Berisha asgjësoi PD-në, grupi i ‘qylit’ pa fuqi, demokratët ‘jetimë’

Berisha asgjësoi PD-në, grupi i ‘qylit’ pa fuqi, demokratët ‘jetimë’

Ish-kryeministri Sali Berisha

Partinë Demokratike nuk di nga ta ‘kapësh’, pasi është bërë copë copë dhe askush nuk i del për zot që të mbledhë pjesët kryesore të saj. Eshtë në një situatë vërtetë komike, pasi tragjizmi në këtë parti është konsumuar me kohë dhe me vakt, dhe tashmë s’ia vlen të merresh më me të.

Në krye të herës duhet të rinënvizojmë se Sali Berisha është arkiteti i shkatërrimit me themel të partisë më të madhe opozitare, duke e katandisur në këtë gjendje që është sot. E ka përdorur dhe e përdor PD-në për interesat e veta personale, që në krye të herës kur të emër të anti-komunizmit, një ndër komunistët më të devotshëm në vend, Sali Berisha, i dërguar nga ‘mentori’ i tij Ramiz Alia, kapi postin e kryetarit të partisë së parë opozitare për ta mbajtur pafundësisht, anipse kanë kaluar 32 vite nga ai shkurt i palavdishëm, kur falë makinacioneve u bë kreu i saj.

Përmes PD u bë president, shkatërroi sistemin e punës, pronën, shërbimin sekret, policinë, ushtrinë, institucionin e votës së lirë dhe çfarë i doli përpara, për t’i vënë ‘vulën’ me shkatërrimin e ekonomisë së vendit, me ngritjen e sistemit mashtrues piramidal, dhe më pas të tërë vendit një vit më vonë në atë mars tragjik të vitit 1997, kur e shkatërroi për tre ditë shtetin nga themelet.

Këto pasoja i kemi sot e kësaj dite nëpër këmbë, pasi me miliona armët dhe municionet që u shpërndanë pas hapjes së depove të ushtrisë, po kryhen vrasjet më monstruoze, sepse çdo familje ose e disponon ose e gjen lehtësisht një armë me të cilën vret vëllain, nënën, babanë, fëmijën, kushëririn, komshiun, mikun, apo thjeshtë të vret pas shprehjes “pse po më sheh”.

Dhe shqiptarët, teksa kujtuan se këto armë dhe bëmat e Berishës ishin sosur e sollën sërish në pushtet pas 8 vitesh më 2005, për t’i dhënë në dorë tashmë qeverisjen e vendit si kryeministër. U bëri ‘naftën’ të gjitha punëve Berisha, dhe u mor vetëm me pasurimin e familjes së tij dhe miqve, duke ngritur punishten e demontimit të municioneve me mbikqyrje nga shteti, e me administrim dhe përfitim nga djali Shkelzen, e cila shpërtheu duke vrarë 26 njerëz të pafajshëm, plagosur mbi 300 të tjerë dhe traumatizuar gati gjithë kryeqytetin e rrethinat.

Dhe për të mbrojtur djalin e tij biologjik nga burgu, për të mbrojtur dhe ‘djalin’ politik Lulzim Basha po nga burgu për 230 milionë eurot e vjedhura të rrugës së Kombit, kuptohet dhe këtu ka pjesën e vet të përfitimit lideri historik i PD, Berisha shkatërroi nga themelet drejtësinë shqiptare, shkatërrim që u reflektua dhe me goditjen që i dha pas masakrës së 21 janarit 2011 ku u vranë nga Garda e Republikës 4 demonstrues të pafajshëm të opozitës, e deri tek aferat për ish kompleksin “Partizani” apo dhe CEZ-DIA. Pa përmendur të tjerat, të vogla e të mëdha!

PD gjatë gjithë kësaj kohe ka qënë gjithnjë pas Berishës, në mbështetje të tij. Madje dhe kur u dorëhoq pas humbjes së vitit 2013. Ishte pas tij, megjithëse ishte zgjedhur në krye Lulzim Basha, emëruar më saktë, duke nxjerrë humbës pikërisht atë që mund ta kishte mbajtur PD-në në lojën politike, Sokol Olldashin, i cili fatkeqësisht s’jeton më. Humbi jetën në një aksident automobilistik Olldashi i ndjerë, në vendin dhe makinën më të pamundshme që mund të ndodhte. Por këto janë punë të drejtësisë shqiptare, e cila dhe mund ta hetojë një gjë të tillë. Madje dhe mund të pyesë se kush ka qënë me të gjatë këtij aksidenti. E dinë të gjithë, por po heshtin të gjithë, nga të katër anët e krahëve politikë. Dikujt po i kthehet në qar, dikujt në qedër kjo heshtje.

Berisha vazhdoi shkatërrimin e PD duke qëndruar në prapaskenë, ishte prapa të gjitha akteve parapolitike që kjo parti ka marrë nën drejtimin formalisht Bashës, që nga ‘çadra’ e famshme përballë kryeministrisë, bashkëqeverisja ‘teknike’ me Ramën dhe vazhduar me djegien e mandateve të deputetit e protestat e dhunshme, sulmin ndaj institucioneve e deri tek bojkotimi i zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019.

Dhe këto kanë qënë kosto për PD-në, e cila falë Berishës doli jashtë sistemit politik, tentoi destabilizimin e vendit në një situatë aspak të favorshme për Shqipërinë, në prag të marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE dhe hapjes së bisedimeve me unionin europian.

Megjithëse nuk ishte një ‘dorë boshe” e Berishës kjo, pasi u ‘dorovit’ për të gjitha këto shërbime nga Rusia, përmes oligarkëve të Putin, me gjysmë milioni dollarë. Putin ka investuar rëndë për Berishën, pasi pjesa e lobimit me para ruse në SHBA është vetëm maja e ajzbergut. E themi këtë sepse Basha, këto ditë deklaroi se për paratë ruse, Berisha duhet të shohë dhe pyesë financuesit që kanë qënë në dasmën e djalit të tij Shkelzen, disa muaj më parë. Akuzë e rëndë kjo.

Dhe kur u mendua se Berisha ishte në pension politik, nuk shkulej kollaj ai pasi lërkonte me insistim të ishte deputet i përjetshëm në PD dhe po kjo parti të ishte ‘mburoja’ e tij politike përballë drejtësisë për të gjitha zullumet që ka kryer në 30 e ca vite pushtet ose jo, u desh një vendim i SHBA për ta shpallur ‘non grata’ familjarisht, dhe më pas vendimi i Bashës për ta përjashtuar nga grupi parlamentar dhe më pas nga partia, që lideri historik i demokratëve me një ‘fishkëllimë’ ta shkatërronte nga themelet partinë më të madhe opozitare.

Duke mos hyrë në detaje si ndodhi, kur ndodhi dhe çfarë ndodhi, shqiptarët e dinë fort mirë këtë sepse e kanë parë me sytë e tyre, teksa jemi vetëm një muaj e gjysmë para zgjedhjeve të 14 majit për pushtetin vendor, opozita është katandisur në atë shkallë, sa në njërën anë është PD zyrtare me vulë por pa njerëz që ta ndjekin me kryetar Lulzim Bashën dhe e udhëhequr me delegim nga Enkelejd Alibeaj, në anën tjetër është “Rithemelimi” i Berishës, i cili ka regjistruar kandidatët për kryetarë bashkie dhe për këshilltarë, nën siglën e Partisë së Lirisë së Ilir Metës. Koalicionin e udhëheq një parti e majtë, ndërsa as emrin PD nuk e ka në asnjë cep të ‘flamurit’ të kësaj aleance, e cila është emërtuar dhe regjistruar në KQZ nën emrin “Bashkë Fitojmë”.

Shqiptarët ndajnë të njejtin qëndrim, madje dhe ata demokratë që nga zori ndjekin liderin historik, sipas sondazheve nuk janë pak mbështetësit për një pensionist të ngritur nga ‘varri’ politik, se Sali Berisha është shkaktari kryesor i shkatërrimit të PD nga themelet dhe dërgimin e kësaj partie drejt ‘amëshimit’ politik. Duke e asgjësuar plotësisht!

Por dhe nuk ngopet me katandisjen në këtë shkallë të partisë që e udhëhoqi për gati 30 vite me radhë, pasi dhe ata pak kandidatë për kryetar bashkie që ka mundur të gjejë grupi Basha-Alibeaj, Berisha i ka vënë nën një presion të jashtëzakonshëm, nën kërcënime të paskrupullta dhe linçimi politik dhe njerëzor, duke i detyruar disa prej tyre të dorëhiqen nga kandidimi, ndërsa të tjerët ‘që ta mendojnë mirë’, duke shfrytëzuar dhe lënien ‘hapur’ të afateve të regjistrimit në KQZ, për të ‘kursyer’ bojë që në një rast të mundshëm të mos i përfshijnë emrat e tyre në fletën e votimit, pas dorëheqjes. Njëra dorë lan tjetrën, të dyja fytyrën. Nganjëherë heshtja shlyhet me kthim nderi.

Por nuk janë pa faj as lidershpi i PD-së zyrtare, pra Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeaj. Me paaftësinë e tyre proverbiale, ata nuk mundën të mbajnë të organizuar pjesën e demokratëve që kishin ndjekës, duke u katandisur në një parti që nuk gjen dot as emra për t’i kandiduar, se për të fituar as që bëhet fjalë, në 61 bashkitë e vendit. Pra s’gjen 61 emra për t’i regjistruar si kandidatë për kryetar bashkie, por as emra të tjerë për të mbushur listat me kandidatë për këshilltarë.

Mungesë këllqesh do të thotë dikush. Dakord jemi, por të kishin lëvizur të shkretën, jo të enden gjykatave dhe studiove televizive, apo takimeve me partnerët tanë ndërkombëtarë. Të shkojnë dhe në bazë, për të takuar njerëzit, e kam theksuar shpesh këtë, në gjykatë kanë avokatët dhe janë vërtetë fort të mirë ata, s’kanë nevojë për mbështetje morale nga jashtë rrethimit të Apelit. Pasi sikur të fitoheshin zgjedhjet në gjykatë, ju garantoj se PD zyrtare do bënte çudira dhe do arrinte rezultate që as ata vetë në ëndrrën më të mirë nuk i kanë parë. Por votat merren në terren.

Nuk ka asnjë justifikim se kanë qënë të zënë me punët e përballjes në Apel, me negociatat me Berishën për të kandiduar me siglën e PD zyrtare të kandidatëve për kryetar bashkie të zgjedhur nga “Primaret”, me justifikimin se e humbën kohën për këtë qëllim dhe u gjenden të papërgatiur.

Basha, Alibeaj dhe gjithë lidershipi i PD zyrtare e njohin Berishën, e dinë se “Doktori nuk e njeh marshin indietro”, pra nuk kthehet mbrapsht dhe sikur tërë botën ta ketë kundër. Ka 32 vite që e bën këtë punë, ka vjedhur, ka vrarë, ka prerë, ka shkatërruar shtetin e dërguar vendin në prag të luftës civile, jo më të tërhiqet tani që është mbi 80 vjeç dhe ky element i është kalcifikuar në tru.

Por lidershipi i PD zyrtare nuk lëvizi këmbën jashtë Tiranës, duke treguar qartë se kanë qënë “qylaxhinjtë” e politikës për vite e vite me radhë, dhe tashmë kujtojnë se sërish “qyli” do të vijë tek ata, për të gëzuar të mirat e pushtetit pa u lodhur fare. Shyqyr që ftohu moti këto ditë, se po të vijonte trendi i ngritjes së temperaturave gjysmën e javës do mbahej media me fotot e tyre në plazhet më të mira të vendit apo diku te vendet fqinje.

Pavarësisht se gjenden nën presionin e Berishës, por me këtë mbështetje të fortë ndërkombëtare, mediatike dhe nga ana e demokratëve të orientuar nga bashkëpunimi me SHBA dhe BE në bazë që duan t’i shohin dhe mbështesin, nuk mund ta shpjegojë askush faktin se në 44 bashki në vend, PD zyrtare e Basha-Alibeajt nuk ka paraqitur as kandidat për kryetar dhe as listë për këshilltarë.

Na ka habitur deklarata e një anëtareje kryesie në një emision televiziv që tha se nuk funksion asgjë në atë grupim partie që ka vulën. Madje dhe kur shtroi pyetjen nëse do të mbështetesin kandidatët e PD, përgjigjia e prerë e anëtarëve të tjerë të kryesisë, deputetëve apo dhe kolegjit të kryetarëve ka qënë kjo: nuk i mbështesim, do jenë vetëm. Që këtu, cikli i PD është mbyllur zyrtarisht, sipas saj, dhe dy vendime duhet të merren sipas saj: Ose të dorëzohet vula ose të shkrihet partia.

Por humbësit e vërtetë janë demokratët, të cilët janë lënë ‘jetimë’. Pasi në ato bashki ku nuk ka lista kandidatësh për këshilltarë apo kryetar bashkie, do të duhet të zgjedhin vetë si të votojnë, përderisa PD zyrtare nuk është prezente në garë. Vetëm formalisht. Për ‘Rithemelimin’ e kanë të vështirë të votojnë, pasi nuk e duan partinë e Metës, PD-në zyrtare s’kanë ku ta gjejnë, për mazhorancën jo e jo. Do qëndrojnë në shtëpi, kuptohet. Do plasin, sepse janë mësuar të hedhin votën për PD, emrin e së cilës ka 32 vite që e thërrasin dhe e votojnë. Në të mirë e në të keq.

Ajo që mund të themi në fund të herës, duam të jemi se më afër realitetit, është se Sali Berisha e asgjësoi PD, por ama ishin “qylaxhinjtë” e kësaj partie me vulë e logo të PD ata që e ndihmuan ‘non gratën’ që të shkrijë partinë më të madhe opozitare. I njeh mirë se ai se i ka ‘mëkuar’ që kur kanë qënë në hapat e parë në politikë, i ka rritur vetë dhe katapultuar në kupolën e partisë. I ka mbajtur ‘qyl’ si ministra, kryetar partie formalë, dhe tashmë duke ua njohur dhe ‘numrin e këmbës’ loz si të dojë me ta. Pasi Berisha ka problem SHBA-në që e ka shpallur ‘non grata’.

Maskarallëk është, por Berisha është në hall. Aq sa të lërë dhe demokratët ‘jetimë’, të cilët më 14 maj më shumë do qëndrojnë në shtëpi. Rezultati është lexuar, ata s’dinë kë të zgjedhin në parti, jo më të jenë përcaktues përballë kundërshtarit politik. Shqiptarët thjeshtë presin ceremoninë zyrtare të mbylljes së misionit të PD në politikën shqiptare. Gjasat janë që të jetë shumë afër.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria humb me Italinë, a ka shanse të kalojë grupin në Euro 2024?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Berisha nuk ka humbur gjyqin, por ka provuar fajësinë

Mero Baze: Berisha nuk ka humbur gjyqin, por ka provuar fajësinë