Carlo Bollino: Të gjithë ne po luajmë me zjarrin

Carlo Bollino: Të gjithë ne po luajmë me zjarrin

Mazhoranca, opozita dhe kreu i shtetit janë si tre trena që po vrapojnë me 200 km në orë drejt të njejtës pikë, në një trajektore përplasje të frikshme. Të gjithë aktorët e kësaj beteje politike, të marrë dhe pa logjikë, po luajnë me zjarrin, edhe një herë mbi kurriz të Shqipërisë. Të gjithë besojnë se kanë të drejtë, të gjithë pretendojnë se veprojnë mbi bazën e parimeve më të larta, por nuk po kuptojnë se flamujt e tyre të shenjtë valaviten mbi një fuçi mbushur me tritol.

Luan me zjarrin kryeministri Edi Rama, i cili, në emër të Kushtetutës, këmbëngul ta konsiderojë 30 qershorin si datën e vetme të mundshme për të zhvilluar zgjedhjet vendore. Por parimi i pashkelshmërisë së Kushtetutës bie ndesh me parimin e mbijetesës së vendit dhe të bashkëjetesës civile:Përplasjet e fundit tek ambjentet e KZAZ-ve midis policisë së shtetit dhe policive të bashkive të djathta duket se është vetëm fillimi i një përplasjeje më të gjerë, që mund ta ketë pikën kulminante më 30 qershor, por që mund të vazhdojnë edhe më tej. A ka sens qe Rama të këmbëngulë kaq shumë? Dhe, a nuk është më logjike të hiqet dorë nga 30 qershori në emër të çtensionimit dhe thjesht të pretendohet nga presidenti të dekretojë një tjetër datë, duke lënë që, eventualisht, të jetë kreu i shtetit ai që do të gabonte, në rast se nuk e vendos?

Luan me zjarrin presidenti i Republikës, i cili, pas muajsh heshtjeje, hyri në lojë si arbiter kur ndeshja tashmë është duke mbaruar dhe pretendon të revolucionojë kartat mbi tryezë. Për muaj me radhë qendroi në heshtje ndaj veprimeve të opozitës, që shkelte dekretin e parë, me të cilin caktonte datën e zgjedhjeve vendore, ndërsa tani nuk le t’i shpëtojë rasti për të kërcënuar mazhorancën, që shkel dekretin e tij të dytë, me të cilin anulon të njejtat zgjedhje. Ilir Meta duket se e ka braktisur përfundimisht rolin e tij të aktorit neutral dhe, i rrëmbyer nga një protagonizëm i tepruar, harron detyrën e tij institucionale, që duhej të ishte thjesht ajo e zjarrfikësit, duke u përpjekur të gjente një kompromis mes partive, dhe jo e zjarrvënësit, që i fryn zjarrit.

Luan me zjarrin Prokuroria, e cila, pas vitesh heshtjeje dhe indiference, pas vitesh bashkëfajësie me krimin dhe korrupsioni me politikën, papritmas zgjohet dhe kërcënon “të shoqërojë me forcë” liderin e opozitës Lulzim Basha, pikërisht më 21 qershor, ditën kur opozita ka thirrur njerëzit në shesh për protestën tradicionale që “i jep fund regjimit”. Skandali i lobimit rus që përfshin Partinë Demokratike është zbuluar që një vit e gjysmë më parë dhe nuk ka fare sens zgjedhja e Prokurorisë që të përfundojë hetimet pikërisht në kulmin e kësaj krize.

Luan me zjarrin e gjithë opozita, me në krye Lulzim Bashën, Sali Berishën dhe Monika Kryemadhin, të cilët këmbëngulin të vendosin veton ndaj çdo negocimi me mazhorancën socialiste, duke pretenduar si kusht për t’u ulur në tryezë dorëheqjen e Edi Ramës nga posti i kryeministrit. Për të gjithë është e qartë se historia e zgjedhjeve të blera me paratë e krimit është vetëm një alibi, nje përpjekje për të rrëzuar qeverinë, pasi për të gjithë është e qartë që, nëse bandat do të kishin zgjedhur me të vërtetë në këto vite të bënin aleancë me Partinë Socialiste, do të kishin mbetur aleate të saj edhe po të jepte dorëheqjen Edi Rama, e kështu që do të ishin të gatshme të kushtëzonin edhe zgjedhjet e ardhshme. E vërteta është se opozita kërkon ta shtrëngojë Edi Ramën të japë dorëheqjen, vetem për t’u nisur me avantazh në zgjedhjet e ardhshme, pasi e di mirë, në fund të fundit, se ndikimi i bandave është shumë i vogël kunder votes se gjithë popullit. Për fat të keq, në këmbim të këtij objektivi, opozita duket e gatshme t’i vejë vendit flakën. Në rast se opozita do të ishte e sinqertë në synimet e saj reformiste, do të ulej në tavolinë me Edi Ramën pa vendosur kushte, pasi është e qartë se cilëndo reformë që të synojë të realizojë (kushtetuese, elektorale apo institucionale) ajo do të kalojë edhe nëpërmjet konsesusit me Edi Ramën, si lider i Partisë Socialiste. Përveç rastit kur synon të bëjë puç dhe të qeverisë me një parti të vetme.

Por, në këtë luftë të të gjithëve kundër të gjithëve, luan me zjarrin edhe komuniteti ndërkombëtar, i cili, pasi ka ndërmjetësuar për vite me radhë në të gjitha vendimet kryesore të Shqipërisë, pasi ka ndërhyrë për të sheshuar dhjetëra kriza dhe pasi ka kufizuar sovranitetin e vendit me dhjetëra herë, duke imponuar me çdo kosto reformat që kishte ndër mend, papritur tani qendron larg, duke lënë që vendi të digjet. “Këtë herë asnjë nuk do të ndërhyjë”, përsëritin nga Uashingtoni në Bruksel, nga Berlini në Romë. Po përse pikërisht këtë herë, që duket si kriza më e rëndë institucionale e 20 viteve të fundit? Ta ndihmosh Shqipërinë në procesin drejt integrimit në Bashkimin Evropian, a nuk do të thotë ta ndihmosh atë edhe të kapërcejë kriza të rrezikshme si kjo?

Të gjithë luajnë me zjarrin, ndërkohë që shumica dërmuese e shqiptarëve rri e shikon pa bërë fjalë betejën që po luftohet dhe ndjek e neveritur debatet televizive dhe lexon e hutuar komentet në internet. Pasi, mes atyre që luajnë me zjarrin, jemi edhe ne gazetarët, të gjithë të bindur se jemi nga ana e arsyes dhe, në emër të asaj arsyeje, jemi të gatshëm të sakrifikojmë logjikën e të mbyllim sytë përballë realitetit. Edhe ne, të pandërgjegjshëm, duke luajtur me fishekzjarret tona ndersa qendrojme mbi një fuçi të mbushur me tritol.

Logjika, vetëm logjika duhet të fitojë, të paktën një herë. Bashkë me vullnetin për kompromis. Në interesin e të tjerëve e jo në interesin tonë personal dhe, këtë herë, jo në emër të Evropës, apo të Kushtetutës, por thjesht sepse e duam Shqipërinë.

/a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Tami: 20/06/2019 12:15

    Shume respekte per gazetarin Bolino, profesionist dhe teper realist. Gazetaria mediokre shqiptare ka shume per te mesuar prej tij. Ju ndjek dhe lexoj me shume kenaqesi!!

    Përgjigju
  • Landi: 20/06/2019 10:52

    Gazetaria Shqiptare të marri shëmbull nga kjo analizë e thjeshtë por shumë llogjike qê "un (immigrato) e grande giornalista ha scritto "dhe jo vetëm gazetaret por edhe ata "palo" analistë që flasin përçart ne kanalet televisive. Zoterinj deputetë,politikanë,presidentë,etj.Zoti Bollino nuk bën analiza të tilla sepse ka interese personale,per këtë zotëri të shkruash me ndershmëri do me thënë të kesh pasion per atë që bën dhe jo vetëm pasion por 'dei grandi principi e valori della vita ' që karakterizojnë këtë zotëri. Grazie sig. Bollino

