Të djegur në plazh

Të djegur në plazh

Foto ilustruese

Shkallët mbanin aromën e ditës së hënë, në plazh. Të gjitha kabinat mbanin të njejtën aromë. Djegieje. Gra me shishe kosi në dorë. Ca burra me pjepra në duar. Ca të tjerë nën sqetull.

Kështu u zgjova edhe atë mëngjes korriku, në vilën numër 19 tek zona e Hekurudhës. Hapa sytë përgjysëm. në shtratin ngjitur gjyshja kishte marrë pamjen e një aktoreje të filmave të Pedro Almodovarit. Fustani dikur i zi kishte marrë një gri të lehtë nga larat e shpeshta.

E grive fare nga të larët o Refiko, i thoshte shpesh komshia e kabinës poshtë, të cilën e shihnim gjithmonë nga lart. Katër ditë kishim me pushime dhe ato ishin bërë shoqe sikur njiheshin që nga LANC. Ashtu e shtrirë gjysëm lakuriq gjyshja më bënte për të qeshur. Ime më i fryntë kurrizit të saj të përvëluar dhe e lyente me kujdes me kos.

Se kur kishte dalë jashtë gjyshja ime nuk e kisha vënë re. As rrobe banjo nuk i kisha parë. Megjithatë edhe ashtu e shtrirë, e gati e zënë në hall, ngriti kokën dhe më thirri.

- Gjumashe, zuri dreka. Ngrihu laj sytë, vishu, ha mëngjes, merr komardaren dhe dil në plazh. Se për ndihmë nuk të ka njeri.

U ngrita ngadalë jo ngaqë më “urdhëroi” gjyshja, por sepse në breg e dija që më priste ai. Më pëlqente ta lija të priste. Ashtu si gjyshja ime, që kishte bërë mikeshë për kokë një grua nga Korca që vinte për herë të parë në plazh në Durrës (o ja, c’na gjeti ne të vijmë këtu. Kemi Poradecin!), edhe unë kisha njohur një djalë, pa emër të përvetshëm.

Ishte mosha kur dashuroheshim me meshkuj të vërtetë dhe të imagjinuar. Shokë klase, shokë banke, shokë shkolle, fqinj dhe shokë të fqinjve. Mjaftonte të lëvizte vala në breg.

Gjyshja ashtu e shtrirë vazhdonte të lëshonte kumte. I kërkonte tim eti të cohej më herët herë tjetër se mbarohej qumështi dhe të mos luante me letra gjithë ditën nën hijen e cadrës, të cilën sipas saj, as nuk e hapte vetë, por priste të ngrihej Petja e ta bënte për të. Sime mëje i thoshte të mbante sytë hapur mos kalonte ajo fshatarja që shiste recel vishnjeje.

Korriku ishte muaj komardaresh. Muaj kamionësh ngarkuar me tiganë, tenxhere, govata, legenë. Kamineto, furnella. Xhezve. Filxhanë e pjata. Muaj lejeje.

Lava sytë. Dhëmbët. hengra mëngjesin e zakonshëm, bukë me gjalpë dhe recel dhe dola. Dielli digjte. Fëmijët vraponin në rërë pa iu djegur këmbët. Nënat iu thërrisnin me kërkesa nga më të ndryshmet. Burrat ishin në det. Rroba banje me trup dhe vec e vec u ngjanin njollave të gjallesave të imagjinatës së adoleshencës.

Ai djali i bregut nuk kishte dalë. Vazhdova të ec në diell. Lashë shapkat pranë një grupi fëmijësh që ndërtonin kala në rërë dhe hyra në det.

Rrobat e banjos i kishte qepur Mjaftja, rrobaqepëse në një shkollë profesionale. Bojëqielli e zbardhur. Nga një palë rroba banje të vjetra të sime mëje. Ishte viti i parë që mbaja rroba banje të sipërme. Cfarë arritjeje! Nga larg dëgjoja zërin e Inës që më thërriste. Në dorë mbante një copë bukë me gjalpë dhe recel.

Dola në breg dhe ecëm bashkë në diellin e plazhit të Durrësit. Një qytet bregdetar që e gjen në filmat e vjetër të Kinostudios Shqipëria e Re. Dikur, kur prodhoheshin filma.

Në plazhin ku sfida më e madhe ishte kush gjente guackën më të madhe gjithmonë fitonte Ina.

Cdo mëngjes, gjyshja na jepte urdhra. Të gjithë tundnim kokat. Askush nuk i zbatonte. E dinte edhe ajo. Kot na i jepte. Ishte korrik. Ishim në plazh.  Djali në breg nuk doli. Kisha kthyer faqen tjetër të librit me tregime. Nermini lexonte gjithmonë në plazh.

/G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • veli stafa (III): 19/07/2019 08:59

    Shkrim realist.Por,ke harru rradhen tek shkolla "Bajram Curri" ku pushonin jetimet e shtepise se femijes per me mbush tek nje curril i vogel qe nuk pushonte as nate as dite...bidona me Ujin e famshem te Selites sepse uji rubinetave te plazhit ishte i qelbur dhe nuk pihej.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë