Zhvillimet e hetimeve të kryera nga SPAK ndaj ministres Belinda Balluku, e akuzuar për pabarazi në një tender prej 190 milionë eurosh dhe e dyshuar për të njëjtiën vepër penale në një tender të dytë prej 20 milionësh, po ngrejnë një debat juridik dhe politik të ngjashëm me atë të cilin kemi asistuar pas masave të sigurisë të marra ndaj Sali Berishës.
GjKKO, me kërkesë të Prokurorisë Antikorrupsion, ka miratuar këtë herë ndaj Ballukut dy masa sigurie shumë të rënda: pezullimin nga funksioni si ministre dhe zv.kryeministre, si dhe ndalimin e largimit nga vendi me bllokimin e pasaportës së saj. Edhe pse me rolet e ndërruara në krahasim me debatin e ngritur nga berishistët, analistët mbështetës të Ballukut akuzojnë “Republikën e prokurorëve” për tejkalim të kompetencave të tyre, duke marrë ndaj saj masa kufizuese që, sipas tyre, do të kërkonin autorizimin e Parlamentit. Të njëjtin mendim, me sa duket, e ka edhe vetë Belinda Balluku, e cila thuhet se ka folur për këtë çështje në një mbledhje të gjatë me Edi Ramën, ku ka marrë pjesë si ekspert edhe ish-ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.

Vërejtja nuk është pa bazë, sepse, njësoj si me Berishën, edhe këtë herë në fakt SPAK po i pengon Belinda Ballukut lirinë e qarkullimit dhe mbi të gjitha po ia ndalon ushtrimin e funksioneve të saj qeveritare. Por, nëse për kufizimin e lirisë të një deputeti, ligji kërkon autorizimin e Parlamentit, për pezullimin nga funksioni zyrtar nuk kërkohet asnjë autorizim. Nga pezullimi përjashtohen vetëm figurat politike të zgjedhura, si për shembull një kryetar bashkie ose një deputet. Problemi është se një anëtar i qeverisë nuk është figurë e zgjedhur, por e emëruar, aq sa një ministër mund të mos jetë as deputet. Një boshllëk i dukshëm ligjor që duhet plotësuar, por deri atëherë ky boshllëk nuk ia ndalon SPAK-ut të drejtën ta shfrytëzojë. Gjykata Kushtetuese, ndërkohë, është shprehur për ankesën e Berishës, i cili kishte kundërshtuar mungesën e kërkesës së Parlamentit, por Gjykata e kishte konsideruar sjelljen e SPAK-ut plotësisht legjitime.

Çështja pra është objekt i një debati juridik, por fjala e fundit i takon në çdo rast një gjykate tjetër. Mënyra e vetme që ka Belinda Balluku të heqë dy masat e sigurisë është pikërisht ndjekja e rrugës juridike të parashikuar nga ligji, duke filluar nga ankimi në Apel, dhe më pas në Gjykatën e Lartë, e madje edhe në Gjykatën Kushtetuese. Një proces që parashikohet të jetë i gjatë dhe me rezultate të pasigurta. Ndërkohë, çfarë ndodh?

Pezullimi nga funksionet e saj zyrtare mbetet në fuqi deri sa një gjykatë të thotë të kundërtën, por Kushtetuta parashikon që figura e zëvendëskryeministrit është pjesë integrale e qeverisë, dhe për këtë arsye ai post duhet të plotësohet. SPAK ka vendosur që për momentin nuk mund të jetë Belinda Balluku ajo që e ushtron këtë funksion, dhe ky nuk është aspak ndonjë puç institucional, siç kanë tentuar të argumentojnë disa prej mbështetësve të saj: vendimi i gjykatës nuk godet funksionin institucional, por personin që e mban atë. Ministria nuk është institucionalisht personi i ministrit.

Deri tani qëndrimi i Edi Ramës ka qenë i qartë përballë ndërhyrjeve të drejtësisë edhe duke lejuar arrestimin: Partia Socialiste dhe ai vetë nuk do t’i kundërviheshin kurrë vendimit të një gjykate. Rama e ka treguar koherencën e tij qysh kur dha autorizimin e kërkuar kundër Saimir Tahirit, të cilin madje e kishte mbrojtur publikisht, dhe pastaj për Ilir Beqajn e kështu me radhë për të gjithë bashkëpunëtorët e tij, deri te rasti i Erjon Veliajt: megjithëse fillimisht kundërshtoi ashpërsinë e vendimit për arrestimin e tij, më pas zgjodhi rrugën e heshtjes dhe pra të pranimit.

Nëse standardi nuk ndryshon, pranimi i vendimit të SPAK-ut ndaj Belinda Ballukut do të thotë detyrimisht ta zëvendësosh si zëvendëskryeministre dhe si ministre pasi ajo u pezullua nga kjo detyrë. Një zëvendësim që mund të jetë edhe i përkohshëm, në pritje që drejtësia të sqarojë përgjegjësitë e saj. Deri tani kjo ende nuk ka ndodhur. Por nuk ka ndodhur as gjesti që jo vetëm do t’i zgjidhte Edi Ramës sikletin e kuptueshëm për të zëvendësuar bashkëpunëtoren e tij më të afërt, por që do të shërbente edhe për të konfirmuar në mënyrë politikisht koherente respektin dhe besimin ndaj drejtësisë, të ritheksuar mijëra herë kur drejtësia kishte goditur figura të tjera politike: pra dorëheqja. Belinda Balluku duhet të jepte dorëheqjen që ditën kur u shpall e pandehur, dhe aq më tepër sot, kur është pezulluar nga detyra e saj — madje edhe me një akuzë të re — duke krijuar edhe një boshllëk të rëndë institucional.

E lirë nga roli zyrtar, Belinda Balluku do të ishte padyshim e lirë të mbrohej në mënyrën më të mirë të mundshme, pa krijuar siklete për shumicën që i ka dhënë besim dhe pa asnjë pengesë për të provuar pafajësinë e saj. Nëse kjo do të ndodhë — dhe ne duam ta besojmë — atëherë do të jetë e drejtë që atë ditë Edi Rama ta rikthejë në çdo funksion të saj. Por deri atëherë ajo ka detyrimin të tërhiqet.