Vendimi i ministrave të Jashtëm të Bashkimin Evropian për çeljen e bisedimeve për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian duket se ka zënë në befasi krerët e opozitës shqiptare, Lulzim Bashën dhe paraardhësin e tij në krye të PD, Sali Berishën. Si rrallë ndonjëherë më parë, Berisha dhe Basha kanë mbajtur qëndrimet të ndryshme, madje të kundërta, për vendimin e Brukselit pro çeljes së negociatave. Menjëherë pas vendimit, Lulzim Basha bëri një reagim të moderuar dhe realist politik, duke pranuar vendimin pozitiv për Shqipërinë. “Vendet anëtare të BE-së dëshmuan sot se e mbështesin Shqipërinë dhe shqiptarët me shprehjen e vullnetit për të hapur negociatat. Tani gjithçka është në dorën tonë për të përmbushur të gjithë kushtet e vendosura për nisjen e tyre”, shkroi Basha. Qëndrimi i tij është në një linjë me reagimin e kryetares së LSI, Monika Kryemadhi, e cila shkroi se ‘çelja e negociatave në parim është një lajm shprese për Shqipërinë dhe shqiptarët. Tashmë puna duhet të vazhdojë me plotësimin e kushteve, paralelisht me punën për të mbrojtur shëndetin dhe jetën e qytetarëve tanë në këto kohë të vështira”.

Ndryshe e lexon ish-kryeministri Sali Berisha vendimin e Brukselit për çeljen e negociatave. Berisha, i vetëquajtur deri në 2013-ën, si promotor i Shqipërisë Evropiane, theu heshtjen 24 orë pas vendimit. Në reagimin e tij të gjatë, me interpretime dhe akuza, Berisha thotë se vendimi i BE për Shqipërinë është një ‘snuk’. Sipas tij, negociatat nuk hapen pa larguar Edi Ramën nga pushteti. Ndryshe nga Basha, Berisha thotë se vendimi është si vendimet në vitin 2916, 2018 apo 2019. “Të besosh se negociatat me ndryshimin e plotë të procedurës së vlerësimit të progresit dhe shtimin nga 9 në 15 të kushteve mund të hapen pa larguar Edvin Mafinë dhe narkoshtetin e tij, është njëlloj sikur me vetëdije të plotë të të pëlqejë të besosh gënjeshtrën tënde, është njëlloj sikur të besosh se negociatat janë hapur në vitin 2016 apo 2018 apo 2019 ndërkohë që gjëja e vetme që ka ndodhur këto 6 vite është kalimi nga 5 në 7 në 9 në 15 kushte”, shkruan Berisha.

Ndërkaq, Basha shprehur mirënjohje ndaj Bashkimit Evropian pas 50 milionë eurove ndihmë humanitare për Shqipërinë në kuadër të emergjencës shëndetësore për shkak të koronavirusit. Berisha nuk mbajti qëndrim për këtë vendim, por nuk harrohen lehtë komentet e tij për donacionet e vendeve të BE-së për tërmetin, në mesin e muajt shkurt. “Nuk mund të ndalem pa thënë se, jashtë euforisë së madhe jam 100% i sigurt se shumë shpejt do të jetë zhgënjimi i madh për këta qytetarë. Më vjen keq që bëjë këtë kalandër”, tha Berisha, pasi 62 shtete 32 organizata pjesëmarrëse në Konferencën e Donatorëve, u angazhuan ti japin Shqipërisë dhe popullit shqiptar një ndihmë rekord prej 1.15 miliardë euro për rindërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit.