Dita e lëvizjes me biçikletë, shoqëria
civile kërkon më shumë hapësira

TIRANË - Në ditën për lëvizjen me biçikleta shoqëria civile ka protestuar për shkak të mungesës së korsive të biçikletave, duke kërkuar më shumë hapësira. Ambientalisti Sazan Guri, i shoqëruar edhe nga dhjetëra të rinj kanë kërkuar nga Bashkia e Tiranës që të merren masa që lëvizja me biçikleta të bëhet e sigurtë si në çdo vend të Europës.

Gjithashtu në këtë ditë aktivitete janë organizuar edhe nga Ministria e Mjedisit,  me pjesëmarrjen e ministrit, Lefter Koka, por edhe nga bashkia e Tiranës, nga kryebashkiaku, Lulzim Basha. 
 
SHOQËRIA CIVILE KËRKON KORSI TË DEDIKUARA
Ambientalisti Sazan Guri, bashkë me aktivistin e shoqërisë civile, Erion Kristo dhe dhjetëra të rinj, kanë kërkuar nga Bashkia e Tiranës që të kenë më shumë rrugë për lëvizje të biçikletave.

“Si qytetarë ti kërkojmë kryetari të bashkisë që të lirojë trotuarët nga tavolinat. Të sigurohen rrugë sipas studimeve të bëra nga inxhinierët. Prandaj si qytetarë civilë i kërkojmë kryebashkiakut që të lirojë trotuarët. Ne kemi dalë këtu për ti kërkuar bashkisë dhe qeverisë që këta qytetarë meritojnë më shumë rrugë biçikletash. Ne nuk kërkojmë rrugë ku një shofer mund të të godasë”, ka deklaruar ambientalisti Guri.

Sipas tij, “kërkojmë jo më pak se një qytetar europian, ku trotuari ndahet për gjysmë mes këmbësorëve. Na lironi trotuarët tanë. Nuk mund të bëhen këto gafa truallin e Tiranës. Nuk mund të udhëtojë biçikleta në një zonë ku mund të përballesh me derën e një makine. Na lironi trotuarët nga tavolinat”.

Ndërkaq aktivisti i shoqërisë civile, Erion Kristo ka kërkuar nga zyrtarët bashkiakë e të qeverisë që të shikojnë Tiranën se në çfarë smogu është zhytur.

“Nëse do ta shikoni qytetin, përdorimi i automjeteve po e dëmton shumë Tiranën. Sot është koha e duhur për tu kthyer atje ku kemi qenë. Ne kemi humbur vlerat se njëherë e një kohë e kemi përdorur biçikletën. Qeveritarët të shkojnë në Dajt dhe të shikojnë se si është zhytur kryeqytetit në smog”, kanë deklaruar aktivistët e shoqërisë civile për mikrofonin e A1Report.  
 
KOKA: TA SHIKOJMË MJEDISIN SI PRIORITET
Në një tjetër aktivitet, të organizuar nga Ministria e Mjedisit, ku ka marrë pjesë edhe drejtuesi i këtij institucioni, Lefter Koka dhe përfaqësues të BE-së, është kërkuar që mjedisi të shikohet si priorietet. Gjatë fjalës së tij, ministri Lefter Koka, bëri një thirrje për qytetarët.

"Në ditën e fundit të aktiviteteve organizuar në kuadrin e “Javës Europiane të Qarkullimit”, gjej rastin të falënderoj Bashkimin Europian për ndihmën e dhënë në promovimin e një serie aktivitetesh sensibilizuese sidomos në fushën e mbrojtjes se mjedisit.

Mendoj se kjo traditë e fituar duhet të vazhdoje madje të promovohet edhe më tej.

Fakti është, që për vite me radhë qeveritë kanë anashkaluar rëndësinë sociale, ekonomike dhe humane të mbrojtjes së mjedisit. Si ministër i Mjedisit ju garantoj se do bëj ç’është e mundur ti rikthehej çdo qyteti apo komune në vend pastërtinë dhe bukurinë që vetë natyra ju ka falur. Gjendja në të cilën ndodhemi sot është e patoluershme ndaj nevojiten masa të menjëhershme, efiçente dhe të hartuara në konsensus të plotë me njësitë e qeverisjes vendore, sektorin privat si dhe faktorë të tjerë të përshfirë në proces.

Ju garantoj se angazhimi im do të jetë maksimal për ti dhënë rëndësinë e duhur edukimit mjedisor duke ndikuar drejtpërdrejtë në përmirësimin e të gjithë parametrave mjedisorë", deklaroi ministri i Mjedisit, Lefter Koka.
 
BASHA: DO TË SHTOJMË KORSITË
Bashkia e Tiranës ka organizuar një tjetër aktivitet për ditën e lëvizjes me biçikleta. Duke folur gjatë një aktiviteti të organizuar, kryebashkiaku Lulzim Basha tha se, “si bashki jemi zotuar për një Tiranë të shëndetshme. Deri më tani është janë 7.3 kilometra rrugë të reja biçiklete. Gjatë kësaj kohe do të shtojmë edhe 20 kilometra rrugë për biçikleta në qytetin tonë”.

Kryebashkiaku Basha tha se, “dedikimi i korsive bën të mundur që qytetarët të jenë më të sigurtë në lëvizje. Do të shtohen pikat të ndryshme ku qytetarët marrin një biçikletë për të lëvizur nëpër qytet. Do të rregullojmë edhe gjashtë impiante për këmbësorët në pikat e nxehta dhe përmirësimin e gjashtëm kryqëzimeve”.

“Këto projekte synojnë që në Tiraën lëvizja e qytetarëve të përafrohet sa më shumë me europianët”, përfundoi në fjalën e tij, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Viti i Ri vjen me diell, por vishuni mirë! Parashikimi i motit për 31 Dhjetorin e ditët e para të Janarit

Viti i Ri vjen me diell, por vishuni mirë! Parashikimi i motit për 31 Dhjetorin e ditët e para të Janarit