Dëshmia tronditëse e Agim Mustës: Viktimat e rrëmbyera nga ‘Skuadra e vdekjes’ i torturonin mizorisht me thika e hanxharë, kurse gjymtyrët ua…

Dëshmia tronditëse e Agim Mustës: Viktimat e rrëmbyera nga ‘Skuadra e vdekjes’ i torturonin mizorisht me thika e hanxharë, kurse gjymtyrët ua…

Në përvjetorin e katërt të ikjes nga jeta të historianit, studiuesit, shkrimtarit dhe publicistit të njohur Agim Musta,  (24 Korrik 2019), ish – i burgosur politik, vajzat e tij Elizabeta dhe Suela, i dhanë të drejtën e ekskluzivitetin për botim, medias online Memorie.al, të një prej botimeve më të spikatura të autorit, siç është ‘Libri i zi i Komunizmit Shqiptar’. Kjo vepër, mban të dhëna, dëshmi, fakte, statistika dhe argumente të shumta e të panjohura për publikun e gjerë, mbi krimet dhe terrorin komunist në Shqipëri, veçanërisht ndaj intelektualëve, në periudhën 1945-1991. Botimi për herët të parë të pjesëve të këtij libri, është dhe realizimi i një prej amaneteve të historianit Agim Musta, i cili, që nga fillimi i vitit 1991 e deri sa ndërroi jetë, për afro tre dekada u angazhua me të gjitha fuqitë e tij, duke punuar për ngritjen e kujtesës kolektive, përmes botimeve me libra dhe publikimeve në shtypin e përditshëm.

E gjithë ajo punë voluminoze e z. Agim Musta, e konkretizuar në disa libra, është një kontribut me vlera të mëdha, për zbardhjen e krimeve të regjimit komunistë të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia. Një pjesë e mirë e botimeve të z. Agim Musta, është e përkthyer dhe në anglisht. Duke falenderuar dy vajzat e të ndjerit Musta, që zgjodhën Memorie.al, për të përkujtuar babanë e tyre, nga sot po fillojmë publikimin pjesë pjesë, të ‘Libri i zi i Komunizmit Shqiptar’.    

-Portrete bashkëvuajtësish-

                                                                   (1945-1991)

Vende ku duhet të ndizen qirinj dhe të ngrihen lapidarë

Fill mbas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, me urdhër të Kominternit, në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore u krijuan “Skuadrat e djemve të Leninit” që populli i quante “Skuadrat e vdekjes”. Pjesëtarët e këtyre skuadrave ishin sadistë të lindur, ose kriminelë profesionistë, të dalë nga burgjet mbas shembjes së perandorive Austro-Hungareze dhe gjermane.

“Skuadrat e djemve të Leninit”, drejtoheshin nga militantë fanatikë komunistë gjermanë, austriakë, hungarezë, grekë, polakë, bullgarë, lituanezë, letonezë, estonezë, etj., që kishin marrë pjesë në Revolucionin Bolshevik të Tetorit. Ata pasi u përgatiten për disa muaj në Rusi, për të kryer akte terroriste, në vitin 1919, u dërguan nga Kominterni në vendet e tyre për të asgjësuar armiqtë e komunizmit.

“Skuadrat e vdekjes”, vepronin në fshehtësi të madhe, për të vrarë intelektuale dhe persona të rëndësishëm, që ata i gjykonin si pengesa për vendosjen e pushtetit të sovjetëve. Si mjete në veprimtarinë e tyre kriminale, ata përdornin armët e zjarrit, eksplozivët, armët e ftohta, helmet e sofistikuara dhe paratë-flori, që Moska nuk i kursente për punë të tilla.

“Skuadrat e vdekjes”, nuk i jepnin llogari asnjë forumi partiak. Drejtuesit e tyre raportonin direkt pranë Sekretari të Kominternit në Moskë. Brenda 6 muajve të vitit 1919, “Skuadrat e djemve të Leninit”, në Hungari, ekzekutuan 500 personalitete, nga të gjitha fushat e jetës hungareze.

“Skuadrat e vdekjes”, u krijuan edhe në Shqipëri fill mbas krijimit të Partisë Komuniste të Shqipërisë me 8 nëntor 1941. Drejtuesit e “Skuadrave të vdekjes”, u përgatitën nga emisarët jugosllavë. Pjesëtaret e këtyre skuadrave, ishin të panjohur, jo vetëm nga partizanët e thjeshtë, por edhe nga kuadrot e larta të Partisë Komuniste.

Ja se ç’pohon Masar Shehu, ish-zv/komisar i Grupit partizan të Pezës: “Unë nuk isha në dijeni për veprimet e asaj skuadre dhe për anëtarët që bënin pjesë në të. Kisha dëgjuar se ajo drejtohej nga ‘Shulja’ (pseudonimi i Kristo Themelkos) dhe ai nuk i jepte llogari askujt për vrasjet që kryente”.

“Skuadra e vdekjes” e Pezës, zhvillonte veprimtarinë e saj në Tiranë, Durrës, Kavajë dhe Peqin. Nga kjo skuadër janë rrëmbyer e torturuar mizorisht, shumë qytetarë të pafajshëm. Midis tyre po përmendim studentët universitarë Besnik Çano dhe Qeramudin Sula, të cilët u masakruan në shtator të vitit 1943. Kufomat e tyre i hodhën në humnerë, pranë fshatit Cikallesh.

Në qarkun e Korçës, “Skuadra e vdekjes” drejtohej nga ish-furrxhiu terrorist, Niko Çeta. Kjo skuadër ka masakruar në tetor të vitit 1943, Baba Zylfon e Teqesë së Turanit, së bashku me 3 persona të tjerë, që ndodheshin atë natë në teqe. Viktimat e rrëmbyera nga kjo skuadër, në vende të ndryshme të qarkut të Korçës, dërgoheshin në katundin Shipckë, 20 km. në jugperëndim të qytetit. Atje torturoheshin mizorisht, duke u prerë me thika, hanxhare e sëpata gjymtyrët e trupit, organet gjenitale, veshët, gishtat etj.

Mbas vendosjes së demokracisë, në përroin e Shipckës janë gjetur një sasi e madhe skeletesh me koka të prera dhe në disa kocka këmbësh e duarsh, kishte gozhda të ngulura në to, fakt ky që dëshmon kryqëzimin e viktimave para vdekjes. Këto skelete vërtetojnë fjalët që qarkullonin vesh më vesh, se në katundin Shipckë, gjatë viteve 1942-1943, ka qenë një thertore njerëzish, ku janë masakruar shumë të pafajshëm nga “Skuadra e vdekjes”, e Qarkorit Komunist të Korçës.

Në Qarkun e Gjirokastrës, “Skuadra e vdekjes” drejtohej nga Pertef Kokona dhe Sherif Baboçi. Vendi ku rrëmbeheshin viktimat ishte Ura e Kardhiqit, 14 km. në veri të qytetit të Gjirokastrës. Sipas të dhënave që merrte nga Qarkori Komunist i qytetit, “Skuadra e vdekjes”, zinte pritë në afërsi të Urës së Kardhiqit dhe zbriste me përdhunë nga automjeti viktimën që do të ekzekutonte.

Personi i ndaluar shoqërohej në një kasolle në afërsi të fshatit Plesat dhe atje, mbasi e torturonin mizorisht, e vrisnin dhe e hidhnin në një përrua që ndodhej në afërsi të kasolles. Këtu janë vrarë gjatë vitit 1943, avokati 65-vjeçar Petro Dilo, kryetari i komunës, Riza Kardhiqi, nënoficeri i policisë, Eqerem Angoni, tregtari Mihal Lito, e shumë të tjerë.

Në maj të vitit 1943, te Ura e Kardhiqit u rrëmbye nga “Skuadra e vdekjes” Ali Këlcyra, udhëheqësi i “Ballit Kombëtar” për Shqipërinë e Jugut. Komunistët, duke ditur popullaritetin, që Ali Këlcyra gëzonte në qarkun e Gjirokastrës, nuk e asgjësuan menjëherë, siç vepronin zakonisht me viktimat e tjera, por e mbajtën të izoluar për disa ditë, për të parë reagimin e popullit ndaj veprimit të tyre.

Me t’u hapur lajmi i rrëmbimit të Ali Këlcyrës, disa qindra luftëtarë të armatosur nga “Balli Kombëtar”, iu drejtuan shtabit komunist të Qarkut të Gjirokastrës, duke kërcënuar për hakmarrje masive, në qoftë se do të vritej Ali Këlcyra. Qarkori Komunist i Gjirokastrës, i frikësuar nga reagimi i furishëm i “Ballit Kombëtar”, urdhëroi lirimin e Ali Këlcyrës dhe shpërndarjen e një trakti, ku thuhej, midis të tjerash, se; Ali Këlcyra nuk ishte rrëmbyer në Urën e Kardhiqit, për ta vrarë, por për të “zhvilluar bisedime”.

Në Qarkun e Vlorës,”Skuadra e vdekjes” u krijua në maj të vitit 1943, nga sekretari i qarkorit komunist, Hysni Kapo. Pjesëtarët e kësaj skuadre u mblodhën në një shpellë të errët, në afërsi të fshatit Terbaç, që quhet “Shpella e Shirokës”. Komandant i skuadrës u caktua Mehmet Jaho me pseudonimin “Luftar Bolena”, të cilin e zëvendësoi më vonë Shyqyri Alimerko.

Nga kjo skuadër, është asgjësuar një numër i madh personash, të rrëmbyer ose të vrarë në prita pabesie. Gjahu i preferuar i “Skuadrës së vdekjes”, të Qarkut të Vlorës kanë qenë luftëtarët e “Çetës Plakë” të Vlorës, anëtarë të grupit komunist të “Të rinjve” dhe nacionalistë antikomuniste.

Po përmendim disa nga viktimat që “Skuadra e vdekjes”, ka ekzekutuar në qarkun e Vlorës: Neki Ymeri, Xhafer Dalani, Mynir Xhindi, Shaskë Rustemi, Gjysh Premtaj, Flamur Xhindi, Rrapo Premti, Veledin Kocaqi, Sulejman Aliaj, Arap Shenaj, Namik Numani, Shefqet Nuraj, etj. Viktimat që kapeshin, të gjallë ose të plagosur, masakroheshin barbarisht (siç është rasti i Meço Çobaj, që u dogj i gjallë në stivën e druve) dhe hidheshin në një përrua, midis katundeve Tërbaç dhe Brataj.

Për pozicionin gjeografik të tij, qytetit të Elbasanit iu kushtua një vëmendje e posaçme nga Partia Komuniste e Shqipërisë, qysh në themelimin e saj. Më 20 nëntor të vitit 1941, në Elbasan u formua celula e parë komuniste, e përbërë nga 8 anëtarë, 5 prej të cilëve kishin qenë anëtarë të Grupit Komunist të “Të Rinjve”, themeluar nga Sadik Premte dhe Anastas Lulo, me pseudonimet “Xhepi” dhe “Qorri”.

I deleguar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë, që drejtonte mbledhjen e celulës, ishte Ramadan Çitaku, i njohur si përkrahës i jugosllavëve dhe si krahu i majtë i Miladin Popoviçit dhe Dushan Mugoshës. Ramadan Çitaku (me pseudonimin “Baca”) shërbente jo vetëm si përkthyes i emisarëve të Partisë Komuniste Jugosllave, të dërguar në Shqipëri, gjatë periudhës 1941- 1944, por ai dërgohej edhe me shërbime të posaçme, nga emisarët jugosllavë, në vende të ndryshme të Shqipërisë.

Në prill të vitit 1942, Ramadan Çitaku, së bashku me Vasil Shanton (malazez me origjinë), shkojnë në Elbasan dhe formojnë “Skuadrën e vdekjes”. Si komandant i saj u caktua komunisti i devotshëm Petrit Hakani. Giatë viteve 1942-1943, në katundin Labinot të Elbasanit, ishin vendosur një pjesë e madhe e anëtarëve të Komitetit Qendror të P.K. të Shqipërisë dhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare.

“Skuadrës së vdekjes” iu ngarkua si detyrë parësore, nga Ramadan Çitaku, asgjësimi i kuadrove të partisë të qarkut të Elbasanit, që kishin patur fërkime me Enver Hoxhën dhe Miladin Popoviçin.

Duhet theksuar, se shumica e kuadrove të Qarkorit Komunist të Elbasanit, vinte nga “Grupi Komunist i të Rinjve”. U vranë prapa shpine, Mehmet Bajraktari – ish-komandanti i parë i njësitit gueril dhe vëllai i tij, Hasan Bajraktari, ish-komandant batalioni partizan. Të dy vëllezërit Bajraktari, që ishin me orgjinë nga Kosova, ia kishin thëne në sy Enver Hoxhës dhe Miladin Popoviçit, se ishin për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

“Skuadra e vdekjes”, përveç plumbit, helmit dhe thikës, për asgjësimin e elementëve të padëshiruar, përdorte edhe kallëzimin në policitë pushtuese. Nëpërmjet kallëzimit, u asgjësuan Tomor Sinani, sekretar politik i Qarkut të Partisë Komuniste të Elbasanit dhe Fetah Ekmekçiu, mbajtësi i thesarit të Shtabit të Përgjithshëm.

Sadik Premtja (“Xhepi”), në një intervistë që i ka dhënë revistës franceze “Sou le drapeau du socialisme” (Nën flamurin e socializmit), në vitin 1956, në Paris, ka deklaruar: “Nga Grupi Komunist i të Rinjve, gjatë viteve 1942-1944, janë vrarë tradhtisht, me urdhër të lukunisë së ujqve të Enver Hoxhës, mbi 100 pjesëtarë të tij”,

Nga “Skuadra e vdekjes” e Elbasanit, janë vrarë dhe shumë intelektualë nacionalistë, si; doktor Orizaj, Xhafer Begolli, etj. Vendi ku torturoheshin dhe ekzekutoheshin viktimat, ishte një shtëpi, në afërsi të Llixhave të Elbasanit.

Shënim: “Skuadrat e vdekjes” kanë ekzistuar edhe në prefekturat e Shkodrës e të Beratit, por për mungesë informacioni, nuk mund të shkruajmë për krimet e kryera prej tyre.

Grevat e urisë në burgjet dhe kampet me punë të detyruar, gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri, 1945-1991

Grevat e urisë janë përdorur nga të burgosurit politikë të Shqipërisë si një mjet proteste ndaj përdorimit të dhunës dhe shkeljes të të drejtave më elementare të të dënuarve politikë, nga personeli i kampeve dhe i burgjeve, që ishte nën varësinë direkte të Ministrisë të Punëve të Brendshme. Greva e urisë ishte arma e fundit e të burgosurit ndaj dhunës arbitrare të komandave të burgjeve dhe të kampeve me punë të detyruar, të cilat shpesh nuk i respektonin edhe rregulloret e hartuara nga Drejtoria e Kampeve dhe Burgjeve.

Mund të pohojmë me bindje të plotë se në të 100 burgjet dhe kampet me punë të detyruar, që kanë ekzistuar në Shqipëri, në kohën e diktaturës enveriane, janë bërë vazhdimisht greva urie, individuale dhe kolektive, të cilat janë shtypur me dhunë barbare, ose kanë përfunduar me vdekjen e grevistëve të urisë, si rasti i ish-Ministrit të Arsimit, Xhevat Korça, në burgun e Burrelit, e juristit Vasil Zisi në burgun e Korçës, e Sami Emirit në burgun e Gjirokastrës, e një arkeologu francez për kërkime nënujore në qelitë e Sigurimit të Vlorës, e shumë të tjerë që kanë mbetur të paidentifikuar. Shpesh grevat e urisë fillonin qysh në qelitë e hetuesisë, kur i arrestuari e quante veten krejtësisht të pafajshëm, arrestimin e tij arbitrar dhe absurd.

Zakonisht, mbi grevistin e urisë, që refuzonte marrjen e ushqimit gjatë zhvillimit të hetuesisë, ushtrohej dhunë barbare për ta detyruar të arrestuarin të ndërpriste grevën e urisë. Kur personi i arrestuar, që shpallte grevë urie ishte funksionar i rëndësishëm (VIP), i partisë – shtet dhe hetuesit mendonin se do të zbulonin ndonjë veprimtari të rëndësishme armiqësore, e dërgonin të pandehurin në spitalin-burg të Tiranës, ku mbahej i izoluar në dhoma të veçanta, i lidhur këmbë e duar, duke i bërë serume për ta mbajtur gjallë.

Në këtë rast vlen të përmendet rasti i funksionarit të lartë të partisë-shtet, Xhavit Qeses, që vazhdoi grevën e urisë, në spitalin-burg të Tiranës, për 107 ditë, duke e ushqyer forcërisht me serume. Greva e urisë përdorej edhe nga të burgosur politikë të sëmurë, që nxirreshin me detyrim në punë, pa marrë parasysh nga komandat e kampeve, as raportet e mjekëve.

Në dimrin e vitit 1965, në kampin-burg të minierës së Bulqizës, komanda e kampit nxori në punë forcërisht mbi 500 të burgosur të sëmurë me grip me temperaturë mbi 38 gradë. Të burgosurit e sëmurë, kur u kthyen nga puna, refuzuan të merrnin ushqimin dhe përmbysën kazanët e gjellës. Greva e urisë përfshiu të gjithë të burgosurit dhe vazhdoi 3 ditë. Komanda e kampit e frikësuar se situata mund të komplikohej edhe më tej, me urdhër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, vendosi që të linte pushim në kamp të gjithë të burgosurit që kishin temperaturë mbi 37 gradë.

Po kështu edhe në kampet e tjera kanë hyrë në grevë urie shumë të dënuar të sëmurë që nxirreshin forcërisht në punë, si; Qazim Puka, Dilaver Radëshi e të tjerë. Në grevë urie kanë hyrë edhe të dënuar që kërkonin respektimin e rregulloreve të burgut nga vetë personeli i komandës, që e shkelnin me të dy këmbët për t’ia u bërë më të zezë dhe më të padurueshme jetën e tyre në burgje. Në grevë urie hynin dhe individë për arsye personale intime, që s’i dinte askush dhe shumë prej tyre vdisnin pa u marrë vesh, motivin e grevës së tyre si: Izet Hadëri në burgun e Tiranës, Cufe Mullai në burgun e Vlorës, Ilia Kondololi në kampin e Vlashukut, etj.

Kur të burgosurit refuzonin të dilnin në punë, mbi ta përdorej dhunë masive dhe të burgosurit i përgjigjeshin dhunës me greva urie masive. Kështu ka ndodhur në vitin 1952, në kampin me punë të detyruar të aeroportit të Kuçovës, ku 600 të burgosur të dhunuar, u hodhën në greve urie që vazhdoi 7 ditë. Po kështu ka ndodhur edhe në kampin e Gjadrit në vitin 1955, ku disa qindra të burgosur grekë, u hodhën në grevë urie për të mos dalë në punë. Kundër tyre u përdor jo vetëm dhuna, por u hap edhe zjarr nga rojet, duke vrarë disa fatkeq, kurse shumë të tjerë u vetëflijuan, duke u hedhur në telat e rrethimit.

Greva e urisë është përdorur nga të burgosurit edhe si formë proteste ndaj kurtheve, që komanda e burgjeve organizonte për asgjësimin e të burgosurve elitarë. Kështu ka ndodhur në Kampin e Bedenit, në vitin 1947, ku komandanti, Haxhi Pela, organizoi një komplot për vrasjen e më se 20 intelektualëve të burgosur, se gjoja ata do të arratiseshin, kur të shkonin të mbushnin ujë jashtë rrethimit të kampit. Kurthi i kurdisur nga sadisti Haxhi Pela, u dekonspirua dhe të burgosurit, shpallën grevë urie, duke kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, sigurim jete.

Haxhi Pela u transferua në një vend tjetër dhe të burgosurve iu tha se a gjoja u ndëshkua për marrëzitë që desh të bënte: Grevat e urisë u bënë më të shpeshta në burgjet dhe kampet me punë të detyruar, pas vdekjes së diktatorit Hoxha në vitin 1985. Kërkesat e të burgosurve që hidheshin në grevë urie, pas vitit 1985, filluan të kishin dhe karakter politik. Në shumë burgje dhe kampe me punë të detyruar, si në atë të Burrelit, Spaçit, Qafë Barit, Përparimit (Sarandë) etj., të burgosurit kërkonin shqyrtimin e vendimeve gjyqësore të padrejta, ndalimin e punës së detyruar që binte ndesh me vendimet e OKB-së, për të drejtat e njeriut dhe të tjera kërkesa demokratike, që ishin në kundërshtim me legjislacionin komunist të kohës.

Grevat e urisë e të burgosurve politikë morën përmasa masive në vitin 1990 dhe sidomos pas vizitës që bëri në Shqipëri, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, zoti Peres de Kuelar. Shtetit gërmadhë të Diktaturës së Proletariatit në Shqipëri, i kishte ardhur fundi. Lira e shumëpritur, po trokiste rëndshëm edhe në dyert e hekurta të burgjeve shqiptare, që për gjysmë shekulli, ishin kthyer në simbole tmerri dhe vdekjeje.

Më 20 shtator të vitit 1991, 90 të burgosur politikë të ardhur nga mbarë Shqipëria, shpallën grevën e urisë në “Rrugën e Kavajës” te stadiumi i lojërave me dorë i ashtuquajtur “Parku i xha Tomi”. Nën presionin e grevës së urisë, që vazhdoi 10 ditë, Parlamenti Shqiptar, më 30 shtator të vitit 1991, me votim unanim iu dha pafajësinë të gjithë të burgosurve politikë dhe të dënuarve nga regjimi diktatorial komunist. Më poshtë po botojmë emrat e ish të burgosurve politikë pjesëmarrës në grevën e urisë të shtatorit të vitit 1991:

1 Viktor Martini, 2. Haki Bulku, 3. Agron Dakaj, 4. Vladimir Xhelo, 5. Gjergji Qonuku, 6. Bardhy1 Lohja, 7. Demir Abazi, 8. Paulin Ndoja, 9. Kadri Rama, 10. Maqo Karaj, 11. Ferdinand Metaj, 12. Gëzim Behaj, 13. Fatmir Lekasi, 14. Agron Talo, 15. Hysen Tabaku, 16. Ilirian Çerepi, 17. Hysen Daka, 18. Maliq Dibra, 19. Tomor Gora, 20. Haxhi Sula, 21. Shkëlqim Basha, 22. Ilir Malaj, 23. Agron Kalaj, 24. Ded Matosha, 25. Agostin Çoku, 26. Martin Mustafaraj, 27. Bedri Blloshmi, 28. Napoleon Koleci, 29. Hasan Durishti, 30. Odhise Mërtiri, 31. Hekuran Skuka, 32. Riza Elezi, 33. Ilir Isufi, 34. Vladimir Kosturi, 35.Leonard Lamja, 36. Maksut Xhumaka, 37. Ahmet Tufa, 38. Pano Taçi, 39. Perparim Alimadhi, 40. Hysen Xhiku, 41. Dhimiter Dhaskali, 42. Alfred Konopi, 43. Agron Alimadhi, 44. Dhimitër Paskali, 45. Alfred Konomi, 46. Arben Jaho, 47. Arben Driza, 48. Sami Lushaku, 49. Haxhi Baxhinovsi, 50. Rapush Çela, 51. Reshat Qosja, 52. Islam Cenko, 53. Paskal Simaku, 54. Sulejman Doda, 55. Qazim Toro, 56. Andra Barbullushi, 57. Skënder Bariu, 58. Xhemil Demi, 59. Nikolin Keka, 60. Ahmet Hogu, 61. Tom Beqari, 62. Skender Ymeri, 63. Shtjefën Lacuku, 64. Medi Dakoli, 65. Ramadan Demiri, 66. Pjetër Logoreci, 67. Shkëlqim Kurti, 68. Veli Haxhiraj, 69. Arben Sengla, 70. Halim Qejvani, 71. Shik Stërmasi, 72. Ali Kulla, 73. Ylli Iliazi, 74. Emror Koleci, 75. Gjeto Vukçaj, 76. Qazim Visha, 77. Besim Valteri, 78. Mezan Abazi, 79. Fatos Kërluku, 80. Adem Xhaferri, 81. Mersin Vlashi, 82. Veniamin Ranxho, 83. Fadil Daja, 84, Hysen Haxhiaj, 85.Haxhi Malaj. Memorie.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja