Dollma me lakër
Përbërësit
1 lakër
1 qepë
1 thelpi hudhër
½ lç kumin
½ tufë majdanoz
½ tufë nenexhik
1 degë rozmarinë
500 gr mish të grirë
200 gr oriz
3-4 lgj vaj ulliri
Kripë, piper
Për salcën:
70 gr gjalpë
70 gr miell
70 ml ujë
Lëkurë limoni
Vaj ulliri
Kripë, piper
Përgatitja:
Marrim lakrën dhe presim pjesën e bishtit. E zhysim në një tenxhere me ujë të nxehtë dhe e lemë të marrë valë. Pas 10 minutash e largojmë lakrën dhe fillojmë dhe heqim fletët pa i prishur. Në një ene vendosim mishin e grirë, orizin, qepën e grirë hollë, kuminin, hudhrën, bimët aromatike, vaj ulliri, kripë dhe piper.
Marrim një tenxhere dhe vendosim një buqetë të vogël me bimë aromatike, më pas shtrojmë disa fletë lakre. Fillojmë dhe mbushim dollmat me kimën e përgatitur, i vendosim në tenxhere, vendosim një pjatë dhe më pas shtojmë ujë sa të mbulohet pjata. Brenda vendosim dhe një fetë limoni për të zbutur aromën e lakrës.
Në një tenxhere kaurdisim miellin me gjalpin, sapo mielli të ndryshojë ngjyrë e shuajmë me pak nga lëngu i zierjes së lakrës. Shtojmë sipas dëshirës një koncentrat për më shumë shije si dhe pak lëkure limoni. E spërkasim me piper, një lugë vaj ulliri dhe kopër të grirë.