'Djali i madh i Enverit, Iliri, është ca i trashë nga trutë, Sokoli është ndryshe, ndërsa për Nexhmijen...'

'Djali i madh i Enverit, Iliri, është ca i trashë nga trutë, Sokoli është ndryshe, ndërsa për Nexhmijen...'

Familja Hoxha

Ka qenë vetëm 16 vjeçe, kur e kanë pranuar anëtare të Komitetit Qarkor të Rinisë Komuniste të Tiranës, pra edhe të Rinisë Antifashiste. Ndërsa një vit më pas, iu besua drejtimi i të gjithë rinisë së kryeqytetit. Në moshën 18-vjeçare, u zgjodh anëtare e Komitetit Qendror të Rinisë Komuniste të Shqipërisë dhe pak më pas, u gjend në Komitetin Qendror të Partisë Komuniste. Kjo ishte Liri Belishova, që adoleshente në Luftë, humbi syrin, ndërsa pas lufte, humbi titujt që mori, humbi vajzën Drita, por edhe dy bashkëshortë, Nako Spiron e Maqo Çomon. Humbi 31 vite jetë në internim dhe plot miq të saj. E arsimuar edhe në ish-Bashkimin Sovjetik, nga njëra prej eksponentëve kryesore të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, anëtare e Byrosë Politike dhe e Komitetit Qendror të PPSH-së, ajo u përjashtua në vitin 1960, si “armike e Partisë”, duke e internuar fillimisht në Gjirokastër dhe më pas në Cërrik e Mallakastër, deri në vitin 1991.

E besonit atëherë vërtet këtë, që do të kishte demokraci?

Patjetër, as që diskutohej që e besonim. Do ishim të gjithë vëllezër. Ajo parulla e revolucionit francez, ato mësimet e Rusoit, ne do t’i zbatonim: “Liri, vëllazëri, barazi”! Rinia është forca më heroike, më vetëmohuese, por është forca më e manipulueshme, sepse nuk ka eksperiencën e jetës dhe komunistët e manipuluan rininë, e bënë për vete në të vërtetë.

Pra, komunizmi fitoi ngaqë nuk forcat e tjera politike kishin mungesë organizimi?

Po, kjo më tepër. Partia Komuniste u tregua parti me një organizim të hekurt, me një disiplinë të hekurt dhe shtriu rrjetin e saj si parti, si rini, si organizatë gruaje, si organizatë fronti në të gjithë Shqipërinë, qytete e fshatra. Pastaj u tregua dhe shumë e vendosur në luftë, të rinjtë që ishin komunistë, anëtarë partie apo jo, luftuan heroikisht. Kjo gjë e tronditi popullin shqiptar. Vrasja e Qemal Stafës që ishte njeri që gëzonte shumë dashuri dhe respekt te të rinjtë e populli, luftoi heroikisht; vrasja e Misto Mames; vrasja e heronjve të Shkodrës (Perlat Rexhepi, Branko Kadia dhe Jordan Misja), që u dogjën të gjallë duke luftuar për atdheun; vrasja e Muzo Asqeriut; Vojo Kushit etj,.

D.m.th., ishin heroizma që nuk mund të mos e bënin popullin për vete. Unë kam qenë në Tiranë atëherë dhe më besoni, ne na mbështesnin atëherë edhe familjet e atyre që ne i quanim reaksionarë, na jepnin ndihma…! Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, u zhvillua në kushtet e Luftës së Dytë Botërore. Dhe Lufta e Dytë Botërore, në ndryshim nga Lufta e Parë Botërore, ishte një luftë për pavarësinë e popujve të shtypur nga nazizmi.

Ishte një luftë për mbrojtjen e demokracisë, sepse nazizmi, luftonte demokracinë, duke e quajtur plutokraci. Ata më shumë kanë luftuar kundër demokracisë në propagandën e tyre, sesa kundër komunizmit. Sepse e nënvlerësonin komunizmin. Me “të drejtë”, se atëherë shtetet që promovonin demokracinë, përfshirë dhe Amerikën, përfaqësonin një forcë shumë të madhe në atë kohë.

Megjithatë, pati një moment kur ballistët tentuan bashkëpunimin me komunistët, madje ranë dakord, siç ndodhi në Marrëveshjen e Mukjes.

Pse u prish ajo, tradhtuan komunistët apo ballistët?

As që diskutohet për anën tjetër…! Marrëveshja e Mukjes në fakt, ka një rëndësi historike, sepse do të siguronte bashkimin e forcave antifashiste të Shqipërisë, kundër okupatorit. Pra, kjo Marrëveshje, do të mund të evitonte luftën civile, edhe vëllavrasjen, pa qenë luftë civile. Por Mukja ishte e destinuar të mos kishte sukses dhe jetë.

Pse?

Sepse fatkeqësia ishte më 8 nëntor, te themelimi i Partisë Komuniste, e cila luftën e bënte në dy drejtime: kundër okupatorëve fashistë dhe nazistë, por edhe për të vendosur pushtetin e saj, diktaturën komuniste. Ky ka qenë që në fillim objektivi i saj. Por duke u afruar çlirimi, kjo mori shumë rëndësi. Mori supremaci, d.m.th., lufta për diktaturën e PKSH-së u bë më e rëndësishme, sesa lufta kundër okupatorit.

Me këto që thoni, a mund ta quajmë se pati luftë civile?

Pavarësisht këtyre, unë mendoj se nuk pati luftë civile, nuk do ta quaja kështu. Partia Komuniste, deri në fund e vijoi luftën në dy frontet, edhe kundër okupatorit, edhe për vendosjen e pushtetit të Këshillave Nacionalçlirimtarë, që në fakt ishin organe të PKSH-së, si sovjetët në Rusi.

Por, ka dokumente se pati vëllavrasje…!

Patjetër, kur shqiptari vret shqiptarin, kjo është vëllavrasje, por PKSH-ja pati këtë favor: e ndihmuan nacionalistët shqiptarë, i dhanë ndihmën më të madhe PKSH-së, duke bërë aleancë me okupatorët. Në fillim si fshehur, pastaj bashkëpunuan haptas. Unë, në Arkivin e Shtetit, duke kërkuar një dokument për veten time, që nuk e mbaj mend për çfarë e doja, hasa në një raport që Komanda e Xhandarmërisë, i bënte kryeministrit. Një nga pikat e raportit ishte: “Dje, mbrëma, në Tiranë janë arrestuar 26 veta” dhe jepte listën, ku ishte edhe emri im.

Po në këtë kërkim gjeta dokumentin, ku ky komandant raportonte dhe thoshte: “Forcat e komanduara nga Kadri Cakrani, – që ishte komandanti i Përgjithshëm i Ballit Kombëtar, – megjithëse kanë marrë nga gjermanët armatime, ushqime, veshmbathje etj., prapë u mundën në betejë me partizanët. E kam lexuar vetë këtë në dokument. D.m.th. nuk ishin në gjendje që të përballonin luftën me PKSH-në, me forcat që ajo kishte grumbulluar rreth vetes së saj dhe i komandonte, atëherë janë detyruar që të bëjnë kompromis, madje të bashkëpunojnë me gjermanët.

Në ‘Operacionin e Dimrit’, ballistët dhe gjermanët kanë qenë bashkë kundër partizanëve. Në periudhën e okupacionit Italian, ka pasur mjaft raste kur partizanët dhe ballistët, kanë luftuar së bashku kundër tyre. Hysni Kapo, në mbledhjen e Plenumit të Dytë që u bë në Berat, duke diskutuar thotë: “Vihemi në pozitë të vështirë, se ata të Ballit (p.sh. në Vlorë ishte Skënder Muço, Hysni Lepenica, që kanë luftuar kundër okupatorit), na propozojnë për bashkëpunim. Hysni Lepenica na thotë: Hajdeni të vendosim se çfarë aksionesh të përbashkëta të bëjmë, ç’luftë të përbashkët të bëjmë. Dhe ne si t’i shmangemi, sepse ju na keni udhëzuar që të mos pranojmë të bashkëpunojmë me Ballin Kombëtar në luftë”.

D.m.th., Enver Hoxha, në krye të PKSH-së, bashkë me mësuesin e tij Miladin Popoviçin, ndiqnin politikën që, jo të aktivizonin “Ballin Kombëtar” në luftë, jo të ndihmonin që “Balli Kombëtar” të mos lëkundej, përkundrazi. Duke e goditur dhe duke mos pranuar bashkëpunimin me “Ballin Kombëtar”, qëllimi ishte që të mos ndahej pushteti. Ai që do të luftonte, do të bëhej pjesëtar në pushtet. Dhe pastaj ishte kjo, që nofka “bashkëpunëtor i fashizmit”, është përdorur për çdo element që ka qenë antikomunist ose nuk u pëlqente udhëheqësve komunistë. Kjo u bë për të gjithë kundërshtarët e PKSH-së, të tërë quheshin “bashkëpunëtorë të fashizmit”. E ka përdorur shumë këtë.

Me rastin e 70-vjetorit të Çlirimit, shtypi botoi disa shkrime dhe foto, ku pretendohet se partizanët kanë vrarë civilë të pafajshëm, pa gjyq, duke i ekzekutuar e madje duke hedhur valle rreth tyre. Dëshmi këto që janë marrë nga arkivat britanikë (dëshmitë e oficerëve britanikë në Shqipëri), por edhe nga personazhe që janë gjallë, siç është rasti i Sami Repishtit. A kanë ndodhur ngjarje të tilla?

Po, kanë ndodhur ngjarje të tilla. Po tregoj një rast. Unë atëherë nuk kam qenë në Tiranë, kam qenë në Berat se atje ka qenë Shtabi i Përgjithshëm. Por e di shumë mirë këtë gjë, se mes atyre të vrarëve, kanë qenë dhe dy vëllezërit e Musine Kokalarit, Muntazi e Vesimi. Njëri nga vëllezërit e saj, Muntazi, që ishte avokat, ka qenë burri i kushërirës së nënës sime. Ata janë vrarë jo si “spiunë e bashkëpunëtorë”, por njerëz antikomunistë ose, të supozuar si rivalë të komunizmit.

P.sh., vëllezërit e Musinesë nuk kishin zhvilluar ndonjë aktivitet politik, ishin deklaruar si antikomunistë. Ata ishin demokratë nga formimi i tyre, me kulturë perëndimore, të arsimuar atje. Idetë komuniste, për ta ishin të huaja, por ata janë vrarë me atë që do të të them më vonë…! Në mbledhjen e Komitetit Qendror, plenumi i dytë, kur është kritikuar Enver Hoxha për “politikë terroriste gjatë luftës”, Kristo Themelko ka thënë: “Unë tani po e kuptoj që paskemi vepruar shumë gabim. Sepse shoku Enver, më kishte thënë që ne të vrasim sa më shumë reaksionarë, pa gjyq, fshehurazi, prapa krahëve, sepse këta kur të çlirohet Shqipëria, do të na bëhen pengesë në zgjedhje”.

Pra, ky ishte një orientim. Gogo Nushi që ka qenë një besnik i madh i Enver Hoxhës, tha në plenum: “Kam marrë një letër nga shoku Enver: Më bëj një listë me 30 veta që të vriteshin në këtë mënyrë, prapa krahëve. Kur e lexoj listën, atje nuk kishte asnjë spiun. Madje, një pjesë e tyre ishin antifashistë, njëri ishte kryetari i Këshillit Nacionalçlirimtar të Tiranës. Në atë listë kishte edhe komunistë. Unë nuk e pranova këtë listë dhe bisedova me Nako Spiron, që atëherë ishte ilegal në Tiranë. Edhe Nako ishte kundër dhe vendosëm të mos e zbatojmë këtë urdhër dhe nuk e zbatuam”.

Tani, këto diskutime, nëse nuk do të ishin të vërteta, do t’i kishte kundërshtuar Enver Hoxha, por ai nuk i ka kundërshtuar. D.m.th. Kristo Themelko nuk ka gënjyer, kur ka thënë se Enver Hoxha më tha: “Vrisni sa më shumë reaksionarë prapa krahëve”, as Gogo Nushi nuk ka gënjyer…! Ja si janë rrënjët e së keqes.

Pse fitorja aq e madhe e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, degjeneroi më pas në diktaturë?

Nëse bëhet pyetja përse fitorja e kësaj lufte, me kaq sakrifica të mëdha që bëri populli, krahina të tëra të djegura, pushkatime të fshatarëve, të partizanëve të vrarë etj., dha si rezultat një fitore të hidhur, apo diktaturën siç thoni ju me të drejtë, përgjigjja është vetëm një: 8 nëntori, Partia Komuniste që e udhëhoqi këtë luftë, që e organizoi këtë luftë, që e bën edhe sot e kësaj dite të diskutohet kjo luftë dhe që ato djem dhe vajza të reja që morën malet, të quhen kriminelë! Ndërsa ka ca që më dalin me fotografinë e Enver Hoxhës. Po atyre Enver Hoxha ua bëri gjëmën…! Ku ka komandant batalioni, brigade, korparmate, divizioni, çetash që nuk u vranë, nuk u burgosën apo nuk u internuan nga Enver Hoxha. Ku?

Meqë dolëm këtu te portreti, si ndiheni kur në aktivitetet e ndryshme për çlirimin e Tiranës apo të Shqipërisë, ngrihet portreti i Enver Hoxhës?

Të them të drejtën, mbase të duket e çuditshme, por e para gjë që bëj kur shoh portretin e Enver Hoxhës, është që qesh. Më duket diçka shumë absurde, e papranueshme, por ndiej edhe revoltë, hidhërim dhe them me vete: “Si është e mundur?! Në një vend që pati kaq viktima, që vuajti kaq shumë…”! Ta marrësh edhe nga logjika komuniste: Mirë, hajde de, derisa sa ishte Stalini i “pa shkurorëzuar”, ky njeri duke qenë komunist veproi sipas stalinizmit. Megjithëse komunistë ishin edhe çekët, ishin edhe polakët, ishin edhe shumë vende të tjera, por nuk janë bërë këto krime kaq të tmerrshme.

Por pastaj Stalini u dënua, krimet e Stalinit u bënë publike në të gjithë botën, se raporti sekret i Hrushovit i ra në dorë amerikanëve dhe ata e botuan. Enver Hoxha jo vetëm nuk e dënoi Stalinin si të tjerët, por rrëmbeu flamurin për të mbrojtur stalinizmin dhe e tejkaloi stalinizmin. Absurditeti i tij arriti kulmin, kur ai mendonte se po bëhej udhëheqësi i revolucionit proletar botëror, do të themelonte Internacionalen e katërt. Të parën e themeloi Marksi, të dytën Engelsi me Socialdemokracinë gjermane, të tretën Lenini, ndërsa të katërtën do ta themelonte Enver Hoxha. Marrira! Në vend që të merrej me popullin që jetonte në mizerje, ai e armiqësoi Shqipërinë me gjithë botën.

Deri në vitin 1960, para se të burgoseshit e të nisnin një nga një dramat e tragjeditë tuaja familjare, ju keni qenë anëtare e Byrosë Politike, sekretare e Komitetit. Pas çlirimit e, deri në këtë vit (pra 1960) kanë ndodhur disa pushkatime nga PKSH-ja, p.sh. Bahri Omari, Koçi Xoxe, Bedri Spahiu etj. A ishin të drejta këto eliminime? A ndiheni edhe ju përgjegjëse për ekzekutimet nga paslufta e deri në 1960-ën?

Po të them këtë gjë. Edhe kur kam qenë e dënuar, edhe u kritikua Stalini dhe u dënuan krimet e tij, kam menduar se burgosjet, internimet, vrasjet pas çlirimit, pra ajo pjesa e parë kur janë dënuar bashkëpunëtorët e fashizmit, ka qenë e drejtë. Duke kaluar vitet, duke u ballafaquar me dokumente, e kam kuptuar sa gabim e kam pasur…! P.sh., kam qenë në Holandë. Atje, gjatë bisedës doli që këta pas Luftës së Dytë Botërore, kishin pushkatuar vetëm 3-4 veta, shumë pak të burgosur dhe asnjë i internuar, sepse Holanda është shumë e organizuar.

I thashë atij që po më fliste: “Po mbase nuk keni pasur shumë bashkëpunëtorë, tradhtarë…”?! Ai qeshi dhe më tha: “Holandezët e quajnë vetën kushërinj të gjermanëve dhe Hitleri e partia naziste, kishin zhvilluar aktivitet, propagandë në Holandë dhe kanë pasur përkrahës të shumtë atje”. Atëherë e pyeta: “Si është e mundur, pse kaq pak dënime”?! M’u përgjigj: “Sepse me dënime nuk zgjidhen gjërat në një shtet, në një shoqëri. Ne kemi dënuar ata që kanë qenë me të vërtetë kriminelë, vrasës. Kemi burgosur ata që ishin të rënduar. Vrit një, burgos një, por pas atij është familja, farefisi, në radhë të parë kush do t’i ushqejë ata”?!

Atëherë unë i kam vënë gishtin kokës: “Bobo, po ne ç’kemi bërë?! Ne kemi bërë hatanë…”! Kur kam vajtur në Ballsh duke u interesuar për pronat e babait tim, kam gjetur në regjistrin e hipotekës shumë vendime për shpronësime të një komisioni që paska qenë në Mallakastër dhe besoj ka qenë edhe në krahina të tjera. Aty thuhej: “I shpronësohet familjes së filan fistekut, se ka qenë simpatizant i ‘Ballit Kombëtar”.

Kishte edhe që ka qenë me “Ballin”, por mendoni ndëshkimi kishte shkuar deri edhe tek ata që supozoheshin si simpatizantë. Dhe u ishin sekuestruar 5 kokë dhi, dhjetë dhen, deri te rrogozat, kusitë, tepsitë, jorganët. Atëherë me gjithë mend jam tronditur që si t’ju them, përfytyrojeni vetë se deri ku ka vajtur thika…! Ato proces-verbale ishin shumica të “firmosura” me gisht dhe disa të tjerë me shkarravina, se dihet që në ato analfabetizmi ishte në kulm. Pa lëre pastaj kur është vjedhur floriri, që kushedi sa vjedhje janë bërë….!

Si ish-partizane e LANÇ-it, a mund të thuash se Shqipëria u çlirua me forcat e veta, pa ndihmën e asnjë formacioni ushtarak të forcave të Aleancës Antifashiste?

Duhet bërë dallim mes Luftës Antifashiste të popullit shqiptar dhe Luftën Nacionalçlirimtare që u udhëhoq nga PKSH-ja. Lufta Antifashiste e popullit shqiptar, nuk duhet zhvlerësuar. Populli shqiptar, i vogël në një vend të vogël, nuk mund të lozte një rol të madh, por e kreu detyrën e tij. Tani, a u çlirua me forcat e veta Shqipëria? Mendoj se kjo gjë nuk duhet theksuar kaq shumë. Se lufta e popullit shqiptar, ishte pjesë e Luftës së Dytë Botërore.

Po të mos fitonin këto forca kundër Gjermanisë naziste, Italisë fashiste, Japonisë militariste, a mund të mendohej çlirimi i Shqipërisë? Nëse nuk do të kishte ardhur ai urdhri i famshëm nga Komanda Gjermane për “Armatën E” (armata gjermane e Ballkanit), se duhet të tërhiqeni, do të fitonin me kaq sukses forcat partizane? Duhet të thuhen këto gjëra siç janë. Ndërsa anglezët nuk qe nevoja të vinin, por deshën vetë të vinin, për të ndihmuar popullin shqiptar, sidomos në minimin e urave dhe sabotazhet. Ndërsa Enver Hoxha u vuri pushkën, e ka thënë edhe vetë. Po ashtu edhe amerikanët…!

Po ndihma e sovjetëve dhe jugosllavëve, në ç’nivele ka qenë?

Në të vërtetë luftën në Shqipëri, vetëm britanikët e kanë ndihmuar. E kufizuar ka qenë ndihma, por ama ishte e vetmja ndihmë. Nga anglezët pati disa që dhanë jetën duke luftuar në Shqipëri. Për shembull, ka qenë një kolonel me gjeneralin Devis. Enver Hoxha, tregoi paturpësi, sepse këtë gjeneral, ai e la pa mbrojtje në malet e Martaneshit, ndërsa duhet ta kishte siguruar me rojë. Enver Hoxha, humbi një rast të jashtëzakonshëm me gjeneralin Devis, duhet ta kishte ruajtur si ujët e pakët, se më pas ai do t’i siguronte ndihma të mëdha.

Ndërsa sovjetikët dërguan një major, të shoqëruar me një radist, në gusht të vitit 1944, kur lufta kishte angazhuar tërë Shqipërinë. Vetëm kaq!

Ish-ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, i cilësoi si “mostra” ata që glorifikojnë figurën e Enver Hoxhës. Nga ana tjetër, djali i Enverit, i’u kundërpërgjigj duke e quajtur “prepotenca e përfaqësuesit të një superfuqie”…! Si do ta komentonit këtë?

Unë e kam lënë fëmijë atë dhe kisha shpresë që ai Sokoli, do të dilte pak më ndryshe, se dukej më i kuptueshëm, më inteligjent. Ky Iliri, më dukej ca i trashë nga truri, mbase e kam gabim…?! Nuk kam ç’të them tjetër, veçse më vjen shumë keq për ta.

Dua të të pyes për Nexhmije Hoxhën, në çfarë rrethanash e keni njohur dhe si do ta portretizonit atë?

Nexhmijen e kam njohur nga fillimi i Luftës. Në shkollë nuk e kam njohur, se ishte katër klasë më e madhe nga unë. Ajo ishte në katin e dytë a të tretë, ndërsa unë në të parin. Pastaj ajo nuk ishte konviktore, ndërsa unë isha konviktore. Por në Luftë, kur e kam takuar, më ishte dukur një nxënëse e Institutit tonë, që ishim aq shumë të lidhura me atë shkollë. Inteligjente, e rregullt, antifashiste e vendosur dhe mendoj se vërtet ashtu ka qenë. Pastaj u transformua krejt…!

Mendoni se, Enveri e transformoi Nexhmijen apo Nexhmija Enverin?

Nuk diskutohet, Enveri e transformoi Nexhmijen. E përpunoi atë. Mbaj mend vetëm diçka, që më tha Nako Spiro: “Kjo grua, ka marrë fund. Për këtë grua tani, është gjithçka karriera e të shoqit”. Unë këtë gjë e kisha thënë edhe mes shoqesh. Siç duket, ndonjëra prej tyre që e takonte Nexhmijen, ia ka thënë këtë gjë. Dhe në librin e saj të fundit “Lufta jonë çlirimtare”, Nexhmija shkruan nja gjysmë faqe për mua duke më kritikuar. Thotë: “Unë gjithmonë e kam mbrojtur dhe e kam ndihmuar Enverin. Edhe këtë libër e të tjerët që kam shkruar, i kam shkruar për të mbrojtur Enverin”.

Ta kisha e t’i thosha: “Po të paktën, nuk të vjen turp? Cilin Enver ke mbrojtur e ndihmuar ti? Atë që është kriminel, atë që vrau shokët e tij? Atë që nuk la komandant pa vrarë e burgosur? Atë që i kërkoi Titos bashkimin e Shqipërinë? Atë që u ngrit për të mbrojtur Stalinin, atëherë kur tërë bota e dënonte për krimet e tij? Edhe nëse ke një mendje kaq të mbrapshtë dhe një shpirt kaq të keq, nuk të vjen keq për fëmijët, nipërit e tyre që aq shumë kanë vuajtur…”?!

A ka pasur ndonjëherë shoqe të ngushtë Nexhmije Hoxha?

Me sa di unë, ato që duhet të konsideroheshin shoqe të saj, të gjitha u dënuan. Duke filluar nga Fiqirete Shehu që, kanë qenë në të njëjtin Grup Komunist, atë të Shkodrës. Di që kanë qenë shumë shoqe që atëherë. U tregua e pamëshirshme me të. Naxhije Dumen, e ka pasur shoqe, në një klasë, në një bankë, e dënuar. Drita Kosturi, e dënuar…!

Mua në vitet e shkollës, nuk më ka patur shoqe, por pastaj nuk mund të thuash se nuk ishim, se unë punoja me rininë, pastaj u martova me Nakon, e shumë vite isha sekretare e Propagandës, ndërsa ajo ishte drejtore e Propagandës. Por Nexhmije Hoxha, nuk ka pasur shoqe të ngushtë ndonjëherë, edhe pse këto që përmenda më sipër pretendoheshin si të tilla.

Për Enverin, thatë që ka vrarë të gjithë shokët e tij që i shihte si rivalë. Vlen kjo gjë edhe për Nexhmijen, i vrau apo dënoi ajo shoqet e saj?

Nuk i ka vrarë Nexhmija në të vërtetë. I ka dënuar dhe i ka vrarë Enveri. Por çështja është kjo: Nexhmije Hoxha çfarë roli ka lozur përpara Enverit? Çfarë qëndrimi ka mbajtur, kur shoqet e saj dënoheshin e vriteshin? Nuk mund të shkarkohet nga përgjegjësia me një justifikim infantil. Thotë në librin e saj: “Pasditet, d.m.th., pas drekat ishin tonat. Por nuk bisedoja për gjërat politike”. Pra rrinte me Enverin, bisedonte, shëtisnin…?!

Po për çfarë bisedonin Nexhmija e Enveri? Për gjellët? Gjellët i bënin kuzhinierët…! Për ekonominë shtëpiake që, nuk u dilte dhe si t’ia bënin këtë 15-ditësh? (qesh)

Vitet e fundit, Enver Hoxha nuk ishte në gjendje aq të mirë shëndetësore, ndërkohë që ndodhën eliminimet e mëdha; ushtarakët, inteligjenca e naftës, ajka e ekonomistëve, disa ministra, etj. Thuhet se gjatë kësaj periudhe, ka qeverisur Nexhmija “de facto”. E besoni këtë?

Jo, nuk e besoj që Nexhmija të ketë qeverisur.

Jo, nuk ka influencuar që Enver Hoxha të merrte këto vendime. Por një gjë them, Nexhmija nuk qenë fort në rregull me nerva dhe këta tipa, kanë maninë e persekutimit. Dhe kjo mund të ketë pasur maninë e drojës, të paranojës. Por, ajo që nuk u falet, është: Flitet për vrasjet e shokëve dhe shoqeve të tyre, flitet për vuajtjet e fëmijëve të këtyre që u rritën me fëmijët e saj, njeriu sidoqoftë – edhe politikani është njeri, nuk është ujk….!

Të them të drejtën, nuk e kam aprovuar fare atë që ajo shkruan libra me kujtime, që ajo mbron Enverin, justifikon Enverin. Do ishte shumë më e mençur sikur, ta mbyllte gojën. Të rrinte në heshtje. Do të ishte edhe më mirë për atë dhe fëmijët, se çdo gjë që shkruan dhe thotë, ajo provokon reagim, urrejtje.

Të ka rastisur të përballesh me të pas ardhjes së demokracisë?

Jo, jo. Mbaj mend vetëm njëherë. Nuk kishim shumë që kishim ardhur në Tiranë. Unë, Fadil Paçrami dhe Muhamer Spahiu, po rrinim te dera e Ministrisë së Drejtësisë, që atëherë ishte tek ndërtesa e Komitetit Qendror, derën e kishte andej nga veriu. Binte shi dhe ishim strukur si varfanjakë. Ishim të dobët, se sa kishim dalë nga ato internimet. Kjo doli me veturë nga vila nr. 6 dhe kaloi para nesh. Pati një buzëqeshje, që mua m’u duk si ngërdheshje, sikur deshi të na thoshte: “Aty të rrini mor qelbësira, në shi të rrini”.

Më ka mbetur në mendje ajo ftohja që përjetova atë ditë, që dridhesha nga të ftohtit, se kishim nja dy orë që po prisnim të na takonte ndonjë drejtor a dikush tjetër dhe të na jepnin ndonjë referencë. Kështu na kanë trajtuar, në mënyrë çnjerëzore kur kemi ardhur…! Memorie.al

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Meta nga burgu: Arsimi pa fonde shtesë, papërgjegjshmëri

Meta nga burgu: Arsimi pa fonde shtesë, papërgjegjshmëri