Dëshmia e Xhaferr Kananit, që sfidoi regjimin komunist: Në Degën e Brendshme të Shkodrës, u paraqita si major i Sigurimit, i dërguar me shërbim nga Kadri Hazbiu

Dëshmia e Xhaferr Kananit, që sfidoi regjimin komunist: Në Degën e Brendshme të Shkodrës, u paraqita si major i Sigurimit, i dërguar me shërbim nga Kadri Hazbiu

Xhaferr Kanani, personazhi i rrallë, në rrëfimin e tij për aventurën tejet të rrezikshme që ai ndërmorri në vitin 1960, atë të vetshpallurit oficer i Sigurimit të Shtetit dhe më pas të prezantimin me “kolegët” në Degën e Punëve të Brendshme të Shkodrës dhe atë të Durrësit. Edhe pas gati pesë dekadash nga ajo kohë, ai çuditej për mungesën e vigjilencës atje, pikërisht në strofkën, ku thureshin planet për arrestimet, torturat, persekutimet, burgosjet e internimet e dhjetëra shkodranëve. Xhaferri do të bëfasohej nga prezantimi dhe pritja e ngrohtë që i bënë drejtuesit më të lartë të Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, duke filluar na kryetari, kolonel Feçor Shehun, shefi i Policisë, kolonel Skënder Vinçani, shefi i Sigurimit, nënkolonel Hysen Hoxhati, etj. Pasi u bë i njohur në Shkodër, ai vendosi të vazhdonte lojën e tij të rrezikëshme edhe në qytetin e Durrësit. Shkodra do t’i jepte Xhaferr Kananit, majorit të rremë, kënaqësinë e shoqërimit të kryeministrit Mehmet Shehu, i cili vizitoi qytetin verior, në verën e vitit 1960, ndërsa, Durrësi, shoqërimin e Enver Hoxhës, gjatë përcjelljes që kreu i Partisë së Punës së Shqipërisë, Enver Hoxha, i shoqëruar nga pjesa më e madhe e anëtarëve të Byrosë Politike, kishin ardhur në qytetin bregdetar për të përcjelë, Moris Torezin, kreun e Partisë Komuniste të Francës, pas vizitës disa ditore që ai kishte bërë në vëndion tonë . Historinë e “inspektimit të tij, si i dërguar special i ministrit Kadri Hazbiu” në Shkodër dhe Durrës, janë përshkruar me detaje dhe hollësira nga vetë personazhi i shkrimit tonë, Xhaferr Kanani, në këtë intervistë të tij të gjatë, që do publikohet në disa numra.

Z. Kanani, si rrodhën ngjarjet më pas, kur ju shkuat në Shkodër dhe pasi u prezantuat si oficer i Sigurimit, u kërkuat mendim disa “kolegëve” tuaj, për fejesën që do bënit me një vajzë nga ai qytet?

Kapteri Petro Gori, tashmë mik dhe dashamirësi im, shkoi në Degën e Punëve të Brendshme dhe u raportoi shefave të tij, atë që i kishte ndodhur, pra takimin me mua. Pak a shumë, ai u kishte thënë se; gjatë punës së tij, duhej të merrej edhe me një problem, pra do të më ndihmonte mua, “kapiten të Ministrisë së Punëve të Brendshme”, për fejesën me një vajzë, të cilën ai e njihte. Kolonel Skënder Vinçani, ia raportoi menjëherë këtë histori kryetarit, Feçor Shehu, i cili urdhëroi vartësit e tij, që të më njoftonin se duhet të paraqitesha urgjentisht në Degën e Punëve të Brendshme dhe ta bisedonim këtë gjë bashkërisht.

Kapteri më takoi te Kafja e Madhe dhe më transmetoi urdhrin e eprorëve të tij. Me pak frikë dhe droje shkova, por gjithnjë më bënte përshtypje fakti, që për një fjalë goje, kapteri shkon dhe raporton. M’u duk pak e habitshme se, si mund të ndodhte kështu kur, kisha tjetër përshtypje nga jashtë, për Sigurimin e Shtetit.

Shkuat në Degën e Punëve të Brendshme të Shkodrës?

Po. Kjo është edhe më e rënde. Shkuam në Degë dhe kapteri më përcolli deri te hyrja dhe ndenji jashtë, ndërsa unë hyra brenda dhe oficeri i rojës, më shpuri tek eprori më i lartë i tij. Në zyrën ku shkova, gjeta pesë persona: Kolonel Feçor Shehun, kryetar i Degës, kolonel Mit’hat Zaçen, nënkryetar i Degës, kolonel Skënder Vinçanin, shef i Policisë së Degës dhe dy nënkolonelët, Hysen Hoxhati dhe Mehmet Sinica, njeri shef i Sigurimit dhe tjetri komandant i Policisë.

Të pestë këta persona, i përshëndeta sapo hyra në zyrë dhe po prisja të dëgjoja se përse me kishin thirrur. Pasi më kthyen përshëndetjen, më thanë të ulesha në karrige. Pas kësaj, kuptova se ajo që po përjetoja, nuk ishte një lojë që do të më kushtonte prangat, por e kishin marrë të mirëqenë gënjeshtrën time. Fjala i takonte Feçorit dhe ai menjëherë më pyeti, nëse isha oficer i Ministrisë së Brendshme. Unë pohova lehtas. Më pas e mori fjalën me një pyetje Hysen Hoxhati, i cili më pyeti, nëse punoja me Muço Saliun.

Edhe pse nuk e njihja fare këtë të fundit, përsëri, ashtu si edhe më parë pohova. Hyseni, si i Sigurimit që ishte, vijoi me një pyetje provokuese, duke dashur të dinte se si e kishte gruan Muçoja. I thashë se ashtu vazhdonte të ishte, e paqejf. Kjo përgjigje më doli natyrshëm dhe e mblodha mendjen se po të më arrestonin, s’kishte problem, pasi vetëm kaq do të ndodhte, do të prishej loja ime dhe meqë ajo ishte në hapat e parë, dënimi do të ishte më i lehtë. Pasi kalova provën e parë, nisi seria e dytë e pyetjeve, që kishin të bënin me aventurën time rinore.

Feçor Shehu, vazhdoi me një tjetër pyetje, pasi donte të dinte nëse doja të fejohesha në Shkodër. Dhashë përsëri një përgjigje pohuese. Ai më tha se në raste të tilla, oficerët e Ministrisë së Brendshme, marrin autorizim nga ministri. I thashë se e dija këtë, por ngaqë nuk e kisha përfunduar ende problemin, ndaj dhe nuk kisha shkuar ta takoja atë personalisht. Kjo e bindi Feçorin, i cili më pas urdhëroi nënkolonel Hysen Hoxhatin, për t’u marrë me këtë problem.

Ideja ishte që ai duhet të verifikonte çdo gjë në lidhje me biografinë e vajzës. Hysen Hoxhati, autorizoi dy oficerë të Sigurimit të merreshin me këtë verifikim. Dy oficerët, raportuan më pas, së biografia ishte e pastër dhe u autorizua kryerja e kësaj fejese. Ceremonia u bë më pjesëmarrjen e kuadrove të Degës së Punëve të Brendshme. Këtu u bënë edhe disa fotografi, që më pas rezultuan prova të fuqishme kundër meje dhe të tjerëve që ishin në to.

Sa kohë qëndruat në Shkodër dhe ku strehoheshit?

Si për herë të parë, qëndrova në atë qytet 15 dite. Herë kam fjetur në turizëm, por shumë herë më kanë marrë në shtëpitë e tyre oficerët e Degës së Brendshme. Njerëzit atje janë shumë mikpritës, nuk dija ku të shkoja më parë, pasi më ftonin të gjithë të sapo njohurit.

Sa herë keni hyrë gjatë kësaj kohe në Degën e Punëve të Brendshme?

Disa herë. Më merrnin dhe më pyesnin tashmë si njeriun e tyre për ndonjë problem dhe unë jepja mendimin tim. Nga “kolegët” unë mësoja shumë gjëra të rëndësishme dhe sekrete, dhe eprorët e tyre, kur më pyesnin, u thosha ato që m’i kishin thënë vartësit e tyre. Ky ishte një veprim që më shërbeu, ta shtyja ca aventurën time.

Kur shkonit në Degë, a ju kërkoi kush dokument identifikimi, apo të tjera që tregonin se kush ishe në të vërtetë? 

Jo, ky ishte dhe gabimi i tyre, i cili u bë problem më pas. Edhe unë vetë nuk e kuptoja se si kisha mundur të krijoja kaq shumë siguri për ta se isha ai që kisha deklaruar dhe jo personi “asgjë” që realisht isha.

Asnjëherë nuk e keni veshur gjatë kësaj kohe uniformën e oficerit?

Të jem i sinqertë, as që doja ta vishja, por rrethana e solli që duhet të bëja një foto oficer dhe më duhej një xhaketë me gradën e kapitenit të parë, se ashtu isha vetë deklaruar. Këtë nder ia kërkova Vasil Semës. Ai ishte kapiten i parë në Degë dhe e krijova situatën e tillë që ai, nuk mund të më refuzonte. E mora xhaketën, edhe pse kishte shumë dekorata, dhe bëra foto, e kjo ndodhet edhe sot e kësaj dite në dosjen time hetimore. Në qershor, kur u bënë disa gradime, i dhashë vetes gradën major. Dhe që nga ajo kohë më thërrisnin major. Pra isha rritur në gradë, si dhe të tjerët.

A keni ndonjë kujtim të veçantë nga qëndrimi juaj si oficer Sigurimi në Shkodër?

Kam shumë kujtime, por do të veçoja shoqërimin e kryeministrit të asaj kohe, Mehmet Shehu. Ishte qershori i vitit 1960. Po qëndroja te posta e policisë të Ura e Baçallekut. Vura re se erdhën “Gaz”-ët e Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës. Vura re kolonelin Skënder Vinçani dhe nënkolonelin Hysen Hoxhati, shumë policë dhe oficerë Sigurimi.

Befas Vinçani, më pyeti se a e dija se ishte duke ardhur Mehmet Shehu në një vizite zyrtare. I thashë se e dija dhe kështu rihyra në lojën e besimit të tyre. Vinçani më tha se, nga kodrat e Bushatit e deri në Baçallek e ruanin forcat e drejtuara nga Sulo Skëndaj, kurse nga atje e këndej duhet ta merrnin në mbrojtje personalitetin e asaj kohe forcat e Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës.

Koloneli më kërkoi mendim edhe për mënyrën e organizimit të shërbimeve dhe fola ato që mendoja. Aty e pritëm dhe kryeministrin. Me disa të tjerë, e shoqërova deri në Shtëpinë e Pritjes. Unë, shoferi i kryeministrit dhe shoqëruesi i tij, Mit’hat Gjondeda, shkuam në Shirokë dhe hëngrëm darkë. Më pas, me makinën e tyre u ktheva në hotel.

“Incidenti në Durrës i gruas së oficerit të Sigurimit me Enverin, kur kthehej nga përcjellja e Moris Torezit”

“Majori” i Sigurimit tregon ngjarjen interesante të korrikut të vitit 1960, kur drejtuesi i shtetit shqiptar të asaj kohe shoqëronte në ikje kreun e PK-së të Francës

Historia e rrallë e Xhaferr Kananit, që u vetëshpall i dërguari special i Kadri Hazbiut në Degët e Punëve të Brendshme në Shkodër dhe Durrës, vazhdon me incidente dhe takime interesante. Pas vizitës së Mehmet Shehut në Shkodër, ai do të asistonte në një tjetër ngjarje, atë të ankesës që një grua i bëri Enverit, ndërsa ky, kishte shoqëruar deri në port Moris Torezin, kreun e Partisë Komuniste të Francës. Kanani do të ishte protagonist edhe në disa situata të arrestimeve për akuza të pabazuara, të cilat, i zgjidhi në favor të personave të akuzuar. Në rrëfimin e tij, 65-vjeçari zbulon disa të meta dhe dobësi të armës më të lavdishme të sistemit të asaj kohe, Sigurimit të Shtetit.

Sa ditë qëndroi Mehmet Shehu në Shkodër?

Ndenji një ditë e gjysmë. Ai takoi drejtuesit e atij rrethi, Sule Bahollin, Bilal Parrucën dhe të tjerë drejtues atje. Pastaj ai iku dhe me grupin e shoqërimit të tij ika edhe unë deri në Vorë dhe prej andej në Durrës.

Në Shkodër ju vinit shpesh tashmë si major i vetëshpallur i Sigurimit të Shtetit. A ju kujtohet ndonjë rast kur ju është kërkuar të ndërhyni apo të jepni mendim për personat e arrestuar?

Nuk ka qenë vetëm një rast, por shumë të tillë. Do të mundohem të sjell në kujtesë disa raste ku ndërhyrja ime ka qenë deçizive, pra ka shpëtuar njerëz nga burgu. Doja të isha i mirë me atë kontingjent, pasi e dija se nesër do të isha unë si ata, me atë aventurë që kisha nisur dhe që nuk do të zgjaste shumë. Më kujtohet puna e një kapteri të Postës Kufitare të Zogajt. Dy djem që shkonin vazhdimisht të luanin futboll me ushtarët e postës ishin arratisur në Malin e Zi.

Tani ku situata është e tillë, nis hetimi për veprimtarinë e tyre, pra e kam fjalën ku rrinin, me kë rrinin deri edhe ku luanin. Kishte rezultuar se ata kishin shkuar të luanin në postën kufitare dhe diskutohej se vajtja e tyre atje, kishte qenë e qëllimshme për të parë regjimin e ruajtjes së kufirit.

Kështu u gërmua edhe për të nxjerrë përgjegjësitë dhe dihet se “topi” mbetet në hallkën e fundit të kapteri, i cili në të vërtetë, i kishte lënë djemtë e fshatit të futeshin në postë. Kur vajta me rastin e festës së Kufirit, bashkë me “kolegët” e mi të Degës së Punëve të Brendshme në Postën Kufitare, iu thashë atyre që, djemtë nuk kishin shkuar për herë të parë në postë dhe të luanin me ushtarët, ndaj mendoja se nuk duhej ta arrestonin kapterin. Në fakt kështu u bë.

A ka pasur rast tjetër?

Jo vetëm një, por edhe shumë të tjerë, por do të them edhe rastin e lirimit të dy djemve nga Shkodra, që notonin në liqen shumë thellë dhe Sigurimi mendonte se ata synonin të arratiseshin. Kur i pashë dhe mësova për atë që akuzoheshin, u thashë se, përderisa nuk kishte fakte që të provonin dëshirën e tyre për arratisje, e mira do të ishte të liroheshin. Më ka mbetur në kujtesë edhe një rast tjetër që, lidhet me akuzën që ishte ngritur për një oficer, se gjoja donte të arratisej në Mal të Zi.

Ai në fakt kishte shkuar të njerëzit e vet në Hot dhe atje ishte arrestuar. Në fakt sapo mësova se si ishte puna, prisja rastin që të më kërkonin mendim dhe kur më pyetën, u thashë se oficeri duhej të lirohej, pasi ai nuk ishte kapur në pjesën e klonit, madje as në afërsi të tij, por në Hot, e kështu nuk u mor më kush me akuzat ndaj oficerit.

Durrësi ishte “baza” juaj. Po dita e parë e qëndrimit atje pas kthimit nga Shkodra si oficer i vetëshpallur i Sigurimit, ju kujtohet?

Më kujtohet mirë. Që në fillim, “rezidenca” ime ishte porti, e gjithnjë rrija afër tij. Atje isha njohur me disa oficerë të Degës që, kishin shërbyer dikur në Shkodër dhe më pas ishin transferuar. Këta oficerë e dinin që isha fejuar në Shkodër se, njihnin disa nga njerëzit e vajzës. Nëpërmjet këtyre, u prezantova edhe me disa oficerë të tjerë të Degës së Punëve të Brendshme Durrës.

Në këtë qytet m’u la më shumë hapësirë veprimi. Në Degën e Durrësit, ishin edhe disa oficerë nga Jugu, si Kapllan Shehu, apo dhe të tjerë. Ata menduan se unë isha Xhemal Shehu, një kolonel i ushtrisë, me të cilin nuk njihesha, por më vonë kuptova se më kishin ngatërruar me të. Edhe në gjyq, këta oficerë u justifikuan me faktin se ngjaja me Xhemalin. Hajde merre vesh këtë punë tani.

Mbani mend ndonjë incident ku ju është dashur të mbani qëndrim ndaj ndonjë personi ose, të jepnit mendim për rastin?

Më kujtohet mirë një incident, që më pas u fry shumë, pra u bë problem. Atë ditë në Durrës ishte gjithë udhëheqja e Shqipërisë, pasi përcillte pas një vizite në Tiranë, Moris Torezin, kreun e Partisë Komuniste franceze. Situata ishte e vështirë pasi, marrëdhëniet me ish-Bashkimin Sovjetik ishin ftohur dhe me sa mbaj mend, vizita e tij u bë aty nga korriku i vitit 1960. Gjendesha mes oficerëve të Degës së Punëve të Brendshme të Durrësit kur, Enver Hoxha, Hysni Kapo dhe të tjerë, po shoqëronin Torezin.

Kur ai u largua, drejtuesit më të lartë të asaj kohe të Shqipërisë, po ktheheshin për te makinat e tyre. Në këtë kohë, një grua u shkëput nga turma dhe i doli përpara Enver Hoxhës e i tha atij diçka. Kjo bëri bujë dhe shumë shpejt u sqarua se, gruaja ishte e shoqja e një oficeri të Degës së Durrësit, që shërbente në sektorin e Kufirit, kishte gradën major dhe ishte nga fshatrat e Gjirokastrës. Gruan e morën dhe e shoqëruan. Ajo i kishte qarë hallin Enverit për strehim, pasi jetonin në një barake dhe në kushte shumë të vështira.

Më pas gruaja u la e lirë dhe ndërhyra që t’ia kthenin dinjitetin në vend, ta çonin atje ku e kishin marrë. Në këtë kohë, ndërsa unë isha me kapitenin V.S., vjen Kryetari i Degës së Durrësit, Kopi Niko i cili, i drejtohet me arrogancë kapitenit dhe i kërkonte llogari pse ai e kishte lënë gruan të shqetësonte udhëheqësin. Ai iu përgjigj qetë se, kishte qenë larg dhe se atje kishin qenë të tjerë, më pas ai e prezanton me mua. Ne ishim duke pirë kafe te klubi “Detari” dhe pas përgjigjes, kryetari i Degës i tha kapitenit se, duhet të paraqitej në Degë pasi kishin mbledhje.

Kopi nisi të bisedojë me mua. Ai më pyeti për detyrën në zonën e plazhit. Nisi të me bënte një bisedë, që e mora si provokim, lidhur me një shok të Byrosë Politike, i cili ishte në rezidencën e plazhit dhe kishte rekomandim nga mjeku për të bërë çdo ditë 2-3 kilometër në këmbë. Më pyeti nëse kishte ndonjë shok të mirë me vete. Unë i thashë se kishte jo një por disa dhe më vonë mësova se, në atë bisedë, bëhej fjalë për Gogo Nushin. Kështu nisi miqësia me Kopi Nikon, Kryetarin e Degës së Punëve të Brendshme të Durrësit. Duke ndenjur me kolonel Kopi Nikon, vjen Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë së Rrethit të Durrësit.

Kopi më prezantoi me të me shumë pompozitet. I tha se isha një kuadër me rëndësi dhe se për muajt e verës, do të operoja në plazh. Sami Gjebrea më dha edhe disa porosi, që lidheshin me problemet e të huajve në plazh, sidomos për turistët gjermane dhe polake. Sami Gjebrea, nisi të analizojë veprimin e gruas që i doli para Enver Hoxhës dhe tha se, fajin për këtë, e kishte shoku ynë ushtarak. Unë, duke e justifikuar oficerin, i thashë se i shoqi nuk ka ditur asgjë, se po ta dinte, nuk do ta lejonte një gjë të tillë, se ishte shok i mirë.

Kolonel Kopit, iu bë qejfi për përgjigjen që i dhashë Sekretarit të Parë dhe më mori mua në makinë dhe shkuam në Degë ku, u tha disa oficerëve se unë isha i Ministrisë së Brendshme dhe se në zonën e portit dhe atë të plazhit, ata mund të ndeshnin shumë oficerë, por se asnjë prej tyre nuk ishte si unë. E kjo ishte e vërtetë, se unë isha i vetëshpallur, të tjerët ishin në rregull, të emëruar. Madje ai iu tha se, për çdo gjë, duhet të më raportonin mua dhe ata e zbatuan urdhrin e tij.

Pas pak i kërkova leje kolonelit për të shkuar në hotel “Vollaga” dhe ai urdhëroi që të bisedohej me drejtorin, për të rezervuar për mua dhomën më të mirë. Meqë tashmë isha njohur me Operativët e Sigurimit të Plazhit të Durrësit, nisa të mësoja shumë sekrete të detyrave të tyre dhe madje jepja dhe mendim për zgjidhjen e situatave, gjë që nisa ta bëja me dëshirë se kisha filluar t’ia merrja dorën. Memorie.al

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • A. N.: 22/03/2023 09:27

    Histori gati e pabesueshme.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Protesta e Berishës, Faik Basha i PL-së e pranon: Nuk kishim shumë njerëz edhe prej motit! Haklaj: Mosbindja civile, teatër! PD bllokoi rrugët, vepër penale

Protesta e Berishës, Faik Basha i PL-së e pranon: Nuk kishim shumë njerëz edhe prej motit! Haklaj: Mosbindja civile, teatër! PD bllokoi rrugët, vepër penale