Vlora ka qenë për shekuj me radhë një strehë për komunitetin hebre. Që prej viteve 1500, dhjetëra familje hebreje jetuan dhe u integruan në jetën e qytetit, duke ndërtuar një bashkëjetesë të rrallë me popullsinë vendase. Kjo lidhje u forcua edhe më shumë gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur Vlora dhe Shqipëria u kthyen në vend shpëtimi për hebrenjtë që i shpëtonin persekutimit nazist.

“Hebrenjtë në Vlorë kanë qenë të pranishëm që pas viteve 1500. Ata kanë jetuar të integruar me popullsinë vendase dhe kjo lidhje u dëshmua më fort gjatë Luftës së Dytë Botërore.”, thotë historiani Skëndër Spahiu.

27 Janari shënohet si Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit, një nga tragjeditë më të mëdha të njerëzimit. Kjo datë përkon me çlirimin e kampit famëkeq të Aushvicit më 27 janar 1945, ku humbën jetën rreth 1.1 milion njerëz, kryesisht hebrenj.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa në shumë vende evropiane hebrenjtë u dorëzuan dhe u deportuan, në Shqipëri ata u mbrojtën nga shteti dhe nga popullsia vendase. Historianët theksojnë se asnjë hebre i strehuar në Shqipëri nuk u dorëzua tek autoritetet naziste.

“Shqipëria është një nga rastet e rralla në Evropë ku hebrenjtë jo vetëm që u mbrojtën, por numri i tyre pas luftës ishte më i madh se para saj.”, vëren Spahiu.

Në kampet e përqendrimit nazist u internuan edhe shqiptarë, përfshirë qytetarë nga Vlora, të cilët humbën jetën në Aushvic, Mathausen dhe kampe të tjera.

“Edhe shqiptarët e kanë pësuar fatin e kampeve të përqendrimit, por është domethënëse që hebrenjtë e strehuar në Shqipëri nuk u deportuan.”, tregon Skënder Spahiu.

Pas çlirimit të kampeve, forcat aleate zbuluan dhomat e gazit dhe krematoriumet, dëshmi të krimeve çnjerëzore të regjimit nazist.

Lidhja mes shqiptarëve dhe hebrenjve vazhdon edhe sot, përmes vizitave, muzeve dhe ruajtjes së kujtesës historike, si shembull unik i solidaritetit dhe bashkëjetesës.

27 Janari mbetet një ditë kujtese dhe reflektimi, në nderim të miliona viktimave të Holokaustit dhe si një thirrje që historia të mos harrohet kurrë.