Në Biel-Bienne, Zvicër është hapur raundi i dytë i eskpozitës "Besa", projekt i cili po realizohet nën kujdesin e tri ambasadave, të Shqipërisë, Izraelit dhe Kosovës në Zvicër.
Në ceremoninë e hapjes ishin të pranishëm një numër i madh personalitetesh nga politika, duke filluar nga ambasadori i Izraelit në Zvicër Yigal Caspi dhe ai i Kosovës, Naim Malaj, Konsullja e Shqipërisë Eliverta Radomi dhe sekretari i parë i Ambasadës, Kastriot Noli.

Ndërkaq hapjen e aktivitetit e kanë bërë anëtari i komitetit për organizim në nivel të Zvicrës, Alain Pichard bashkë me këshilltarin në Asamblenë e qytetit Biel/Biene, Ali Slejmani, për t`ia lëne nderimin dy vajzave, njërës shqiptare Pajtime Dodaj dhe Adina Merlin.

Në skenë janë ngjitur për të përshëndetur hapjen e ekspozitës: kryebashkiaku i Biel/Bienne, Erich Fehr, drejtori për arsim dhe kulturë në këtë qytet Cedric Nemit, zdrejtori i qendrës për arsimim profesional ku mbahej ekspozita, Stähli, kryetari i organizatës "Miqtë e Yad Vashem" të Gjenevës Joel Herzog, kryetari i Bashkëisë së Hebrenjve në Biel/Bienne, Daniel Frank.

Një program i pasur me muzikë, me fjalime përshëndetëse nga shumë oratorë ka shoqëruar aktivitetin kryesor, ekspozitën tashmë të njohur që ka bërë xhiro nëpër botë, me fotografi të fotografit amerikan Gerschmann.
Grupi shqiptar i të rinjëve vallëtarë me emrin "Besa", si dhe grupi i instrumentistëve zviceranë interpretuan për të pranishmit valle shqiptare dhe pjesë muzikore zvicerane dhe izrealite.

Ndërsa e veçantë e kësaj mbrëmjeje kanë qenë prezantimi i një familjari të shqiptarëve që kanë mbrojtur hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Rexhep Hoxha kishte ardhur posaçërisht nga Tirana për të sjellë porosinë e përcjellë nga babai i tij, i cili për 14 muaj kishte strehuar dhe mbrojtur në shtëpinë e tij një familje hebreje.

Për  rastin e tij bën fjalë edhe filmi amerikan "Besa" që do të prezantohet të dielën në një nga kinematë e qytetit Biel.

Ekspozita do të mbahet e hapur deri me datë 19 shtator, duke u shoqëruar edhe me aktivitete të tjera si shfaqja e filmit "Besa Kodi i Nderit", ndërkohë që do të vazhdojë gjatë vitit 2014 dhe 2015 edhe në 8 qytete të tjera të Zvicrës.
Risi e ekspozitës është shikimi në mënyrë të organizuar nga nxënës të shkollave të qyteteve ku do mbahet, nën drejtimin e mësuesve, duke e rritur gjithnjë e më shume vlerën e ekspozitës përmes rolit edukativ të saj, për nxënësit e shkollave dhe të rinjtë në përgjithësi.
 
Njohja, ruajta dhe trashëgimi i këtij shembulli unik humanizmi të shqiptarëve gjatë luftës Dytë Botërore, është mesazhi që po jepet nga të gjithë pjesmarrësit në ekspozitë, duke i dhënë një dimension gjithnjë e më universal Besës shqiptare ATSH