Brokaj: Divorci mes Metës
e Berishës rrëzon qeverinë
|
Kreu i LSI: Berisha, më keq se Mugabe

Ish-ministri i Mbrojtjes dhe një ndër "të urtët" e PS pranë kryetarit Rama, Sabit Brokaj në një intevistë për gazetën "Shqiptarja.com" është shprehur se largimi i Metës nga Berisha sjell zgjedhje të parakohëshme. Berisha sipas tij po tenton pazarin e radhës ndaj refuzon takimin me Ramën, ndërkohë që gjendet para dy alternativa, ose të pranojë një president me konsensus ose të vendi të drejtohet nga një qeveri teknike për të garantuar zgjedhjet e parakohëshme, pa këtë KQZ e kryesuar nga Ristani.

Berisha po takon partitë e mqazhorancës, deri më tani ende nuk po lëshon pe, mendoni se mund të imponohet...?
Sali Berisha po ndjek një strategji të tillë që politika shqiptare të futet në kurth. Strategji e cila po tentohet të realizohet duke luajtur me kohën, zvarritjen e saj dhe vënjen e kundërshtarëve politikë përpara faktit të kryer, për të dalë që të arrijë atë që do, pra Presidentin e ri nga radhët e PD, një kryetar shteti të tijin. Kështu ka vepruar për zgjedhjen e Presidentit në korrik 2007, kur i vendosi të gjithë para faktit të kryer, e të gjithë e dinë se si rrodhi ngjarja, që nënkryetari i PD u zgjodh me 85 vota pavarësisht se mazhoranca e atëhershme nuk i kishte këto vota.

Duket se kryeministri s'po gjen hapësira për strategjinë e tij..?
Por këtë radhë për zgjedhjen e Presidentit të ri Berisha e ka shumë më e vështirë se sa ishte për zgjedhjen e paraardhësit të tij Bamir Topi. Kjo vështirësi vjen për shkak të presionit shumë të të madh të partnerëve tanë ndërkombëtarë, dhe për më tepër tani e ka shumë të vështirë të bëjë pazar për të marrë deputetë që të votojnë një kandidat të tijin për kryetar shteti. Madje deklarata paralajmëruese e kryetarit të PS Edi Rama se Berisha po tenton të ofrojë para deputëtëve të grupit parlamentar të PS në këmbim të votës për Presidentin, ia ka mbyllur përfundimisht rrugën pazarit të Berishës.

LSI tashmë po tregohet shumë kundërshtuese ndaj Berishës, mendoni se mund të ndryshojë situata dhe të ketë përmbysje mazhorancash?
E ritheksoj dhe njëherë se tashmë Berisha e ka shumë të vështirë të bëjë pazare për Presidentin e ri të Republikës. Madje tani që nuk ka të garantuar dhe ka shanse zero për të marrë dhe votat e LSI të drejtuar nga Ilir Meta, Sali Berisha është "shah-sheh", nëse i referohemi lojës së shahut. Ai ka dy alternativa, ose të kërkojë deri në fund zgjedhjen e një Presidenti nga radhët e PD dhe në pamundësi për ta arritur këtë të çojë vendin në zgjedhje të parakohëshme, ose të humbasë Presidentin(mbretëreshën) dhe të pranojë një kandidat konsensual, të pranuar nga të gjitha partitë politike, si simobl të unitetit të popullit e garant të Kushtetutës. Unë i qëndroj idesë se Berisha si gjithnjë do luajë deri në fund. Por për mendimin tij zgjedhjet e parakohëshme dhe hyrja në këto zgjedhje me një qeveri teknike do ishte zgjidhja më me vlerë në këtë ngërç të krijuar e që do ta zgjidhte çështjen njëherë e mirë.

Kryeministri Berisha ka takuar partitë e vogla aleate, ndërkohë që paralajmëron se do të takojë dhe PDDNJ-në e Dules. Mendoni se do t'ia dalë për grumbullojë votat e duhura për Presidentin?
Pavarësisht takimeve, premtimeve që mund të bëjë Berisha për krerët e partive të vogla, unë mendoj se për këto parti është momenti ideal i tyre për të lënë shenjë në politikën shqiptare por dhe për t'i bërë një shërbim demokracisë së brishtë shqiptare dhe vetes së tyre veçanërisht. Pra ka ardhur momenti që lëvizja e partive të vogla, vota e këtyre partive të ketë vlerë në këtë sfidë presidenciale. Nëse ato nuk i japin votën Berishës për presidentin që ai mendon se mund të zgjedhë nga lidershipi i PD, kanë mundësinë e artë që të arrijnë konsensusin, të imponojnë konsensusin dhe të mundësojnë zgjedhjen e një Presidenti të ri që të përfaqësojë të gjitha palët por dhe të imponohen për reformat.

Por Berisha, refuzoi takimin direkt me kreun e opozitës Rama. Shpreson te të vegjëlit apo ndonjë rrjedhje nga socialistët...?
Refuzimi kategorik i Sali Berishës për të takuar në mënyrë direkte kryetarin e opozitës Edi Rama dhe deklarimi i tij se do të ketë takime të nivelit të dytë PS-PD tregon se kryetari i mazhorancës qeverisëse kërkon siç ka bërë gjithnjë që të arrijë pazarin e radhës. Partitë e vogla me votën e tyre kanë një shans të madh të japin kontributin e tyre për demokracinë në vend për të zgjedhur jo vetëm Presidentin e ri me konsensus, por dhe për të imponuar konsensusin e madh për reformat e mëdha. Vota e të vegjëlve përtej interesit kombëtar, është dhe në interesin e tyre për reformën zgjedhore, për të cilën po luftojnë kaq shumë në funksion të ndryshimit të sistemit dhe futjes së korrektimit kombëtar. Ato duhet të kenë kujdes që të mos e japin votën e tyre për Presidentin pa marrë konsensusin për reformën zgjedhore që është bllokuar, por dhe për të gjitha reformat e tjera. Në këtë rast fiton demokracia, por fitojnë dhe vetë partitë e vogla.

Duket se LSI e Metës po kalon drejt bllokut të majtë politik, duke ikur nga Berisha. Sa ndikon në skenën politike shqiptare?
Nëse Ilir Meta drejtues i LSI i qëndron deri në fund këtij roli pozitiv të nisur, duke kundërshtuar Berishën dhe politikën e tij jo në funksion të vendit, fiton një avantazh shumë të madh në lidhje me afrimin e LSI me PS dhe partitë e tjera të majta. Por njëherësh fiton demokracia në Shqipëri, integrimi i vendit në Bashkimin Evropian, ndërsa Shqipërisë i jepet një President i ri dinjitoz, mbi palët dhe garant i Kushtetutës. Për më tepër LSI tregon se është një parti e orientuar drejt aspiratës së shqiptarëve për integrimin dhe bashkimin me familjen evropiane.

Po me largimin e Metës nga koalicioni qeverisës mund të ketë zgjedhje të parakohëshme, është gati politika shqiptare...?
Nuk ka zgjidhje më të mirë se zgjedhjet e parakohëshme dhe hyrja në këto zgjedhje me një qeveri teknike e cila të miratojë me konsensus reformën zgjedhore që të marrë fund njëherë e mirë kontestimi i zgjedhjeve dhe rezultatit. Mendoj se zgjedhjet e parakohëshme duhet të bëhen sa më shpejt të jetë e mundur, për ta orientuar vendin drejt normalitetit dhe integrimit në BE.

Po zhvillohen zgjedhje me këtë KQZ....?
KQZ duhej të kishte ikur me kohë me ato që ka bërë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 por dhe zgjedhjet vendore të 8 majit të vitit të kaluar. Prania e kësaj KQZ-je tregon se në çfarë niveli është katandisur demokracia në Shqipëri. Nëse partitë politike ende mbajnë këtë KQZ, atëherë ajo mban me vetëdije pisllëqe të tilla nëpër këmbë. Ndaj puna parë është që duhet ndryshuar kjo KQZ dhe pastaj duhen parë elementët e tjerë.

Mendoni se fryma e përbashkët mes PS, LSI dhe partive të tjera të majta dhe opozitare mund të sjellin opozitën në pushtet?
Unë mendoj se fryma e përbashkët e së majtës gjithnjë ka qënë fituese dhe këtë radhe fiton. E majta s'ka asnjë pengesë që të fitojë zgjedhjet, gjithnjë ka pasur mbështetje. Por një bashkim i të gjithë aktorëve të majtë dhe opozitarë jo vetëm që sjell fitore, por dhe e thellon fitoren. Rëndësi në këtë vend ka zhvillimi i zgjedhjeve korrekte, të lira dhe të ndershme.

(Intervista është botuar në numrin e sotëm të Shqiptarja.com)

(aq/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave