BERISHA: QOSJA FOSILE E BOTES SE VJETER
Deklaratat më të fundit kritike të akademikut të njohur nga Kosova, drejtuar kryeministrit u bënë në media 10 ditë më parë kur Qosja erdhi në Tiranë për promovimin e librit "Shqipëria dhe Kosova si duhej të jetë". E, ndërsa po mendohej se kryeministri do e kalonte në heshtje pa i komentuar, sot papritur, në një bashkëbisedim me punonjëse dhe menaxhere të angazhuara në biznes në qytetin e Durrësit Berisha kundërpërgjigjet:
"Atë darkën e gabuar që e komentova në Parlament. Çfarë ndodhi në prani të një grupi pak a shumë liberal hapet çështja: Sali Berisha e Enver Hoxha, dhe ky bashkë me avokatin mahnitën të pranishmit se Enver Hoxha bëri shtet. Këtë pikëpamje, këtë tezë e përhap dhe Qosja që është një fosile e botës së vjetër sa i takon anës parimore. Nuk i mohoj Qoses, Danjollin e Sherkos, “Vdekja vjen prej syve të tillë”; është një kryevepër, por mendimet e tjera i ka nga më të mykurat. Ai hapi tezën se Enveri bëri shtet dhe në darkën, kur e pyetën avokatin i thonë po mirë ti i bëre kaq vite burg, e ai përgjigjet më futi por me ligj. Pse i them këtu- vazhdoi kryeministri- bijtë e etërve të bllokut janë grupuar, strukturuar në një betejë të përorshme kundër realitetit të sotëm shqiptar. "
BERISHA: KUNDERSHTARI IM PA KOMPETENCA
Berisha tha Rama është një kundërshtar i cili nuk ka kompetencë në asnjë fushë dhe një njeri që nuk jeton me realitetin por është konseguent në mendësinë e etërve të tij.
“Mendësia e vjetër e bllokut është më e fuqishme se kurrë. Unë jo rastësisht jam ndarë në momentin e një darke. Unë e dija unë e studioj kundërshtarin tim. Kundërshtari im, (për të qenë i hapur me ju) nëse e gjeni atë të thotë një fjalë me kompetencë në njërin nga profesionet tuaja, atëherë e keni gabim. Nëse ai flet për ekonominë, ai këput gafa dhe thotë se Banka e Shtetit do llogarisë borxhin si përqindje të GDP-së. Cdo vend të botës borxhi nuk mbahet nga banka, dhe borxhi llogaritet si përqindje e GDP-së, s’ka mënyrë tjetër. Ky njeri nxirrte 250 mijë fëmijë analfabetë, të gjithë grupmoshën e fëmijëve që nuk janë ulur në bankat e shkollës. Ose shkon në Universiteti dhe u thotë piramida, flet për infermieret, thotë spitalet, shtëpi publike, jo kështu por afërsisht."- tha Berisha.
BERISHA: NE '90, PARTIA E RAMES: KISS
Berisha foli dhe për partinë KIS që sipas tij Rama në vitet 90 e kishte krijuar. “Në një gjë ai është konseguent në mendësinë e etërve të tij, si ka mundësi në ‘90 erdhi me ne, bënte ca takime në salla, pastaj ky u transformua dhe krijoi një parti KISS, Kristiano islamike. Ky që paraqitej si i hapur është absolutisht në mendësinë e etërve të tij”
BERISHA: RAMA MENDJE E SEMURE VETEM MOHON
Berisha replikoi dhe me Ramën për vizitën e këtij të fundit dje në Vlorë.
"Shkonte dje në Vlorë, e çfarë u thoshte. U bëtë si në kohën e Selam Musait. Berisha ju ka izoluar ju. Nëse ka ndonjë një rreth që ka qenë në krye, Vlora ishte, se e meriton dhe ky njeriu u thotë se jeni bërë si kohën e Selam Musait. Nuk ka për gjë fare të mohojë. Jetëgjatësia në lindje është më e madhe sea në 9 vende të BE, në mënyrë më denigruese del e shpall se është mashtrim. Por çdo njeri mund të kontrollojë në google dhe ky është realitet, por ai thotë se këto nuk janë. Çdo institucion thotë se është ulur papunësia, por ai thotë se ka 1 milionë të papunë. Forcën punëtorë Shqipëria e ka 1 milionë e 80 mijë vetë, atëherë si paska 1 milionë të papunë. Vetëm një mendje e sëmurë, si ai e dikur Ramiz Alia. Nuk duhet habitur fare. Ajo që është e vërtetë është se sot.”
ALEATET I KERKOJNE RAMES BUSTIN E ENVER HOXHËS
“Ka marrë në koalicion 4 parti komuniste, të cilët njëri i thotë të vëmë bustin e Enver Hoxhës në kryeqytet. S’e ka të vështirë sepse për të regjimi ishte shtet dhe në emër të tij shteti i ati firmoste ekzekutimin e Hamzi Nelës.
BERISHA: DAKO GRABIT BIZNESMENËT, TË MBLIDHET KËSHILLI BASHKIAK
Një bashkëbiseduese shprehu shqetësimin se taksa vendore e një biznesi në Durrës është më e lartë se i njëjti biznes në Tiranë. Kryeministri e cilësoi një spekullim të mirëfilltë të autoriteteve vendore dhe kërkoi që të mblidhet urgjentisht këshilli bashkiak për të diskutuar këtë cështje.
“Është e vërtetë e kam verifikuar. Është spekullim i mirëfilltë i autoriteve vendore, që vjen në shkelje flagrante të ligjit. Kur e kishte 30% Rama e bëri në Tiranë mbi 100 % sepse u vinte taksa absurde, deri në 800 dollarë, për taksën e tabelës së dyqanit. Ne taksën e tabelës e bëmë 1 euro, ngushtuam nga 30 % në 10 % të drejtën e kryetarit të bashkisë. Çdo qindarkë që kryebashkiaku i Durrësit i merr më shumë biznesit është grabitje e paligjshme. Çdo qindarkë që bashkitë i marrin bizneseve të vogla jashtë normave të përcaktuara në ligj është grabitje ditën për diell. I ftoj bizneset të mos japin asnjë qindarkë më shumë se e cakton ligji. Do i kërkoj Këshillit të Bashkisë së Durrësit të bëjnë mbledhje urgjente të shqyrtojnë këtë problem”- tha Berisha.
PRIORITET BARAZIA GJINORE
Në fjalën e tij Berisha tha se barazia gjinore është një nga prioritetet e qeverisë që drejton. "përpjekjet në këtë drejtim janë të faktuara", nënvizoi kryeministri. Ai shtoi se përparësi në dhënien e minikredi do të kenë gratë dhe vajzat shtëpiake.