‘Çunat’ rrëfehen për Gërdecin, ‘laku’ ngushtohet e ‘revolucioni’ i Berishës

‘Çunat’ rrëfehen për Gërdecin, ‘laku’ ngushtohet e ‘revolucioni’ i Berishës

Shkelzen Berisha dhe David Packouz

Dosja e “Gërdecit” ka mbërritur tashmë në Gjykatën e Posaçme dhe pret që t’i nënshtrohet gjykimit të gjyqtarëve për të mbërritur në ‘finishin’ ku secili do të marrë hakun e tij.

Kemi shumë shpresë që SPAK, me dëshmitë e reja që ka siguruar dhe me të cilat ka kopsitur dosjen, të ketë gjetur provat dhe faktet e mjaftueshme, në mënyrë që gjykata të japë një vendim të drejtë, vendim i cili jo vetëm që do t’i jepte fund njëherë e mirë pritjes së familjarëve të 26 viktimave të këtij krimi shtetëror, por do të qetësonte dhe shpirtërat e atyre që prehen në banesën e përjetshme.

Shpresojmë që kjo pjesë e dosjes së rëndë të Gërdecit të këtë prekur ‘telat’ e ndershmërisë dhe të profesionalizmit të prokurorëve të SPAK, por dhe të hequr atë frikën e përhershme ndaj Sali Berishës, për t’i dhënë fund turpit të mbartur të drejtësisë shqiptare, e cila për gati 15 vite është tallur me jetët e shuara të viktimave të këtij biznesi vdekjeje.

Pavarësisht rezervave, na duket i mangët gjykimi i kësaj çështjeje të rëndë që do të shënjojë dhe drejtimin që do të marrë drejtësia e re në Shqipëri duke pasur të evidentuar si të pandehur vetëm ish ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu dhe jo ‘kapon’ e tij Sali Berisha, ne si shqiptarë që besojmë dhe në një hap të vogël pëpara të drejtësisë së re, dërgimi i dosjes në gjykatë na mbush me shpresë se në këtë vend dhe mund të bëhet drejtësi.

Themi se kemi rezerva, pasi vetë ish ministri Mediu, por dhe më pas Berisha si ish kryeministër në atë kohë, kanë deklaruar më se njëherë, njëri se ka zbatuar udhëzimet e kreut të qeverisë së atëhershme dhe vetë ish kryeministri i ka vënë ‘vulën’, teksa ka deklaruar me zë e figurë, gjendet në google kush të ketë dyshime, se vartësi i tij Mediu ka zbatuar me përpikmëri të gjitha urdhërat dhe udhëzimet e tij për ngritjen e “biznesit të vdekjes” në Gërdec.

Anipse ishte një biznes nga fillimi dhe në mbarim, sipas akuzave, i djalit të ish kreut të qeverisë Shkelzen Berisha, pavarësisht se në miratimin e të gjitha procedurave për ngritjen e biznesit të demontimit të municioneve në Gërdec ishte involvuar gjithë qeveria e Sali Berishës, praktikisht në gjykatë kemi vetëm Fatmir Mediun. Jo se duhet përjashtuar ai, por duhej të ishte dhe shefi i tij Sali Berisha dhe pronari i biznesit të demontimit të municioneve Shkelzen Berisha.

Nuk duhet të bëjmë sikur nuk kuptojmë, as ne dhe për më tepër organet e hetimit apo të gjykimit në nivelin më të lartë të drejtësisë së re, institucionet e të cilës janë ngritur me mund e djersë, në veçanti me mbështetjen e drejtpërdrejtë të qeverisë amerikane dhe të BE.

Ky biznes kishte një pronar, dhe ai është as më pak e as më shumë por vetë djali i kryeministrit. Që këtu fillon shkelja e ligjit, pra me konfliktin e interesit, ku në mënyrë të hapur ministria e Mbrojtjes, Ministria e Drejtësisë dhe të gjitha ministritë e linjës u vunë në rresht, në një garë të ethshme me njëri tjetrin, për t’i nënshkruar të gjitha letrat që të ngrihej ky biznes në Gërdec.

Kanë firmosur me radhë që nga Mediu, Bumçi e deri tek drejtorët që kishin nën hyqëm municionet e ushtrisë shqiptare. Madje i kanë siguruar Shkelzen Berishës dhe zyra nëpër këto dikastere, ku raportonin, madje dhe i dërgonin ‘postën’ dorazi, për ta njohur me ecurinë e procesit të ngritjes dhe të vazhdimit të punës në punishten e demontimit në Gërdec.

Ka firma për këtë punë. Janë pyetur dhe nga SPAK që nga Bumçi, Mediu, ministra dhe gjeneralë e deri te vetë i ‘zoti’ i kësaj pune Shkelzen Berisha. Nuk e dimë se çfarë kanë thënë fjalë për fjalë, por ajo që dihet është se dhe vetë ish shefi i shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë shqiptare, gjeneral Luan Hoxha e ka dhënë dëshminë e tij në ambasadën amerikane. Dëshmi e cila është përcjellë në DASH nga ish ambasadori i SHBA në Tiranë John Uidhers përmes një kabllogrami. Eshtë bërë publike kjo, ndërkohë që vetë gjeneral Hoxha e ka dhënë dëshminë e tij. Thuhet se ka dhënë dëshmi edhe në Tiranë, duke e kopsitur tërë dosjen në fjalë.

Shpresojmë që gjykata do t’i shqyrtojë dhe këto elementë për të mbërritur pikërisht tek koka e këtij korrupsioni shtetëror, që prodhoi 26 viktima të pafajshme dhe mbi 300 të plagosur të tjerë në Gërdec. Dhe ‘koka’ janë ish kryeministri Sali Berisha që udhëroi ngritjen e këtij biznesi dhe djali i tij Shkelzen, që ishte sipas akuzave, pronari i tij i punishtes së demontimit të municioneve. Le të shkojnë para drejtësisë dhe të marrin ‘hakun” e të dënohen si përgjegjës, ose të pastrohen njëherë e mirë nga të gjitha akuzat. Kur flet drejtësia, të gjithë duhet të heshtim pas kësaj. Ndaj shpresa vdes e fundit.

Thamë në fillim se një pjesë e dosjes së Gërdecit ka mbërritur në Gjykatën e Posaçme për t’u gjykuar, me provat dhe faktet e reja të kopsitura nga SPAK. Dhe besojmë se do dalë diçka, që t’i japë fund zvarritjeve prej 15 vitesh të bërjes drejtësi për këtë krim shtetëror.

Por pjesa tjetër e dosjes, ajo e shitjes së fishekëve kinezë për Efraim Devirolin, është ende nën hetim. Pasi është një dosje tepër e rëndë korrupsioni dhe kjo. Janë mashtruar aleatët tanë amerikanë duka ua ‘futur’ sy për sy, pasi është paguar një kompani, ajo e Kosta Trebickës për paketimin e tyre në arka kartoni, duke fshirë dhe etiketat kineze.

Municionet kineze kanë qënë nën embargon e SHBA dhe këtë e dinin të gjithë, që nga Diveroli, MEICO kompania shtetërore e tregtimit të armëve dhe municioneve në Ministrinë e Mbrojtje dhe djali i ish kryeministrit, Shkëlzen Berisha. Pasi ishin ata që në fillim e kontraktuan Trebickën e ndjerë për të kryer këtë maskarallëk kundrejt pagesës, dhe më pas, për të pasur pesë lekë më shumë ia hoqën këtë punë dhe ia dhanë dikuj tjetër, mik i familjes Berisha, për të fituar pesë lekë më shumë në kurriz të shqiptarëve.

Reagimi i Trebickës, i cili foli me autoritetet amerikane të shërbimit sekret por dhe për mediat në SHBA e në Shqipëri, duke treguar se si po mashtronin qeverinë amerikane që kishte dhënë mbi 300 milionë euro për të blerë fushekë sagllam dhe dërguar në Afganistan por që po blinin fishekë kinezë nga depot e ushtrisë shqiptare e zyrtarisht nga Ministria e Mbrojtjes, dihet si përfundoi. Në kulmin e kërcënimeve, Kosta Trebicka doli për gjah i vetëm në pllajat e Korçës, dhe pësoi një ‘aksident’ misterioz me makinën e tij duke humbur jetën. Në brez iu gjet një shapkë të vrarë Myzeqeje, ndoshta nga ‘nxitimi’ kishte ‘mbetur’ aty.

Pra goja e Trebickës u mbyll, por mbeti intervista e Diverolit, i cili ka deklaruar se “mafia është shumë lart, deri te kryeministri….”. Duke konfirmuar ashtu si Trebicka se në takimin e zhvilluar me përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes, më saktë kreun e MEICO Ylli Pinari për të vendosur linjë direkt blerjeje më lirë të fishekëve kinezë, pra në këtë takim ka qënë dhe Shkelzen Berisha. Të cilin e etiketonte ‘sypeshkaqeni’ dhe që shërbeu më pas dhe për publikimin e një libri si dhe hapjen e ‘dyerve’ të Hollivudit për ta bërë film.

Shkëlzen Berisha humbi dy shkallë gjyqi në Florida kundër autorit të librit Guy Laëson, ndërsa kishte për të paguar mbi 60 milionë dollarë, i përllogaritur mbi shumën e kërkuar në padi si dëmshpërblim nga Shkelzen Berisha ndaj autorit të librit. Ende mbetet mister nëse i ka paguar këto para për gjykatat amerikane Shkelzeni apo jo. Dhe nëse i ka paguar ku i ka gjetur paratë pasi bëhet fjalë për një njeri që nuk i ka thënë askush ‘puna e mbarë’ në jetën e tij.

Por situata rëndohet akoma më shimë, pasi përkundër deklaratave të Shkelzen Berishës, se ai ka hequr dorë nga akuza për takimin me të, Efraim Diveroli është dënuar në SHBA dhe njëherësh është shprehur, sipas burimeve të publikuara dhe në media, se është i gatshëm të dëshmojë para drejtësisë shqiptare. Madje dhe autoritetet amerikane e kanë dhënë lejen, duke qënë se Diveroli nuk është ndonjë qejfli i “gjuetisë”, çka do të përbente rrezik për ndonjë “aksident” me makinë në ndonjë fushë të hapur, ku dhe me vinç është shumë e vështirë të përmbyset një makinë.

Ndërkohë që zërat për një takim të Diverolit me Shkelzen Berishën, në prezencë të personave të tjerë me pushtet në qeverisjen e Sali Berishës shtohen, pasi ortaku i Diverolit, David Packouz në një intervistë të dhënë për podkastin “Koncrete”, ka rrëfyer se si Diveroli arriti të negocionte me djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha për uljen e çmimit të fishekëve kinezë. Në të njejtën kohë ai ka kujtuar me detaje bisedat e Kosta Trebickës dhe Ylli Pinarit.

Packouz rrëfen për takimin e Diverolit me Shkelzen Berishën në prani të Pinarit e një mafiozi të madh shqiptar, ku u vendos që Trebicka, që kryente paketimin, të nxirrej jashtë loje, ripaketimin ta merrnin ata dhe si këmbim t’i bënin një ulje të vogël në çmimin e blerjes së municioneve.

Ai jep dhe detaje se sa u vendos që të bliheshin fishekët, si ia ‘futën’ Trebickës dhe fatin e këtij të fundit që vdiq në mënyrë misterioze, si Shkelzeni quhej mik i Henryt përfaqësuesit të kompanisë “Albademil” dhe detaje të tjera që janë botuar dhe në mediat shqiptare. Dhe Packouz shprehet i gatshëm për të dhënë dëshminë e tij para drejtësisë shqiptare, pavarësisht se njëherë është hedhur në gjyq nga Shkelzen Berisha për këto qëndrime, gjë që s’mungon ta përmendë.

Pra dosja e Gërdecit është thuajse gati, dhe me kontributin si gjithnjë të gjeneral Luan Hoxhës që ka fituar azil politik në SHBA nga frika e familjes Berisha, ia ka thënë dhe ish ambasadorit Uidhers amerikan këtë, por dhe gjatë “zbërthimit” të tij para organeve ligjzbatuese amerikane.

Shpresojmë që të shkojë në Gjykatën e Posaçme dhe kjo çështje e kopsitur nga SPAK me të gjitha faktet e provat e nxjerra nga dëshmitë e shumta që janë dhënë dhe mund të jepen.

Me sa duket këto elementë kanë tronditur Berishën i cili në moshën 80 vjeçare ka marrë rrugët për të mbrojtur familjen e tij nga akuzat e rënda që ka mbi kurriz, nën ‘petkun’ e sjelljes së votës e demokracisë në Shqipëri e mbrojtjen e ‘nderit’ të SHBA. Madje kërcënon me revolucion për të përmbysur qeverinë e Ramës. Pavarësisht se “Gërdeci” s’mund të “zhurmohet” me revolucionin e pretenduar të Berishës, i cili iu rikthye politikës aktive vetëm për hallin e tij personal.

Shpresojmë që dhe drejtësia e re të ketë këllçe për të mos u frikësuar nga kërcënimet e Berishës për përmbysje të situatës me revolucion dhe bërjen e drejtësisë siç di vetë. Drejtësia kemi shpresë se do bëjë punën e saj për të cilën është ngritur e paguhet aq shumë.

Ndonëse duam të besojmë, sikur na e ka ‘thyer’ pak besimin ‘delegimi’ i provave të reja të 21 janarit te Prokuroria e Tiranës, duke na vënë në dilemë nëse vrasja e 4 demonstruesve të opozitës nga Garda e Republikës në mes të bulevardit është krim i rëndë apo jo?! Por këtë e kemi në një analizë tjetër, duke parë dhe arsyetimin e plotë të këtij delegimi.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja