Sali Berisha u përball sot me pyetjet e bazës së Partisë Demokratike se përse zgjedhjet për kreun e partisë po zhvillohen pa larmishmëri kandidatësh.

Në Njësinë Administrisë numër 5 në Tiranë, një demokrate i tha Berishës: “Doktor, meqenëse janë zgjedhjet për kryetarin e partisë, doja të pyesja, sepse deri tani kemi parë që askush po nuk ndihet për të konkurruar me juve. Mua më pëlqen gara, gara të rrit, të zbukuron. PD në gjithë këto vite nuk ka liderë, s’ka prodhuar liderë të tjerë të konkurrojnë me ju? Qoftë edhe nënkryetarët e partisë, janë numrat 2, duhet të bëhen numri 1.”

Përgjigjia e Berishës ishte e sforcuar dhe qesharake. Ai tha se arsyeja e vetme se përse në Partinë Demokratike nuk ka garë për lidershipin, është përtacia.

Sipas kryedemokratit, funksionarët e PD-së nuk garojnë për kryetarë sepse kanë frikë nga humbja dhe se përtojnë të provohen në zgjedhje.

“Procedura që e zgjedh anëtarësia e partisë janë pakicë, shumica e vendeve e zgjedh kuvendi, por është një pakicë që po rritet, pra nuk është se kjo procedurë po pëson zvogëlim, jo, kjo po shkon duke u përhapur më shumë. Konsiderohet më demokratike, për t’i dhënë anëtarit të partisë të drejtën e vendimmarrjes me votën e tij. Çfarë ka kjo procedurë si garë e përgjithshme, të jemi realistë në shumicën e rasteve nëse lexoni do të gjeni se zhvillohet pa kandidatë rivalë, pikërisht për të që thamë, sepse pretendojnë të provohen pa qenë të sigurt, domethënë të sigurt që çdo parti ka kriteret e veta për të marrë pjesë në garë, por kjo nuk është problemi”,- tha Berisha.

Për zgjedhjet për kreun e Partisë Demokratike, votimet për të cilin pritet të mbahen më 23 maj, Sali Berisha privoi nga kandidimi 5 demokratë: Evi Kokalarin, Ervin Salianjin, Alesia Balliun, Merema Selën dhe Vladimir Mulajn.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:35
‘Praktikë e Enver Hoxhës’- Berisha: Ilir Meta mbahet në kafaz gjatë seancave gjyqësore, ndërsa vrasësit serialë festojnë me pije e kokainë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka dënuar mbajtjen në kafaz prej xhami të ish-Presidentit Ilir Meta, gjatë seancave gjyqësore në Gjykatën e Posaçme.

Komentet Berisha i bëri gjatë një bashkëbisedimi me militantët e “Degës 5” në Tiranë, ku fajësoi kryeministrin Edi Rama se ka urdhëruar mbajtjen në kafaz xhami gjatë seancave gjyqësore, të kundërshtarëve të tij politikë.

Berisha e ka konsideruar rikthimin e “kafazit” në sallat e gjyqeve si një praktikë të errët që sipas tij të kujton kohën e diktatorit Enver Hoxha.

Sipas Berishës, ka një kontrast të dukshëm në trajtimin e të burgosurve në Shqipëri, pasi sipas tij, kundërshtarët politikë izolohen ndërkohë që “vrasësit serialë” brenda burgjeve gëzojnë privilegje dhe liri të jashtëzakonshme (referuar një videoje ku shfaqeshin disa të burgosur me në krye Lul Berishën duke festuar me pije alkoolike, lëndë narkotike dhe celularë brenda qelisë).

“E patë ju vetë Ilir Metën, ish-president, ish-kryeministër, ish-kryetar parlamenti. Si çdo njeri tjetër, me plus minuset e veta. Por ka një gjë. Ne u ndamë nga koha e kundërshtarëve në kafaz. Ajo ishte koha e Enver Hoxhës, diktatorit më brutal. Ai i sillte në kafaz kundërshtarët politikë në sallën e gjyqit. E riktheu Edi Rama kafazin në sallën e gjyqit, ndërkohë që vrasës serialë po në atë burg festojnë çdo natë me pije, kokainë dhe orgji të tjera”, tha mes të tjerash Berisha.