universitetit të Tiranës, gjithashtu edhe një grup studiuesish, të cilët do të marrin pjesë. Duhet përshëndetur edhe mbështetja e një universiteti privat dhe veçanërisht e prof. Kristaq Kume dhe prof. Jani Sota të cilët janë organizatorë të kësaj konference, dhe sigurisht shpresoj që të ketë referate dhe kumtesa interesante.

Konferenca do të mbahet në datën 15 të këtij muaji në Durrës, në Universitetin e Durrësit. Qendra e Studimeve Albanologjike nuk do të heqë dorë nga përpjekjet për ta bërë një konferencë ndërkombëtare, me apo pa fondet e qeverisë, duke kërkuar donacione të tjera. Shpresojmë të kemi fat, që t’ia dalim për Vidin, por edhe për 70-vjetorin e çlirimit të vendit. Do të përpiqemi maksimalisht që të gjejmë mbështetje financiare, sepse konferencat ndërkombëtare janë me kosto të lartë.

Më vjen keq edhe një herë për atë sulm të padrejtë që ka bërë prof. Puto, aq më tepër që ai ka sulmuar pa marrë informacion, shikojini vetë dokumentet që janë në tavolinë. Është e disata herë që bën të tilla aludime për Qendrën e Studimeve Albanologjike, krejt tendencioze dhe jo serioze dhe do të isha me të vërtetë kureshtar se si do të gjendej Puto në këtë pozitë tani, kur të ketë përpara projektet qoftë për njërin event, qoftë dhe për eventin tjetër që ka përgatitur Instituti i Historisë i Qendrës së Studimeve Albanologjike.
 
 Prof.Puto bën edhe një vlerësim për atë që u quajt gjashtë muaj mbretëri. Ju si do ta vlerësonit këtë periudhë?
Unë e preka pak. Do të thosha që kjo është historia jonë kombëtare në radhë të parë, histori që nuk e kemi bërë siç e kemi dashur ne, sepse nuk kemi qenë aq të fuqishëm që ta bëjmë siç duam ne. Historia e një kombi dhe e një populli është produkt i energjive të tij të brendshme dhe i rrethanave ndërkombëtare, i ndikimit të faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm. Gjithsesi do të thosha që në një moment historik, në një datë historike duhet të shohim në radhë të parë anën pozitive në favor të interesave të kombit shqiptar. Dhe ana pozitive ishte që ndërtohet një shtet, një principatë që ndoshta nuk ishte ashtu siç do ta dëshironin shqiptarët, siç e meritonin, por kishte një njohje ndërkombëtare.

Shteti u njoh dhe nuk u njoh thjesht në letër, por u dërguan përfaqësi diplomatike qoftë shqiptare jashtë, qoftë përfaqësi të huaja në qeverinë shqiptare, u nënshkruan akte të njohjes së këtij shteti. Disa nga Fuqitë sigurisht u munduan ta shfrytëzojnë siç ndodh në historinë edhe të kombeve të tjera, për interesat e tyre në Ballkan. Ndonëse ishte në një kohë shumë të vështirë themelimi apo krijimi i principatës shqiptare, po fillonte Lufta I Botërore, Fuqitë ishin në gjendje konflikti maksimal midis tyre dhe këto reflektoheshin edhe në krijimin e shtetit shqiptar. Gjithsesi Shqipëria edhe në ato vështirësi të mëdha të jashtëzakonshme funksionoi me një statut si shtet, me një bazë kushtetuese, me institucione. Filloi dhe kontrolli i Komisionit Ndërkombëtar që ishte shumë i fuqishëm në këtë kohë që ishte imponuar nga Fuqitë e Mëdha, që ishte konsensus i Fuqive të Mëdha, por ama funksionoi si subjekt i së drejtës ndërkombëtare, si shtet.

Nga kjo përvojë e cila ka si elementët pozitivë ashtu dhe negativë brenda saj, ne kemi mundësi që të bëjmë reflektime dhe të nxjerrim mësime si komb, që si duhet ne të përmirësojmë shtetin tonë, shoqërinë tonë, kombin tonë, çfarë masash duhet për t’i përforcuar institucionet tona. Në një konferencë shkencore sigurisht që do të thuhen të gjitha. Madje në konferencat shkencore gjërat dëgjohen me peshën e një kandari farmacie, cilët janë faktorët pozitivë e cilët janë faktorët negativë, shkaqet, arsyet e të gjitha. Dhe gjithsekush ka të drejtën akademike që të paraqesë pikëpamjet e veta dhe të thuash që nuk duhet organizuar një konferencë për mua është regresive, është një gabim i madh.
 
 
Do t’ju pyes edhe për diçka të fundit. Ky reagim i Putos dhe kjo përgjigje që jepni ju për të mos është pjesë e atij rivaliteti të hershëm që u krijua midis QSA-së dhe Akademisë së Shkencave?
 Unë nuk e di se çfarë problemi ka Puto sikurse dhe disa drejtues të Akademisë së Shkencave janë shprehur në mënyrë jokorrekte për sa i përket ecurisë së instituteve. Reformën e ka ideuar qeveria dhe as unë personalisht si drejtor, as drejtori i QSA-së. Ne kemi marrë përsipër drejtimin e këtyre institucioneve me synimin e mirë që ka çdo njeri për të bërë një punë, për ta çuar përpara këtë punë. Për opinionin publik do të thosha që janë arritur disa suksese që janë të pamohueshme.

Për një periudhë shumë të shkurtër prej 5-6 viteve punë, u bë fuqizimi i institucionit kërkimor-shkencor, dhe duke hapur shkolla doktorale në të gjitha institutet e QSA kemi shumëfishuar kërkimin, por edhe kemi përgatitur edhe specialistë. Në periudhën përpara vitit 2008, këto institute nuk kanë pasur të drejta të kishin shkolla doktorale. Kishin stafin më të kualifikuar shkencor dhe nuk i jepej e drejta të shumëfishonin vetveten por edhe të zgjatonin si të thuash tentakulat e kërkimit shkencor me doktorantë të rinj të cilët fuqizojnë kërkimin.

Po ashtu i është dhënë mundësia një brezi të ri studiuesish të cilët shfrytëzojnë gjerësisht arkivat dhe bibliotekat tona që janë shumë të pasura si asnjë institucion tjetër në fushën e albanologjisë. Ky ka qenë një dimension i ri për institutin dhe nuk mund të mohosh dhe të hedhësh poshtë gjithë këtë punë të jashtëzakonshme të studiuesve sa në procesin kërkimor ashtu dhe në procesin e doktorimit, të shkollave doktorale, që ne kemi.Kjo është një gjë që duhet të ruhet patjetër, në çdo lloj rrethane, sepse kjo është provuar se është e suksesshme.

Po ashtu gjatë këtyre viteve janë bërë disa projekte kërkimore-shkencore, njëri prej tyre është dhe ai që folëm për historinë e shqiptarëve të shekullit XX, ku kemi sjellë rreth 930 000 faqe si dokumente marrë nga arkivat kryesore evropiane. Kemi marrë komplet, arkivat britanike, arkivat franceze, arkivi italian rreth 500 000 faqe, arkivin gjerman të plotë. Pastaj kemi marrë edhe arkiva të tjera më të pjesshme, pra dokumentet që nga viti 1912 e deri në vitet kur janë hapur këto arkiva. Ky është rezultat i projektit që kemi marrë nga qeveria, i punës së të gjithë kolegëve, të cilët kanë bërë një punë të jashtëzakonshme duke i shfrytëzuar këto dokumente.

Kjo është një punë që nuk mund të hidhet poshtë, apo edhe projekte të tjera që ka QSA-ja, të cilat janë të shumta dhe nuk mund t’i përmend të gjitha këtu. Po ashtu një arritje tjetër është ajo e botimeve. Në këto vite, niveli i veprave të botuara është mbi trefish në raport me periudhën para vitit 2008, pra kemi trefishim të botimeve. Kjo përsëri është falë punës së kolegëve, por do të thosha edhe falë politikave nxitëse që janë ndjekur në QSA.
 
  Hamit Kaba: Ja pse duhen realizuar dy projektet për 70-vjetorin e Luftës
 Shefi i Departamentit të Historisë bashkëkohore prof.dr. Hamit Kaba thotë se dy projektet që kanë hartuar me rasitne 70-vjetorit të Luftës së Dytë Botërore edhe pse nuk kanë gjetur deri më tani mbështetje nga Minsitria e Arsimit, duhen realizuar patjetër, kjo për shkak të rëndësisë dhe prurjeve të reja nga arkivat e huaja që sapo janë deklasifikuar.
Z.Kaba, ju si departament keni hartuar dy projekte për 70-vjetorin e Luftës. A mund të na i zbuloni ç’janë këto projekte?

Janë dy projekte që dapartamenti ynë ka hartuar për periudhën e pasluftës dhe për Luftën e Dytë Botërore. Projekti i parë është një konferencë shkencore me studiues kryesisht shqiptar por edhe të huaj, specialistë të Luftës së Dytë Botërore me titull shqiptarët përballë sfidave të Luftës së Dytë Botërore. E kemi menduar si një aktivitet të rëndësishëm jo thjeshtë për simbolikën, pra 70-vjetorin por edhe për shkak se ka shumë prurje të reja. Janë shkruar mjaft artikuj e studime nga studiues shqiptarë e të huaj që janë burim i hulumtive të reja kryesisht në arkivat e huaja, britanike, amerikane, gjermane, në njëfarë mase edhe në arkiva të tjera. Mendonim se do të bënim një konferencë për të trajtuar probleme që nuk janë trajtuar më parë. Për fat të keq ky projekt nuk gjeti mbështetje nga Ministria e Arsimit dhe e Sporteve, pavarësisht se e paraqitëm në kohë, që në muajin janar dhe me sa shikoj qendra jonë QSA nuk ka mundësi financiare ta përballojë këtë projekt.

Po ashtu një projekt tjetër i rëndësishëm që ne pregatitëm kishte të bënte me botimin e katër vëllimeve me dokumente britanike kryesisht për vitin 1944 për Shqipërinë dhe shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Një pjesë e mirë e tyre janë dokumente të deklasifikuara vitet e fundit, pra të panjohura dhe mjaft të rëndësishme pasi Britania e Madhe ishte shteti më i interesuar për Ballkanin gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kjo do ta drejtonte vështrimin në disa fusha të tjera që s’kanë qenë në qendër të vëmendjes në periudha të mëparshme. Edhe ky projekt është mjaft i shtrenjtë. Mendonim se këto dy projekte do të shoqëroheshin me rezultate pozitive për historiografinë shqiptare.

Megjithatë shpresoj që edhe qeveria por edhe donacione të ndryshme të na mbështesin, pasi nuk e konceptoj dot të mos organizohet një konferencë e tillë për shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore, pasi të gjithë e dimë se kjo është periudha kur shqiptarët ishin me të pranishëm që nga krijimi shtetit të pavarur shqiptar në ngjarjet ndërkombëtare dhe të rreshtuar në të njëjtin front me forcat aleale dhe për herë të parë shqiptarët u bënë faktorë gjatë Luftës së Dytë Botërore, gjë që nuk ksihte ndodhur në raste të tjera më parë. 
 
Shkrimi u publikua sot (13.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

E zezë apo indiane? Trump vë në dyshim identitetin racor të Harris, reagon Shtëpia e Bardhë

E zezë apo indiane? Trump vë në dyshim identitetin racor të Harris, reagon Shtëpia e Bardhë