Dëshmia e violinistit për muzikën
e lindur në terrin e dikaturës

Dëshmia e violinistit për muzikën<br />e lindur në terrin e dikaturës
Më 15 janar të vitit 1941 ndodhi një ngjarje e jashtëzakonshme në historinë e muzikës. Në kampin nazist  Stalag VIII A  afër  Drezdenit , në temperaturën -20 º e në praninë e rreth 400 të internuarve, luhet një vepër për violinë, piano, violonçel e klarinetë. 

Është “Kuarteti për fundin e kohërave”  e  njerit prej kompozitorëve më  të medhenj  të shekullit të 20-të, Olivier Messieaen. 

Vepra u shkrua në kampin e përqëndrimit  ku Messiaen ishte i dënuar dhe sot konsiderohet një nga kryeveprat e mirëfillta të historisë së muzikës dhe nga më të vështirat.  Është e frymëzuar nga  “Apokalipsi i Shën Gjonit” ku Engjëlli ngre dorën drejt qiellit e thotë – Nuk do të ketë më kohë!

“Kuarteti për fundin e kohrave” do të interpretohet mbrëmjen e 7 gushtit të këtij viti nga violinisti Florian Vlashi dhe tre nga pjestarët e grupit të tij spanjoll “Shekulli XX”. 76 vjet pas makabritetit të akullt nazist, kjo kryevepër do të luhet në Muzeun Arkeologjik të Durrësit, në mbyllje të edicionit të Tetë të Bienales “Netët e Muzikës Klasike” që organizohet në qytetin bregdetar nga violinisti dhe dirigjenti Florian Vlashi.

Që nga viti 2003, kur Flori dhe miqtë e tij muzikantë i dhanë jetë këtij Festivali në skenat e njohura, por edhe të improvizuara të Durrësit, janë janë organizuar mbi 70 koncerte, një pjesë e të cilave edhe në mjedise të spitaleve, shtëpive për të moshuar apo për fëmijë hetimë, si dhe në një nga institutet e riedukimit të të miturve.

Nga Korunja e Spanjës, qyteti në breg të Atlantikut ku jeton e punon që prej 25 vjetësh, violinisti shqiptar që vjen me bashkëshorten violonçeliste Rediana Lukaçi, do të sjellë në Durrës edhe kolegët e tjerë të Orkestrës Sinfonike të Galicisë dhe ansamblit “Shekulli XX”, Daniel de Pino, Florent Charpentier dhe Ruslanka Prokopenko, ndërsa nuk do të mungojnë edhe emra të njohur të muzikës shqiptare.

“Do të jetë një edicion kushtuar muzikës së krijuar nën diktaturë-thotë drejtori i këtij Festivali Florian Vlashi, i cili në edicionet e kaluara ka patur si tema qëndrore muzikën spanjolle dhe autorët e saj më të njohur, kompozitorët shqiptarë të mesjetës si Jan Kukuzeli apo Gjergj Danush Lapacaja, apo periudhat më të ndritura të muzikës në shekuj.

Në këtë edicion do të përkujtohet krijimtaria e themeluesit të etnomuzikologjisë shqiptare, Ramadan Sokoli, edhe ai i burgosur në Beden të Kavajës, sapo u kthye nga studimet në Firence.

Florian Vlashi, “bir arti”, djali i regjisorit, shkrimtarit dhe përkthyesit Gjergj Vlashi ndalet veçmas në veprat e “Kompozitorëve shqiptarë të persekutuar”, Lola Gjoka, Preng Jakova, Ramadan Sokoli  e Tonin Harapi, këngët e të cilëve do të luhen në koncertin e programuar në Galerinë e arteve “Jozef” në bregdet. Soprano Eva Golemi dhe shoqëruesit e saj Ingrid Pulizo (piano) dhe Roland Deda (violinë) kanë në repertorin e mbrëmjes  edhe veprat e Palok dhe Lec Kurtit, babë e bir nga Shkodra, të cilët bashkë me kontributin për shpëtimin e këngës popullore dhe krijimin e bazave të artit të kultivuar shqiptar (Paloka) sollën edhe thesaret muzikore të krijuara nga Lec Kurti në dekadat e para të shekullit të kaluar.

Njëra prej tyre do të ekzekutohet nga një instrument i veçantë, që ka qëndruar i mbyllur në burgjet e diktaturës komuniste për 22 vjet. Bashkë me të do të vijë edhe historia e Gëzim {elës, djaloshit që e ruajti në burgjet e Spaçit dhe Tiranës kitarrën e dhuruar enkas për të nga këngëtarja e shquar Vaçe Zela.

Duke kujtuar të njejtën periudhë të errët të diktaturës, Florian Vlashi shkruan në projektin e tij se “2000 km në verilindje të burgut të Spaçit, në Moskë, një nga kompozitorët më të mëdhenj të botës, priste në këmbë tek porta e apartamentit  kamionin e internimit, një ritual i përhërshëm pas çdo simfonie  të tij, një formë terrori shkatërrues. Quhej  Dimitri Shostakoviç”. 

Në koncertet e këtij edicioni do të jenë protagonistë pianistët Gjergj e Pirro Gaqi, që do të interpretojnë kompozitorë të 350 viteve të fundit, nga Bach, Gluck, Silvestri, Piazzolla, Thoma Gaqi, Carmichael, Rosenblatt dhe Joplin.

Një tjetër mbrëmje i kushtohet kompozitorit të shquar Feim Ibrahimi në 20 vjetorin e vdekjes. Bienalja e Durrësit  do të prezantojë  veprën e tij të muzikës së dhomës si pjesë përbërëse e detyruar e repertorit të konkuruesve pjesëmarrës në “Natën e Yjeve të Rinj”, konkursi që vlerëson instrumentistin më të mirë nga nxënësit e shkollës “Jan Kukuzeli” të Durrësit.

Orkestra Rinore  e Durësit do të hapë në Amfiteatër edicionin e tetë të Festivalit me koncertin kushtuar violinistit të ndjerë Vaso Papa, edhe ai i formuar në shkollëën artistike të qytetit antik. Tre vepra nga kompozitorët e dinastisë BACH, Johann Christoph, Johann Sebastian dhe Carl Philipp Emanuel do të jenë në qendër të mbrëmjes së konceptuar në Amfiteatrin 1900-vjeçar.
 
 Florian Vlashi dhe miqtë e tij muzikantë i kanë dedikuar një mbrëmje të veçantë “mrekullive të lutierit shqiptar Edmond Sinani, i cili ndërton në Tiranë një violë të bukur e plot nur, një nga ato objekte që njerëzit e shikojnë si të ishte Venusi i Bottiçelli-t”.

Ndodhte tamam në kohën kur  në Libi, njerëz  të mbuluar me kapuça të zinj të policisë së hezbahut, djegin tufa-tufa instrumentat e orkestrave që i quanin të mallkuara. 
“Është një shenjë e mirë. Është një shenjë nga Zoti-shton Vlashi i ri.

“Por, çfare ka muzika qe mund te linde ne nje terr  te tille?-pyet veten artisti 54-vjeçar Florian Vlashi, duke iu rikthyer edhe një herë veprës së Messiaen, që krijohej dhe interpretohej në acarin therës të një kampi përqëndrimi. Çfarë është ajo që e ben njeriun të nxjerrë nga shpirti i tij atë që ka më sublime në momente vuajtjesh? Çfare e bën muzikën aq të nevojshme e shpresëdhënëse, aq sublime e hyjnore, aq  ngushëlluese e enderruese? Në fund të fundit, çfare ka ky art që tremb djallin dhe shpeton  njeriun të mos  vdesë nga e vërteta?

Dëshmia e violinistit që bashkon Durrësin e vendlindjes me Korunjën ku jeton dhe punon zhvendoset më pas në kryeqytetin francez: “Vite më vonë në Paris, vizitoj Kishën e Saint Trinité në Place  Estienne D´Orves, ku  Olivier Messiaen  luante në organo çdo të dielë deri në fund të jetës së tij. 

Në kishën bosh  dhe  thuajse  në errësirë  dëgjohej vetëm zhurma e shiut-kujton Flori.  Në fund të korridorit të djathtë, ndriçonte një portret i madh. Ishte portreti i Nënë Terezës.  Ishte buzëqeshja e saj  që bënte drite… Fytyra e saj m´u duk një mesazh nga qielli, plot dashuri, humanizëm, muzikë; aty ishte muzika e  vjolës shqiptare, e  sinfonise se Shostakoviçit, e kitarrës së  Spaçit ,e këngëve të të dënuarve. Ishte muzika e “Kuartetit  të fundit të kohrave” që luhej në kampin nazist Stalag VIII atë ditë te akullt janari të  vitit 1941”.

Këtë mesazh duam të sjellim në  Bienalen e Durrësit-përfundon drejtori i Festivalit “Netët e Muzikës Klasike”, Florian Vlashi.

Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Plagosje, aksidente dhe dhunë në familje, 12 të arrestuar brenda 24 orëve në Tiranë! Një i vdekur dhe 5 të plagosur

Plagosje, aksidente dhe dhunë në familje, 12 të arrestuar brenda 24 orëve në Tiranë! Një i vdekur dhe 5 të plagosur