DËMET-SHIFRAT/ Dëmtohet godina e Tatimeve në Tiranë! Rrafshohet shkolla e Bubqit e 33 godina në Durrës, së shpejti edhe 48 në Shkodër e Dibër (VD)

Ekspertët në Tiranë, Durrës, Krujë, Lezhë dhe Laç vijojnë vlerësimin e banesave të prekura nga tërmeti. Disa prej tyre që janë vlerësuar të pabanueshme janë shembur dhe të tjera po vijojnë që të kenë të njëjtin fat.

Zv. ministrja e Brendshme Rovena Voda ka bërë publik bilancin e baneave të dëmtuara dhe personave të evakuar nga verifikimet e deritanishme.Voda tha se deri tani janë prishur 30 objekte të cilat pësuan dëme nga tërmeti i 26 nëntorit në Durrës dhe Thumanë

Ajo evidentoi një shifër të pabërë publike më parë nga dëmet e tërmeti në qarqet Shkodër, Dibër, Fier dhe Vlorë ku janë bërë vlerësimet e banesave të panbanueshme që do të shemben në ditët në vijim dhe të atyre që do t'i nënshtrohen riparimit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:47
Bilanci/ Në qarkun e Durrësit inspektohen 5171 objekte, 33 janë shembur, Voda: Ja çfarë nënkuptojnë ngjyrat tek dera e banesës (VIDEO)

Zëvendës ministrja e Ministrisë së Brendshme, Rovena Voda, me anë të një deklarate për mediat nga Durrësi ka bërë të ditur të dhënat më të fundit për sa i përket dëmeve të shkaktuar a nga tërmeti i 26-nëntorit.

Ministrja Voda bëri të ditur, se grupet e inspektimit që janë shpërndarë në të  gjithë qarkun e Durrësit deri më tani kanë inspektuar 5171 objekte. Ndërkohë objekte që ishin shpallura të rrezikshme për jetën e njerëzve që jetonin pranë, sipas ministres Voda janë prishur deri më tani 33 objekte.

Ndërkohë ministrja Voda ka shpjeguar edhe ngjyrat që inspketorët në terren vendosin për banesat që verifikojnë. Konkretisht sipas ministres NGJYRA E GJELBËR tregon se objekti ka dëmtime të lehta dhe është i banueshëm. NGJYRA E VERDHË tregon se objekti ka dëmtime mesatare dhe nuk është i banueshëm derisa të riparohet. NGJYRA E KUQE tregon se objekti është në rrezik dhe se banorët duhet të evakuohen.Për të gjitha objektet e klasifikuara me ngjyrën e kuqe do të ndërmerret një vlerësim më i specializuar për të përcaktuar nëse këto objekte do të shemben apo riparohen.

Bilanci:

Bashkia Durrës – 1267 Objekte të inspektuara, 406 të pabanueshme, 70 për tu prishur;

Bashkia Krujë – 2267 Objekte të inspektuara, 819 të pabanueshme, 22 për t'u prishur;

Bashkia Shijak – 1637 Objekte të inspektuara, 901 të pabanueshme, 325  për t'u prishur;

Në rang qarku, 5171 objekte të inspektuara.

-  Të prishura gjithsej në Qarkun Durrës 33 objekte.

Lista e objekteve të prishura në Durrës, gjithsej 21 objekte:

1 objekt 2 katësh (lagjja Kënetë)

1 objekt 3 katësh (Rr. “Mujo Ulqinaku”)

3 ndërtesa 3-katësh (Lagjja “Kënetë”)

1 objekt 4-katësh (zona e plazhit, pas hotel “Koral”)

1 objekt 4-katës, në zonën e plazhit (Rrota e Kuqe)

1 objekt 4-katësh (Lagjja “Kënetë”)

1 objekt 5-katësh, hotel “Vila Verde” 1 objekt 6-katësh, në qytet Durrës.

1 objekt 6-katësh hotel Gostivari, Durrës (me shpërthim të kontrolluar)

1 objekt në Durrës

1 objekt 5-katësh (Lagjja “Kënetë”)

1 objekt 5-katësh, (hotel "Lubjana”)

1 objekt 3-katësh në Shkozet (me shpërthim të kontrolluar)

1 objekt 2-katësh (ka qenë 5-katsh) në Lagjja “Kënetë”

1 objekt 5-katësh në Shkozet, (me shpërthim të kontrolluar)

1 objekt 4-katësh në Shkozet

1 objekt 3-katësh, Lagjja “Kënetë”

1 objekt 4-katësh, Lagjja “Kënetë”

1 objekt 4-katësh në “Ura e Dajlanit”

Lista e objekteve të prishura në Thumanë, gjithsej 10 objekte:

2 objekte 2-katëshe, qendër, Thumanë

7 objekte 5-katëshe, qendër Thumanë

1 objekt 2-katësh shkolla 9-vjecare “Ramazan Jangozi”

Lista e objekteve në fshat Bubq, Bashkia Krujë, gjithsej 2 objekte:

1 objekt 2 katësh, shkolla 9-vjecare;

1 objekt 3 katësh, në fshat Bubq.

AKOMODIMI

Në vijim të takimit të kryeministrit Edi Rama me përfaqësuesit e sipërmarrësve të ndërtimit në Durrës, ku u bë thirrje për investitorët, pallatet e të cilëve kanë pësuar dëmtime, që të marrin përsipër gjithë kontributin e tyre në mënyrë që qytetarëve t'u riparohen banesat dhe të futen sa më shpejt në shtëpi, deri ditën e djeshme janë 14 biznese, firma  private që kanë shprehur gatishmërinë për të filluar me riparimin e godinave që janë ndërtuar prej tyre.

Gjithashtu, po punohet intensivisht për të siguruar që rreth 4000 qytetarët e akomoduar në strukturat hoteliere, tu garantohen të gjitha shërbimet e nevojshme. Konkretisht, pranë hoteleve jane evidentuar 679 persona nën moshen 18, prej të cilëve 204 fëmije 0-5 vjeç. Gjithashtu janë 454 pensioniste, 620 që vuajnë nga sëmundje kronike dhe 177 persona me aftësi ndryshe.

VULLNETARËT

Vullnetarët e regjistruar deri tani në e-albania kanë dhënë ndihmën e tyre në çdo sektor që ka pasur nevojë.

Në bashkinë Durrës:

 Në qendrën Dispeçer qëndrojnë në dispozicion të telefonatave të qytetarëve vullnetarë që punojnë turni parë 3 veta, turni dytë 3 veta dhe turni tretë 2 veta.

Në sportelet e hapura në bashkinë Durrës, në pritje të qytetarëve qëndrojnë 12 vullnetarë turni parë dhe 5-6 turni dytë.

Hedhja e të dhënave që mblidhen nga akt-konstatimet bëhet nga 4 vullnetarë.

Kampi Manzës:

10 vullnetarë që shërbejnë në kampin e Manzës me dy turne ( turni parë 5 veta dhe turni dytë 5 veta )

Sot erdhën 20 vullnetarë nga Belshi, të cilët shpërndanë ndihma në ushqime dhe veshje kryesisht për fëmijë.

Në strukturat hoteliere : Vullnetarët ofrojnë mbështetje psiko-sociale dhe argëtim për fëmijët që janë akomoduar në 5 hotele (Kolaveri, Bonita, AS, Pameba, Pishat e Buta) . Duke ju falënderuar edhe njëherë për bashkëpunimin dhe vëmendjen, ju uroj një natë të mirë e të qetë!

Ora 18:12
Inxhinierët amerikanë zbresin në terren, Ambasada: Përkrah Shqipërisë në rimëkëmbjen pas tërmetit

1575652448_em.png

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë po ndjek me vëmendje zhvillimet në terren pas tërmetit të 26 nëntorit, si pasojë e të cilit 51 persona humbën jetën dhe qindra të tjerë mbetën të plagosur dhe pa strehë mbi kokë.

Përmes një postimi në Facebook, ambasada thotë se inxhinierët po punojnë për t'i përcaktuar ndërtesat si të sigurta apo të pasigurta, për të ndihmuar njerëzit që të kthehen të sigurtë në shtëpi.

"Si pjesë e mbështetjes së vazhdueshme të qeverisë së Shteteve të Bashkuara në përpjekjet për rimëkëmbjen pas tërmetit të 26 nëntorit, ekipi i inxhinierëve të strukturave nga Zyra për Ndihmë të Jashtme në raste Fatkeqësish e USAID, po vijon të kryejë vlerësime në terren së bashku me inxhinierët shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Inxhinierët po punojnë për t'i përcaktuar ndërtesat si të sigurta apo të pasigurta, për të ndihmuar njerëzit që të kthehen të sigurtë në shtëpi", shkruan ambasada amerikane në postimin e saj.

Postimi i ambasadës
Ora 17:42
PD kërkesë për informacion Ramës dhe Lleshajt për vdekjen e Bajram Hajdarmataj: Pas tërmetit të 21 Shtatorit a ishte e sigurt konvaleshenca

Partia Demokratike ka kërkuar informacion zyrtar nga Ministria e Brendshme dhe nga qeveria për sa i përket vdekjes së kryekomisarit Bajram Hajdarmataj, i cili humbi jetën nën rrënojat e konvaleshencës në Durrës si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit.

Sipas PD, kërkesa është për mosveprimet kriminale të qeverisë me Konvaleshencën në Durrës pas rënies së tërmetit më 21 shtator. Me anë të kësaj kërkese PD do që të informohet lidhur me verifikimet e kryera në Godinën Nr. 4 të Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme Durrës, e cila u shkatërrua në tërmetin e datës 26 Nëntor dhe ku fatkeqësisht, humbi jetën kryekomisari Bajram Hajdarmetaj.

PD i drejtohet Ministrisë së Brendshme dhe Qeverisë, me 4 pyetje ku kërkon të dijë të gjitha veprimet e verifikimit të godinës së Konvaleshencës në Durrës pas tërmetit të 21 shtatorit.

Kërkesa e PD, vjen pas kërkesës së mëparshme për informacion mbi mosveprimet lidhur me dy pallatet në Thumanë, ku humbën jetën 24 qytetarë.

"Pas kërkesës për informacion mbi mosveprimet lidhur me dy pallatet në Thumanë, ku humbën jetën 24 qytetarë, me anë të një kërkese zyrtare, Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi, i kërkon Edi Ramës dhe Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, informacion lidhur me verifikimet e kryera në Godinën Nr. 4 të Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme Durrës, e cila u shkatërrua në tërmetin e datës 26 Nëntor dhe ku fatkeqësisht, humbi jetën kryekomisari Bajram Hajdarmetaj.

Në mënyrë zyrtare, PD kërkon informacion lidhur me këto 4 çështje:

1. Pas tërmetit të datës 21 Shtator 2019, a ka kërkuar zyrtarisht dhe a ka kryer Ministria e Brendshme verifikimin e sigurisë dhe gjendjes së Godinës Nr. 4 të Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme Durrës? Nëse po, ju lutem na vini në dispozicion dokumentin zyrtar që e provon këtë. A është informuar ose raportuar pranë Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile (KNEC) për gjendjen e kësaj godine?

2. A u verifikua Godina nr. 4 e  Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme Durrës pas tërmetit të 21 Shtatorit? Nëse po, kush janë ekspertët që u angazhuan dhe çfarë vlerësimi bënë ata? Lutemi një kopje të aktit të konstatimit/verifikimit të hartuar dhe nënshkruar prej tyre.

3. A është vlerësuar nga drejtuesit e Godinës se nga konstatimet faktike, lidhur me dëmet e muraturës, objekti nuk mund të funksionojë në kushtet se si është në gjendjen aktuale, pasi muraturat e dëmtuara demonstrojnë rrezikshmëri të lartë? Nëse po, kush ka urdhëruar përdorimin e Godinës dhe mbi çfarë baze është bërë kjo?

4. A është lajmëruar stafi për gjetjet e ekspertëve dhe për sigurinë e godinës? Nëse po, lutemi na vini në dispozicion kopje të akt njoftimeve." thuhet në kërkesën e Partisë Demokratike.

Ora 16:26
Krujë/ Pasoja në të gjithë bashkinë, zyrtari: Tërmeti ka dëmtuar 2040 banesa private (VIDEO)

Pasojat e tërmetit të 26 nëntorit nuk janë evidentuar vetëm në Thumanë, por në të gjithë bashkinë Krujë. Deri më tani janë 161 pallate të verifikuara në rrethin e Krujës, ku 51 prej tyre janë konstatuar me dëmtime shumë të rënda dhe rrjedhimisht janë shpallur të pabanueshme. Ndërkohë tërmeti tragjik ka shkaktuar dëme edhe në 2040 banesa private, prej të cilave 710 janë rrënuar plotësisht. Sipas sekretarit të bashkisë Krujë, Florind Cerhozi, një ndër lagjet më të prekura është ajo ‘Abaze’.

“I gjithë territori i bashkisë Krujë ka qenë mjaft i goditur nga ky tërmet, duke shkaktuar mjaft dëme si në banesa ashtu edhe në ndërtesa shumë katëshe. Rreth 104 pallate janë verifikuar në Krujë. Nga këto ndërtesa shumë katëshe 36 prej tyre janë konstatuar me dëme shumë të rënda.  Po kështu edhe në Fushë-Krujë. Nga 57 pallate rreth 15 prej tyre janë me dëme të rënda.  Ndërsa për banesat përdhese kemi 2040 banesa të dëmtuara dhe një % shumë e lartë, rreth 710 banesa janë të dëmtuara rëndë”, tha sekretari i bashkisë Krujë, Florind Cerhozi.

Tërmeti i 26 nëntorit, 6.4 sipas shkallës Riter la pas 51 viktima, ku vetëm në Thumanë nën rrënoja ndërruan jetë 24 persona dhe pati dëme mjaft të mëdha materiale.

1575646415_kruje.jpg

Ora 16:26
Tiranë/ U dëmtua nga tërmeti, del jashtë funksionit Drejtoria e Tatimeve, ja ku do të kryhen shërbimet e taksapaguesve (VIDEO)

Godina e Drejtorisë Rajonale të Tatimeve pranë Burgut 313, ka dalë jashtë funksionit pas tërmetit të 26 Nëntorit. Godina ka pësuar dëme në strukturë, kolona dhe soletë.

Kjo ka bërë që zyrat e tyre të zhvendosen tek drejtoria tek 21 Dhjetori, ku do të kryhen shërbimet e taksapaguesve, deri sa të përfundojnë restaurimi i saj.

Ora 16:19
Lezhë/ Inxhinierët vijojnë inspektimet për dëmet, Pjerin Ndreu: Për çdo objekt bëhet akt konstatimi (VIDEO)

Në Bashkinë e Lezhës inxhinieret po vijojnë punën për inspektimin e objekteve që kanë pësuar dëmtime nga tërmeti i 26 nëntorit. Kryebashkiaku Pjerin Ndreu thotë se deri tani janë 13 pallate të klasifikuara me probleme, për të cilët është kërkuar që të bëhet inspektim më i specializuar. Sipas tij për çdo objekt të inspektuar bëhet akti i konstatimit me firmën e inxhinieret.

 “Është bërë verifikimi i shumë rasteve, të cilat janë të gjitha të dokumentuara. Në dokument ka një akt vlerësimi për strukturën e pallatit në përgjithësi dhe në veçanti janë vlerësuar të gjitha hyrjet që janë denoncuar me 4 firma inxhinierësh. Kemi arrit të menaxhojmë 1600 rastesh. Deri tani flasim për 13 pallate që janë klasifikuar me probleme jo të pa banuara”, tha Pjerin Ndreu, Kryetar i Bashkisë Lezhë.

Brenda pak ditësh do të përfundoje inspektimi i të gjitha objekteve që kanë pësuar dëme nga tërmeti i 26 nëntorit në Bashkinë Lezhë dhe për ato objekte që do të shpallen të pabanueshëm do të merret vendim për shembjen e tyre.

Ora 15:36
Bubq, u dëmtua nga tërmeti, shembet objekti 3-katësh ku jetonin 7 familje (VIDEO)

Një objekt tre katësh në Bubq është shembur pasditen e sotme pasi ishte shpallur i pabanueshëm pas verifikimeve të bëra nga specialistët e ndëerimit. Në këtë objekt 3-katësh jetonin 7 familje.

Ora 14:50
U dëmtua nga tërmeti, Gjykata e Apelit Durrës transferohet në Kavajë

Pas tërmetit gjykata e Apelit Durrës vlerësohet e dëmtuar por e banueshme. Gjykata do ti nënshtrohet rikonstruksionit të pjesshëm. KLGj-ja vendosi se deri në përfundimin e rikonstruksionit  gjykata e Apelit Durrës do te transferohet në ambientet e gjykates se Shkalles se Pare ne Kavajë ku nuk do të ketë pengesë për zhvillim gjyqesh.

Gazetari i Report Tv Arsen Rusta raporton se dëmet janë kryesisht në kolona. Në muajin gusht godina e gjykatës i ishte nënshtruar një rikonktruksioni të pjesshëm, kryesisht në sallën e komunikimit me publikun.

Nga lëkundjet e forta sizmike të datës 26 Nëntor, por edhe në vijim me pasgoditjet u dëmtuan shumë objekte, përfshirë gjykata dhe prokurori në Tiranë, Durrës dhe në Lezhë.


Vendimi i KLGJ-se
Ora 13:41
11 në Shkodër, 37 në Dibër/ Objektet që pësuan dëme nga tërmeti, që pritet të shemben! 4053 banorë të strehuar në hotele

Zv. ministrja e Brendshme Rovena Voda ka bërë publik bilancin e baneave të dëmtuara dhe personave të evakuar nga verifikimet e deritanishme.Voda tha se deri tani janë prishur 30 objekte të cilat pësuan dëme nga tërmeti i 26 nëntorit në Durrës dhe Thumanë. Voda tha se vijojnë të qëndrojnë të shtruar në spital 19 pacientë të cilët kanë pësuar dëme nga tërmeti.

Ajo evidentoi një shifër të pabërë publike më parë nga dëmet e tërmeti në qarqet Shkodër, Dibër, Fier dhe Vlorë ku janë bërë vlerësimet e banesave të panbanueshme që do të shemben në ditët në vijim dhe të atyre që do t'i nënshtrohen riparimit.

Deklarata e plote

Përshëndetje, vijojmë me përditësimin e të dhënave dhe bilancin paraprak të punës, bashkitë Durrës, Krujë, Shijak, Kurbin, Tiranë, Kamëz, Vorë dhe Lezhë.

QENDRA DISPEÇER

Deri në orën 12:30 të ditës së sotshme, numri i thirrjeve të përpunuara deri tani nga gjashtë operatorët në dispozicion të qytetarëve për të tre numrat e gjelbër: 0694114100; 0694114101 dhe 0694114040 është aktualisht: 476 (Tiranë – 211; Durrës – 225; Lezhë – 38; Elbasan – 1; Shkodër - 1).

Sërish, sikurse edhe gjatë dy ditëve të fundit, shumica dërrmuese prej 414 thirrjesh ka qenë për verifikim dëmesh në banesë.

PUNA NË TERREN

Janë prishur gjithsej 30 objekte në zonat e prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019, nga të cilat:

Në Bashkinë Durrës: 19 objekte

Në qytetin e Thumanës, Bashkia Krujë: 10 objekte, përfshirë 1 objekt 2-katësh dhe shkollën 9-vjeçare të fshatit Bubq, Bashkia Krujë.

Ndërkohë, po në Bashkinë Durrës:

Ka filluar prishja e një objekti 4-katësh në Lagjen Kënetë.

Vijon prishja e një objekti 4-katësh në zonën e plazhit, tek “Ura e Dajlanit”.

Vijon puna për copëtimet dhe pastrimet e inerteve në këto objekte:

Në objektin afër Kompleksit “Tropikal;

Në shtëpinë e Familjes Reci, në qytet Durrës ;

Në Kompleksin “Miramare”;

 Tek ndërtesa e Familjes Lala në Kënetë;

Tek ndërtesa tek Rr. “Dhimitër Gjerko”

Në të gjitha objektet e shembura do të vijohet me procesin e pastrimit të inerteve.

Në fshatin Bubq, Bashkia Krujë ka mbaruar aktualisht procesi i prishjes për objektin 2-katësh, shkollës 9-vjecare dhe ka filluar prishja një objekti 3-katësh.

SHËNDETËSIA

Numri aktual i pacientëve të shtruar në spitale është 19 pacientë (16 pacientë në spitalin Universitar të Traumës dhe 3 pacientë në spitalin Rajonal të Durrësit) 

3,839 vizita të kryera në njësitë akomoduese

809 qytetarë të vaksinuar në Durrës, Krujë, Lezhë dhe Vorë

AKOMODIMI

Numri i të akomoduarve në struktura hoteliere në Qarkun e Lezhës dhe Qarkun Durrës deri sot ka arritur në 4053.

DËMET NË BANESA

Ndërkohë edhe një përditësim për qarqet e tjera që nuk kemi raportuar në daljet e deritanishme:

Qarku Shkodër.

Të dëmtuara lehtë (të banueshme) 78 banesa,

Të dëmtuara rëndë (që mund të banohen, por të mundshme për rikonstruksion) 27 banesa,

Të pabanueshme (të cilat do prishen) 11 banesa.

Qarku Dibër.

Të dëmtuara lehtë (të banueshme) 179,

Të dëmtuara rëndë (që mund të banohen, por të mundshme për rikonstruksion) 28,

Të pabanueshme (të cilat do prishen) 37.

Gjithsej 244 banesa dhe nga këto 10 janë apartamente.

Qarku Fier.

Bashkia Lushnje.

6 pallate të dëmtuar, ku 2 prej tyre kanë dëmtime serioze. Në këto 2 pallate nuk janë futur banorët.

Bashkia Fier.

Në fshatin Darëzezë të njësisë administrative Dermenas është mbyllur 1 shkollë 9-vjecare për shkak të dëmtimit të saj. Shkolla është  bllokuar dhe nxënësit janë transferuar në një shkollë tjetër.

Bashkisë Mallakastër.

Në njësinë administrative Fratar është mbyllur nga specialistë të bashkisë shkolla 9-vjecare “Gjok Doçi”.

Nxënësit janë transferuar në një shkollë tjetër. Dëmtimet kanë qenë të mëparshme, por nga tërmeti ato kanë avancuar më shumë.

Qarku Vlorë.

Bashkia Vlorë. 

Ka 37 ankesa për dëme, prej të cilave janë evidentuar  22 dhe janë në proces 15.

- 9 raste problematik pallatesh krisje muresh dhe bashkim pallatesh,

- 16 plasaritje muresh, dhe

- 2 shkolla dëmtim pjesërisht, por pa problem për mësimdhënien.

Bashkia Selenicë.

Ka 15 ankesa, evidentuar 9 raste, dëmtim i plotë 3 raste, dëmtim i pjesshëm 4 raste.

Duke ju falënderuar për vëmendjen dhe bashkëpunimin, ju njoftoj për takimin tonë të ores 18:30.

Faleminderit

Ora 12:09
Durrës, ishte lënë pa përfunduar për shkak të mungesës së fondeve, shembet pas tërmetit pallati 5-katësh në zonën e plazhit

Një pallat 5-katësh në zonën e plazhit në Durrës është shembur paraditen e sotme. Ai u përcaktua i paqëndrueshëm nga grupet e inspektimit pas tërmetit të 26 Nëntorit. Pallati nuk kishte përfunduar ende punimet, të cilat ishin pezulluar prej kohësh, për shkak të mungesës së fondeve.

Ora 11:28
Tiranë/ 'Të evakuohen banorët'! Akti i konstatimit për godinat 18 dhe 19 që do shemben në Qytet Studenti (VIDEO)

Në Qytet Studenti do të shemben tre konvikte, 15, 18 dhe 19, pasi kanë dalë jashtë funksionit duke u bërë të pabanueshme si pasojë e tërmetit. Tre godinat, banohen nga 30 familje dhe jo nga studentë. Report Tv ka siguruar aktin e konstatimit për gjendjen e godinës 18, ku theksohet se janë bërë ndërhyrje në katin e parë, ndërsa ka dëmtime në strukturë dhe banorët që janë brenda duhet të largohen menjëherë.

Banorët vijojnë nxjerrjen e sendeve për të bërë më pas shembjen me shpërthim të kontrolluar.

Akt konstatimi për godinën 18

Përsa i përket godinës nr. 19 në Qytet Studenti, e cila është 4-katëshe ku banojnë 27 familje do të ketë të njëjtin fat. Kjo ndërtesë ka çarje vertikale në mur dhe probleme në pjesën e shkallëve, sipas aktit të konstatimit.

Akt konstatimi për godinën 19
Ora 10:48
Bubq/ U dëmtua nga tërmeti i 26 Nëntorit, 'hidhet në tokë' shkolla, nxënësit do të transferohen në Fushë-Krujë

Shkolla e Përgjithshme Selman Daci në Bubq është shembur ditën e sotme pas kishte pësuar dëmtime të rënda nga tërmeti i 26 Nëntorit. Aty mësonin 261 nxënës, duke nisur nga cikli parashkollor deri në vitin e fundit të gjimnazit, të cilët do të transferohen në Fushë Krujë. Shkolla ishte ndërtuar në vitin 1988.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Tironci: 06/12/2019 18:09

    Bajrami qofte i xhenetit!ju plehrat e PDse ç far kerkoni? Pjesa e konviktit ishte e kohes se xhaxhit,ndersa pjesa tjeter qe u rrezua ishte prodhimi made in Berisha o ju banditat e PDse me kete debilin qe e ne konfetenca per shtyp gjdo nje ore.

    Përgjigju
  • Njoni: 06/12/2019 12:20

    Ta ndërtoi Bes Kallak katnari

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Vinicius zgjidhet futbollisti më i mirë i vitit, çmimet e

Vinicius zgjidhet futbollisti më i mirë i vitit, çmimet e "Globe Soccer"! Dominon Real Madrid