    Përgjigju
  • Tit: 20/06/2019 09:41

    Më falni se do zgjatem pak për të thënë realisht shkurt atë që mendoj rreth kësaj situate kaq konplekse. Është e vërtetë që të gjithë sot kujtojnë se kanë të drejtë, dhe është pala tjetër që ka faj, por le ta pranojmë se e drejta dhe e vërteta është një dhe vetëm një. Kush ka sytë e mëndjes në rregull le ta shohë, kush është i verbuar nga interesi i vockël i momentit do vijë dita që kjo që po bën sot do t'i kthehet me patjetër në bumerang, dhe në një mënyrë ose një tjetër do i vuajë vetë pasojat e veprimeve të sotme të veta. Por pasojat negative të një shteti rrumpallë nuk do bien vetëm mbi ata, por edhe mbi ne që nuk mendojmë njësoj si zjarrvënësit, prandaj dhe duhet të jemi njëlloj të shqetësuar për pasojat e asaj që po ndodh sot. Çdo shtet qëndron në këmbë thjesht dhe vetëm nga zbatimi i ligjit, kushtetutës, rregullave apo normave të bashkëvendosura dhe të gjithëpranuara e të miratuara me shumicë votash, se asnjëherë nuk arrihet dakordësi e plotë për një çështje të caktuar! Nqs këto norma do të ishin fakultative dhe zbatimi i tyre do lihej në dëshirën e palëve sipas rastit dhe interesave të tyre të çastit, atëherë asnjë shtet nga ata që sot janë modern dhe në prosperitet nuk do të ishte në gjëndjen ekonomike, të mirëqënies, dhe institucionale ku ndodhen sot, dhe që Shqipëria po bën çmos që t'u ngjajë. Atëherë pyetja që lind është, a do bëhemi ne ndonjëherë shtet ku të gjithë shtetasit të jenë të detyruar të zbatojnë kushtetutën dhe ligjet e këtij vëndi, apo do vazhdojmë jetë e mot me rrumpallizmin tonë që na ka karakterizuar gjatë gjithë këtyre 30 viteve gjoja demokraci?! Dhe pikërisht për shkak të këtij rrumpallizmi Shqiptar që konsiston në mos zbatimin e ligjeve që vetë i kemi miratuar, Evropa na ka mbyllur dyert, duke mos na marrë asnjëherë seriozisht, dhe sot që dikush kërkon të shkëputet nga kjo histori jashtëligjshmërie alla Shqiptare dhe kërkon të bëjë diferencën me çka ka ndodhur më parë, duke thjesht zbatuar kushtetutën e vëndit, ne kërkojmë ta barasvlerësojmë në sjellje apo qëllim me aktorët dhe faktorët e tjerë politikë duke e anatemuar këtë sjellje prej shtetari, dhe duke e konsideruar atë luftë për pushtet. E kemi sport kombëtar ne Shqiptarët që të shtiremi si "TË PAANSHËM" edhe kur kjo sjellje nuk të çon gjëkundi! "Çezarit i duhet dhënë çfarë i takon Çezarit"! Luftë për pushtet nuk bën ai që e ka pushtetin, por ai që e kërkon atë, dhe kjo nuk është herezi, për sa kohë kjo luftë nuk cënon paqen sociale, ligjet e shtetit dhe normat morale e qytetare të bashkëpranuara! Por kur ajo luftë për pushtet kthehet qëllim në vetvete, me prapavijë të pastër qëllimesh destruktive që synojnë rënien e sistemit me shpresën se mbas kësaj kataklizmoje, do jemi të gjithë të barabartë nën rrënojat e sistemit të kthyer në gërmadhë, atëherë ideatorët, autorët dhe nxitësit e kësaj kataklizmoje thjesht kanë zbuluar qëllimin e vërtetë të tyre, që nuk është thjesht pushteti, por ikja dhe shpëtimi nga ndonjë përgjegjësi penale apo ligjore që iu cënon rehatinë e krijuar me paratë e vjedhura, që janë shkak për këto përgjegjësi ligjore!!! Kush ka sy le të shikojë, kush ka mëndje le ta vërë në funksionim se nuk ia ka dhënë Zoti për të ndarë sytë. Se gjithmonë "VJEN NJË DITË..."!!! Ne Shqiptarët duhet që të paktën të fillojmë të mendojmë që vetëm zbatimi i ligjit edhe atëherë kur zbatimi i tij bie ndesh me interesin tonë vetiak të momentit, është rruga drejt asaj Evrope që të gjithë bërtasim e ulërasim se e duam Shqipërinë si ajo! Them që të paktën të fillojmë të mendojmë në këtë mënyrë, se e menduara definitivisht në këtë mënyrë kërkon kohën e vet të maturimit shoqëror, dhe atëherë nuk do kishim më dallim nga Evropianët. Le të fillojmë sa nuk është vonë të sillemi si Evropianë, si ata që e kanë treguar fare hapur se janë në zbatim të kushtetutës dhe ligjeve të vendit, duke mbajtur edhe qëndrim kritik ndaj atyre që sulmojnë sistemin me shpresën se do e rrëzojnë atë mbi kokat e të gjithëve, dhe kështu do ushim të gjithë njëlloj!!!

    Përgjigju
  • MINUSHE: 19/06/2019 10:57

    tamam ajo cfare duhet te gjithe ti therrasin mendjes! te lumte dora! dhe keto jo se si dine palet....POR...........

    Përgjigju
  • I pa anshem: 19/06/2019 10:38

    Zgjidhja?? Mendoj Rama menjehere zgjedhje te parakohshme dhe lokale.. Gramos Ruci dialog me Meten, te vendosin daten dhe te mbyllet kjo histori e zymte, kryenecesh dhe te pa moralshem.

    Përgjigju
  • xreport: 19/06/2019 10:27

    ke te drejte zjarri eshte Ilir meta me Sali berisha.... zjarri duhet shuar se po djegin shqiperije

    Përgjigju
  • Arbëri: 19/06/2019 08:14

    Të lumt z. Bollino...!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja