FIFA është detyruar të bëjë një ndryshim të papritur në listën e arbitrave për Kupën e Botës 2026, pasi arbitri anglez Michael Oliver është dëmtuar dhe nuk do të jetë në gjendje të drejtojë ndeshjen mes Ekuadorit dhe Bregut të Fildishtë.
41-vjeçari ishte caktuar të gjykonte sfidën e Grupit E në Filadelfia, por për shkak të dëmtimit është zëvendësuar nga arbitri francez Francois Letexier.
Sipas njoftimit të FIFA-s, Oliver pritet të rikuperohet shpejt dhe të jetë sërish i disponueshëm për emërime në ditët në vijim të turneut.
Oliver është një nga gjashtë arbitrat anglezë të përzgjedhur për Botërorin 2026. Në listën e gjyqtarëve nga Anglia bën pjesë edhe Anthony Taylor, ndërsa si asistentë janë përzgjedhur Gary Besëick, Adam Nunn, Stuart Burt dhe James Mainëaring.
Me një eksperiencë të gjatë në nivelin më të lartë, Oliver arbitron në Premier League që prej vitit 2010 dhe në vitin 2018 u promovua në listën elitare të arbitrave të UEFA-s. Ai ka qenë pjesë edhe e Botërorit 2022, ku drejtoi mes të tjerash çerekfinalen mes Kroacisë dhe Brazilit, si dhe në Euro 2024.
Në Kupën e Botës 2026 janë angazhuar gjithsej 52 arbitra, 88 arbitra asistentë dhe 30 zyrtarë të VAR-it, të cilët do të ndajnë drejtësinë në ndeshjet e zhvilluara në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Komente







