Biblioteka e Preng Bib Dodës

Biblioteka e Preng Bib Dodës

Preng Bib Doda (1860-22 mars 1919) është një nga figurat më interesante të Shqipërisë. Ai është pinjoll i familjes së njohur të Mirditës, derës së Gjonmarkajve, e cila për shekuj me radhë ka luajtur një rol të rëndësishëm.

Sipas të dhënave, Preng Pasha fëmijërinë e kaloi në Stamboll ku u shkollua në një nga institucionet arsimore më të mira të perandorisë. Në vitin 1876, ai u kthye në Mirditë. Angazhimi i tij në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit si zëvendës i Hodo Pashë Sokolit, bëri që Porta e Lartë ta internonte në qytetin e Kastamonusë, në Azinë e Vogël. Sipas librit të studiuesit Hamdi Bushati, atje ai thirrej si Ahmet Pasha dhe për disa vite shërbeu edhe si myteveli (kujdestar) i një xhamie. Me ndihmën e Syrja bej Vlorës dhe të konsullatës franceze e cila tregonte një interes të posaçëm, Preng Pasha u lirua nga internimi. Ai shkoi në Liban ku vendosi kontakte me nënpunës dhe diplomatë të njohur. Një nga këto kontakte ishte dhe ai me familjen e pasur të Malhalmëve, e cila kërkoi nga qeveria osmane që ta emëronte në postin e guvernatorit (valiut), ashtu si dikur kishte emëruar Pashko Vasën.

Për disa kohë Preg Pasha shërbeu edhe në Stamboll. Ndërsa në vitin 1911, ai u zgjodh deputet në Parlamentin Osman. Ndërsa Turhan Pashë Përmeti i caktoi dy herë detyrën e ministrit. Preng Pasha u vra në mars të 1919 nga Çokajt e Bregmatës gjatë një udhëtimi që po bënte me konsullin anglez Eden. Pavarësisht alibisë, arsyeja dhe organizatorët e vërtetë të këtij atentati ishin italianët.

***

Pas tërmetit të vitit 1905, i cili shkaktoi dëme të konsiderueshme në qytetin e Shkodrës, Preng Pasha bleu një shtëpi të vjetër për rikonstruktimin e së cilës ngarkoi arkitektin dhe piktorin e njohur me origjinë nga Preveza, Kol Idromeno. Pjesë e kësaj banese, të fotografuar nga Kel Marubi në vitin 1913, ishte edhe biblioteka. Preng Pasha ishte njohës i disa gjuhëve të huaja (italisht, turqisht, anglisht, frëngjisht) dhe njeri i shkolluar, për të cilin librat ishin pasion i hershëm. Prandaj, biblioteka e tij ishte një nga më të pasurat e qytetit.

***

Sipas një dokumenti arkivor, më 1 gusht 1920 ministri i Arsimit, Sotir Peci i shkruante Ministrisë së Brendshme që të interesohej për fatin e bibliotekës së Preng Pashës nëpërmjet prefekturës së Shkodrës. Ai kishte frikë se kjo bibliotekë me libra të çmueshëm kishte rrezik të binte në duart e personave të papërgjegjshëm. Për ta marrë në mbrojtje, ai sugjeronte gjithashtu që ajo të bëhej pjesë e fondit të Bibliotekës Kombëtare, e cila sapo ishte themeluar nën varësi të Ministrisë së Arsimit.

Për fatin e mëtejshëm të kësaj biblioteke nuk disponojmë asnjë informacion.

(Në foto kulla e Preng Bib Dodës ku ndodhej edhe biblioteka personale, fotografuar nga Marubi në vitin 1913)/ Marrë nga facebook

B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë