Granit Pepnika është arrestuar në një resort në Dhërmi. Ai ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria e Tiranës si njeriu që qëndronte në krye të skemës së mashtrimit të qindrave qytetarëve përmes Call Center-ve - që kanë humbur deri në 50 milionë euro. 

Sipas informacioneve operacioni u krye nga Drejtoria Vendore dhe Forcat Operacionale të Vlorës. Të njëjtat burime bëjnë me dije se Pepnika me origjinë nga Tropoja nuk bëri rezistencë gjatë arrestimit të tij.

Veç Pepnikës, është arrestuar edhe 31-vjeçari Xhoni Hitaj. Në vilën ku ata qëndronin, janë sekuestruar një pistoletë dhe kanabis. Në Tiranë, u vu në pranga edhe bashkëpunëtori i tyre, Redion Rexhmati, 28 vjeç, i cili i kishte ndihmuar të fshiheshin.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar "Rrjetet".

Operacioni u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, pas ndjekjes me metoda proaktive të veprimtarisë kriminale.

Kapen në Drimadhë dy shtetas të shumëkërkuar, të shpallur në kërkim për mashtrim kompjuterik, të dyshuar për përfitimin e shumave të mëdha monetare nëpërmjet skemave të call center-ave.

Vihet në pranga edhe një shtetas për përkrahje të autorit të krimit.

Gjatë kontrollit në vilën ku qëndronin u sekuestruan një armë zjarri pistoletë dhe një sasi lënde narkotike, e dyshuar cannabis sativa.

Si rezultat i ndjekjes me metoda proaktive të veprimtarisë kriminale, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar "Rrjetet".

Në kuadër të këtij operacioni, mesditën e sotme, në zonën e Drimadhës, u kapën shtetasit G. P., 29 vjeç, dhe Xh. H., 31 vjeç, të shpallur në kërkim.

Shtetasi G. P., 29 vjeç, kërkohej pasi, me vendim të datës 30.04.2026, Gjykata e Tiranës i kishte caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", si i dyshuar për veprën penale "Mashtrimi kompjuterik".

Shtetasi Xh. H., 31 vjeç, kërkohej pasi, me vendim të datës 13.04.2026, Gjykata e Tiranës i kishte caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", si i dyshuar për veprën penale "Mashtrimi kompjuterik".

Gjatë kontrollit të ushtruar në vilën ku qëndronin, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë, si dhe një sasi lënde narkotike, e dyshuar cannabis sativa.

Në momentin e arrestimit të këtyre shtetasve u kap dhe u arrestua në flagrancë, për veprën penale "Përkrahja e autorit të krimit", shtetasi R. R., 28 vjeç, banues në Tiranë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Kur u godit rrjeti i Call Center-ave mashtrues?

Operacioni për goditjen 3 e call center-ave mashtrues u krye në prill të këtij viti pas një hetimi dy vjeçar me të Prokurorisë së Tiranës në bashkëpunim me autoritetet austriake.Gjatë këtij aksioni, u sekuestruan 900 mijë euro cash dhe në pranga ranë 10 persona.

Qëllimi i mashtruesve në këto 3 call center, ishte të piketonin qytetarë europianë të cilët i kishin humbur paratë në skema të tilla. Operatorët premtonin se mund t’i rikuperonin paratë që ata kishin humbur. Veçse për ta bërë këtë, do duheshin pagesa, nga 1 mijë euro. Pra skema fillonte me 1 mijë euro për të rikuperuar 10 mijë euro të humbura, përshembull, por gjatë procesit mashtruesit kërkonin edhe shuma të tjera parash. Qëllimi: T’i merrnin personave të mashtruar një herë, edhe qindarkat e fundit që u kanë mbetur.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:04
Policia rrethon vilën luksoze në Dhërmi, momenti kur arrestohet bossi i Call Center, Granit Pepnikaj (VIDEO)

Granit Pepnikaj, i shpallur në kërkim ndërkombëtar u arrestua sot në një resort në Dhërmi. Në këto pamje mund të shihet momenti i operacionit nga Policia e Vlorës dhe Forca Operacionale, të cilat rrethojnë një vilë luksoze në Dhërmi në të cilën ndodhej Pepnikaj, i cili sipas burimeve nuk bëri rezistencë.

Pepnikaj kërkohej që prej majit 2026, pasi Gjykata e Tiranës i caktoi masën "arrest me burg" për mashtrim kompjuterik dhe pastrim parash.

Gjatë kontrollit të ushtruar në vilën ku qëndronin, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë, si dhe një sasi lënde narkotike, e dyshuar cannabis sativa.