Copëtimi i PD dhe Meta ‘fituesi’ i madh, më 2025 ‘pasardhës’ i Berishës?!

Copëtimi i PD dhe Meta ‘fituesi’ i madh, më 2025 ‘pasardhës’ i Berishës?!

Berisha dhe Meta

Nëse i referohemi deklaratave të kreut të PD zyrtare Enkelejd Alibeaj, sot është dhe afati i fundit për shpalljen e listës së kandidatëve për kryetarë bashkie të këtij grupimi për zgjedhjet lokale të 14 majit.

E ka deklaruar vetë Alibeaj këtë limit kohor, pasi dhe koha për regjistrimin e kandidatëve është në skadencë, ndërsa në lidhje me kandidatët për këshilltarë nuk ka lënë ndonjë afat të fundmë lideri i komanduar i PD-së zyrtare.

Deri më tani kandidatët e Alibeajt kanë qënë me ‘pikatore’, ndërsa thirrja e tij por dhe e numrit dy të këtij formacioni zyrtar opozitar, Gazment Bardhi në drejtim të kandidatëve për kryetarë bashkie të dalë nga “Primaret”, të përzgjedhur nga “Rithemelimi” i Berishës, që të garojnë më 14 maj nën siglën e PD zyrtare, vijon të jetë në fuqi.

Ky apel nga ana e PD zyrtare për kandidatët e Berishës që të hyjnë nën ‘ombrellën’ e partisë ‘mëmë’ në zgjedhjet e 14 majit, vijon të justifikohet me argumentin se demokratët nuk duhet të hyjnë në zgjedhje nën siglën e Partisë së Lirisë së Ilir Metës, ndërkohë që kanë në dizpozicion logon e Partisë Demokratike, votim që sipas grupit të Alibeajt mund të sjellë dhe bashkimin e të gjithë demokratëve që me votën e tyre të jenë përballë Ramës, të unifikuar.

Deri më tani janë vetëm disa kandidatë që demokratët e bazës, pjesë e të dyja grupimeve në PD, i kanë pranuar si emër të përbashkët për të garuar në zgjedhjet e 14 majit, dhe nuk bëhet fjalë për bashkitë e mëdha të vendit, por periferike, si ajo e Vaut të Dejës, e Devollit e ndoshta dhe të 2-3 bashkive të tjera. Nëse nuk pendohen dhe këta kandidatë “primaresh” deri në fund, të kuptohemi.

E themi këtë, pasi Berisha dhe drejtuesit e tjerë të “Rithemelimit” kanë deklaruar në mënyrë të prerë se asnjë kandidat i dalë nga ‘primaret’ e tyre s’do garojë më 14 maj me siglën e PD zyrtare, por me atë të koalicionit “Bashkimi për Fitore”, koalicion i cili në siglën e tij nuk ka në asnjë cep “PD”, por vetëm PL, PDK dhe PBDNJ, me parti udhëheqëse të koalicionit partinë e Ilir Metës.

Eshtë hera e parë që një grupim i madh në PD, duhet te pranojmë se deri më tani “Rithemelimi” i Berishës është grupimi më i madh në partinë më të madhe opozitare, që nuk garon me siglën historike tashmë të Partisë Demokratike, por nën “çatinë” e një partie në thelb të majtë, të dalë nga PS, si Partia e Lirisë e Ilir Metës, vazhduese e LSI. Ndaj grupimi i Alibeajt bën thirrje që kandidatët e “Rithemelimit” janë të mirëpritur që të garojnë nën siglën e PD më 14 maj.

Thirrja e PD zyrtare deri më tani ka rënë në vesh të shurdhër, teksa kandidati kryesor, Belind Këlliçi për Tiranë, apo dhe të tjerët duke filluar nga Igli Cara në Durrës, Luçiano Boçi në Elbasan dhe me shumë gjasa dhe Bardh Spahija në Shkodër, pa përmendur dhe kandidatët e tjerë të Berishës në Fier, Vlorë, Sarandë, Korçë, Lezhë, Kurbin apo në bashki të tjera nuk kanë lëshuar asnjë zë pro ftesës së Alibeajt e Bardhit për të kandiduar me siglën e PD zyrtare.

Prapa ata ndjejnë ‘dihatjen’ kërcënuese të Berishës, që shuan dhe ato simptoma të zbehta lëkundjeje tek kandidatët e dalë nga ‘primaret’, çka përkthehet në vendim për të hyrë në garë vetëm me siglën e koalicionit “Bashkimi për Fitore” të udhëhequr nga Meta, pa siglën “PD” në flamurin e kësaj aleance të panatyrshme. Ndonëse kandidatë ‘muhaxhirë’ ata janë pajtuar me këtë fakt.

Por dhe në PD zyrtare situata nuk është aspak e mirë. Teksa sot skadon afati i vënë nga Alibeaj për shpalljen zyrtare të listës së kandidatëve për kryetarë bashkie në 61 njësitë vendore të Shqipërisë, referuar premtimit të Alibeajt flasim, deri në këto momente nuk është mbuluar as gjysma e bashkive të vendit me kandidatë. Nuk bëhet fjalë për dy tre emra që mund të jenë në diskutim, por për mbi 30 bashki që nuk janë ‘mbuluar’ ende me kandidatë.

E kemi thënë se PD zyrtare e ka të vështirë të nxjerrë kandidatë për kryetarë bashkie, për shkak të mbështetjes së pakët në terren, si dhe për vetë faktin se ky grupim politik, hyn në zgjedhje pa asnjë koalicion të nënshkruar, si dhe pas ‘traumës’ zgjedhore të 6 marsit të vitit të kaluar, ku në 6 bashkitë e vendit që u hodhën për votim në ato zgjedhje të pjesëshme, ky grupim doli zyrtarisht në vendin e tretë në “skedarin’ e partive politike shqiptare.

Berisha, falë marifeteve të tij, mbështetjes që gëzon në bazën e PD, ndonëse është person ‘non grata’ i shpallur nga SHBA e Britania, madje për më tepër që askush nuk e takon nga asnjë cep i globit, përjashtuar ambasadorin hungarez, ia doli që ta nxjerrë Partinë që e themeloi vetë, pjesën zyrtare themi, në vendin e tretë, duke renditur në vend të dytë fraksionin “Rithemelimi” të krijuar prej tij, si reaksion ndaj përjashtimit nga grupi parlamentar dhe vetë partia, pas “non gratës” së SHBA.

Nuk themi se mund të qëndrohet në të njejtat shifra, pasi kanë ‘rrjedhur shumë ujëra’ që në atë kohë, ndërkohë që PD zyrtare ka marrë dhe ‘bonuse’ të tjera që mund t’i rrisë kreditet politike, përfshirë dhe vendimin e Apelit që zhbëri vendimin e Agron Zhurit të Gjykatës së Faktit, dhe vula e PD iu rikthye sërish grupimit zyrtar të Alibeajt, por situata është akoma e rëndë në këtë grupim politik.

Pasi nuk po gjen njerëz as për kandidatë për deputetë dhe as për këshilltarë. Ose mund të caktojë emra në ‘minutën e fundit’ të cilët do jenë thjeshtë dhe vetëm për numër dhe ndoshta sa për të kandiduar përballë kandidatëve të “Rithemelimit” që garojnë nën logon e partisë së Metës.

Duhet të pranojmë se gara zgjedhore edhe më 14 maj nuk do të zhvillohet mes opozitës dhe PS së Edi Ramës për 61 bashkitë në vend por mes PD zyrtare dhe “Rithemelimit”, e cila në vend që të gjente gjuhën e përbashkët me kundërshtarët brenda PD, bashkoi forcat me PL e Metës.

Një rezultat i ngjashëm më votimin e 6 marsit të vitit të kaluar, ose me një rezultat të përafërt por me shifra më të mëdha të koalicionit të udhëhequr nga Meta, nën siglën e të cilit garojnë kandidatët e Berishës, nuk do të rrezikonte në asnjë moment Ramën i cili do të fitojë shumicën dërmuese të bashkive në vend, por do të zhyste akoma më shumë PD zyrtare të Alibeajt, pasi do të dilte për herë të dytë në vendin e tretë në garat elektorale.

Dhe si gjithnjë, kur përplasen dy vetë, në radhët e opozitës, i fituari i madh është Ilir Meta. E themi këtë sepse në prag të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të vitit 2025, kreu i Partisë së Lirisë, del me rezultate akoma më të larta se në zgjedhjet paraardhëse. Kryesisht në këshillat bashkiake, pasi elektorati shqiptar është pragmatist.

Duke qënë se Berisha si ‘non grata’ nuk jep asnjë shpresë në fund të herës për të kapur pushtet, qoftë dhe në atë vendor, demokratët normalë anti-Rama e mbështetësit e tyre, jo ithtarët e Berishës, të cilët kanë qëndruar për gati 12 vite në opozitë me PD por dhe po aq dhe në pushtetin vendor, nuk e kanë për gjë të ndryshojnë kahje, për të kaluar në radhët e PL së Metës. Pa përjashtuar dhe ndonjë kandidat të “Primareve” që mund të fitojë, i cili mund të mos e ketë për gjë, madje e ka shumë të lehtë, që të deklarohet si përfaqësues i partisë së Metës. Fundja me siglën e PL udhëheqëse të koalicionit mund të ketë fituar.

 

Nuk është se ndodh për herë të parë ky fenomen. Ka ndodhur në zgjedhjet e vitit 2013, kur Meta deri në prill në koalicion me Berishën, papritur nënshkroi me Ramën aleancën bashkëqeverisëse, ndërkohë që pati një vërshim të demokratëve në drejtim të LSI së atëhershme duke dhënë një rezultat të lartë me 19 deputetë, dhe duke gërryer si gjithnjë PD-në dhe katandisur me shumë pak deputetë. Rrjedhja qe vijoi dhe pas zgjedhjeve për të ruajtur postet dhe vendet e punës me LSI.

Dhe duke qënë se Meta nuk e ka për gjë të paraqitet si drejtues real i koalicionit “Bashkimi për Fitore” dhe pas daljes së rezultatit të 14 majit, duke marrë mbi vete dhe rezultatin e arritur në këtë garë elektorale për pushtetin vendor, ndonjë supermaci e fitore sidomos mbi PD zyrtare të Alibeajt, të kapë dhe “skeptrin” e liderit të opozitës më të madhe në vend. Madje që tani, është Meta ai që zhvillon takimet me bazën, me prezencën dhe të kandidatëve të Berishës në podium.

Ndonëse mund të jetë një fitore brenda llojit për shkak të mbështetjes që merr nga “bjerrja” e PD, lideri i PL, Meta mund të bëjë realitet ëndrrën e tij të hershme, të ‘marterializuar’ në deklaratën e bërë vite më parë, drejtimin e “popullit të 2 marsit” dhe marrjen në dorë të drejtimit të opozitës në vend. Duke qënë dhe ‘pasardhës’ i Berishës për këtë grupim të PD, plus PL. Më të besuar se Meta s’ka ku të gjejë Berisha. Kanë dhe të njejtin hall!

Referuar rezultatit të 14 majit, gjasat janë që Ilir Meta të jetë në krye të opozitës më të madhe në vend për të udhëhequr atë në përballjen me PS e Ramës në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.

Dhe Meta “kartat’ i ka në rregull. Ka mbështetjen e Berishës, i cili atëherë do të jetë 83 vjeç, pa ndonjë shans për të pretenduar kryeministrin e vendit, jo vetëm për shkak të moshës biologjike dhe politike por dhe për shkak se është ‘non grata’ dhe pa mbështetjen amerikane shanset janë zero për të pretenduar ardhjen në pushtet.

Njëherësh Meta zyrtarisht të paktën nuk është i padëshirueshëm nga SHBA, Britania dhe vendet e BE e të rajonit, merr pjesë në takime dhe në të gjitha ‘qokat’ që zhvillohen në Shqipëri, dhe me pjesëmarrjen e ndërkombëtarëve, takohet nga ambasadorët për mbarëvajtjen e zgjedhjeve duke u përllogaritur si faktor politik.

Ka përmirësuar edhe gjuhën politike në raport me ndërkombëtarët, për zhvillimet në Shqipëri dhe në rajon, duke qënë politikisht korrekt. Përkundër Berishës që në çdo dalje publike sulmon SHBA, madje dhe u kundërvihet qëndrimeve amerikane, si në rastin e marrëveshjes së Ohrit, mes Kurtit e Vuçiç për normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë

S’besojmë se për zgjedhjet e 2025, PD e Alibeajt do jetë gati për të marrë në dorë ‘flamurin’ e opozitarizmit në Shqipëri dhe të bëjë ‘surprizën’, që të jetë alternativa qeverisëse e së nesërmes përballë Edi Ramës. Sado progres që të bëjë, qoftë në mbështetjen nga ana e elektoratit, qoftë dhe duke u afruar në krye të këtij grupimi ish kryetari i dorëhequr Lulzim Basha. Eshtë vështirë të ndodhë, aq më tepër me këtë sistem zgjedhor që kemi. Ndaj gjasat janë që ‘frenat’ e opozitës pas zgjedhjeve për pushtetin vendor të 14 majit t’i marrë Ilir Meta.

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • edi: 22/03/2023 11:25

    d m th ilir meta nuk denohet prr korrupsion

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria luan ndaj Italisë sfidën e parë në Euro 2024, kush fiton?



×

Lajmi i fundit

Nga se shkaktohet paraliza e gjumit dhe çfarë ndodh gjatë saj

Nga se shkaktohet paraliza e gjumit dhe çfarë ndodh gjatë saj