Belerit i hiqet mandati, Presidenti Begaj shpall zgjedhjet në Himarë më 4 gusht! Bardhi: Ushtar i Ramës, ke shkelur Kushtetutën (DEKRETI)

TIRANË- Duket se ‘odiseja’ e kryetarit në Himarë po merr fund dhe bashkia do të mbajë zgjedhjet e reja. Brenda së njëjtës ditë kur Belerit iu hoq mandati si kryetar, Presidenti Bajram Begaj shpalli 4 gushtin 2024 si datën për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme për kryetarin e ri.

Siç e parashikon Kodi Zgjedhor, jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga shpallja e vakancës, Presidenti dekretoi datën për zgjedhjet. Para firmosjes së dekretit, gazetarja e Report Tv, Danjela Maloku mësoi përmes burimeve se presidenti Begaj thirri në takim kryekomisionerin Ilirjan Celibashi.

Në këtë takim që ka zgjatur rreth 1 orë, Begaj dhe Celibashi kanë diskutuar lidhur me kapacitetet dhe gatishmërinë e KQZ për zhvillimin e zgjedhjeve.

"Presidenti Bajram Begaj thirri në konsultë Ilirjan Celibashi, Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve për t’u informuar lidhur me kapacitetet dhe gadishmërinë e institucionit menaxhues të zgjedhjeve, për zhvillimin e zgjedhjeve në këtë bashki, brenda kornizës kalendarike të Kodit Zgjedhor.

Pas kësaj konsulte, Presidenti Bajram Begaj dekretoi datën 4 gusht 2024 për zhvillimin e zgjedhjeve për kryetar bashkie në bashkinë Himarë, si alternativa më e mirë që pajton nevojën për përgatitjen dhe zhvillimin e një fushate të rregullt zgjedhore dhe nevojën për përgatitjen optimale të administratës zgjedhore, me kushtet, rrethanat dhe ngarkesën që sjell sezoni turistik për bashkinë Himarë, si njësi bregdetare e qeverisjes vendore", njofton Presidenca. 

Dekreti i Begajt nxiti reagimin e ashpër të kreut të grupit të PD, Gazment Bardhi, në një kohë kur vendimi i KQZ mund të apelohet nga Beleri në KAS brenda 30 ditëve. Bardhi shigjeton presidentin Begaj duke e cilësuar si ushtar të Ramës, ndërsa sipas tij ky është një teatër i bërë në bashkëpunim me kryeministrin. Sipas Bardhit, vendimi i KQZ për mandatin e Belerit nuk është i ekzekutueshëm pa kaluar afati i ankimit, e ndërsa shkruan se ky është një atentat ndaj shtetit ligjor.

"Çfarë turpi për Presidentin e Republikës që shkel hapur Kushtetutën dhe ligjin duke dekretuar zgjedhje pa një vendim të ekzekutueshëm ende për pavlefshmëri të mandatit të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës. Teatri i sotëm i koordinuar mes Edi Ramës dhe një gjenerali të bërë ushtar, është një atentat ndaj shtetit ligjor, që tregon asgjësimin politik të institucionit të Presidentit të Republikës.

Vendimi i sotëm i KQZ nuk është ende i ekzekutueshëm pa kaluar afati i ankimit.  Presidenti i Republikës Bajram Begaj gabon rëndë kur mendon se problemet e tij të integritetit në detyrat shtetërore pararendëse do i tejkalojë duke u sjell si vartës i rëndom i Edi Ramës", shkruan Bardhi. 

Pavarësisht arrestimit të tij më 12 maj 2023, dy ditë para zgjedhjeve, Fredi Beleri kandiati i Sali Berishës, nën siglën e Koalicionit “Bashkë fItojmë”, u zgjodh me shumicë votash nga qytetarët e Himarës. Nga burgu, kërkesat e tij të vazhdueshme për tu betuar si kryetar i zgjedhur u refuzuan,  dhe Himara u drejtua deri në 23 mars të 2024-s nga rivali I tij në zgjedhje dhe kryetari në detyrë Jorgo Goro, kohë kur u arrestua me urdhër të SPAK për tjetërsim pronash në Himarë. Himara bëhet kështu e para bashki me dy kryetar në burg. Fredi Belerin që nuk e ushtroi për asnjë ditë mandatin e tij, dhe ish-kryetarin për 3 mandate.

 

 

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:23
Himara drejt zgjedhjeve të reja, Begaj thërret në takim Ilirjan Celibashin

1720185990_celibashibegaj.jpg

Në Himarë pritet të mbahen zgjedhjet e reja, pasi Fredi Belerit iu hoq mandati si kryebashkiak. Burime për gazetaren e Report Tv, Danjela Maloku bëjnë me dije se pasi KQZ i hoqi mandatin Belerit, Presidenti Bajram Begaj ka thirrur në takim kryekomisionerin Ilirjan Celibashi. Takimi është zhvilluar në ambientet e Presidencës dhe ka zgjatur rreth 1 orë.

Ora 14:53
Zbardhet letra, kryeministria kërkesë Presidentit: Cakto datën e zgjedhjeve në Himarë, mandati i Belerit u hoq

Report Tv ka siguruar letrën që Kryeministria i ka dërguar Presidentit Bajram Begajt pasi iu hoq mandati si kryetar i Bashkisë së Himarës. Pa humbur kohë, kryeministria i është drejtuar me një shkresë Presidentit ku i kërkohet caktimi i datës për zgjedhjet e pjesshme në Himarë.

Kërkesa është firmosur nga sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Ëngjëll Agaçi. 

"Në zbatim të ligjit nr.138/2015, "Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike", Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, është organi kompetent për administrimin, verifikimin, zbatimin e ndalimeve për zgjedhjen dhe emërimin për funksionet publike etj.

Me vendimin nr.69, datë 5.7.2024, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nëpërmjet Komisionerit Shtetëror konstatoi pamundësinë e ushtrimit të detyrës nga kryetari i zgjedhur i bashkisë, zoti Dhionisios (Alfred) Petro Beleri dhe si pasojë ka shpallur të pavlefshëm mandatin e kryetarit të bashkisë, pasi ai është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për veprën penale "Korrupsioni aktiv në zgjedhje" parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal. Kjo vepër hyn në kategorinë e veprave penale, për kryerjen e të cilave persona të caktuar nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie etj.

Në lidhje me këtë vendimmarrje kemi marrë njoftim zyrtar nga ana e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve.

Nisur nga sa më sipër dhe në zbatim të detyrimeve ligjore që burojnë nga Kodi Zgjedhor përkatësisht neni 10 i Kodit, si dhe neni 61, paragrafi 4, i ligjit nr.139/2015, "Për vetëqeverisjen vendore", ju njoftojmë për krjimin e vakancës për kryetar të Bashkisë Himarë, e si rrjedhim caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme për kryetarin e Bashkisë Himarë brenda afateve që përcakton ligji zgjedhor", thuhet në kërkesë. 

Kjo lëvizje e Kryeministrisë vjen pasi iu hoq mandati Belerit, ndërkohë Kryeministria i është drejtuar me një kërkesë KQZ ku i kërkon që ta njoftojë për heqjen e mandatit. Report Tvka siguruar kërkesën drejtuar KQZ dhe përgjigjen e KQZ.

Letra e Kryeministrisë drejtuar KQZ
 

Letra e KQZ drejtuar Kryeministrisë
 

Letra e kryeministrisë drejtuar Presidencës
SI.E./I.M/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Arrestohet Beqaj, po i përmbush SPAK pritshmëritë në luftën e korrupsionit?



×

Lajmi i fundit

Euro 2024 në 'Minuta Zero'/ Albert Karriqi: Ndërrimet i dhanë ritëm Gjermanisë! Ndeshja më e mirë e tyre

Euro 2024 në 'Minuta Zero'/ Albert Karriqi: Ndërrimet i dhanë ritëm Gjermanisë! Ndeshja më e mirë e tyre