Bjerrja pandalim e PD-së, mënyra sesi do bien partitë e tilla në Ballkan

Bjerrja pandalim e PD-së, mënyra sesi do bien partitë e tilla në Ballkan

Kreu i PD-së, Lulzim Basha

Lulzim Basha është bërë si rrufepritëse për mllefin e mëtonjësve të postit të tij, si kryetar i PD-së, të cilët i eliminoi me buzagazin e vet karakteristik dhe me ndihmën e një mase të verbër militantësh, që votuan për ta votuar. Arsyeja e kujdesshme e Harxhit, arsyetimi parcial i Kadillit, bashkë me kritikat e pamëshira të Shehajt shkuan jo thjesht dëm, por treguan se energjia për ndryshim te PD-ja as nuk merret parasysh. E para se PD-ja e ktheu Kuvendin e saj paradoksalisht në një tribunë “fituesi” (!!!), ku kritikat logjike të kthjelluarve si Mark Marku nuk zunë vend përpos se u nëpërkëmbën, e kur ai derdhte shqetësimin e madh së të ardhmes, kuvendi ishte në procesin e fundit të votimit!! Për fat, PD-ja ka ende njerëz jo të pakët që janë zgjuar dhe apelojnë anipse duket se zëri i tyre po shkon dëm. PS-nuk merret në shqyrtim pasi drejtojnë prej tre mandatesh dhe e përjashtojnë këtë logjikë me mbledhjet rutinore dhe kongresin e fundit, që e kthyen thjesht në një kremtim plot shkëlqim të fitores.

Me atë që shihet në Shqipëri, trendi i PS dhe PD-së është se do t’i bëjnë vend njëra-tjetrës ende, por me shikimin se po shkojnë drejt një bjerrje, që haset me kuotat e ulëta të pjesëmarrjes në votime dhe jo vetëm. Po Ballkani? Një gjë duket se po ndryshon, të paktën në Shqipëri, ku PD-ja ka nisur e para rrugën drejt bjerrjes dhe një ristrukturimi të boshtë e të pafund kurse LSI-ja para saj është në kuotat më të ulëta prej vitesh dhe me një humbje besimi të frikshme. Një raport i hartuar nga Tena Prelec dhe Jovana Marović, pak muaj më parë shkruante se: “Megjithatë, Mali i Zi nuk është i vetmi shtet ku u shkul vendit status kuoja. Në nëntor 2020, zgjedhjet vendore në Bosnjë dhe Hercegovinë sollën rezultate të papara: në shumë bashki, qytetarët refuzuan kandidatët nga tre partitë kryesore etnike dhe mbështetën aktorë të jashtëm politikë. Një vit më parë, edhe votuesit kosovarë refuzuan partitë kryesore politike dhe kurorëzuan një lëvizje të hershme opozitare (Vetëvendosje) si fituesin relativ të zgjedhjeve, citohet te materiali i titulluar “Nuk votoni më ‘për djallin që njihni’?”.

Pak vite më parë, në një studim të Institutit të Studimeve Politike me mbështetjen e FES-it, në monitorimin që i bëri demokracisë së brendshme në partitë politike shqiptare u gjet se: Partitë tona Politike funksionojnë me standarde të ndryshme nga normat statusore dhe parimet organizative të përcaktuara nga Ligji mbi Partitë Politike (2010, i ndryshuar), si dhe Kushtetuta e Shqipërisë (neni 9). Statuti është ndryshuar disa herë te PD-ja, përshembull, por në të gjitha këto ndryshime, partia është bymehur për të humbur formën, kurse kryetari Basha është kalcifikuar duke përshtatur gjithçka për vete në krye të partisë me një turmë nga poshtë që e duartroket pandalur. Kryetari i PS-së Rama, nga ana tjetër, as nuk begenis t’i bëj zgjedhjet sepse është fitues dhe pak i bën sot përshtypje për strukturat që thjesht mbajnë shënime dhe rrinë sus.

Fatkeqësisht, ashtu si po ndodh me zhvillimet e fundit te PD, qytetarët  edhe pse janë mjaft të zhgënjyer me qeverinë, shpesh nuk e shohin opozitën si alternativë të besueshme dhe, përveçse e kritikojnë atë çorganizimin e saj, qytetarët shprehin kundërshtimet e tyre që lidhen me mungesën e unitetit, të udhëheqjes dhe të kapaciteteve e programeve të përshtatshme të opozitës, vërehet te i njëjti raport (Prelec dhe Marović, 2021). Bashës po ia thonë në sy këtë konstatim shumë burime brenda dhe jashtë PD-së dhe ashtu si konfirmohej nga gjetjet e raportit të ISP-së (2017) disbalanca e pushtetit të kryetarit dhe ndikimi minimal i anëtarësisë së partive është i madh. Më kot Ristani, Marku, Alizoti e pak të tjerë ia shpjegonin pak javë më parë Lulzim Bashës të gjitha këto edhe institucionalisht. Dhe, sot, konfirmohet nga të gjitha raportet se: PD dhe PS janë tejet larg  partive moderne politike anëtare të PES apo EPP. Nëse te PS-ja të paktën ka një ndryshim elitash në nivelet e saj, e detyruar prej konsumit të pushtetit, këtë nuk e shikon te PD-ja me atë masë njerëzish që i mban prej shumë vitesh…në punë.

A ka më shpresë? Nga ajo që na ofron PD-ja nuk ka asnjë shpresë sepse ajo vetë po bjerret dhe në të ardhmen do tkurret edhe më shumë. Kurse PS-ja po gëzon avantazhin e pushtetit edhe ca kohë, por jo përkrahjen e publikut, që tashmë e tregon me dëshirën për të ikur nga vendi dhe me braktisjen e zgjedhjeve, ku 50% nuk kapet prej disa zgjedhjesh. “Pavarësisht opinionit të përhapur se zgjedhjet nuk mund të bëjnë diferencën e vërtetë, për shkak të avantazheve të jashtëzakonshme të pushtetmbajtësve në drejtime si aksesi te burimet publike dhe kontrolli i medias, votimet e fundit në vendet e Ballkanit Perëndimor kanë treguar se ndryshimi është i mundshëm madje edhe në kushte të tilla (të pafavorshme). Kjo “fushë me rregulla të paqarta loje” lidhet me kodet e dobëta zgjedhore, me shpërdorimin e burimeve publike për qëllime elektorale, dhe me rritjen e përfaqësimit të partive në pushtet në mediat e sponsorizuara nga shteti apo të lidhura me shtetin”, shkruhet tek “Nuk votoni më ‘për djallin që njihni’?”, sikur të jetë bërë fiks e vetëm për Shqipërinë.

Veçse, përderisa PD-ja, si lidere  e opozitës, thjesht vazhdon konfirmimin e kësaj gjendje, atëherë ka pak shpresë për këtë formacion. Por shumë më pak për demokracinë shqiptare, që nuk ka nevojë për të tillë rrufepritëse…alla Bashë, që nuk shërbejnë për asgjë.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë