TIRANË- Mbledhja e Komisionit Hetimor për Shëndetësinë ka dështuar për herë të tretë. Deputetët e Partisë Socialiste nuk u paraqitën sërish në mbledhje e sotme, ku pritej që të miratohej plani i hetimit 3 javor si edhe kërkesat për informacion. Kjo është hera e tretë që mungojnë anëtarët socialistë, ndërsa opozita e sheh si një përpjekje për të bllokuar hetimet për dy koncesionet në Shëndetësi, sterilizimin dhe check up.
Kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi tha se do t’i drejtohen me një kërkesë kryeparlamentares Lindita Nikolla që të sigurojë mbarëvajtjen e mbledhjes. Në të kundërt, nëse socialistët mungojnë edhe një herë tjetër, Vokshi tha se do kërkojnë zëvendësimin e tyre siç e parashikon ligji.
"Bardhi si kreu i grupit do i dërgojë një letër kryetares së Kuvendit, duke i kërkuar që të marrë masat se është përgjegjësi e Nikollës që të marrë masat për mbarëvajtjen e punës së këtij komisioni. Nëse deputetë mungojnë më shumë se tre herë pa arsye të ligjshme duhen larguar nga komisioni dhe zëvendësuar me të tjerë. Kjo është hera e tretë që 8 deputetë mungojnë pa arsye të paligjshme, ndaj nëse mungojnë edhe njëherë do kërkojmë largimin e nënkryetarit dhe sekretarit dhe të marrin masa për anëtarët e tjerë të komisionit", tha Vokshi.
Mungesën e socialistëve, deputetja demokrate Ina Zhupa e sheh si një demaskim të interesit të tyre për të bllokuar punën e komisionit.
"Nuk ka as lajm as surprizë. Kjo nuk është një pamje normale ku mazhoranca të bojkotojë një vendim që e ka marrë edhe vetë. Kanë harruar që e vërteta vonon, por nuk harron. Drejtësia do vihet, ne do arrijmë t’i marrim ato informacione, do bëjmë publike çdo gjë siç e kemi bërë edhe para. Kështu po demaskojnë veten e tyre, interesin për të bllokuar këtë komision", tha Zhupa.
Pa e prezantuar publikisht në mbledhje, Vokshi tha se është depozituar në Kuvend plani hetimor i këtij komisioni, i konsultuar vetëm me 2 ekspertët ligjore të opozitës dhe pa dyshen e mazhorancës.
"Është kërkuar të shtyhet brenda datës 15 prill, dhe shqyrtimi paraprak deri më 20 prill, të pyeten dëshmitarët deri më 10 qershor", u shpreh Vokshi.
Në mungesë të një vendimi të unifikuar të komisionit me deputetët socialist, Vokshi tha se ka gjetur mënyrën për të dorëzuar kërkesat për informacion ndaj institucioneve që mendohet se kanë lidhje me 2 koncesionet e dhëna në shëndetësi
“Janë dërguar mbi 40 kërkesa dhe po vijojnë të dërgohen, e kemi bërë në statusin e deputetit, se s’na lejojnë të përdorim logon e komisionit hetimor se duhen vendime të ndërmjetme- po ne kemi gjetur hapësirë tjetër”, tha Vokshi.
E pyetur përse Rithemelimi hoqi dorë nga 2 koncesione të tjera, hemodializën dhe laboratorët spitalorë të përfolura pas 1 emri të vetëm, Klodian Allajbeu të Spitalit Amerikan, përgjigjen Vokshi e gjeti tek ngarkesa e punës që do kishte komisioni në hetimin e 4 koncesioneve.
Insistimit për të marrë përgjigje se pse komisioni nisi punën me 2 koncesionet që në fakt SPAK i ka në dorë dhe jo ndaj 2 kontratave që nuk janë në hetim penal, Vokshi iu përgjigj duke sulmuar Prokurorinë e Posaçme.
“Ne kemi rezervat tona ndaj hetimeve përsa i përket hetimeve për sterilizimin. Është korruptive kjo që ka bërë Beqaj, dhe është dërguar nga SPAK me shpërdorim detyre, ndërkohë s’ka akuzë dhe s’është hetuar ish-ministrja Manastirliu”, tha Vokshi.
Rruga e ngërçit në këtë komision mori rrugë që në nisje, kur nënkryetari Pslarent Ndreca i kërkoi Albana Vokshit të mos marrë vendime të pa konsultuara, të mos dërgonte kërkesat për informacion pa i dakordësuar me ekspertët e të dyja palëve dhe të mos detyronte anëtarët të firmosnin formularin për konfliktin e interesit, pa u mësuar më parë se cili ishte plani i hetimit të komisionit.
Në listën për tu thirrur dëshmitarë në komisionin hetimor për koncesionet në shëndetësi është dhe kryeministri Edi Rama, dy ish-ministrat e Shëndetësisë, ilir Beqaj dhe Manastirliu, zyrtarët e përfshirë në procedurat e tenderëve dhe ortakët e dy koncesioneve.
Plani i hetimit te komisionit hetimor per sterilizimin dhe check up
Kryetarja e Komisionit Hetimor për koncesionet në Shëndetësi, Albana Vokshi, në një deklaratë për mediat hodhi akuza ndaj PS se po përpiqet të bllokojë punën, pasi deputetët socialistë munguan [për herë të 3 tretë në mbledhje. Vokshi tha se do i dërgohet Lindita Nikollës letër që të merren masa për mbarëvajtjen e punës së komisionit, si edhe do të kërkojnë largimin e anëtarëve socialiste nëse mungojnë sërish.
"E kanë ngritur komisionin për ta dështuar, për ta bllokuar. Çdo mbledhje bojkotohet nga mazhoranca se s’duan që të zbardhen aferat korruptive kriminale në Shqipëri, check up dhe sterilizimi. 7 deputetët të opozitës me firma kanë thirrur mbledhjen e Komsionit. Prania e deputetëve të mazhorancës sot është e detyrueshme, nuk zgjedhin. Neni 32 pika 2 e detyron. Neni 12 pika 1 thotë mbledhjet thirren dhe vetëdrejtohen nga kryetari.
E kam thirrur mbledhjen bazuar në ligj dhe për herë të tretë e kanë dështuar. Me urdhër të Ramës ata po bojkotojnë punimet dhe hetimet parlamentare. Kanë shkelur rregulloren, Kushtetutën. U bëj thirrje që të mos ndjekin porosinë e Ramës që nuk do hetim parlamentar.
Për shkak se janë refuzuar që të marrin pjesë, janë dërguar mbi 40 kërkesa për të mos bllokuar punën. Gazment Bardhi do i dërgojë një letër Kryetares së Kuvendit për të marrë masa, në mënyrë që mund të bëjmë hetimin parlamentar dhe do të vërë në dijeni të gjitha ambasadat dhe komunitetin ndërkombëtar për këto parregullsi”, tha Vokshi.
E pyetur nga gazetarët se përse opozita hoqi dorë nga dy koncesionet e tjera në Shëndetësi, të laboratorëve mjekësore dhe hemodializës. Vokshi tha se do kërkojnë hetim parlamentar dhe se nuk kanë hequr dorë.
“Jam këtu për t’iu bërë me dije çdo hap s ai përket kom hetimor që është ngritur me vendim të kuvendit për sterilizimin dhe check up, janë në funksion të kryetares së komisionit. Ne jemi serioz, kemi dorëzuar sot planin hetimor se deputetët e mazhorancës me ligjin që kanë bërë kanë dashur te ngrenë komision ekspertësh në tentativën për të bllokuar punën. Plani paraprak që e kam bërë publik, e kemi diskutuar dhe kemi bërë ndryshimet me ekspertët dhe e kemi dorëzuar. Sa i përket dy koncesioneve të tjera, do vijojmë me këto të dyja sa kohë është përcaktuar afati i punës 4 mujor për këto të dyja. Me të mbaruar afati shpresojmë që mazhoranca s’do na pengojë për të kryer hetimin parlamentar. Pas kësaj do vijojmë edhe me kërkesat për dy koncesionet e tjera. Nuk kemi hequr dorë. Në 4 muaj është e pamundur të hetojmë 4 koncesione. Do hetohen edhe ato, nuk kemi hequr në dorë”, tha Vokshi.
Vokshi hodhi akuza se Ilir Beqaj ka marrë një tender tjetër para 3 ditësh, ndonëse është në hetim nga SPAK.
“Ne kemi rezervat tona ndaj hetimeve përsa i përket hetimeve për sterilizimin. Ka edhe një raport nga SPAK-u, ka akuza konkrete, është çuar për shpërdorim detyre ish-ministri Beqaj, ndërkohë s’ka akuzë dhe s’është hetuar ish-ministrja Manastirliu.
Është qëllimi ynë të ndihmojmë edhe SPAK, siç GJKKO kërkojë të hetojë edhe Beqajn. Ndërkohë beqaj shëtit nëpër rrugët e Tiranës dhe vijon merr tenderë. Intech plus 320 mln lekë, para 3 ditësh e ka marrë Beqaj”, tha Vokshi.