Mungesa e një përgjigjeje të qartë se sa do të zgjaste defekti i rëndë në rrjetin elektrik të hënën në mbrëmje, nuk i la zgjidhje tjetër bluzave të bardha, veçse të transportonin të sëmurët që mbaheshin në jetë me aparatura në reanimacionin qendror, në një tjetër njësi të terapisë intensive, atë të kardiologjisë,  20 metra larg.

“Vendosëm që të transportojmë vetëm 9 të sëmurë, të cilët ishin në respiracion të drejtuar. Ne kemi mjetet që transporti i tyre të realizohet më respiratorë portativë pa u cenuar shërbimi. Transporti ishte i shkurtër”, tha Krenar Lilaj.

Krenar Lilaj, Shefi i shërbimit të Reanimacionit në QSUT, sqaroi se pajisjet nuk u ndalën në asnjë moment së funksionuari as në reanimacionin qendror, pasi ato kanë backup (UPS-bateri) sipas tij që mund të rezistojnë deri në 6 orë pa energji elektrike, kur janë të reja. Por transportimi i të sëmurëve në godinën ngjitur, aty ku energjia elektrike garantohej përmes gjeneratorit, u bë për arsye sigurie rreth 25 minuta pasi dritat ishin ndërprerë.

“Vendimi që morëm për transferimin e të sëmurëve dhe trajtimi në reanimacionin kardilogjik ishte për të shmangur rënien e njëkohshme të këtyre pajisje gjeq ë do shkaktonte probleme në transferimin e tyre njëkohësisht në reanimacionin tjetër. Ne kemi mjetet që transporti i tyre të realizohet më respiratorë portativë pa u cenuar shërbimi”, vijoi Lilaj.

Pavarësisht se pajisjet, siç mjeku thotë, punuan normalisht, godina e njësisë së trajtimit ditor në QSUT (Ish-urgjenca), në katin e tretë të së cilës ndodhet edhe reanimacioni qendror, ishte e gjitha në terr për të paktën 30 minuta. Kjo do të thotë se gjeneratori, nuk është ndezur menjëherë dhe diçka nuk ka shkuar, derisa u rivu në punë.

“Si mund të them është normale të ndërpritet energjia elektrike? Detyra ime është të mbroj jetën e të sëmurëve. Nga pikëpamja profesionale, kjo ndërprerje s’ka cenuar kujdesin e pacientëve. Të sëmurët në reanimacionin kirurgjikal, vazhduan ta marrin trajtimin aty pa vështirësi, dhe gjendja e tyre nuk kemi asnjë komplikacion të situatës së këtyre të sëmurëve sa i përket ndërprerjes së energjisë”, tha Lilaj.

Në fakt mirëmbajtja e impianteve elektrike për QSUT-në, përfshirë këtu gjeneratorin, nuk është bërë prej shtatorit të vitit të kaluar. Të paktën kështu thonë letrat. Tenderi i fundit për mirëmbajtjen e impianteve elektrike Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, është ai i 27 korrikut të vitit 2023, me vlerë 52 milionë lekë të vjetra, dhe që ka përfunduar në shtator të 2025-ës.

Herët mëngjesin e së martës, rreth orës 04.35 në reanimacionin e kirurgjisë në QSUT, në godinën ku iku energjia elektrike, ndërroi jetë i dënuari për vrasje në tentativë, Mihal Mërkuri, 47 vjeç. Ai i ishte nënshtruar një ndërhyrje të vështirë kirurgjikalë mbrëmjen e 18 janarin, për shkak të hemorragjisë së brendshme. Zyrtarisht u tha se ai ndërroi jetë nga arresti kardiak dhe hemorragjia në kokë, e mjeku mohon që në humbjen e jetës të ketë ndikuar ndërprerja e energjisë

“Gjendja e tij ishte e rëndë, aty janë të sëmurë që kërcënohen nga vdekja. Jo vetëm mbrëmë, po gjendja e tij ishte e rëndë që në ardhje, ditën që është shtruar”, thekson ai.

Për më shumë se 90 minuta disa zona në Tiranë mbetën pa energji elektrike për shkak të një defekti në një shtyllë të sistemit të transmetimit të linjës 110 kilovolt  ‘Tirana 1 – Uzina Traktori’. Gjatë kësaj periudhe pa energji elektrike, OST tha se nënstacioni Traktora dhe konsumatorët e rëndësishëm u furnizuan me energji elektrike me ngarkesë të kufizuar, në përmes linjës 110 kV “Elbasan – Ibë – Farkë”.