Dhimitër Shuteriqi,shkrimtari rrëfen
jetën e tij, takime e biseda që nga 94

Dhimitër Shuteriqi,shkrimtari rrëfen<br />jetën e tij, takime e biseda që nga 94
(Pjesa e parë e kujtimeve)
 
Në çfarë bote hyje, ndërsa kaloje pragun e një bisede të thjeshtë me Shuteriqin! Tërë puna e tij i ngjante një kërkimi të pafund drejt një mendimi shkencor. Dhe vepra e tij e pasqyron në mënyrë besnike këtë kërkim madhështor. Ai ishte ndryshe nga të tjerët, kishte tjetër praktikë pune të imët, të thellë, të plotë, me referime krahasuese, por nuk mbahej si njeri i jashtëzakonshëm. Zhan Zhiono në librin e tij të famshëm Burri që mbillte pemë, thotë se ”[...] kur puna e njeriut është e zhveshur nga egoizmi, kur ideja që e drejton nuk është shpërblimi [...] dhe se ka lënë pas shenja të dukshme të veprës së tij, jemi përpara një karakteri të paharrueshëm ”. Martirizimi i përditshëm i Shuteriqit mbi libra, veprimtaria e tij e vetëdijshme dhe e heshtur, e shndërron atë në hero kulturor.  

Ne u takuam për herë të parë në qershor 1994 për të dhënat e portretit të tij, porositur nga një gazetë. Ai më priste duke lexuar, mbështetur në një kolltuk, nga ata të tipit të vjetër në dhomën e pritjes. Kur iu afrova u ngrit në këmbë me vështirësi. Duke e njohur më pas jetën e tij, do ta kuptoja se në trup i rëndonte ngarkesa e një vepre të madhe.

Më dha dorën. I thjeshtë e i dashur, jashtë çdo përfytyrimi. Kishte një fytyrë të menduar, ballë të lartë, vështrim të përhumbur, sy të thellë, të cilët i shenjtëronte dituria. Shenjtërinë ia shtonin edhe më tepër shpina e kërrusur prej skribi të lashtë si dhe flokët e gjatë e të thinjur si të një perëndie pagane. Pranë tij ishte një tryezë e ulët plot libra, dosje, fletë me shënime, fletore, lapsa e stilolapsa. Nëpër mure kishte tablo pikture të vendosura në lartësinë e vështrimit, të cilat të dhuronin një ide të ngrohtë e shplodhëse.

Biseda me atë personalitet të letrave nuk ishte e lehtë. Përveç shtrirjes në thellësi e gjerësi të veprës letrare, ishte edhe veprimtaria e vazhdueshme shkencore, e cila kërkonte një njohje relative për të komunikuar. Por ai ishte aq i vërtetë, sa dinte të krijonte që në fillim idenë e barazisë me bashkëbiseduesin. Asaj vizite iu shtua edhe një fakt shumë domethënës, që e ruaja në kujtesë. Kur punoja redaktore botimesh, më qenë dashur disa të dhëna për piktorin anglez Eduard Lear. Dhe më drejtuan te Shuteriqi. Ai më fali një skedë të gatshme dhe ky gjest intelektual pati mbetur për mua i veçantë. Nuk mbaj mend gjë tjetër, sepse takimi qe fare i shkurtër ; ai sapo kishte kaluar një gjendje gripale. Qysh nga ai takim fare i shkurtër, nuk është se kishte kaluar një kohë edhe aq e gjatë, por dukej ngaqë kishin ndodhur ndryshime të mëdha. Kishte rënë sistemi komunist, jetonim në një tjetër epokë.

Bisedat për portretin u zhvilluam në tri ditë. Ditën e dytë dhe të tretë kaluam në studion e tij, një dhomë me një bibliotekë të madhe, e cila qarkonte krejt muret. Librat gjithsesi i jepnin një frymë më konkrete bisedës tonë, ata kanë qenë bashkëbiseduesit më idealë për Shuteriqin. Në vende të ndryshme të bibliotekës krijonin një mozaik kornizat me portrete që kanë bërë piktorët për të: Ksenofon Dilo, Fatmir Haxhiu, Nexhmedin Zajmi, Andon Kuqali e ndonjë  tjetër. Në vende të lira kishte vizatime, fotografi, suprinat kishin objekte të ndryshme: në anën e majtë: një bust i Naimit nga Odise Paskali; një bust i vetë Shuteriqit nga Janaq Paço; një portret i Çajupit nga Ksenofon Dilo ; nga Dilo ishte edhe një vizatim, portret i tij me llullë;  një foto e të atit (Simon Shuteriqit), e zmadhuar; një foto e çiftit Shuteriqi fill pas çlirimit etj.

Në anën e djathtë: një bust i Demostenit, orator dhe burrë shteti athinas, i shekullit IV para erës sonë ; një kuti me llulla të llojeve të ndryshme, kujtim i periudhës së hershme kur ai pinte duhan në vitet studentore në Francë e deri sa sëmundja e zemrës e detyroi ta linte përgjithmonë;  një tablo pikture nga Renoir. Mbi një syprinë tjetër rafti në mes kishte një grumbull gurësh të formave e ngjyrave të ndryshme, relike të vendeve historike që kishte vizituar. Në një të ndarë më vete, përballë nesh rrinte në kuti, « Guri i Çmuar », ashtu si e quante ai ; ishte një copë argjilë e kuqe, e gurëzuar, nga varri i Skënderbeut.

I  kishte dhënë një copë historianit Franz Babinger . Më dhuroi edhe mua një copëz, që e ruaj si gjë të shenjtë. Në një kuti tjetër, por më të vogël ishte edhe një copëz guri i ciflosur  nga varri i Dhimitër Gazullit, bashkëkohës i  Skënderbeut, që e kishte gjetur në qelën e rrënuar në Gëziq të Mirditës.
 
***
Si shumë bashkëmoshatarë të mi që kemi kryer universitetin për letërsi, unë pandehja se dija shumë për Dhimitër S. Shuteriqin. Kur isha studente, pata ndjekur një ligjëratë të tij në një përvjetor të Naim Frashërit. Më pati lënë mbresë të pashlyeshme paraqitja e materialit, përdorimi i fjalës, vendosja e figurës së Naimit në kontekstin e kohës që e lindi, analiza e hollësishme e argumentuar e ideve, motivimi i thellë i vlerave kombëtare dhe estetike të krijimtarisë së tij. Sigurisht për mua që kisha ndonjë prirje letrare, ligjërata e tij ishte një nga leksionet më të çmuara që po dëgjoja për Naimin. Ai shpallte një metodë shkencore krahasuese të vështrimit të personaliteteve dhe sillte shembuj konkretë për stilin, për gjuhën, për vargun karakteristik naimjan. Duke folur, nga sytë i shpërndahej njëlloj lodhjeje fisnike, që ia përcillnin leximet e shumta.

Njihja mjaft gjëra nga krijimtaria e tij letrare, sidomos tregime. Që fëmijë isha magjepsur me librin Gurnecka, në shkollë të mesme letërsinë e studionim sipas tekstit antologjik që kishte botuar ai, kur dola mësuese librat Shkrimet shqipe dhe Nëpër shekuj letrarë, më kanë ndihmuar për vite me radhë në shpjegimin e lëndës së letërsisë, që janë si një vademekum letrar. Por unë mbeta gojëkyçur nga dijet e thella, nga fryma filozofike që e përshkonte bisedën tonë dhe nga puna e tij sistematike. Prej tij numërohen 100 e ca botime me rreth 40 mijë faqe, të gjitha të daktilografuara e të korrigjuara me duart e veta në një makinë të vogël « Olivetti ».

Tryeza e punës e këtij njeriu të jashtëzakonshëm, e vendosur pranë njërës prej dritareve që shihte nga lindja,  në atë studio-bibliotekë, qarkohej nga libra të zgjedhur dhe universalë, pjesë e ushqimit të tij mendor e shpirtëror të vazhdueshëm. Në mes ishte makina e shkrimit që mbushte me ritmet e jetës netët dhe orët e heshtura që kërkon krijimi. Në krahun e majtë Baudelaire-i, një botim i plotë i veprës së tij, poeti që vazhdonte të ushtronte përherë magji tek ai.

Librat e tryezës, “armët e tij të buta” në betejën e përditshme si krijues dhe si shkencëtar i letërsisë dhe kulturës, flisnin për interesat e tij të gjera. Përpara në largësinë e dorës: Fjalor i Gjuhës së Sotme Shqipe; Histori e Letërsisë Shqipe; Histori e Albanologjisë; Histori e Popullit Shqiptar; Histori e Arkitekturës; Fjalor Enciklopedik Shqiptar; Histori e Artit etj. Pastaj disa libra shqip e në gjuhë të huaj, sidomos frëngjisht dhe italisht : Poésie surrealiste (Poezia syrrealiste), Le génie de la peinture européenne ( Gjenia e pikturës europiane); Cubisme (Kubizëm). Disa fjalorë në gjuhë të huaj, më i rëndësishmi ai i gjuhës së sotme frënge (një ndër): Petit Robert I dhe II (Roberi i vogël I dhe II;  Littré (Fjalor i gjuhës frënge, i vitit 1872), pastaj “Histoire de la littérature française”( Histori e letërsisë frënge), Gustave Lanson, 1894; “Histoire d’art” (Histori e artit), disa revista bashkëkohore: filologjike, historike, etnologjike, psikologjike, artistike etj. Albume: Van Gogh, Renoir, Matisse, Sezanne, dy albume të mëdha me kostume arbëreshe . Por edhe edhe një vepër e Platonit . Kishte aq shumë lëndë në jetën e tij sa çdo gazetar do të ishte i lumtur ta kishte protagonist të shkrimit. U largova atë ditë me një material të gjerë dhe me një premtim të heshtur që as vetë nuk e kuptova se ç’përmbajtje kishte. Shuteriqi më ngjau me një apostull të kulturës shqipe. Dhe e ndjeva se nuk e mbaja dot vetëm për vete atë dritë. Sa pak e njihja universin e tij !


Portreti për të u botua një të diel, më 28 gusht 1994, te  një shtojcë letrare e gazetës « Zëri i popullit » me titull: Dhimitër Shuteriqi - mit apo realitet. Qëllimi i shkrimit ishte të krijonte një njohje në gjeneratat e reja për personalitetin e tij në shërbim të kulturës kombëtare. Më 26 korrik 1995 ai mbushte 80 vjeç, shkrimi i paraprinte kështu një përvjetori të veçantë. Për herë të parë figurës së tij iu kushtua një faqe e tërë gazete, larg sloganeve politike. Nuk kam përse ta fsheh se edhe unë ndjeva kënaqësi. Po jetoja ditët e shumëpritura kur botimet patën filluar të dilnin pa ndryshime. Kjo ishte liria e vërtetë e fjalës, për të cilën kanë sakrifikuar jetët dhe ëndrrën e tyre fisnike aq e aq njerëz në Shqipëri e kudo në botë. Atë mbrëmje Shuteriqi më mori në telefon për të më falënderuar. Në të vërtetë duhej ta falënderoja unë atë. Por iu përgjigja se do t’i shkoja të nesërmen për vizitë e t’i merrja përshtypjet nga afër.

Qëllimi im ishte tjetër gjë. Që t’i thosha se do të filloja një jetëshkrim. Çfarë guximi! Im bir që sapo kishte mbaruar liceun për pikturë dhe përgatitej për të hyrë në Akademinë e Arteve,  kur lexoi në shkrim se Shuteriqi kishte një dosje të madhe me skica e vizatime, shprehu dëshirën të vinte me mua. Ne kaluam atje një pasdite mbreslënëse. E megjithatë, unë nuk ia bëra dot të ditur planin tim. Më mungoi vendosmëria. Kur u largova, ai më falënderoi edhe njëherë për shkrimin. Mesa dukej i kishin pëlqyer ato që thuheshin për të. Ishte njëlloj pasqyre ku e shihte veten ndryshe, në mënyrë të qëruar, pa ngarkesa ideologjike. Edhe të afërm dhe miq që u ishte dhënë rasti ta lexonin, e kishin uruar. U desh të kalonin tri ose katër javë që unë të merrja zemër e t’i thosha se do t’i kushtoja një libër. Gjeta mënyrën më të mirë, e cila na shpëton të gjithëve nga përgjegjësia e atypëratyshme. Ia kumtova këtë « çmenduri » në telefon. Dhe menjëherë më trembi ideja. Ç’është e drejta ai e priti mirë vendimin tim. Dhe, ishte qëndrimi i tij mirëbesues që më dha zemër.
 
Ishte 5 tetori i vitit ’94, kur nisi ”ndërmarrja” e gjatë dhe e vështirë e realizimit të projektit të librit që kisha menduar t’i kushtoja. Mes një qetësie që u krijua pas pyetjes time, që e pështjelluar siç isha, nuk iu përmbajta tekstit të përgatitur, unë hodha në letër copëza nga rrëfimi i tij. Atëherë rrethanat ishin shumë kritike. Shoqëria shqiptare përjetonte periudhën e rëndë të depresionit. Lufta politike mes së majtës dhe të djathtës ishte e acaruar. Kryefjala e ditës ishte mohimi i madh për të përmbysur gjithçka që ishte krijuar gjatë pesëdhjetë vjetëve. “... dhe askush s’mund të thotë / se këtu rron / një popull që ndërton diçka të re. ”, do të thoshte në vitet ’30 Migjeni, një nga poetët tanë më të mëdhenj dhe poeti i vërtetë i poezisë sociale. Sulmet nuk kursyen as Shuteriqin. Ato qenë ndër më të rëndat që mund të mendohen, por ai qëndroi i paepur, i mbajtur pas të vërtetës. Krijuesit e mëdhenj nuk i përkasin kohës fizike kur kanë jetuar. Ata vështrojnë përtej kohëve dhe individëve.

Orët e punës sonë ishin përgjithësisht pasditeve gjer në mbrëmje. Shumë dorëshkrime dhe tekste të daktilografuara prej tij prisnin dritën e botimit. Shtëpitë botuese private sa ishin hapur. Ekonomia liberale dhe kërkesat e prodhimit kapitalist, kishin hyrë në çdo ind të jetës. Të botoje një libër, duhet të paguaje. Ishte e pabesueshme, por një nga njerëzit që ka pasuruar ndërtesën e kulturës shqipe, nuk mund të blinte në ato kushte as letër e as shirit makine për të shkruar.

Në këto kujtime dua të përmend një episod mjaft të rëndësishëm që mbetet në fillesën e librit. Kur isha duke mbajtur shënime për portretin e tij, u botua një shkrim tejet përçmues për Shuteriqin te gazeta Rilindja e Prishtinës që dilte në Tiranë. Duke e lexuar atë shkrim mendova me vete: « Historia e njerëzimit ka patur Sokratër dhe Krishtër. Le të jetë edhe Dh. S. Shuteriqi njëri nga ata që paguhet me mosmirënjohje për therorinë e tij ». Mbaj mend se qysh në  mëngjes shkova drejt e në redaksinë e gazetës, në rrugën « Myslym Shyri ».  E dija ku ndodhej se botoja atje ndonjë përkthim apo tregim, duke e pandehur gazetë të pavarur. Duke i përmbajtur lotët, u thashë kryeredaktorit dhe drejtorit : “Ju nuk e dini mirë cili është Dhimitër Shuteriqi. Nuk e njihni”. Gjithsesi unë qeshë gabuar. Ata e dinin dhe e njihnin mirë, por kishin tjetër mision. Ja, ky mbase është çasti që vendosi në mënyrë përfundimtare se duhet ta shkruaja patjetër librin. 
 
Duke hedhur në letër fragmente të shkurtra të atyre meditimeve që më vonë do të më shërbenin si lëndë kryesore, jeta e tij më dukej aq e madhe, sa mendoja se nuk mund ta nxinin librat. Isha përpara një prej figurave më të mëdha të kulturës, që përbën edhe një personalitet unik në historinë e letrave shqipe. I thinjur, i fisnikëruar nga puna përkushtuese dhe në një moshë biblike, ai m’u duk si një mit i gjallë. Nuk ishte i dehur nga suksesi, por as edhe i pezmatuar nga dështimet. «Në jetë duhen pranuar edhe sukseset, edhe dështimet », thoshte. Këtë ide të Romain Rolland-it ai e kishte bërë të vetën. Ndieje mrekullim kur e dëgjoje. Ai ligjërim sot më tingëllon si sinonim i historisë.

Fëmijëria e Shuteriqit që u përkund nën tingujt e kambanave dhe këngës së muezinit, nën pamjen e trishtë, por të mrekullueshme të ikonave, e drituar nga dashuria prindërore në lagjen Kala të Elbasanit, apo në rrugicat e « përmbibukura » të Korçës, në të cilat pati hasjet e para me natyrën e me njerëzit dhe në mënyrë të tërthortë mësoi se të jetosh në botë, do të thotë të jetosh me gjuhën dhe me ndjesinë, me fjalët dhe me kuptimet, me veprimin dhe me heshtjen, mbetet një bazament i qëndrueshëm për të kuptuar veprën e tij të mëvonshme. Kur rrëfente ai dukej si një personazh homerik, një Uliks, që kallëzon një histori shqiptare.

Për mua ishte rrethanë nga më favorizueset që dëgjoja nga goja e tij jetën e vet. Si një rrëfimtar i kohëve të moçme, i mbështjellë përherë me një kurorë drite që rrethon njerëzit e mëdhenj, ai nuk thoshte kurrë asgjë gjysmake. Ato që tregonte kishin një substancë letrare, të patjetësueshme. Magjepsja e tij kishte vërtet diçka fëmijërore. Te shkrimtari i madh fëmijëria është përherë e gjallë, por ajo magjepsje te ai ishte një prani materiale e fuqishme.

Biseda jonë përtërihej, sidomos, kur ai e çonte fjalën te poezia. Poezia ishte si të thuash një dashuri e ndërprerë, një refren i shkëputur. Ai do të kishte dashur të thirrej poet. Por Shqipëria, ky vend i prapambetur, me frymë të përgjithshme orientale, megjithëse i përkiste Europës, thuajse analfabet, me 90 përqind të popullit që nuk dinin shkrim dhe këndim, me fshatra ku drita e vetme për ndriçim ishte kandili dhe pisha, ku vdekjet në moshë të re nga malarja dhe tuberkulozi përbënin një numër të madh, kërkoi shumë prej tij, i kërkoi sakrificën që ta harronte përkohësisht poezinë. Poezia do të ishte luks në këtë vend të varfër e të braktisur nga bota e qytetëruar.

Dhe ai nuk ngurroi ta bënte këtë fli, për hir të një dashurie më të madhe, Shqipërisë. Vërtet, kur flisje me të, besoje se shpirti i tij ishte gatuar me njëlloj atdhetarie që ta fal vetëm puna përkushtuese. Këtë e dëshmojnë planet, programet dhe tekstet e para të letërsisë shqipe për shkollat e mesme e të larta, orët e mësimit  plot pasion për letërsinë dhe folklorin në Institutin e parë Pedagogjik shqiptar, kërkimet e palodhura të shkrimeve zanafillore për shqipen, zbulimi i mistereve të shkrimit shqip, historia e letrave shqipe si dhe studimet letrare me sinteza origjinale, të cilat krijojnë një unitet organik me të gjithë veprën e tij.
Përveç fëmijërisë dhe rinisë që ai i kujtonte me mall ishin edhe mosha e pjekurisë intelektuale me kantiere të shumta pune, që u mishëruan në vepra të panumërta, si dhe ajo e dimrit të bardhë të jetës, me plagë të shumta në vitet ’90. Kështu, duke ndërthurur kohërat mes tyre, u plotësua pak nga pak itinerari i jetës së tij.

Jeta e tij, duke filluar që në moshën e ndërgjegjshme, është  e mbushur me punë, me dashuri e lumturi dhe doemos me trishtime e dhimbje, që shkonin hera- herës gjer në dëshpërim. Por mbi të gjitha këto ngrihej një optimizëm i çuditshëm. Ai fliste për një dritëz që e trazonte shpirtin e vuajtur shqiptar. Duke u ndriçuar gjithë jetën nga kjo dritë, Shuteriqi e shndërroi atë, si të thuash, në një objekt pasioni. Ekzistenca dhe mbijetesa shqiptare në histori e patën çuar në përfundime të atilla, të cilat përmblidhen në një besim rilindës për të ardhmen. Kur ndalej nëpër kujtime të hershme, domethënë kur shpaloste një ligjëratë të kulluar nga teprimet e kohërave, atëherë e kuptoje atë cilësi të qenësishme pozitive që karakterizon si frymë edhe personazhet e prozës së tij. Në të vërtetë ai ishte një optimist « i pandreqshëm ». Ja si shkruante, ndër të tjera, në prill të vitit 1940, në një letër që i dërgonte të atit nga Franca :
 
« (…) S’e di a e keni gjetë të mirë përgjigjen që u bana ideve tueja fillosofike…Sigurisht pesimizmi i em asht i madh e mund të ju duket i çqetësueshëm. Vetëm due të mos e besoni sistematik. Unë nuk kam besuem e nuk besoj kurrë se çdo gjë spiegohet pesimisht, se çdo gja âsht e kalbun… Përkundrazi, siç e dini, jam shumë optimist për të ardhshmen  e të çdo gjâje e ndofta kjo do të mjaftonte për me më cilësue si optimist mâ fort se të kundërtin. Se njeriun duhet ta gjykojmë simbas qëllimevet, idealevet që ka e në të cilat ka besim. Mjetet janë të përkohshme… Pesimizmi i em s’âsht nji fenomen për t’u çuditun. Rinija e soçme âsht pesimiste prej lindje. Të lesh më 1915, në luftë e sipër, të dëgjosh gjithë jetën vetëm të qame, të shohësh gjithë jetën vetëm gjaqe e vrasje, të rrosh gjithë rininë tande e fëmini vetëm, si ç’kam bâ unë, duhet të jesh me të vërtetë shumë i fortë që të kesh dhe aq optimizëm sa ç’kam vetë, apo jo ?(…) »
 
Ai fliste dhe unë shkruaja. Shkruaja copëza jete që peshonin rëndë. Lënda ishte e artë. Erudicioni i tij ishte i llahtarshëm. Ajo stuhi punësh e dijesh vërtet më stepte. Kjo gjë ma shtonte nderimin, por edhe sëkëlldinë. Në mes të këtij ligështimi më jepte zemër fjala e tij e urtë, që jetëshkrimi, nëse do të përfundonte, duhet të botohej “më vonë”, që doemos kishte kuptimin postume, domethënë pas vdekjes. Fjala vdekje nuk ishte në stilin e tij të bisedave. Ai e donte jetën. Shihte te ajo shpirtin e gjallë të botës. Nuk vuante fare nga paramendimi se çfarë do të thuhej për të. Ishte i ndërgjegjshëm për çka kishte krijuar. Por ky ndërgjegjësim kishte një kuptim fisnik. Ai mendonte se kishte kryer thjesht një detyrë. Nuk vëreje në ato që thoshte as përpjekjen më të vogël për të treguar ndonjë epërsi që nuk e kishin të tjerë. Nuk më udhëzoi asfare sesi mund t’i trajtoja disa çështje delikate. Nuk rithá me ndryshime asgjë që i përkiste jetës së tij intime, e cila është e mbushur me të fshehta e ngjarje të shenjta e të ëmbla dhe ndonjëherë të rënda e të hidhura. Kjo ishte si leje kalimi për t’iu përmbajtur rrëfimit të tij, por ishte edhe koncepti që kishte ai për jetëshkrimet. Nuk i pëlqente që jeta të ndryshohet e të fabrikohet për t’iu larguar së vërtetës.

Në çdo takim Shuteriqi ishte i vëmendshëm, sidomos ndaj ndërhyrjeve për të qartësuar ndonjë çështje. Kishte raste që  biseda nuk i përmbahej pyetjes, por zgjatej në rrethanat e reja politike e shoqërore, që u krijuan në Shqipëri pas vitit ’90. Me gjithë hapësirën e hijezuar shqiptare të atyre kohëve dhe gjendjen depresive kolektive, ai kishte një besim të patundur tek e nesërmja: « Të gjithë e kuptojnë se e ardhmja e atdheut dhe e kombit është demokracia dhe procesi i demokratizimit në Shqipëri, tanimë është i pakthim ».

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Modena/ Dy ‘skifterët’ shqiptarë grabitën 400 mijë euro mall në tetë ditë, 19 vjedhje në seri! Njëri i dënuar dhe për plagosje, plaçkitjet me orar

Modena/ Dy ‘skifterët’ shqiptarë grabitën 400 mijë euro mall në tetë ditë, 19 vjedhje në seri! Njëri i dënuar dhe për plagosje, plaçkitjet me orar