Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, tha se pretendimet e PD-së për sigurinë e votimit elektronik nuk qëndrojnë, por qëndrimi i partisë kryesore të opozitës nuk mund të injorohet. Ai kërkoi që mazhoranca të komunikojë me demokratët dhe partitë e tjera për të arritur konsensus për shtrirjen e këtij procesi në sa më shumë bashki.
“Pikëpamja jonë në lidhje me votimin dhe numërimin elektronik është e pandryshuar. Ne kemi dashur dhe duam që kjo mënyrë të shtrihet sa më gjerë edhe në këto zgjedhje. PD është partia kryesore e opozitës dhe, përtej komenteve që mund të bëjë çdokush në lidhje me këtë që do të them, është fakt që s’mund ta injorojmë qëndrimin e saj në lidhje me këtë çështje. Edhe pse shkaqet për të cilat kjo parti e kundërshton nuk qëndrojnë. Por ata janë në lirinë e tyre për të mbajtur qëndrim për këtë çështje.
KQZ-ja nuk është palë as me PD-në, as me partitë e tjera për këtë çështje. Kjo është çështje e vetë partive politike. Mazhoranca duhet të angazhohet në një komunikim me PD-në dhe partitë e tjera dhe do të ishte mirë të kishte konsensus. Nëse nuk ka, për ne mbetet e vështirë të marrim një vendim që kënaq interesat vetëm të njërës anë dhe shkon në kundërshtim të plotë me interesat e palës tjetër.
Shkaqet dhe pretendimet e PD-së në lidhje me sigurinë e këtij sistemi nuk qëndrojnë. Për ne do të ishte me dobi dhe duam të punojmë që votimi dhe numërimi elektronik të shtrihen në sa më shumë bashki. Partitë të gjejnë konsensus. Nuk duam të përfshihemi”, tha Celibashi.
Lajmi kryesor:
Vendoret 2027/ Celibashi: Nuk dimë ende si do zgjidhen këshillat bashkiakë dhe përfaqësohen qytetet! Ndryshimet në Kod duheshin bërë me ‘Territorialen’ (VIDEO)





