Dhjetë prej gafave më të rënda
ushtarake të historisë

Nga kohët e lashta e deri në ditët e sotme, betejat janë humbur për shkak të motit të tmerrshëm, armatimeve të pamjaftueshme dhe fatit të keq. Po kur përgjegjesia për humbjen i faturohet gjykimit të gabuar dhe planifikimit të keq?

Çdo budalla mund të humbë një betejë. Gjithçka që duhet, është një ushtri më e dobët sesa kundërshtari juaj. Ajo që kërkon një talent të veçantë, është humbja e një beteje, edhe kur niseni me të gjitha avantazhet e mundshme. Disa komandantë kanë arritur të shpërdorojnë fuqinë e numrit më të madh të ushtarëve, pozicionit më të fortë dhe armatimeve më superiore, nëpërmjet gabimeve të një shkalle aq të tmerrshme, saqë përfunduan duke humbur beteja që logjikisht duhej t’i kishin fituar me lehtësi. Këtu po rendisim 10 gabimet ushtarake më mbresëlënëse në histori.

1) Changping

Duke filluar nga korriku i vitit 260 P.E.S, shteti kinez Çin rrethoi për 3 vjet me rradhë kështjellën strategjike Zhao në Shangdang. I vendosur për të thyer bllokadën, Zhao Kuo udhëhoqi një ushtri prej 450.000 njerëzish për të kundërsulmuar. Ushtria e Qin e Bai Çi qe më e vogël se sa pritej, ndaj dhe filloi të tërhiqej. I etur për ta shtypur armikun, Zhao Kuo avancoi përpara, duke e lënë prapa karvanet e tij me furnizime.

Ky veprim, e lejoi kalorësinë e Bai Qi që të sulmojë parpavijën e Zhaos, dhe ta asgjësojë atë. I mbetur pa furnizime, Zhao Kuo u tërhoq në Shangdang, por as atje nuk kishte ushqime. Zhao Kuo u vra 46 ditë më vonë duke udhëhequr një përpjekje për të çarë rrethimin, pas së cilës tërë ushtria e tij u dorëzua teksa ishte në prag të vdekjes nga uria. Bai Qi urdhëroi ekzekutimin e të gjithë të burgosurve të dobësuar – deri në 400.000 sipas llogarive bashkëkohore. Duke humbur furnizimet e tij, Zhao Kuo e shfarosi të gjithë ushtrinë e tij.

2) Trasimeni

Në qershor të vitit 217 P.E.S komandanti kartagjenas Hanibali, ishte duke marshuar me ushtrinë e tij nëpër Italinë veriore, në kuadërin e luftës kundër Romës. Komandanti romak Gai Flaminius Nepos kërkoi ta tërheqë Hanibalin në fushën e betejës, por kartagjenasi i shpëtoi ndjekjes. Mëngjesin e 24 qershorit, Flaminiusi po e ndiqte Hanibalit përgjatë brigjeve të liqenit Trasimen, kur pararoja i tij u ndesh me praparojën e Hanibalit – ky ishte një kurth i ngritur nga Hanibali, në mënyrë që të zinte në pritë Flaminiusin.

Ky i fundit urdhëroi që e gjithë ushtria e tij t’i bashkohej betejës. Do të duheshin vetëm disa minuta për të dërguar kalorësit të gjurmonin tek kodrat e pyllëzuara, por Flaminiusi nuk e bëri këtë. Teksa ushtria e tij u turr përpara ajo e prishi rreshtimin, dhe atë atë moment Hanibali mësyu me ushtrinë e tij kryesore nga kodra ku ishte fshehur, për të asgjësuar krahun e çrregullt të trupave  romake.

Ishte një masakër e vërtetë. Flaminiusi mberi i vrarë në fushën e betejës dhe nga 30.000 njerëzit e ushtrisë së tij, gjysma u vranë, një e treta u kapën robër dhe vetëm 5.000 shpëtuan (edhe pse disa burime sugjerojnë se u kapën 15.000 mijë robër dhe 6000 arritën të largohen). Duke dështuar të mbrojë krahët, Flaminiusi e humbi betejën.

3) Karrhae

Në vitin 53 P.E.S gjenerali romak Marks Krasi, pushtoi perandorinë Parthiane me një ushtri prej 35.000- 45.000 legjionarësh (dhe 4000 kalorësish) si dhe rreth 12.000 trupa aleate. Pasi mësoi se ushtria kryesore e Parthës kishte sulmuar Armeninë, Krasi marshoi me ushtrinë e tij nëpër shkretëtirë duke shpresuar të pushtonte qytetet e pasura të Mesopotamisë.

Kur arriti në Karrhae, Krasi u përball me forcë prej rreth 10.000 kalorësish parthianë, që nën komandën e Surenas kishin bllokuar rrugën. Krasi i udhëhoqi trupat e tij në një sulm të menjëhershëm, duke mos i lejuar ata të pushonin gjatë natës pranë një lumi Të lodhur, të etur e të uritur, ushtarët romakë dështuan të luftojnë si duhet, dhe shumë shpejt Krasi e pa veten të rrethuar.

Surenasi u ofrua për të negociuar kushtet e paqes, por kur Krasi shkoi në Parli ai u vra.

Ushtria romake u tërhoq nëpërmjet shkretëtirës, ku gjysma e tyre u vra dhe 10.000 të tjerë u kapën robër për t’u shitur si skllevër. Duke bërë një seri të gabimesh – që përfshinin moslejimin e njërezve të tij për të pushuar apo rifreskuar furnizimet e tyre me ujë – Krasi e humbi betejën në Karrhae.

4) Jarmuk

Në vitin 636 një ushtri prej 40.000 arabësh myslimanë të udhëhequr nga Kalid ibn Velidi, sulmuan krahinat jugore të Perandorisë Bizantine. Bizantinët dërguan një ushtri prej 100.000 burrash nën komandantin Vahan për të zprapsur pushtimin. Në 15 gusht, Vahan i gjeti arabët në Jarmuk dhe i sulmoi. Megjithatë, i dyti në komandë pas Vahanit, Tritirusi, kishte lobuar për të marrë drejtimin e fushatës.

Të dy burrat nuk i besonin njëri-tjetrit, ndaj dhe nga frika e tradhtisë, nuk qenë të gatshëm të angazhonin forcat e tyre për të sulmuar. Pas 5 ditë sulmesh të dështuara dhe viktimave të shumta, bizantinët u sulmuan nga arabët. Forcat bizantine sërish nuk arritën të bashkëpunojnë, duke u masakruar gradualisht. Duke mos patur besim tek vartësit e tij, Vahan e humbi ushtrinë e tij.

5) Hatini

Në vitin 1187 udhëheqësi mysliman Saladini rrethoi kështjellën e kryqtarëve në Tiberia. Ndërkohë, Mbreti Gi i Jeruzalemit mblodhi një ushtri të madhe kryqtarësh në Akra. Disa nga fisnikët dëshironin të marshonin drejt kalasë së La Safories, nga ku ata mund të bastisnin linjat e furnizimit të Saladinit. Gi e përbuzi këtë këshillë si një mënyrë frikacake të luftuari, dhe jodinjitoze për të si mbret.

Ai filloi të marshojë nëpër shkretëtirë drejt Tiberias. Saladini e sulmoi paraprakisht me kalorësinë e lehtë, duke i bllokuar qasjen tek uji i freskët, teksa i vuri zjarrin barit të thatë dhe të korrave. Kur kryqtarët qenë dobësuar mjaftueshëm, Saladini i sulmoi, duke vrarë apo kapur rob thuajse të tërë ushtrinë e kryqtarëve. Gi e siguroi humbjen, duke e lejuar krenarinë të ketë epërsi mbi realitetin.

6) Azhinkur

Në vitin 1415 një ushtri angleze nën komandën e mbretit Henri V, po marshonte nëpër Francën veriore, kur u përball me një ushtri franceze më të madhe në numër, nën drejtimin e Sharl D’Albret. Anglezët kishin pak furnizime ushqimore dhe vuanin pasojat e shirave të vjetshtës për shkak të fushimit në natyrë.

Gjithçka që duhej të bënte D’Albreti, ishte bllokimi i rrugës që të çonte drejt territorit të pushtuar tashmë nga ishullorët. Por, kur Henri avancoi me flamujt valëvitës dhe njerëzit që këndonin, D’Albret e cilësoi këtë si një sfidë fyese, ndaj dhe sulmoi pa u menduar dy herë.

Ai zgjodhi të udhëheqë njerëzit e tij, të pajisur me parzmore, nëpër një fushë me një baltë ngjitëse, e cila ishte shndërruar në një moçal për shkak të shirave të shumtë. Ushtarët francezë rrëshqitën dhe e rrëzuan, duke e bërë përparimin e tyre të ngadaltë.

Kjo i dhuroi harkëtarëve anglezë shenjestra të lehtë. Kur francezët mbërritën tek faza e luftës ballë për ballë, ata qenë të lodhur dhe të rrëmujshëm. Disa mijëra francezë (përfshirë edhe vetë D’Albretin) u vranë dhe shumë të tjerë u zunë robër, ndërsa anglezët mund të kenë humbur pak më shumë se 100 burra (numri i saktë nuk dihet). Duke sulmuar mbi një terren të papërshtatshëm, D’Albreti e dënoi me vdekje ushtrinë e tij.

7) Tërheqja nga Moska

Në vitin 1812, Perandori francez Napoleoni, udhëhoqi një ushtri prej 680.000 njerëzish, të përbërë nga Franca dhe aleatët e saj drejt një fushatë për pushtimin e Rusisë. Për 3 muaj rusët praktikuan taktikën e tërheqjes perms lënies pas së tokës së djegur. Më në fund Napoleoni e pushtoi Moskën, por rusët nuk pranuan të bëjnë paqe.

Me furnizime të pakta, Napoleoni u tërhoq. Ai zgjodhi të largohet në të njëjtën mënyrë siç kishte shkuar, por nuk zotëronte furnizimet e nevojshme ushqimore dhe asnjë strehë të sigurtë. Dimri i hidhur i atij viti, e gjeti ushtrinë franceze pa rroba të përshtatshme, ndërsa sëmundjet dhe ngrirja prej të ftohtit, e shtuan në mënyrë drastike bilancin e viktimave të shkaktuara nga sulmet e befta të rusëve.

Kur Napoleoni u largua nga Rusia, 380.000 nga trupat e tij kishin vdekur; 100.000 qenë burgosur; dhe më shumë se 50.000 ishin të paaftë për shërbimin e mëtejshëm ushtarak. Duke avancuar shumë larg dhe duke zgjedhur rrugën e gabuar për tërheqje, Napoleoni e humbi ushtrinë e tij.

8) Misioni i dështuar i kalorësisë së lehtë

Në vitin 1854 një forcë britaniko-franko-turke, kishte rrethuar në portin e madh rus të Sevastopolit në Krime. Në 25 tetor një ushtri e madhe ruse e sulmoi bazën e furnizimit të aleatëve në Balaklava. Ushtarët turq e braktisën artilerinë pararojë në lartësitë e kodrës, duke lënë pas armatime të vlefshme për rusët.

Komandanti britanik Lord Raglan, urdhëroi komandantin e kalorësisë së lehtë Lord Karigan që të “parandalonte rusët nga marrja e atyre armëve”. Nga pozicioni i tij, Kardigani nuk mund të shihte të gjithë trupat armike, por vetëm artilerinë ruse në luginën përpara tij, kështu që ai u nis drejt tyre. Nga 670 njerëzit e brigadës së tij, 270 u vranë apo u plagosën dhe gati të gjithë kuajt pësuan një fat të ngjashëm. Duke dhënë urdhra të paqarta, Raglan e humbi kalorësinë e tij të lehtë.

9) Litëll Big Horn

Në vitin 1876, nënkoloneli amerikan Xhorxh Kuster udhëhoqi 647 burrat e Regjimentit të Shtatë të Kavalerisë, kundër një aleance të fiseve indiane Siuks, Çejen dhe fisesh të tjera, që kishin fushuar në lumin Litëll Big Horn. Kusteri vendosi të nisë një sulm nga disa drejtime të ndryshme, për t’i kapur fiset në befasi, duke i çorientuar dhe i penguar ata të mbrohen siç duhet.

Në fakt këta të fundit e dinin se Kusteri po u afrohej dhe ishin në pritje. Sulmi nisi në mesditë.

Detashmenti i Kusterit prej 210 njerëzish u izolua që në fillim, dhe me pas u godit keqazi. I udhëhequr nga Majori Reno dhe kapiteni Benten, ai u detyrua të  tërhiqet, dhe mezi arriti të ndërtojë një pozicion mbrojtës ku rezistuan për 24 orët e ardhshme, derisa beteja përfundoi. Duke e ndarë forcën e tij, Kuster humbi jetën dhe luftën.

10) Stalingrad

Në verën e vitit 1942 gjermanët dhe aleatët e tyre, sulmuan pjesën jugore të Frontit Lindor në Bashkimin Sovjetik, me qëllim pushtimin e fushave të naftës në Kaukaz dhe zonat e pasura minerare rreth Donit dhe lumit Vollga. Prandaj ata duhej të shtinin në dorë qytetin e Stalingradit, për të siguruar paraprakisht krahun e majtë.

Përparimi në fillim qe i mirë, kështu që Hitleri e zhvendosi Armatën e 4 të Pancerave, për të ndihmuar Armatën e 6 në pushtimin e Stalingradin dhe zonave përreth. Pa Pancerat, avancimi kryesor u ngadalësua. Rezistenca e vendosur sovjetike në Stalingrad, bëri që Hitleri të dërgonte përforcime në qytet. 

Një kundërsulm pasues nga ana e rusëve e rrethoi Armatën e 6, duke e detyruar të dorëzohet. Duke u përqëndruar në një objektiv dytësor dhe përforcuar dështimin, Hitleri nuk arriti të realizojë objektivin e tij kryesor, duke humbur një ushtri të tërë prej 330.000 njerëzish. / www.bota.al

(d.b/Shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave