Deputeti socialist Erion Malaj e ka cilësuar historike rezolutën e përbashkët të miratuar nga PS dhe PD për integrimin europian të Shqipërisë, duke thënë se dakordësia mes palëve politike jep një mesazh të fortë për qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë.

Në një bisedë ekskluzive me Report TV, Malaj tha se bashkimi i mazhorancës dhe opozitës për integrimin në BE tregon se politika shqiptare di të gjejë gjuhën e përbashkët kur bëhet fjalë për interesa kombëtare.

“Është një mesazh shumë i fortë i politikës shqiptare që kur prekin çështje të rëndësisë kombëtare siç është integrimi në BE, ne dimë të gjejmë gjuhën e përbashkët, dimë të njohim qoftë arritjet apo vështirësitë që kemi përpara. Në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme, një grup pune me përfaqësues nga opozita dhe mazhoranca kanë arritur një dakordësi që në vetvete tregon vullnetin e palëve, për të njohur arritjet dhe thërritur në angazhim Kuvendin apo Këshillin e Ministrave, për ato objektiva që kemi përpara dhe për të përballuar sfidat. Ky është një moment i rëndësishëm për t’i treguar qytetarëve dhe botës, që në një çështje të tillë nuk jemi bashkë vetëm me fjalë por edhe me vepra, prandaj gjykoj që kjo projektrezolutë është historike për politikëbërjen në Shqipëri”, tha ai.

I pyetur nëse bashkëpunimi me opozitën do të vijojë deri në përmbushjen e objektivit për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda vitit 2030, Malaj u shpreh optimist.

“Unë uroj që po. Edhe në fjalën që mbajta në seancën plenare thashë pikërisht këtë që kur kemi çështje të tilla madhore, do të duhet patjetër që të gjejmë gjuhën e përbashkët. Politika që bëjmë këtu në përditshmëri, nuk do të mbahet mend nesër. Do të jenë pikërisht këto vendime të rëndësishme që do të gjykohen dhe do të na gjykojë historia dhe e ardhmja e kombit tonë, për të parë sa seriozisht e kemi këtë fazë të rëndësishme të vendit. Prandaj jam besimplotë që kur flasim për çështje të integrimit në BE, ne duhet të jemi të prirur ta gjejmë gjuhën e përbashkët. Ju siguroj që mazhoranca e ka të gjithë dëshirën, vullnetin dhe interesin që ta ketë dakordësinë e opozitës në vendimmarrje të tilla. Kam vënë re që edhe opozita ka të njëjtin objektiv. Se sa do të arrihet, do ia lëmë kohës, por mesazhi i sotëm është shpresëdhënës”, deklaroi deputeti socialist.

Sa i përket objektivit për anëtarësimin në BE deri në vitin 2030, Malaj pranoi se faza e mbylljes së grupkapitujve do të jetë më e vështirë se ajo e hapjes, por tha se Shqipëria është në rrugën e duhur.

“Ne e dimë që tani mbyllja e grupkapitujve është një fazë më e vështirë se hapja e tyre. Ju siguroj që jemi të vetëdijshëm për të gjitha sfidat që na presin përpara. Do të jetë një punë e përbashkët, si e politikës, si e shoqërisë, si e popullit që do të duhet të kuptojë që na presin vështirësi, sakrifica të mëdha deri në momentin që do të arrijmë atë objektiv parësor që kemi që të plotësojmë ato kushte dhe kritere. Në fund nuk kërkojmë asgjë më tepër se sa anëtarësim me meritë, që Shqipëria prej vitesh po e kërkon dhe tani jemi në rrugën e duhur për ta merituar plotësisht”, tha ai.

Deputeti socialist komentoi edhe akuzat e Sali Berishës se çështja “Balluku” ka ndikuar në procesin e integrimit, duke i hedhur poshtë kategorikisht.

“Unë mendoj që BE jo vetëm që nuk merret me çështje individuale, por merret me kritere dhe punë dhe të analizon për meritën që ke. Është diçka që ndodh shpesh që sa herë shohim suksesin e mazhorancës, ka individë apo forca politike që përpiqen ta baltosin me vendime që Kuvendi i ka marrë në të drejtën e tij kushtetuese. Nuk ka ndikuar, përkundrazi aspak. Këto janë çështje të ndara. Integrimi i Shqipërisë është një çështje komplet më vete ndërsa ajo tjetra i përket drejtësisë”, u shpreh Malaj.

Rezoluta që u miratua të enjten me 114 vota pro, u dakordësua pas negociatave dhe diskutimeve të një grupi pune me përfaqësi të barabartë, Erion Malaj dhe Romina Kuko nga PS si dhe Edmond Haxhinasto e Albana Vokshi nga PD, të ndihmuar dhe nga këshilltarë të grupit demokrat e staf të drejtorisë për Integrimin të vetë parlamentit.